Studime

Petraq Qafoku

Facebooktwitter

Përndjekja e shkencëtarëve shqiptarë në vitet 1945–1955. Lidhja ndërmjet shkencës dhe ideologjisë dhe rasti i përndjekjes së inxh. Petraq Qafokut

Albert Nikolla

“Puna shkencore dhe zhvillimi i teknikës në vendin tonë,
ose me fjalë të tjera revolucioni tekniko-shkencor përparon
në rrugë të drejtë, për arsye se teknika dhe shkenca te ne
është rezultati i revolucionit proletar të armatosur që rrëzoi
pushtetin e vjetër shfrytëzues borgjez, kapitalist dhe
vendosi diktaturën e proletariatit”.
E. Hoxha

Metodologjia
Në pjesën fillestare, analiza do të ketë një qasje filozofike për të sqaruar lidhjen ndërmjet ideologjisë dhe shkencës sipas modelit të filozofisë marksiste dhe, nga ana tjetër, do të bëhet një qasje kritike ndaj kësaj rryme bazuar kryesisht te vepra e filozofit francez Zh. Mariten. Do të shikohen në mënyrë kritike vizoni marksist i njeriut dhe reduktimi i këtij të fundit në një objekt, përkundër kritikës së Maritenit, i cili mbron përmasën njerëzore të personit njerëzor. Në këtë pikëpamje do të shohim se si trajtohet rasti i inxh. P. Qafokut nga gjykata komuniste dhe nga “Sigurimi i Shtetit” dhe se si, nëpërmjet dhunës, dijet e tij përdoren për të “mirën socialiste”!
Si rast emblematik të keqpërdorimit të shkencës nga ideologjia marksiste do të shohim edhe atë të shkencëtarit sovjetik Lysenko i cili, me mbështetjen e Stalinit organizon një dhunë të paprecedentë kundër shkencëtarëve sovjetikë nisur nga ideja se një gjenetist si Mendel duhet të ketë ide të gabuara shkencore, pasi ai ishte një prift!
Në pjesën tjetër, e cila është edhe pjesa kryesore e studimit, do të ndiqet metodologjia e antropologjisë historike, nëpërmjet së cilës analizohen dokumentet arkivore nën dritën e elementeve të pranishme kulturore që na japin mbështetjen e duhur për t’u thelluar në analizë. Në fund do të trajtohen disa elemente klasike të antropologjisë kulturore që konsistojnë në analizën e arkivit familjar të familjes Qafoku dhe atë të Autoritetit të Dosjeve mbi figurën e P. Qafokut. Përgjatë gjithë analizës studimore, rasti i inxh. Qafokut do të analizohet duke dëshmuar nëpërmjet historisë së tij, elementet e ngjashme ose të përbashkëta që pati regjimi komunist në dhunën që përdori ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë me modelin sovjetik që e pati si pikë referimi.
Të tria këto elemente të metodologjisë kanë për qëllim që të nxjerrin qartë në pah arsyet antropologjike të dhunës ndaj shkencëtarëve shqiptarë, duke analizuar rastin e inxh. Qafokut.

Hyrje
Çështja e ndërtimit të socializmit, po të shihet me vëmendje historia e socializmit në vendet ish-socialiste dhe, madje edhe të Kinës sot, ka qenë dhe është e lidhur ngushtë me shkencën dhe çështjen e progresit teknologjik dhe industrial. Marksi, ati shpirtëror i komunizmit dhe i socializmit shkencor, bën një lidhje të drejtpërdrejtë midis zhvillimit të socializmit dhe lindjes së klasës politike të proletariatit, e cila nga ana e saj pasqyron drejtpërdrejt zhvillimin e një industrie në një shkallë të gjerë1 . Sipas tij, kalimi nga manifaktura në industrinë në shkallë të gjerë solli zhvillimin e tregut të punës dhe përqendrimin e një numri të madh punëtorësh në fabrika dhe pikërisht në këtë pikë kapitalizmi sjell jo vetëm shkatërrimin e vet, por edhe mundësinë e zëvendësimit të tij me një sistem tjetër.
Është e vërtetë që kapitalizmi përgjatë historisë së tij ka sjellë mjaft probleme të natyrës sociale, ekonomike, politike, shëndetësore, ekologjike, por dhe këtu qëndron paradoksi i idesë së zëvendësimit të tij me socializmin: që çdo tentativë për ta tejkaluar atë në planin politik me modelin socialist ka qenë akoma më e dhimbshme në të gjitha rrafshet që përmendëm më sipër. Pra, alternativa që shumëkush, në mirëbesim, mund të ketë pritur nga socializmi, ka rezultuar një dështim i plotë në planin politik dhe, për më tepër, në atë moral. Theksoj aspektin moral sepse regjimet komuniste i kanë dhënë një peshë të jashtëzakonshme lidhjes midis zhvillimit teknologjik e shkencor me moralin, në kuptimin që zhvillimi industrial “prodhon” një moral të caktuar. Duke qenë se ideologjia marksiste e bazon çdo superstrukturë kulturore te marrëdhëniet në prodhim dhe tek ekonomia, atëherë edhe morali që buron nga një model i caktuar ekonomiko-shoqëror do të jetë i “mirë” ose “i keq”, në varësi të modelit ekonomik. Pra, kapitalizmi prodhonmoral “të keq”, ndërkohë që socializmi prodhon moral “të mirë” ose më saktë: moral komunist!
Në këtë pikëpamje shteti socialist është e vetmja njësi absolute që përfshin të gjitha nënnjësitë e tjera strukturore e superstrukturore dhe është vetë shteti krijuesi dhe rojtari i moralit komunist. Nga ky fakt rrjedh qëndrimi i dhunshëm ndaj kujtdo, qoftë intelektual, mësues, inxhinier, punëtor apo çdo person tjetër që bie në kundërshtim me moralin komunist. Mirëpo, ky fakt na çon doemos drejt një tjetër fenomeni interesant: meqenëse shkenca dhe zhvillimi industrial në një vend socialist që frymëzohet nga idealet komuniste janë drejtpërdrejt të lidhur me ideologjinë dhe moralin, atëherë çdo intelektual apo shkencëtar që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë teknike në zhvillimin e ekonomik, ka po kaq përgjegjësi në aspektin moral, që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me shtetin e shoqërinë! Lidhjen ndërmjet zhvillimit industrial dhe zhvillimit moral në një vend socialist e evidenton në mënyrë mjaft interesante filozofi H. Marcuse. Në studimin e tij mbi marksizmin sovjetik, ai vë në dukje impaktin që ka pasur zhvillimi industrial i Bashkimit Sovjetik në konkurrencë me kapitalizmin perëndimor dhe veçoritë etike të komunizmit sovjetik. Regjimi komunist mendon se është pikërisht zhvillimi i industrisë që do të sjellë lirinë e vërtetë të njerëzve.

“Nëse ka një gjë të përbashkët në filozofinë marksiste të shekullit të XIX, ajo qëndron në faktin se të gjitha rrymat marksiste theksojnë faktin se zhvillimi i industrisë dhe teknologjisë shikohet si premisë për progres ekonomik dhe moral 2”.

Nisur nga çka pohuam më lart, persekutimi ndaj intelektualëve në diktaturën komuniste shqiptare ishte i diktuar nga ideologjia komuniste. Për sa i përket çështjes ideologjike, intelektualët ishin një objekt persekutimi, pasi shumica dërmuese e tyre kishin studiuar në vendet perëndimore, por jo në Bashkimin Sovjetik, për rrjedhojë ata nuk ishin “njerëz të rinj komunistë 3” të brumosur me moralin dhe me idealet komuniste. Veç këtij fakti, shumë syresh ishin të edukuar me sensin e pavarësisë dhe lirisë individuale gjatë studimeve të tyre.
Në studimin e tij kritik, studiuesi V. Possenti, duke iu referuar kritikës filozofike që filozofi francez Zh. Mariten i ka bërë marksizmit në planin ideologjik dhe për sa i përket konceptit të lirisë, pohon:

“Vetitë kryesore të personit janë pavarësia, njësimi ontologjik, liria, predispozicioni për marrëdhënie njerëzore nëpërmjet të cilave ai komunikon me të tjerët dhe me transhendentalen nën një dinamizëm njohjeje dhe dashurie. Nëse i mohojmë këto cilësi themelore të personit, jemi brenda kornizës së qëllimeve marksiste që e barazon personin me realitetin material 4”.

Këtë model dhe këtë mohim të personit, që del qartë në pjesën e fundit të citimit të mësipërm, komunizmi shqiptar e ushtron që në ditët e para të pushtetit. Intelektuali që ka studiuar, sidomos në Perëndim, është “njeri i vjetër” që duhet detyruar e nënshtruar me dhunë deri sa të shndërrohet në “njeri të ri”! Mirëpo, qeveria komuniste, sidomos në dhjetë vitet e para të pushtetit, është në dilemë për sa i përket persekutimit të intelektualëve, sepse nga njëra anë, thirrja e përbrendshme ideologjike e shtyn regjimin drejt persekutimit të pamëshirshëm ndaj tyre, pasi ata përbëjnë rrezik ideologjik; nga ana tjetër ajo ka nevojë për njohuritë e tyre, sidomos shkencore e profesionale, për të ringritur ekonominë e shkatërruar nga lufta dhe për t’i bërë ballë mjerimit.
Intelektualët dhe shkencëtarët shqiptarë të viteve të para të regjimit komunist ishin me mjaft personalitet dhe edukim jo vetëm shkencor, por edhe filozofik e politik, pasi kishin përthithur pashmangshmërisht edhe frymën e përgjithshme kulturore e sociale prej vendeve ku kishin jetuar e studiuar. Kjo i bënte prè të një tjetër elementi persekutmi: ata nuk ishin “njerëz kolektivë”, ose më saktë njerëz të përputhshëm me mënyrën se si komunizmi e konceptonte njeriun.

“Vetëm njeriu kolektiv, domethënë njeriu i përgjithshëm është objekt i ekzaltimit të Marksit. Marksizmi është një humanizëm i ri por me keqkuptim bazik mbi dinjitetin e personit i cili e ka dinjitetin vetëm në masën që ia përkufizon kolektivi 5”!

Shkencëtarët shqiptarë të fillimviteve ‘40 nuk mund të reduktohen në “kolektiv”, ata janë, për vetë natyrën e tyre dhe studimet e kryera, të dalluar prej “turmës”, “kolektivit”. Janë pikërisht këto dy konceptet e fundit që do të jenë të keqpërdorura nga regjimi në dhunën sistematike ndaj shkencëtarëve dhe “armiqve të pushtetit popullor”!
Përvoja e Bashkimit Sovjetik, të cilën regjimi komunist shqiptar e ndjek me përpikëri në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ka dëshmuar se shkencëtarët dhunohen dhe përdoren prej regjimit në mënyrë brutale. Theksoj fjalën “përdoren” për vetë ngarkesën kuptimore antropologjike dhe kulturore që ka kjo fjalë nisur edhe nga arsyetimi i Zh. Mariten. Pra, personi shndërrohet në send, në objekt dhe si i tillë përdoret, i cenohet krejt dinjiteti i tij. Këtë shembull ndjek me përpikëri udhëheqja komuniste shqiptare nisur edhe nga vija që përcakton diktatori komunist E. Hoxha, vijë e cila jo vetëm i përjashton shkencëtarët që kanë studiuar në Perëndim që të përfshihen në organet drejtuese shkencore të vendit, por kërkon shfrytëzimin në terren të dijeve të tyre pa pasur qasje në organet drejtuese politikëbërëse. Në organet drejtuese mund të vihen vetëm ata që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe vendet komuniste:

 

Instituti ynë i Shkencave, ashtu si çdo gjë në vendin tonë. Në të do të punojnë kuadrot tanë të rinj që kanë mësuar në Bashkimin Sovjetik e në vendet e demokracisë popullore si dhe njerëzit tanë më të mirë të shkencës, të literaturës, të arteve etj. Atje duhet të punojnë shkencëtarë përparimtarë dhe të hiqen prej andej elementet e padëshiruar e që s'kanë asnjë lidhje me shkencën e re, e që bile mbajnë qëndrim armiqësor ndaj pushtetit tonë. Unë mendoj se dituria e tyre nuk na vlen për në institut, i cili ka qëllime të mëdha; atë dituri të tyre, në qoftë se ka mundësi, ta shfrytëzojmë akoma gjetkë, por jo në një institut të tillë 6

Një vështrim ky që përcakton strategjinë e regjimit komunist shqiptar mbi shfrytëzimin dhe persekutimin e shkencëtarëve dhe intelektualëve. Shkencëtarët me frymë perëndimore të shfrytëzohen në maksimum, por të mos u jepet asnjë hapësirë pushteti e drejtimi. Modeli më i besueshëm për komunistët shqiptarë është ai sovjetik. Edhe atje përvoja e persekutimit është e madhe dhe tashmë ka krijuar një model. Rasti më emblematik i persekutimit të shkencëtareve të Bashkim Sovjetik është ai që lidhet me qasjen ndaj gjenetikës. Bëhet fjalë për rastin e gjenetistit Lysenko, i cili, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Stalinit, organizon rrëmbimet, internimet dhe vrasjet e disa prej shkencëtarëve më të famshëm sovjetikë në fushën e gjenetikës, si: Vavilov, Ivanov, Dubinin, Jebrak, Sashiarov, vetëm se kishin mbështetur tezat e gjenetistit “borgjez” Mendel. Të gjitha zbulimet gjenetike të Gregor Mendelit hidheshin poshtë sepse konsideroheshin si “shpikje të një prifti”, si zbulime “mistike” dhe antishkencore 7 !
Me të njëjtin paragjykim, të shprehur në forma nga më të ndryshmet u duhej të përballeshin shkencëtarët shqiptarë që ishin diplomuar në vendet perëndimore.

Petraq Qafoku – inxhinieri me formim perëndimor dhe procesi i persekutimit të ushtruar ndaj tij
Në studimin tim për persekutimin e intelektualëve në dhjetë vitet e para të regjimit komunist kam marrë si rast historinë e inxh. Petraq Qafoku. I lindur në qytetin e Beratit, më 17 korrik të vitit 1916, në një familje tregtarësh që kanë pasion shkollimin e fëmijëve, mbas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, të afërmit e tij, meqenëse Petraqi mbetet jetim që në moshë të njomë, e ndihmojnë të vazhdojë studimet e larta fillimisht në Bukuresht e më vonë në universitetin “La Sapienza” në Romë. Pas përfundimit të studimeve universitare dhe diplomimit në Inxhinieri Minierash me rezultate të shkëlqyera në vitin 1944, ai vendos të kthehet në Shqipëri, shkon në Berat dhe vihet në dispozicion për të punuar pranë Qeverisë Provizore të sapoformuar aty në prag të çlirimit të vendit 8 . Ky vendim për t’u kthyer në Shqipëri përmban në vetvete elemente heroike, pasi inxh. Qafoku ishte krejt i vetëdijshëm për pasojat e mundshme në një regjim diktatorial komunist. Në Itali ka pasur mundësi të njihet me literaturë që përshkruan tragjedinë e persekutimit në Bashkimin Sovjetik. Nga ana tjetër, ai, duke qenë jetim, nuk ka prona në Shqipëri. Ky fakt i jep përmasë të thellë shpirtërore vendimit të tij për t’u kthyer në atdhe, si shprehje e dashurisë së vërtetë për vendin e tij. Siç do ta shohim në vijim, ky fakt del në pah edhe më shumë edhe në një letër që inxh. Qafoku i drejton diktatorit Hoxha, në të cilën shprehet se gjëja që e lëndon më shumë sesa persekutimi në vetvete është “njolla e tradhtisë”9 .
Pas çlirimit të vendit inxh. Qafoku punon në Dikasteret Qendrore që merreshin me ndërtimet dhe me çështjet ekonomike. Vendimi i tij për kthimin në Shqipëri është mjaft fisnik dhe i përgjigjet një klime shpirtërore të shumë intelektualëve shqiptarë të shkolluar kryesisht në Perëndim dhe që e kishin mjaft për zemër fatin e Shqipërisë. Ky interes dhe pasion i tyre i madh për të ardhmen e vendit i bënte ata edhe më të dyshimtë përballë përfaqësuesve të regjimit komunist, pasi këta të fundit ishin kryesisht njerëz të pashkolluar mirë, por me nuhatje politike dhe të gatshëm për çdo kompromis për të marrë pushtetin. Dyshimi ngrihej natyrshëm kundrejt këtyre intelektualëve të shkolluar!
Nisur nga nevoja e madhe e regjimit për të ardhura në valutë dhe ekzistenca e pak ndërmarrjeve që prodhojnë për eksport, inxh. Qafoku dërgohet në Minierën e Selenicës në fund të vitit 1945 për ta ngritur atë në kushte prodhimi, pasi ishte në gjendje të shkatërruar si pasojë e luftës. Shikojmë në këtë vendim rastin e nevojës ekstreme të regjimit për profesionistë të aftë të cilët të mund t’i japin një frymë ringjalljeje ekonomisë së rrënuar.
Pa kaluar dy vite nga puna e tij tejet e përkushtuar, ai arrestohet më 18 shtator të vitit 1947 në Tiranë. Ky fakt futet në kontekstin e fazës së parë të dhunës që regjimi kryen ndaj intelektualëve. Elitat komuniste janë thuajse inekzistente dhe çdo sukses i intelektualëve dhe i shkencëtarëve në vitet e para të regjimit shihet me mjaft dyshim dhe frikë. Nga njëra anë ka një nevojë të madhe për intelektualët, nga ana tjetër regjimi i druhet suksesit të tyre dhe përdor metodën e “kulaçit e kërbaçit”! Në fillim regjimi u jep mundësi të diplomuarve të vënë në praktikë njohuritë e tyre në sektorët e rëndësishëm ekonomikë të vendit dhe më vonë, sapo ata janë të suksesshëm, fillon paranoja e regjimit me burgosjet e vrasjet masive nën pretekstin e sabotimit. Teoria e sabotimit ka qenë një ndër më famëkeqet, pasi është përdorur si pretekst për të dhunuar të ashtuquajturit “armiqtë e klasës” thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, shkollës e politikës.
Dhuna ndaj inxh. Qafokut njeh skaje të tmerrshme, sidomos në hetuesi. I mbajtur për një vit në hetuesi për ta nënshtruar që të bënte deponime të rreme kundër kolegëve të tij, për t’i paraqitur ata si agjentë të shërbimeve të huaja, ai dëshmon një dinjitet dhe qëndresë të pashoqe. Për 24 ditë me radhë është lënë pa ushqim dhe vetëm me një sasi të vogël ditore uji. Pritshmëria e hetuesisë mbetet duarthatë: asnjë dëshmi e rreme nuk del nga goja e tij dhe asnjë dokument nuk firmoset nga inxh. Qafoku kundër kolegëve të tij.
Akuza ndaj inxh. Qafokut, si në shumicën e rasteve ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve lidhet me absurdin e “sabotimit”. Si në rastin e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, ashtu edhe për inxh. Qafokun shfaqet fantazma e sabotimit. Në dosjen e dënimit të tij, e cila na u vu në dispozicion nga IDSSH, vërejmë një koordinim të paimagjinueshëm të dashakeqësisë, injorancës, intrigës dhe tinëzarisë së hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve. Sigurisht këto dinamika antropolohjike janë të ushqyera nga dogmatizmi politik që e impononte pushteti. Ajo çka e bën groteske formulimin e aktakuzës është fakti se dallohet qartë që regjimi e ka marrë vendimin për ta dënuar inxh. Qafokun, me hir apo me pahir! Kjo situatë, në të cilën të gjitha figurat e një grupi të caktuar social kanë të njëjtën mënyrë veprimi me bazë dhunën dhe të njëjtin qëllim për ta dënuar të akuzuarin, përkufizohet nga antropologu francez M. Mauss si “fakt social i përgjithshëm” 10 .
Gjatë gjyqit të Gjykatës ushtarake në procesverbalin e mbajtur hidhet akuza e bashkëpunimit me fashizmin dhe e sabotazhit.

“Prokurorija ushtarake e këtushme, me komunikatën e saja, Nr. 242, i ka sjellë kësaj gjykate proces verbalin e mbajtur nga ana e Seksjonit të Sigurimit të Shtetit Tiranë, kundra të pandehurit Petraq Qafoku, i reshtuar dhe i akuzuar si dhe i pajisur me një edukatë fashiste gjat okupacjonit është treguar Anëtar Aktiv i Partisë Fashiste. Në lidhje me Ing. Taraskinon, Zyberin e të tjerë ka rënë në lidhje me ta dhe në çdo mënyrë është përpjekur të sabotojë punën ekonomike si mbas direktivave të organizatës së agjento sabotatorëve” 11>

Çdo detaj i akuzës së drejtorisë së Sigurimit të Shtetit ka rezultuar i rremë dhe është vetëm në funksion të vendimit të partisë për ta dënuar me çdo kusht inxh. Qafokun. Sipas paranojës së regjimit, inxh. Qafoku është një “njeri i vjetër”, është modeli i kundërt i “njeriut të ri”! Formimi i “njeriut të ri komunist” ka qenë një ndër qëllimet më të rëndësishme ideologjike dhe antropologjike të komunizmit shqiptar. Sipas vizionit të ideologëve shqiptarë, një intelektual e ka të vështirë të bëhet një “njeri i ri” i vërtetë dhe për këtë arsye shkencëtarët dhe intelektualët duhet të jenë në frontin më të vështirë të punës (në praktikë!), pasi janë “infektuar” nga teoria që kanë marrë në shkollat perëndimore. Pra, kjo lidhje e ngushtë mes teorisë dhe praktikës, e shpallur dhe e aktualizuar në vendet komuniste (përfshirë Shqipërinë), na ndihmon të kuptojmë më mirë lidhjen antropologjike shumë të ngushtë mes zgjedhjeve praktike dhe moralit marksist. “Njeriu i ri” nuk është një njeri intelektual (ai që di), por një njeri që karakterizohet nga sjellje të përcaktuara nga morali komunist (ai që bën). Kjo na bën të kuptojmë se shkencëtari me përvojë studimore perëndimore është një “njeri i vjetër”, është e kundërta e “njeriut të ri”, është një rrezik për komunizmin. Udhëzimi që diktatori E. Hoxha jep për “njeriun e vjetër” është bazë e punës së institucionit famëkeq të Sigurimit:

“Ai (njeriu i vjetër. shënimi im!) vepron ilegalisht, duke qenë legal, ai hedh gurin dhe fsheh dorën, ai i bie gjoksit, bën be e rrufe se është me këtë rregjim, të cilin e urren, ai ka mësuar të maskohet dhe të ruhet nga furtunat ... Ai shfrytëzon, fryn, përhap të gjitha çështjet që i vijnë në dorë dhe që i bien në vesh, ai nxit dobësitë e njerëzve, shfrytëzon autokritikat në interesin e tij, ai mbjell konfuzionin, anarkinë, indisiplinën, nxit dëshirat e ekzagjeruara, nxit vjedhjen, rrugaçërinë, dhe këto nuk i bën hapur, sepse ruhet, i lë t’i bëjnë të tjerët, shumë herë mundësisht njerëzit e mirë, që të kompromentohen dhe ata, të shtojë kështu radhët e tij ...” 12

Nevoja e regjimit për profesionalizmin e inxh. Qafokut bën që ky i fundit të përfshihet në mjaft aktivitete profesionale ku kërkohej ekspertiza e tij, duke filluar prej Kuçovës e deri në Minierën e Selenicës, por natyrisht duhej pasur “kujdes” i madh ndaj tij, pasi ai konsiderohej si një “njeri i vjetër”. Për shumë arsye, por sidomos nisur nga motive ideologjike të ndërtimit të socializmit “me forcat tona” dhe të industrializimit të vendit, regjimi e fut vendin në një aventurë zhvillimi industrial që është krejt e panatyrshme për kushtet e mjera në të cilat ndodhej vendi. Në këtë aventurë, ndonëse me premisa krejt specifike, u fut edhe Shqipëria pas fundit të Luftës së II Botërore. Paradoksi i një modeli zhvillimi teknologjik socialist që do ta nxirrte vendin nga prapambetja iu prezantua shqiptarëve si rruga e së vërtetës dhe e ndërtimit të socializmit.
Menjëherë pas luftës, qeveria komuniste e diktatorit Hoxha, duke ndjekur modelin sovjetik, përqendrohet në zhvillimin industrial, duke e parë këtë të fundit si shpresë madhore për ndërtimin e socializmit:

“Domosdoshmëria e industrializimit diktohej nga nevoja për të krijuar një bazë materialo-teknike krejt të re në ekonominë popullore, për të zgjeruar prodhimin e mallrave në vend, për të përgatitur kushtet e riorganizimit të bujqësisë mbi baza socialiste, për të rritur klasën punëtore në mënyre që kjo të forconte pozitat e saj drejtuese. Industrializimi socialist do t’i shërbente drejtpërdrejt ruajtjes së fitoreve dhe zhvillimit të revolucionit, ndërtimit të shoqërisë socialiste” 13

Pra, regjimi e shikonte industrializimin si mjet për mbrojtjen dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare bazuar në parimin e barazisë. Në fazat e para të cilave u referohet edhe studimi ynë, ky lloj komunizmi, sipas një forme “të përshtatur shqiptare”, ecën me modele që nuk i referohen aq shumë teorisë marksiste, por kryesisht modeleve jugosllave apo sovjetike. Një ndër fazat më të dhunshme të këtij procesi është edhe ai i futjes së Shqipërisë në fushatën e kolektivizimit të bujqësisë, i cili krijon një tragjedi të vërtetë në popull. Dhuna ishte mjeti i pazëvendësueshëm i kolektivizimit dhe në emër të “barazisë” dhunohej sistematikisht pasuria private e personave dhe e familjeve. Në emër të barazisë shumica ndëshkohet në favor të “klasës udhëheqëse”, që nuk bën gjë tjetër veçse hedh bazat e një falimentimi të pashmangshëm të vetë kolektivizmit dhe sistemit në tërësi. Ja si e përkufizon J. Ratzinger dështimin e zhvillimit që bazohet vetëm te teknologjia si e tillë:

“... zhvillimi i popujve degjeneron nëse shoqëria njerëzore mendon se mund të “rikrijojë” vetveten duke u besuar “mrekullive” të teknologjisë. Në të njëjtën mënyrë zhvillimi ekonomik bëhet i rremë dhe i dëmshëm nëse u beson vetëm “mrekullive”të financës për të mbështetur një zhvillim jo të natyrshëm dhe konsumist” 14

Në këtë kontekst absurd të zhvillimit industrial të vendit, futet edhe dashakeqësia që regjimi bën kur ndërton aktakuzën për inxh. P. Qafokun: ky inxhinier nuk i ka premisat morale për të dhënë një kontribut me vlerë ideologjike në ndërtimin e socializmit. Thelbi i moralit komunist kërkon që çdo person duhet të dëshmojë një dashuri të pakufishme për Partinë dhe pushtetin popullor dhe të punojë me vetëmohim për socializmin. Inxh. Qafoku pohon edhe vetë, me një sinqeritet tipik të një intelektuali të nivelit të lartë, se ai është i edukuar me kulturë dhe edukatë fashiste gjatë studimeve në Romë. Sigurisht për një mendje të kthjellët e normale kjo nuk do të thotë automatikisht se është agjent i fashizmit. Por për një hetues komunist kjo është premisa kryesore e hetimit.
Ja një pjesë dialogu ndërmjet hetuesit dhe inxh. Qafokut që nxjerr në pah lartësinë e tij morale, ku sinqeriteti është arma e tij më e fuqishme, që do ta ndihmojë më vonë edhe në reduktimin e dënimit:

“Pyetje: Si element dhe kuadro i fashizmit Italjan, çfarë aktiviteti ke kërryhur dhe si e ke ndihmuar regjimin Fashist Italjan?
Përgjigje: S’kam treguar ndonjë aktivitet pro fashizmit Italjan. Megjithëse kam patur një edukatë dhe kulturë fashiste.”15

Dialogët mes inxh. Qafokut dhe hetuesit janë një burim mjaft interesant antropologjik për të kuptuar dramën e të akuzuarit dhe anën groteske të regjimit. Këmbëngulja e hetuesit për të nxjerrë në pah mungesën e moralit komunist tek inxh. Qafoku e detyrojnë këtë të fundit të fillojë ironinë me hetuesin. Tashmë inxh. Qafoku e ka kuptuar se dënimi është i pashmangshëm dhe përdor një ironi therëse, duke e çarmatosur hetuesin, i cili me pohimet e Qafokut e ndjen vetën në lartësinë e detyrës si hetues i regjimit komunist:

“Pyetje: Cila ka qënë detyra jote si Shqiptar, të qëndronje e të luftonje fashizmin që okupoi atdheun; apo të ri-ktheheshe në Rromë në shkolla dhe në vatrën e fashizmit siç je kthyer?
Përgjigje: Detyra ime ishte të qëndronja në Shqipëri si shokët dhe të mirrja pjesë në Lëvizjen N . Ç . L. , por unë veprova në të kundërtën, u ktheva në universitetin e Rromës Fashiste; qëndrimi im në këtë rast ishte i keq dhe jo i mirë.”16

Inxh. Qafoku e pranoi se nuk ishte “njeri i ri”, nuk ishte i përshtatshëm për moralin komunist të Shqipërisë së re. Veç anës morale, të papërputhshme me moralin komunist, mësimet e diktatorit Hoxha të vëna në jetë nga hetuesi në këtë rast nxjerrin në pah edhe faktin se inxh. Qafoku nuk ka as shpirtin e heroizmit, i cili është i domosdoshëm për “njeriun e ri” komunist.

“... Tipari heroik është një anë e figurës së pasur morale të njeriut të ri dhe nuk mund të përfytyrohet i veçuar nga tërësia e vetive që përcaktojnë personalitetin e tij.” 17

Nga dialogu i sapocituar del në pah mungesa e “heroizmit komunist” të Qafokut. Ai, duke qenë një intelektual i rafinuar e ka mjaft të qartë anën groteske të heroizmit komunist dhe keqpërdorimin që regjimi u bën njerëzve duke i përdorur si “mish për top”, për këtë arsye zgjedh të luajë me ironinë dhe të pranojë disa të vërteta që mund ta dënojnë, por që nuk e çojnë drejt dënimit me vdekje.
“Njeriu i vjetër” nuk është vetëm moralisht i keq dhe pasiv! Ai, sipas mendësisë së regjimit, vepron kurdoherë kundër pushtetit popullor dhe saboton zhvillimin shkencor e teknologjik të komunizmit. Vetë diktatori E. Hoxha jep direktiva se si duhet pasur kujdes ndaj sabotatorëve dhe ngre “vigjilencën” duke pohuar se intelektualët janë të rrezikshëm, ndërkohë që “njerëzit tanë të rinj” janë ata që do ta ndërtojnë socializmin:

“Që në muajt e parë pas Çlirimit na u desh të luftonim dhe të lanim hesapet me sabotuesit italianë, me në krye ish-drejtuesin e shoqërisë italiane, dhe të ndesheshim me punën armiqësore të disa inxhinierëve reaksionarë shqiptarë.
Por si atëherë, kur pothuajse na mungonin fare mjetet dhe kuadrot, ashtu dhe më pas, kur kuadrot tanë për nga dituria dhe eksperienca ishin, si të thuash, nxënësit e specialistëve sabotatorë sovjetikë, ne nuk mbetëm pa naftë, për arsye të zotësisë e të vendosmërisë së njerëzve tanë”18

Pika e parë e aktakuzës fillon me akuzën se i pandehuri P. Qafoku gjatë studimeve në Itali ka përvetësuar kulturën fashiste e për rrjedhojë ai ka propaganduar fashizmin. Kjo akuzë është mjaft e rëndë përgjatë gjithë kohës së diktaturës, por mund të konsiderohet veçanërisht e rëndë menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur propaganda komuniste mbi luftën e bënte akoma më të rëndë një akuzë të tillë ku flitej për bashkëpunim me armiqtë fashistë! Pra, inxh. P. Qafoku ishte një rrezik potencial për komunizmin dhe si i tillë duhej burgosur 19. Gjithë dialogu midis Qafokut dhe hetuesit ka një peshë të madhe antropologjike dhe nxjerr në pah një hipotezë të ngritur prej vitesh nga filozofi H. Marcuse, i cili pohonte se marksizmi sovjetik është kthyer në një “shkencë të mënyrës së sjelljes”20 . Hetuesi kërkon me ngulm çdo element të “sjelljes” së inxh. Qafokut. Jemi në një panoramë krejt të ngjashme me atë sovjetike, ku hetuesia dhe mjetet e tjera të dhunës veprojnë ndaj intelektualëve sipas një metode “të trajtimit si fëmijë”21 !
Rasti i burgosjes, dënimit dhe lirimit të parakohshëm prej burgut të P. Qafokut është mjaft interesant për të evidentuar disa veçori të regjimit që ndodhej përballë dy shtysave të forta në ushtrimin e diktaturës: nga njëra ana ishte nevoja për dhunë dhe terror, e cila ishte thirrja e përbrendshme e një regjimi diktatorial; nga ana tjetër regjimi është i vetëdijshëm se ka nevojë edhe për lëshime në interes të pushtetit. Antropologu gjerman H. Popitz e shtjellon mjaft qartë këtë veti antropologjike të përdorimit të dhunës nga regjimet diktatoriale në librin e tij “Phänomene der Macht”, ku nënvizon faktin se hapi i parë i ushtrimit të pushtetit është pikërisht përdorimi i dhunës 22 , ndërkohë që në një hap të mëtejshëm regjimi përdor instrumentalizimin: kërcënon dhe njëherazi bën lëshime sipas nevojës për të mbajtur pushtetin. Inxh. Qafoku dhe mjaft profesionistë të tjerë që janë të domosdoshëm për arsye teknike për regjimin, për shkak të përgatitjes së tyre profesionale, i nënshtrohen dhunës pasi ata duhet të kuptojnë se nuk janë të lirë dhe nuk duhet të kenë asnjë pretendim për pushtet. Vetë natyra e personave të përgatitur profesionalisht i bën ata të rrezikshëm për pushtetet diktatoriale e sidomos kur këta të fundit udhëhiqen nga persona mediokër dhe në të shumtën e rasteve nga injorantë! Dëshmitë nga familjarë e të afërm të inxh. Qafokut na sjellin mjaft rrëfime se si ai është kërcënuar disa herë me vdekje sidomos përgjatë periudhës së hetuesisë. Antropologjikisht kërcënimi me vdekje është më i rëndi e më ektremi dhe nëpërmjet tij, regjimi kërkon bindjen e verbër dhe absolute nga ana e të persekutuarit. Kërcënimi me aktin e vrasjes është luan rolin e simbolit antropologjik të fitores absolute të regjimit mbi të persekutuarin e tronditur.23
Aktakuza vazhdon me hipotezën e bashkëpunimit me inxhinierë të huaj që ndodheshin në Shqipëri për shkak të rrethanave të punës për rimëkëmbjen e ekonomisë së shkatërruar nga lufta dhe për shkak të trashëgimisë së një prapambetjeje të theksuar kundrejt ekonomive europiane të asaj kohe. Pra, armiqve të “huaj” u bashkohet edhe “armiku i brendshëm” e sabotatori inxh. Qafoku i cili:

“Ka patur lidhje me elementa reaksionar të arratisur politik jashtë shtetit, n’Itali i kanë dhënë letra dhe lidhje për elementa reaksionar të vendit t’onë.
Ka patur lidhje me Ing. Taraskonin (Italian) dhe me Prof. Zyber Stanislav, i cili është nxitur nga këta dhe ka sjellur pengesa dhe çrregullime në punimet e kantierit të Kuçovës.
Ka patur dijeni të plotë mbi organizatën agjento-sabotatore (Tekniko-Intelektuale) ku është konsultuar me Ing. Zyber Stanislav dhe Ing. Riza Alizoti.
Ka bërë mbledhje me karakter politik me elementa të ndryshëm kundërshtar që punojnë në këtë minjerë dhe ka sabotuar në prodhimin e katjerit të Selenicës.”24

Në kantierin e Kuçovës, me gjithë përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, ai gjatë punës has vështirësi të mëdha nga elementë të Sigurimit të Shtetit të cilët e ndjekin dhe më pas, gjatë seancave gjyqësore, i ngrenë akuzat e bashkëpunimit me të ashtuquajturit “armiq e sabotatorë”, si inxh. Zyber Stanislav dhe inxh. Riza Alizoti. Përballë këtyre akuzave, inxh. Qafoku dëshmon një urtësi dhe qetësi të pashoqe. Megjithëse është i vetëdijshëm se këto akuza janë të rreme, ai e di fort mirë se për të tilla akuza të pret dënimi me vdekje. As torturat dhe as presioni i tmerrshëm psikologjik nuk e thyejnë që të pohojë dëshmi të paqena. Përballë akuzës se ka marrë pjesë në grupin armik të Kuçovës, ai përgjigjet:

“Përgjigje: Nuk është e vërtetë se unë, ingj. Petraqi, të kem marrë udhëzime nga prof. Zyber Stanislava dhe ingj. Riza Alizoti, të kem organizuar rethe kundërshtare, të kem bërë mbledhje më karakter politik kundra Pushtetit Popullor dhe të kem sabotuar në punën (prodhimet) në kantierin e Selenicës, por kam punuar sa kam mundur për të mirën e pushtetit popullor, deri në ditën e arrestimit tim më 18 shtator 1947”25

Me gjithë pasionin djallëzor të prokurorëve dhe gjykatësve, dhe dënimin absurd me 10 vite burg të pambështetur mbi prova, regjimi ka nevojë për njohuritë e pashoqe teknike të inxh. Qafokut. Është momenti i qëndrimit antropologjik instrumentualizues të pushtetit komunist. Përveç dhunës pushteti përdor edhe mjete të tjera që kanë të bëjnë me liri të përkohshme dhe të kufizuar për shkencëtarët shqiptarë. Të njëjtën strategji regjimi përdor edhe me inxh. Qafokun. Pas dënimit me 10 vite burgim dhe me mohimin e vazhdueshëm të akuzave nga Qafoku, organizohet një seancë tjetër gjyqësore në dhjetor të vitit 1948, ku i dënuari shpallet i pafajshëm!
Mirëpo aventurat e persekutimit nuk mbarojnë me këtë akt pafajësie. Ai mbahet vazhdimisht nën mbikëqyrje gjatë punës nëpër kantiere dhe qëndrimi i kuadrove partiakë ndaj tij është tejet mosbesues. Dënimi i tij, edhe pse më vonë doli i pafajshëm, ishte si një “njollë biografike” e pashlyeshme. Kalvari i vuajtjeve të tij mjerisht ka ndjekur edhe familjen, bashkëshorten dhe dy djemtë. Ata kanë qenë gjatë gjithë kohës së regjimit komunist të vrojtuar nga Sigurimi i Shtetit dhe u janë krijuar shpesh probleme me të drejtën e studimeve për në shkollën e lartë, edhe pse kishin kaluar tashmë rreth 30 vite nga marrja e pafajësisë.
Një element i rëndësishëm që shpreh praninë e vazhdueshme të dhunës ndaj inxh. Qafokut është edhe ushtrimi i ofendimit nga ana e regjimit përgjatë kohës kur ai nuk ishte në burg. Sjell në këtë studim edhe dëshmitë e shumta ta familjarëve të Qafokut ku kujtohen raste të shumta të ofendimit para kolektivit apo dhënia e medaljes si “Punëtor i dalluar” për Inxh. Qafokun. Ndonëse ekzistonte edhe medalja “Inxhinier i dalluar”, ai trajtohej si punëtor kantieri dhe jo si inxhinier! Emblematike mbetet, gjatë studimit tim, një dëshmi e një bashkëkohësi të Inxh. Qafokut: “Ai ishte i jashtëzakonshëm. Njeri me autoritet të lartë, përballë njerëzve autoritarë”! Në këtë perspektivë, për ta kuptuar këtë dëshmi, shpjegimi i filozofes H. Arendt është i përkryer. Në studimin e saj “What is Authority” ajo shpjegon ndryshimin ndërmjet potestas dhe auctoritas. Pikërisht në këtë ndryshim qëndron edhe fakti që dikush ( inxh. Qafoku në rastin tonë) mund të mos ketë pushtet, por përmasa e tij e lartë morale i jep autoritet, gjë e cila mungon tek regjimi megjithëse ai e kërkon autoritetin me çdo kusht .26
Në vitin 1978, kur i biri i tij Lluka Qafoku kërkon të përgatisë dosjen për punësim, ndodh ngjarja tjetër e pabesueshme: inxh. Qafoku rezulton akoma në regjistrat e gjykatës si person i dënuar. Ky fakt dëshmon hipokrizinë e shtetit dhe të gjykatave mbi dënimin dhe mosrespektimin e procedurave të regjistrimit të pafajësisë, pasi interesi i regjimit në atë kohë ishte vetëm lirimi i tij me qëllim që të shfrytëzohej në kantierin e Selenicës dhe jo respektimi i së drejtës së tij si person. Duke u ndodhur përballë kësaj situate sa absurde, aq edhe ofenduese, inxh. Qafoku vendos t’i drejtohet drejtpërsëdrejti diktatorit Hoxha, pasi e sheh si të vetmen rrugë që mund t’i japë zgjidhje kalvarit të pafund. Letra drejtuar diktatorit është me një vlerë të veçantë antropologjike dhe më kujton letrën e filozofit italian N. Bobbio drejtuar Musolinit në vitin 1935 mbi një arrestim të kryer nga policia politike fashiste kundër filozofit. Kur intelektuali humbet shpresën përballë makinës së dhunshme e të shumëfishtë të regjimit, kërkon si shpresën e vetme të drejtuarit drejtpërsëdrejti diktatorit, pasi në këtë rast, të paktën ke të bësh me një person dhe jo me një turmë të dhunshme e të shurdhër përballë zërit të të pafajshmit.

“Shoku Enver. Ju lutem të më falni për guximin që marr t’ju drejtohem Juve personalisht, por e bëj këtë sepse problemi që shtroj ka rëndësi shumë të madhe për punën e jetën time.
Im bir më dt. 28.3.1978 kërkoi pranë Gjykatës së Lartë një dokument për gjendjen time gjyqësore, duke ditur se kam marrë pafajësinë për një dënim të dhënë nga gjykata ushtarake e Tiranës në drejtimin tim. … Ju lëshua një dokument që vërtetonte se unë figuroja akoma në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore të Gjykatës së Lartë si i dënuar…
U shtyva t’Ju shkruaj këtë letër sepse unë dhe fëmijët e mi do të mbanim për gjithë jetën pa të drejtë njollën e tradhëtarit.”27

Letra shpreh gjithë dramën e inxh. Qafokut për pasojat që ka pasur ndër vite njolla e të të dënuarit pa faj, por edhe dhimbja për të ardhmen e fëmijëve. Përcjellja e pasojave të dënimit të prindërve tek fëmijët ka qenë një tipar dallues i regjimit komunist shqiptar dhe ky rast e nxjerr në pah mjaft qartë.
Letra ka rëndësi antropologjike edhe në përshfaqjen e karakterit tribal të komunizmit shqiptar. Qeveria shqiptare është formalisht e organizuar në formë burokratike, por sidoqoftë i pari i vendit, diktatori, është mbi ligjin, si i tillë ai mund t’u japë zgjidhje problemeve duke tejkaluar ligjin, qoftë ky i drejtë apo i gabuar. Këtu duket edhe nuhatja kulturore e Qafokut për t’iu drejtuar diktatorit. Ky element tribal i komunizmit shqiptar ka shkaktuar mjaft përplasje klanesh brenda Partisë së Punës, duke shkaktuar viktima të shumta. Preteksti i kësaj dhune ndërmjet klaneve ka qenë përherë ideologjik, por motivet e vërteta kanë të bëjnë me natyrën tribale të komunizmit shqiptar.
Dhe në fakt përgjigja e diktatorit vjen, jo drejtpërdrejt, por nëpërmjet detyrimit të gjykatës që të japë dëshminë e penalitetit të korrigjuar. Kjo ndodh një vit pas dërgimit të letrës, saktësisht më datë 3 korrik të vitit 1979. Dëshmisë së mëparshme të penalitetit i shtohet edhe një rresht mjaft i rëndësishëm: “Me vendimin Nr. 328, dt. 10 / 12. 1948 të Gjykatës së Lartë ka marrë pafajësinë.
Falë kësaj fjalie në fund të dëshmisë së penalitetit, fëmijët e inxh. Qafokut, Lluka dhe Niko, mundën të vazhdonin studimet e larta duke njohur arritje shkencore të jashtëzakonshme: Lluka duke punuar në Rrjetin Informatik të Akademisë së Shkencave në Tiranë dhe Nikoja duke arritur majat më të larta në nivel botëror në shkencat e studimit të tokës, si pjesë e Bordit Shkencor të “Agjencisë Federale të SHBA-së për Studimin e Tokave”.

Përfundime
Në regjimet komuniste në përgjithësi dhe tek ai shqiptar në veçanti, duke qenë se ky i fundit ndjek me përpikëri modelin e Bashkimit Sovjetik, në fazën e parë të ndërtimit të socializmit, shkencës dhe industrisë u jepet rëndësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e socializmit, pasi shkenca dhe industria sigurojnë të ardhmen jo vetëm ekonomike, por, sipas perspektivës komuniste, edhe morale. Ky fakt përbën edhe motivin thelbësor të persekutimit të shkencëtarëve shqiptarë përgjatë komunizmit.
Në Shqipëri për fat të keq, sikurse u lejua ndërhyrja pa mëshirë e mediokritetit masiv të masave punonjëse në hierarkinë e domosdoshme të vendimeve në fushën e drejtësisë dhe të dijeve shoqërore e shpirtërore, ashtu u veprua për interpretimin e revolucionit tekniko-shkencor si pronë e klasës punëtore dhe e masave punonjëse, pra: në praktikë të vlerësoheshin vetëm idetë praktike detyrimisht të pazhvilluara dhe mediokre, primitive, të dala nga njerëzit e pashkolluar dhe të mos lejohej formimi i elitave shkencore dhe teknologjike, pasi këto ishin të papërgatitura moralisht për ndërtimin e komunizmit dhe mund ta sabotonin atë. Kjo do të sillte moslejimin faktik të punës shkencore në grup që realisht përbën një kusht sine qua non për një kërkim shkencor të vërtetë. Kështu në fakt iu pre koka zhvillimit real shkencor dhe teknologjik të vendit dhe institucioneve që e përfaqësonin atë, sepse këto duhet të kontrolloheshin si në nivelin e personelit që zgjidhnin, ashtu dhe nga tematikat e kërkimit nga struktura dhe njerëz krejtësisht të paaftë për të dhënë mendim në fushat përkatëse. Kjo çoi në fakt në sabotimin e zhvillimit shkencor real në vend. Gjë që nuk ndodhi në këto përmasa në vendet e tjera komuniste, ku efekti frenues i ideologjizimit të shoqërisë u kufizua nga shteti me krijimin e strukturave të mbrojtura të shkencëtarëve dhe teknologëve që u lejoi atyre zhvillime interesante e hera-herës të suksesshme në fushat ku shteti kishte interes.
Veç këtyre fakteve, një peshë specifike të rëndësishme në interpretimin e persekutimit ndaj shkencëtarëve, zë përdorimi i dhunës si fenomen antropologjik. Mendoj se dhuna e ushtruar gjatë regjimit mund të klasifikohet si “fakt social i përgjithshëm” (koncept i antropologut francez M. Mauss), pasi ajo ka pasur ndikim në çdo sektor të jetës përgjatë komunizmit dhe ka ndikuar shumë edhe te ata që e kanë pësuar dhunën e që më pas janë bërë viktima të një mendësie dhune. Një shembull i këtij supozimi është dhuna verbale e politikanëve të periudhës paskomuniste.
Në këtë kontest politiko-ideologjik, shembulli i qëndresës së jashtëzakonshme të inxh. Qafokut përbën jo vetëm një rast mjaft interesant studimor për të hedhur dritë mbi atë kohë të zymtë, por sidomos paraqet një shembull udhërrëfyes të ruajtjes së integritetit moral e njerëzor përballë njërës prej diktaturave më mizore të shekullit XX.

Bibliografia
ARENDT, H, What is Authority?, in Between Past and Future. NY. Viking Press. 1961
“PËR NJË KUJTIM TË PAHARRUAR”. Punim i autorëve: Prof. Stavri Buri, Prof. Minella Hido; Prof.Sotir Guxha. Arkivi familjar i Familjes Qafoku.
CARITAS IN VERITE. Enciklikë. J. RATZINGER.
Dosja Familjare PETRAQ QAFOKU
Dosja PETRAQ QAFOKU. Arkivi i AIDSSH.
HOXHA E., 1985, Historia e PPSH.
HOXHA. E. Vepra. Vëll. 1.
HUXLEY, J. La genetica sovietica e la scienza. Ed. Longanesi. 1977.
MARCUSE, H, 1958. Soviet Marxism. A critical analyses. Columbia University Press. New York.
MARITAIN, J, La persona e il bene comune, Morcelliana, Brescia 1973.
MARITAIN, J. La filosofia morale. Esame storico e critico dei grandi sistemi. Morcelliana, Brescia 1973.
MARKS. K. Kapitali, Vëll. 1.
MAUSS, M, Saggio sul dono. Ed- Einaudi. Torino. 2002.
NIKOLLA, A, Njeriu i ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit. Onufri. Tiranë. 2012.
POPITZ, HEINRICH, Phänomene der Macht, II ED. Tübingen.1992.
POSSENTI, V, MARITAIN E IL MARXISMO, in Aggiornamenti Sociali. Novembre 1977.
Probleme aktuale të traditës dhe të novatorizmit në letërsinë shqiptare të realizmit socialist, Akad. e Shkencave të RPSH, IGJL, N. Frashëri, Tiranë, 1975, f. 199-200.
RRUGA E PARTISË, 1973, n. 7, “Ta kuptojmë dhe ta zhvillojmë drejt luftën e klasave”, Çami, F..
SHESHUNOVA S. 2002, “Idea dell’uomo nuovo nel comunismo sovietico”. Në Annali di Storia dell’educazione e delle istituzioni scolastiche, Ed. La Scuola, Brescia.
WALTER, E,V, Terror and Resistence; a Study of Political Violence. NY. Oxford University Press. 1969.

 


  1. Marks. K. Capital A Critique of Political Economy. V. 1 Chap. 15, Progress Publishers, Moscow, USSR. 1977, f. 271
  2. Marcuse H, 1958. Soviet Marxism. A critical analyses. Columbia University Press. New York. f. 196.
  3. Shih. NIKOLLA, A. Njeriu i ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit. Onufri. Tiranë. 2012
  4. POSSENTI, V, MARITAIN E IL MARXISMO, in Aggiornamenti Sociali. Novembre 1977, f, 607
  5. Cfr. J. MARITAIN, La filosofia morale, f . 252
  6. HOXHA. E. Vepra. Vëll,11, f. 243.
  7. Shih: HUXLEY, J. La genetica sovietica e la scienza. Ed. Longanesi. 1977, f. 38-45.
  8. "PËR NJË KUJTIM TË PAHARRUAR”. Punim i autorëve: prof. Stavri Buri, prof. Minella Hido, prof. Sotir Guxha. Arkivi familjar i Familjes Qafoku.
  9. fsdfsf
  10. MAUSS, M, . Saggio sul dono. Ed- Einaudi. Torino. 2002.
  11. Dosja PETRAQ QAFOKU. Arkivi i AIDSSH, f. 3.
  12. RRUGA E PARTISE, 1973, n. 7, “Ta kuptojmë dhe ta zhvillojmë drejt luftën e klasave”, Çami, F., f. 20.
  13. Hoxha E. 1985 “Historia e PPSH”. Kreu i IV. f. 241 – 242
  14. RATZINGER. J, “Caritas in Veritate”, 14
  15. Dosja PETRAQ QAFOKU. Arkivi i AIDSSH, f.12.
  16. Po aty, f, 13.
  17. Probleme aktuale të traditës dhe të novatorizmit në letërsinë shqiptare të realizmit socialist, Akad. e Shkencave të RPSH, IGJL, N. Frashëri, Tiranë, 1975, f. 199-200.
  18. HOXHA, E. VEPRA, Vëll. 33, f. 186
  19. Dosja PETRAQ QAFOKU. Arkivi i AIDSSH, f.10
  20. MARCUSE, H, “Soviet marxism. A critical analyses”. Columbia University Press. NY. 1969, f.34
  21. Në literaturën e antropologjisë politike mbi komunizmin njihet me termin e gjuhës angleze: “infantilisation”!
  22. Shih POPITZ, HEINRICH, Phänomene der Macht, II ED. Tübingen.1992, f. 18
  23. Shih: WALTER, E,V, Terror and Resistence; a Study of Political Violence. NY. Oxford University Press. 1969.
  24. Dosja PETRAQ QAFOKU. Arkivi i AIDSSH, f.10
  25. Dosja PETRAQ QAFOKU. Arkivi i AIDSSH, f.15
  26. ARENDT, H, What is Authority?, in Between Past and Future. NY. Viking Press. 1961
  27. Arkivi familjar i familjes Qafoku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *