Studime

Petraq Pepo

Facebooktwitter

Petraq Pepo: intelektuali dhe historiani përballë
indoktriminimit komunist

Kristi Kolçe, Sonila Boçi

Mihai Botez, një intelektual rumun që kërkoi strehim politik në SHBA më 1988, duke folur për jetën e një intelektuali në një sistem diktatorial pohonte: “Thuhet ndonjëherë se një intelektual që jeton nën një regjim komunist duhet patjetër të zgjedhë midis të qenit “njeriu i oborrit” ose disident. Ky është një thjeshtëzim i tejskajshëm. Të pranosh kontratën sociale {të regjimit} komunist, nuk nënkupton automatikisht se u bëre “njeri i oborrit”. Sepse, nën diktaturën komuniste ekziston një koncept i trishtë, por i vërtetë që quhet “arti i të mbijetuarit”, madje në një mënyrë dinjitoze,  i cili përfshin kombinimin e nënshtrimit të kalkuluar, kritikën e vetë kontrolluar, mbajtjen taktike të një profili të ulët dhe përdorimin me inteligjencë i mundësive. Sigurisht për shumë intelektualë perëndimorë, këto strategji duken të çuditshme, madje edhe të neveritshme. Në princip, jam gati të bie dakord me ta, duke shprehur urimin tim të trishtë që atyre të mos iu duhet asnjëherë ta mësojnë këtë art”1

Bazuar në vlerat morale dhe akademike të një njeriu të rritur dhe edukuar në një sistem politik të demokracisë liberale, portreti i çdo intelektuali që punoi gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mund të ngrinte pikëpyetje të natyrës sa shkencore, aq edhe morale. Teza që ngremë në këtë ministudim është se si do të mundte një intelektual i edukuar në Perëndim në thelb apolitik, inteligjent dhe ambicioz të gjente vendin e tij në një regjim ku indoktrinimi marksist-leninist ishte në themel të gjithçkaje. Petraq Pepo është personazh shumë interesant për t’i përgjigjur kësaj teze, pasi ai nuk shfaqi asnjëherë entuziazëm, por as armiqësi me regjimin. Ai përpiqet të përshtatet, por herë-herë shpirti i tij rebel nuk e lejon ta bëjë plotësisht këtë gjë.

Studimi është ndarë në tre pjesë, të cilat pasqyrojnë tri periudha shumë të rëndësishme në historinë e Petraq Pepos: fëmijëria, familja dhe shkollimi; veprimtaria e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila në një masë të madhe përcaktonte sjelljen e regjimit ndaj individëve; dhe, së fundi, veprimtaria e tij si pjesë e Institutit të Shkencës. Janë shfrytëzuar për këtë studim një numër i madh dokumentesh nga një sërë fondesh të Arkivit të Shtetit, nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme, si dhe nga dosjet formulare të kolegëve të Petraq Pepos që gjenden pranë Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Është përdorur edhe literatura historike relevante si për personazhin në studim, ashtu edhe shtypi i kohës. Intervista me familjarët e prof. Pepos, si dhe me kolegë të tij na kanë bërë të kuptojmë më shumë njeriun që qëndron prapa historianit.

 

Kush ishte Petraq Pepo?

Në qytetin juglindor të Shqipërisë, në Korçë, mbiemri Pepo është nga më të njohurit. Shtëpia e tyre në pjesën historike të qytetit, afër shtëpisë së Themistokli Gërmenjit, ishte një vend referimi për banorët. Në këto rrugë të shtruara me kalldrëm, në një familje mjeshtërish korçarë, lindi në qershor 1903 Petraq Pepo. Petraqi ishte më i madhi nga tetë fëmijët e familjes dhe, koha e tregoi, se ai u bë shembull të cilin e ndoqën vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël. Sipas djalit të tij, Leonidhës, ishte ai që i nxiti vëllezërit dhe motrat e tij t’i kushtoheshin arsimimit të tyre dhe të ndiqnin shkollat e larta 2. Prindërit e Pepos nuk ishin të pasur, por ishin ata që edukuan te secili prej fëmijëve të tyre patriotizmin, dashurinë për punën dhe dijen 3.  

Më 1917, Petraqi 14 vjeçar, ishte një nga 36 nxënësit e parë që u regjistruan në Liceun e hapur nga francezë në Korçë, një nga shkollat elitare që funksiononin në Shqipërinë e Luftës së Parë Botërore e në vijim 4. Ai dhe 9 studentë të tjerë ishin të parët që morën diplomën e Liceut Kombëtar të Korçës më 1925 5.

Që në vitet e shkollës spikati pasioni i tij historinë dhe letërsinë. Më 1923, ai u bë një prej iniciatorëve të themelimit të një shoqate liceistësh. Shoqata nxori edhe një revistë me karakter letrar, të quajtur “Shpresa”, redaktor përgjegjës i së cilët dhe më pas drejtor i saj ishte Petraq Pepo. Revista botonte kryesisht përkthime nga filozofët dhe shkrimtarët francezë të të gjitha rrymave. U botuan në numrat e saj pjesë nga iluministët francezë si: Russaux, Voltaire, por edhe nga letërsia klasiciste si p.sh. fragmente nga Dorështrënguari (Kopraci) i Molierit.

Ndonëse në thelb nuk ishte i prirë ndaj politikës, në fund të majit 1924, Pepo iu bashkua 60 studentëve të Liceut Kombëtar të Korçës, të cilët u nisën në mbështetje të Lëvizjes së Qershorit të drejtuar nga imzot Fan S. Noli. Në reportazhin që shkroi për numrin 10-11 të revistës letrare “Shpresa”, shprehet se ishte ideali ajo që i kishte bindur liceistët të linin mësimin dhe të rrëmbenin armët. “I shenjtë qëllimi, më i shenjtë, kur shpëton njeriu popullin nga feudalët, kur s’e lë bujkun të jetë rob dhe, në fund, kur shpëton shtetin 6”. Kontributi i liceistëve në lëvizje ishte veçse propagandistik, pasi ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi dhe në kohën ku liceistët hynë në Tiranë, Zogu dhe qeveria e tij ishte larguar dhe Noli kishte zënë kolltukun e kryeministrit. Pavarësisht kësaj, reportazhi i shkruar nga Pepo flet shumë për pasionet e vërteta të të riut Pepo. Përshkrimet e vendeve ku kishin kaluar liceistët revolucionarë, theksimi i zakoneve dhe traditave të krahinave të ndryshme ku kishin qëndruar, njohja e trashëgimisë materiale historike tregon qartazi talentin e hershëm të Pepos për fjalën dhe historinë.

 

Në kërkim të identitetit të tij si historian: Petraq Pepo gjatë viteve ‘30

Përfundim i studimeve në Liceun Kombëtar të Korçës, shënoi dhe rivendosjen e qeverisjes së Ahmet Zogu si president i vendit. I riu Pepo kërkon mbështetje financiare për të vijuar studimet e larta jashtë vendit. Më 1925 ai përfiton një bursë studimi nga qeveria shqiptare dhe niset për të studiuar në Ecolé Normale Superieure në Paris të Francës. Në vitin 1929 ai diplomohet për  Licences-Lettres ( Histoire et geographie), merr çertifikatën Ancien Eleve de l’Ecole Normale superieure de Paris,  po ashtu edhe certifikatën Diplome de l’Ecole Nationale des Languages Orientales Vivantes de Paris. Në jetëshkrimin e tij, Pepo kujton se në vitin 1928 balkanologu Mario Roques, i kërkoi ndihmë për të ngritur për herë të dytë një kurs për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në katedrën ku Roques ishte titullar. Kështu për gati një vit, studenti shqiptar shërbeu si lektor për gjuhën shqipe, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë 7. I biri i tij, Leonidha Pepo pohon se gjatë kërkimeve të tij personale mbi jetën e babait të tij si student në Francë, kishte zbuluar se Pepo kishte dhënë mësim për gjuhën shqipe edhe në Universitetin e Lion-it 8.

Përfundimi i studimeve në vitin 1929 e rikthen sërish në qytetin e lindjes dhe sërish në Liceun Kombëtar të Korçës, tanimë në cilësinë e profesorit të historisë, gjeografisë dhe greqishtes së vjetër. Në jetëshkrimin e Pepos nuk thuhet shumë për veprimtarinë e tij gjatë viteve ’30. E vetmja ngjarje që ai e ka konsideruar të vlefshme për ta përmendur janë përpjekjet e tij të nxënësve të tij 9, për të futur si pjesë të kurrikulave shkollore të Liceut edhe lëndën e historisë së Shqipërisë, e cila nuk zhvillohej deri atëherë.  

Kërkimet në Arkivin Qendror të Shtetit, na tregojnë se profesori i ri ambicioz dhe i pasionuar për kërkimet historike ka një veprimtari jo të vogël intelektuale dhe pedagogjike gjatë viteve ’30.  Nuk janë të pakta rastet ku Petraqi ka kërkuar leje nga Ministria e Arsimit për të shkuar në Austri, Francë dhe Itali për të marrë pjesë në konferenca shkencore, apo për të kryer kërkime në arkivat e huaja për historinë e Shqipërisë. Në korrik 1931 ai arriti të sigurojë lejen e Ministrisë së Arsimit për të marrë pjesë në një Kongres të Arsimtarëve që zhvillohej në Paris 10. Gjatë viteve 1935-1939, ai disa herë ka bërë kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit për të vizituar arkiva të Vjenës dhe të Vatikanit, për të mbledhur dokumente për të shkruar një libër mbi historinë e Shqipërisë 11. Duket qartazi se interesi i tij kanë qenë studimet e natyrës historike dhe antropologjike, pasi në disa raste ka kërkuar të bëjë ekspedita kërkimore te kolonitë arbëreshe të Italisë. Në vitin 1935, ai së bashku me Eqrem Çabejn kanë kërkuar leje nga Ministria e Arsimit për të vizituar Piana dei Grecci në Itali 12, por autoritet nuk ka arritur të sigurojë lejen e autoriteteve për këtë udhëtim studimor.

Gjithashtu, Pepo ka korrespondencë të dendur me një sërë personalitetesh të kulturës shqiptare të viteve ’30, si: Lef Nosin, Ilo Mitkë Qafzezin, Mehdi Frashërin etj. Në bazë të këtyre dokumenteve dhe letërkëmbimeve lexohet qartë interesi i Pepos për studimet mbi lashtësinë e shqiptarëve. Interesante është veçanërisht korrespondenca e Pepos me albanologun Lef Nosi, të cilin duket se ka takuar për herë të parë në vitin 1924, kur Nosi si kryetar i Bashkisë së Elbasanit, priti ngrohtësisht liceistët revolucionarë. Në një letër që Pepo i dërgon Nosit nga Athina kuptohet se qëllimi i udhëtimit të tij është i karakterit studimor. Ai shkruan se kishte vizituar bibliotekën kombëtare të Athinës dhe se në të to kishte gjetur të dhëna për historinë e Shqipërisë, që nuk mund t’i gjeje në bibliotekat e Parisit, apo Vatikanit. Pepo i flet Nosit me shumë pasion për studimet të natyrës historike, etnografike dhe gjuhësore që mund të zhvilloheshin rreth arvanitasve të Greqisë. “Arvanitët e Greqise më kanë hequr vërejtjen [vëmendjen] me gjuhën e tyre plot figura, ku gjen fjalë shqip që ne nuku i kemi. Shumë fjalë që janë krejt shqip nuku ngjasin me fjalet t’ona, për shembull në një fshat afër Athinës klyçit i thonë “rahederës”, fjalë plot kuptim”13. Në një letër tjetër që mban datën 12 korrik 1937 duket se marrëdhëniet mes Pepos dhe Nosit janë bërë më miqësore. Në këtë kohë, Pepo ishte transferuar si mësues për pak kokë në Shkollën Normale të Elbasanit 14 dhe kjo, me sa duket ka shërbyer për të krijuar miqëso jo vetëm me Nosin, por edhe me Ethem Haxhiademin, Aleksandër Xhuvanin dhe shumë prej figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare të asaj periudhe. Pepo tanimë në profilin e një intelektuali të ri, i tregon Nosit për dëshirën që ka të krijojë në qytetin e Korçës rrethe intelektualësh. Ai gjithashtu e fton Nosin të ndërmarrin së bashku me Mehdi Frashërin një tur studimor në fshatrat e Korçës për të gjetur të dhëna mbi kodikët. “Dëgjo, i dashur Lef, - shkruan Pepo, - Korça, Voskopoja, Vithkuqi, Shipska etj. … veç dokumentave arkeologjike – guri, kishëra, kanë dhe kodikë (codic) ku shënohen kronikat shqiptare nga shekulli i 6. Unë pak a shumë i di mirë këto vise dhe kam mjaft miq të sinqertë, për të patur kodikët në dispozitën tonë; për këtë arsye, në vend të vish në Pogradec, sipas fjalës, po të ftoj, mik në shtëpinë time, të vish në Korçë dhe kështu tinë, Mehdiu dhe unë të vemë në vendet ku te dobitim si nga shëndeti, ashtu dhe nga dokumentat. Me duket se do jemi një trini që do merremi vesh për bukuri, mbasi unë si i rrëmbyer që jam në bisedim, do kapen me Mehdi benë dhe tinë me urtësinë tënde do na zbutësh”15.

Për fat të keq, nuk kemi mundësi të gjykojmë nëse këto projekte të Pepos kanë pasur ndonjë vijimësi apo jo dhe nëse ekspedita për të cilat ai flet në letrën e tij të jetë kryer apo jo. As në arkivat shtetërore, as në arkivin personal të familjes nuk gjendet përgjigjet e Lef Nosit për Petraq Pepon. Ai vetë, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka folur kurrë mbi njohjen dhe bashkëpunimin e tij me Nosin, madje as në biseda intime me familjen. Shpallja e Lef Nosit si “armik i popullit” dhe dënimi i tij me vdekje nga Gjyqi Special Ushtarak më 1945, vinte në rrezik çdo njeri që kishte pasur afërsi me të. Kjo e ka detyruar, mesa duket Pepon, t’i hedhë mikut të vjetër tisin e harresës.  

           

Sfidat e një profesori dhe patrioti në vitet e Luftës së Dytë Botërore

Historia e Petraq Pepos për vitet e pushtimit është sa konfuze aq edhe interesante për të kuptuar marrëdhënien e njeriut me të vërtetën në kushtet e një sistemi totalitar. Në jetëshkrimin e tij, të shkruar në vitet ’60 ku Petraq Pepo përpiqet t’i argumentojë autoriteteve më të larta të PPSH se, si profesionalisht, ashtu edhe politikisht e meritonte të merrte titullin Profesor. Ai thekson vetëm një anë të veprimtarisë së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëndrimin e tij antifashist, duke mos përmendur asgjë sa i takon veprimtarisë së tij shkencore.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musoliniti indiferenca politike që e kishte karakterizuar jetën e tij gjatë viteve ’30, nuk mund të vazhdonte më gjatë. Pas demonstratave studentëve të Liceut të Korçës në nëntor 1939, Pepo transferohet në Shkollën Normale të Elbasanit 16.  Zyrtarët fashistë e konsideronin Pepon si një antiitalian dhe antifashist “nxitës për rebelimin e studentëve, të cilëve u ka folur me ekzaltim për Francën”17. Ai ka qenë ndër të paktët profesorë të asaj kohe, të cilën refuzuan të nënshkruanin deklaratat për t’u anëtarësuar në Partinë Kombëtare Fashiste. Temperamenti i tij impulsiv dhe i rrëmbyer kishte bërë që disa herë të kundërshtonte hapur propagandën që bëhej nga pushtuesit sipas së cilës Italia e kishte çliruar Shqipërinë nga “regjimi e satrapit Zog” dhe se ajo mund të sillte përparimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Sipas dëshmive të kolegëve të tij, kundërshtimi i këtyre tezave në mënyrë të hapur i shkaktoi dy herë burgosjen dhe internimin e tij, respektivisht në Itali (1941) dhe në Porto Palermo (1943).

Për fat të keq, burimet primare për internimin e prof. Pepos në Itali nuk kemi mundur t’i gjejmë me kohën që kishin në dispozicion për kryerjen e këtij studimi. Sipas të birit Leonidhës internimi i tij kishte ardhur pasi një takimi të intelektualëve të kohës me Mëkëmbësin e Përgjithshëm të perandorit Victor Emanuele III, Francesco Jacomoni.  Qëllimi i këtij takimi ishte një tentativë për të kaluar këta intelektualë në krah të fashizmit. Në sallë mbizotëronte qetësia dhe fjalën e merr Pepo “Kujt i tregoni ju se çfarë është fashizmi! Kujt i thoni ju se fashizmi çliroi Shqipërinë? Trupat tuaja ushtarake në vendin tonë thonë vetëm pushim, fashizmi nuk sjell ndërtim por robëri. I biri shton me tej, “Sipas Misto Manes pas ndërhyrjes së babit e gjithë salla ngriu. Ngelëm të gjithë si hunj. Nuk e kuptuam ku e gjeti atë guxim.”- do të ishin fjalët e Aleks Budës 18. Edhe për burgosjen e dytë të prof. Pepos shkak do të bëhej kundërshtimi i tij ndaj dogmave të hierarkëve fashistë. Mësuesja e mirënjohur korçare, Helidhona Falli në një deklaratë të 9 tetorit të vitit 1951, do të kujtonte se gjatë një takimi në Liceun e Korçës me ministrin e Arsimit, Xhevat Korça, ky i fundit kishte deklaruar se “pavarësia  e Shqipërisë është e siguruar {pasi} Shqipërinë e mbron Musolini” 19. Prof. Pepo sërish kishte pasur guximin të ngrihej dhe të thoshte “Shqipëria është e robëruar nën fashizmin dhe duhet të përpiqemi për lirinë e Shqipërisë”20.

Po ndërsa qëndrimet e tij patriotike dhe antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore janë të mirë dokumentuara si nga ai vetë, ashtu dhe nga fjalët e familjarëve të tij, të cilët qartazi i kanë dëgjuar shumë herë këto kujtime, për veprimtarinë e tij si studiues dhe mësimdhënës në këto vite ai nuk ka folur aspak. Dokumentacioni arkivor tregon qartazi se Pepo nuk e braktisi pasionin e tij për historinë edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Petraq Pepo ishte një nga pjesëmarrësit në Kuvendin I të Studimeve Shqiptare, të mbajtur nga 9-12 prilli 1940, i cili shërbeu si aktiviteti themelues për Institutin e Studimeve Shqiptare. Gjatë zhvillimeve të këtij aktiviteti, Pepo replikoi në disa raste me arkeologun italian prof. Mustillin, i cili i referohet vetëm zbulimeve arkeologjike të bëra në Shqipëri nga arkeologë italianë si Baldacci, Ugolini etj. Pepo i kujtoi se “afër Trenit, Pittard ka gjetë sheje neolytike. Në Klisyrë janë gjetë sheje të periudhës së shpis lakustre. Filovi e Vulici kanë gjetë gjana illyrike në Trebnisht, të cillat e pshtesin thezin e lidhjes me artin miqenë”21. Përmendja e tezave të arkeologëve jo italianë, duhet të mos jetë mirëpritur nga drejtuesit e Institutit dhe personalitetet italiane. Më 8 tetor 1940, Pepo i drejton një letër Mustafa Krujës, kryetarit të Institutit të Studimeve Shqiptare ku njofton se kishte përgatitur një konferencë me temë “Shqipëria dhe banorët e saj gjatë periodës proto-ilire”, të cilën ai dëshironte ta mbante në emër të Institutit të Studimeve Shqiptare. Ai vë në dukje se materiali që kishte përgatitur për këtë konferencë ishte hartuar në mënyrë të tillë, që të kuptohet si nga “intelektualët që kanë kulturë të gjerë, por edhe prej nxënësve të shkollave të mesme”22. Në përgjigjen që M. Kruja i kthen dy javë më vonë, shprehet se “këshilli {i Institutit} vendosi me të kumtue se e pëlqen mendimin tënd dhe se ka për ta rreshtue konferencën t’ande në vargun e konferencave që do t’organizojë ky Institut në nji kohë ma të volitshme, mbasi në gjendjen e sotme nuk na duket qi konferenca të këtilla ta tërheqin shumë publikun”23.

Edhe pas kthimit nga internimi në Itali, profesori vijoi t’i përkushtohej mësimdhënies në Liceun e Korçës, aq edhe shkrimeve në shtypin e kohës. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të revistës “Drini”, e cila kishte synim të promovonte turizmin shqiptar. Në disa raste, ai bashkëpunoi dhe me revistën “Albania/Shqipni”, një revistë mujore e politikës, ekonomisë, shkencës dhe letërsisë, që drejtohej nga Ferdinanto Guido di Bagno. Në këtë revistë në mars 1942, Pepo botoi artikullin “Shqipëria në prehistori”24. Një artikull me tematikë të ngjashme e botoi një vit më vonë edhe në revistën Shkëndija, e cila drejtohej nga Ernest Koliqi. Prof. Pepo nuk do t’i përmendte më vonë këto bashkëpunime dhe veprimtarinë shkencore që kishte zhvilluar gjatë Luftës. Ai do të heshte për këto, ashtu siç nuk përmendi njohjen me Lef Nosin.

 

Petraq Pepo dhe sfida për t’iu përshtatur trajtimit marksist të historisë

            Është e vështirë të flasësh për pozicionimin e Petraq Pepon me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Përveç ndjenjave të forta patriotike, Pepo nuk kishte shfaqur asnjëherë më parë ndonjë preferencë politike, qoftë të majtë, qoftë të djathtë. Petraq Pepos i duhej të përballej me dy situata njëra më sfiduese se tjetra. Si një njeri në thelb apolitik, atij do t’i duhej të përshtatej në një sistem qeverisjeje i cili mobilizimin e masave dhe “edukimin komunist” të tyre e konsideronte si themel të mbijetesës. Si historian i edukuar në një shkollë perëndimore, atij do t’i duhej të përshtatej ta shkruante historinë sipas shkollës marksiste të mendimit historik, me të cilën ai nuk ishte familjar.

Në përshtatjen e tij me regjimin komunist, duket se Pepon e kanë ndihmuar disa rrethana. Së pari, njohja me Enver Hoxhës, të cilin e kishte pasur edhe student, edhe koleg. Të dy kishin një ndjenjë të përbashkët dashurie për revolucionin francez, pavarësisht se Hoxha adhuronte Komunën e Parisit dhe jakobinët, ndërsa Pepo, nga sa duket në shkrimet e tij, kishte idhuj iluministët. Së dyti, antifashizmi dhe burgosja e internimi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, i kishte siguruar një lloj dashamirësie të krerëve të regjimit. Së treti, ai asnjëherë nuk shprehu ndonjë opozicion kundrejt regjimit. Së katërti, fushat e tij të studimeve, veçanërisht njohja e marrëdhënieve të hershme të Greqisë me Shqipërinë, e bënin të domosdoshëm për regjimin në kushtet kur atij duhet të rikonfirmonte pavarësinë, kufijtë dhe qeverisjen. Me fjalë të tjera, Petraq Pepo ishte nga të paktët intelektualë të shkolluar në Perëndim, të cilëve regjimi mund t’i besonte.

Në korrik të vitit 1946, emri i prof. Pepos do të ishte ndër dy historianët që do të bënin pjesë në delegacionin që do të dërgohej në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur Shqipërinë përballë pretendimeve territoriale të ngritura nga qeveria greke 25. Leonidha Pepo pohon se ishte pikërisht Enver Hoxha që do ta përzgjidhte Petraq Pepon. Në Arkivin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ka shumë matëriale të karakterit historik, të cilat nuk kanë emrat e përgatitësve, por duke qenë se Aleks Buda dhe Petraq Pepo ishin të vetmit historianë të delegacionit, këto materiale duhet të jenë fryt i punës së tyre 26.

Kur Konferenca e Paqes filloi punimet në Paris më 29 korrik 1946, qeveria greke kishte marrë tashmë premtimin nga britanikët dhe amerikanët se pretendimet e saj ndaj Shqipërisë së Jugut do të dëgjoheshin. Kjo sigurisht e kishte shqetësuar qeverinë shqiptare, edhe pse ajo kishte marrë njoftime që Konferenca në parim do të diskutonte vetëm traktatet me shtetet e mundur 27. Më 3 gusht 1946, kryeministri grek, Caldarisi (Konstantinos Tsaldaris), i cili kryesonte delegacionin, paraqiti para Konferencës së Paqes çështjen e “Epirit të Veriut”. Në fjalën e kryeministrit grek ishin përmbledhur të njëjtat akuza, të cilat qeveria greke kishte kohë që i kishte artikuluar në kancelaritë e ndryshme. Ai fliste për karakterin historik helen të “Vorio-Epirit”, për popullsinë helene të tij që, edhe pasi i ishte nënshtruar një procesi de-helenizimi, përsëri e kishte ruajtur karakterin dhe ndërgjegjen e saj helene. Ndër të tjera, kryeministri grek theksoi se “gjendja e luftës, që ekziston midis Shqipërisë dhe nesh, duhet të shkojë drejt një përfundimi natyral dhe të drejtë duke i kaluar Greqisë, Vorio-Epirin”28.

Më 21 gusht 1946, u lejua të paraqesë qëndrimin e qeverisë shqiptare para Konferencës së Paqes dhe përfaqësuesi i saj 29. Enver Hoxha, me cilësinë e kryetari të delegacionit shpjegoi arsyet përse Shqipërisë i takonte të pranohej për të thënë fjalën e saj në traktatet e paqes. Një pjesë e madhe e fjalimit të Enver Hoxhës u përqendrua në hedhjen poshtë të akuzave të parashtruara disa ditë më parë nga kryeministri grek, sipas të cilave midis Shqipërisë dhe Greqisë ekzistonte gjendja e luftës 30.

Teksa politikanët komunistë zhvillonin bisedime me fuqitë fituese të luftës duke u treguar që Shqipëria ishte viktimë e Italisë së Musolinit dhe nuk kishte rrezikuar asnjëherë shtetet fqinjë, historianët e delegacionit ishin të angazhuar në debate publike me historianët greke dhe konferenca për shtyp duke hedhur poshtë tezat për të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Leonidha tregon me detaje historinë e atyre ditëve dhe debatin që ishte zhvilluar në atë sallë: “Është tokë greke - ishte pretendimi më këmbëngulës i grekëve. Të gjitha gërmimet arkeologjike në Apoloni apo edhe në vende të tjera e vërtetojnë këtë. Aty janë gjetur me shumicë shkrime të vjetra në greqisht, monedha të vjetra greke...”. “Atëherë në bazë të kësaj logjike, - u ishte përgjigjur historian shqiptar me një frëngjishte të përkryer, - ju, grekëve, edhe francezët duhet t’ju japin edhe Parisin, duhet t’ju japin edhe këtë sallë ku ne po flasim, pasi në disa kisha të vjetra, jo shumë larg nga këtu, ka pllaka me mbishkrime në greqisht, por edhe monedha të vjetra greke...31. Ndërsa mosmarrja parasysh e pretendimeve greke nga Konferenca e Paqes, ishte një çështje që i takonte vendimmarrjes së të Mëdhenjve, dy historianët shqiptarë Petraq Pepo dhe Aleks Buda, dhanë një kontribut të vlefshëm për të treguar mungesën e argumenteve reale të Athinës zyrtare për këtë çështje. Në përfundim të Konferencës Shqipëria u njoh si “fuqi shoqe”, duke e vendosur kështu në krah të shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore, të cilat nënshkruan Traktatin e Paqes me Italianë. Njohja e këtij statusi i bëri të pavlefshme kërkesat e Athinës zyrtare dhe, ashtu siç tregoi koha, ato nuk u shqyrtuan më në asnjë forum ndërkombëtar.

Prezantimi dinjitoz në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të këtë ndikuar mjaft në karrierën e mëvonshme të Petraq Pepos. Në vitin 1947. kur u hap Instituti Pedagogjik, i pari institucion i arsimit të lartë në vend, Pepo emërohet aty si pedagog. Sipas jetëshkrimit të tij, Pepos i ishte dashur të bëjë një punë të jashtëzakonshme si mësimdhënës në Institutin Pedagogjik. Ai u mësonte studentëve kurset e Historisë së Vjetër, Historinë e Mesjetës, Historinë e Bashkimit Sovjetik 32. të cilat në mungesë të teksteve duhej t’i përgatiste vetë. Njëkohësisht ai është një prej themeluesve të Institutit të Shkencave (janar 1947), duke qenë një nga anëtarët e Asamblesë së saj 33. Në nxitimin e qeverisë komunistë për të ngritur institucionet e veta të shkencës dhe arsimit të lartë, në kushtet e mungesës së njerëzve të shkolluar, nuk ishte një situatë e pazakonshme që një person të punonte njëkohësisht në të dy institucione.

Instituti I Shkencave, si çdo institucion tjetër në shtetin shqiptar të drejtuar nga PKSH/PPSH, ishte nën kontrollin e rreptë politik. Çdo vit veprimtaria e Institutit të Shkencës shqyrtohej me kujdes dhe në detaje në forumet e larta partiake, në Byronë Politike ose në Sekretariatin e KQ të PPSH-së. Në krye të institucionit u vendos Ministri i Drejtësisë, Manol Konomi i cili në të vërtetë ishte një ndërmjetës midis organeve drejtuese të institucionit shkencor dhe lidershipit më të lartë partiak. Disa numra të revistës shkencore, Buletinit të Institutit të Shkencave kishin në frontespicin e tyre foton e Stalinit 34, të gjitha këto detaje tregojnë qartazi për kontrollin dhe ideologjizimin e shkencës shqiptare.

Përtej kontrollit politik, studiuesit duhet të përballeshin edhe me detyrimin për ta mbështetur shkencën shqiptare mbi bazat e teorisë marksiste-leniniste. Në analizën që Sekretariati i KQ të PPSH bëri për veprimtarinë e Institutit të Shkencave gjatë viteve 1948-1949, dy ishin çështjet që i theksoi më së tepërti: së pari, u theksua se “Studimet shkencore të bëra mbi vendin tonë nga të huajt, nuk kanë qenë të drejtuara dhe nuk i përgjigjen qëllimeve dhe nevojave tonë, për të njohur sistematikisht vendin nga ana e mundësive dhe zhvillimit ekonomik e kulturor të tij. Ato mund të vlejnë vetëm për të lehtësuar nga ndonjë anë studimet tona”35. Për këtë arsye, parimi që duhet të ndiqte “Instituti I Shkencave në udhën e tij është të vejë rezultatet e aktivitetit të tij shkencor në shërbim të popullit, për të ngritur sa më parë nivelin e mirëqenies së tij materiale dhe të zhvillimit të tij kultural”36.  Së dyti u vu në dukje se “Instituti I Shkencave ka neglizhuar problemin e rëndësishëm të edukimit dhe riedukimit të kuadrove të tij dhe të njerëzve të tjerë të shkencës me ideologjinë e shkencës marksiste-leniniste-staliniste dhe nuk përpjekur që të ngrejë në fushën ideologjike problemet e ndryshme shkencore, në mënyrë që të luftoheshin me efikasitetin e duhur në njerëzit e shkencës mbeturinat e ideologjisë reaksionare e borgjeze dhe të bëhej si platformë e çdo dege të shkencës materializmi dialektik dhe historik 37. Detyra që iu theksua Institutit të Shkencave nga lidershipi komunist ishte t’i kushtoheshin me të gjitha forcat edukimit komunist të tyre.

Deri në vitin 1952, kohë kur studentët e parë të diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe në disa shtete të tjera të Lindjes Komuniste, u kthyen në atdhe, regjimi nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të mbështeste punën për ngritjen e institucioneve shkencore në duart e njerëzve që ishin shkolluar në Perëndim dhe nuk kishin njohuri mbi marksizmin. Petraq Pepo ishte një nga këta duke përbërë një rast shumë interesant studimi.

Siç e këmi përmendur më herët, Pepo ishte njëri apolitik. Ai nuk bëri përpjekje të zinte pozicione shtetërore, as të tregonte devotshmëri të theksuar ndaj regjimit. Menjëherë pas çlirimit ai martohet me vajzën e ish-ministrit të Drejtësisë së kohës së Zogut, një veprim që nuk mund të shihej me simpati për regjimin e kohës. Ndërsa nuk ngurronte të thoshte gjithmonë mendimin e vet, Pepo bëri të gjitha përpjekjet të përvetësonte ideologjinë marksiste. Në vitin 1955, ai u regjistrua në kurset e edukimit marksist-leninist, të cilat zhvilloheshin në Shkollën e Partisë “Vladimir Iliç Lenin” dhe e përfundoi atë me rezultate shumë të larta.

Arsyet pse ky vendim i Pepos, është e vështirë t’i dokumentohet. Por në mund të bëjmë një analizë në bazë të të dhënave që kemi mbi veprimtarinë e tij si anëtar i Institutit të Shkencave. Për një studiues të historisë nën regjimin komunist, njohja e teorisë marksiste ishte një nga kushtet thelbësore për të vijuar punën, pavarësisht për cilat periudha të historisë ishin përqendruar studimet. Në vitin 1948, kishte filluar puna për hartimin e një teksti zyrtar për Historinë e Shqipërisë, në të cilën Petraq Pepo ishte caktuar si një nga bashkautorët. Ai do ta kishte shumë të vështirë të ishte i suksesshëm në diskutimin e këtij teksti nëse nuk e mbështeste ata në teorinë e materializmit dialektik dhe historik. Fakti që ai u regjistrua në kurset e marksizëm-leninizmit, pikërisht në kohën kur pjesa e parë e tekstit, ku Pepoja ishte autor ishte në proces diskutimi është një argument plus në këtë analizë. Edhe më vonë, kur Pepo tashmë në pension do të mësonte studiuesit e rinj se si duhet të ecnin në rrugën e kërkimeve shkencore, krahas skrupolozitetit me të cilin duhet të shihnin dokumentin dhe saktësinë e përkthimit, ai nuk do të harronte t’i porosiste “spërkateni pak më pluhurin e markzizëm-lëninizëm”, në mënyrë që studimet të botoheshin 38.

Një tjetër arsye për të kërkuar integrimin në regjimin e ri, mund të jetë nevoja për t’u dëgjuar më shumë. Në vitet e para të themelimit të Institutit I Shkencave, Petraq Pepo ishte një nga njerëzit që nuk kishte frikë të thoshte mendimin e vet. Në analizën vjetore të vitit 1948, kritikoi drejtuesit për mungesën e transparencës 39. Ai nuk kishte asnjë ngurrim të propozonte studime mbi tema të cilat konsideroheshin të vështira dhe problematike si: studimet mbi pellazgët, apo mbi lashtësinë shqiptare. Nuk janë të pakta rastet që ka ngritur problematike të rëndësishme për marrëdhëniet e shkencës me mësimdhënien, siç ishte rasti në mbledhjen e Institutit të Shkencave në vitin 1952, ku “shoku Peppo shtroi çështjen e bashkëpunimit dhe ndihmës që duhet t’i japë instituti, ministrisë së Arsimit përsa i takon përpilimit të teksteve shkollore dhe organizimit të ekspeditave me qëllim që të ndihmohen kuadrot studionjëse të Ministrisë në punimet e tyre origjinale” 40. Të gjitha propozimet e tij gjetën veshin e shurdhët si të drejtuesve të Institutit, ashtu dhe të drejtuesve të lartë partiakë. Kjo mund ta ketë detyruar studiuesin ambicioz që të kërkojë një mënyrë për të gjetur një rrugë për t’u ndjerë disi më i përfshirë në vendimmarrjen e regjimit të ri.

Vitet 1947-1954, mund të konsiderohen si vite përshtatje të historianit të edukuar në Francë me një ideologji që ai nuk e ndjente plotësisht të tijën. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore prof. Pepo na ka lanë vepra shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Përkthimi i dokumenteve nga greqishtja e vjetër, ndihmesa për të sjellë në shqip testamentet e Iljaz Bej Mirahorit dhe të tjerëve, japin të dhëna të rëndësishme për Korçën nën sundimin osman, por edhe për organizimin jetës ekonomike dhe sociale në atë periudhë. Veçanërisht qëmtimi i dokumenteve kodikëve Korçës dhe Selasforit dhe e kodikëve të fshatrave të Korçës, një pasion i hershëm i tij, janë një kontribut shumë i vyer për historinë e Shqipërisë. Ashtu siç thoshte vetë prof. Pepo, historia e Shqipërisë ishte shkruar duke u bazuar në arkiva të huaja, dokumentet që qëmtoi ai gjithë jetën e tij, jepnin atë që mungonte, dokumentin vendas dhe një këndvështrim tjetër për historinë e Shqipërisë. Të gjitha këto studime janë fryt i një pune të jashtëzakonshme, me shumë pasion dhe përkushtim. Leonidha i kujton mjaft mirë orët e gjata të prof. Pepos në tryezën e punës. “Babai ishte kampion i shfrytëzimit të arkivave, - thekson ai, - qëndronte me orë të gjata duke punuar, gati 8 orë në ditë dhe sigurisht kur kthehej nga puna ai sërish do ishte duke punuar. Nuk e konceptonte dot që të qëndronte një ditë pa studiuar, … në dhomën tonë të pritjes nuk futej askush, babai sa kthehej nga puna rifillonte studimin duke u ulur këmbëkryq, e gjithë dhoma ishte e mbuluar me materialet që ai studionte edhe shkruante”41 shprehet ai duke qeshur.

Përkthimet e tij profesionale dhe të sakta, vuajtën, për fat të keq, nga ideologjizimi marksist që i imponohej historianëve. Sipas studiuesit të Mesjetës, Andi Rëmbecit përkthimeve u janë hequr pjesë, të cilat bindin ndesh me ideologjinë e kohës 42. Duket se prof. Pepo bëri disa kompromise në mënyrë që të mund të vijonte pasionin e tij për historinë. Për kontributin i tij, ai u vlerësua nga pushteti i kohës. Kështu më 1950 iu akordua Medalja e Kujtimit. Në vitin 1958 nderohet me Urdhrin e Punës të klasit II ndërsa në 1962 mori edhe Urdhrin e Punës të klasit I.

Ai nuk e ndali punën e tij kërkimore edhe pasi doli në pension në vitin 1968, duke kërkuar me ngulm që kontributi i tij të njihej dhe vlerësohej nga shtetit. Nga kërkimet në Arkivin Qendror të Shtetit janë gjetur disa letër-këmbime të tij me Enver Hoxhën, me anë të së cilave i kërkonte ta ndihmonte për t’iu akorduar çmimi i Republikës (1974) apo të merrte titullin Profesor (1972). “Kam forca të gjalla, - do t’i shkruante Pepo, Enver Hoxhës, kam vullnet për punë, koha nuk më ka mposhtur akoma prandaj kam kërkuar nga Instituti i Historisë të më marrin në punë profesor pensionist”43. Në një letër drejtuar Enver Hoxhës shtator 1971 ai do i shkruante “… i kërkoj Drejtorisë së Institutit të më propozojë në Komisioni i Lartë i Atestimit për të më akorduar titullin profesor duke më vënë në radhën e profesionistëve”44. Ndërsa disa vite më  konkretisht në vitin 1974 do i shkruante përsëri Enver Hoxhës “Për dijeni kam nderin t’ju dërgoj kopjen e lutjes drejtuar Institutit të Historisë më anën e së cilës në bazë të veprimtarisë sime entuziaste në dobi t’arsimit e të kulturës në popull të nderohem më Çmimin e Republikës”45. Vetë këto letra dhe përgjigjet që vijnë nga aparatçikët e KQ të PPSH janë një tjetër dëshmi e kontrollit të fortë shtetëror mbi shkencën. Ata nuk dëshironin ta merrnin në konsideratë kërkesën e Petraq Pepos, por kërkojnë që atij t’i kthehej një përgjigje e kujdesshme duke respektuar moshën e tij të shtyrë. Si për të kompensuar mosnjohjen e meritave të fushën e studimeve, Pepo mori vlerësime për veprimtarinë e tij pedagogjike. Me rastin e 70 vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordon Urdhrin e Naim Frashëri të Klasit të I-rë. Një vit më vonë, atij më në fund i jepet titulli shkencor “Bashkëpunues i vjetër i shkencor”, ekuivalenti i sotëm i Profesorit të Asociuar. Pasi  ndërroi jetë në vitin 1984, ai nderohet titullin “Mësues i Popullit” dhe vite më vonë me titullin “Qytetar nderi i qarkut Korçë”46.


1 Andrei Plesu, “Intelectual life under dictatorship”, in: Representation, No. 49 Special Issue: identifying histories: Eastern Europe before and after 1989 (Ëinter, 1995), p. 64. ↩

2 Intervistë e autorëve të këtij punimi me djalin e Petraq Pepos, Leonidha Pepon, intervistuar më 12 nëntor 2018. ↩

3 Arkivi i familjes Pepo, Kujtimet  e Petraq Pepos (dorëshkrim). ↩

4 Koli Xoxi, Liceu Kombëtar i Korçës (1917-1939), Tiranë: Lumo Skëndo, 1997, f. 49 ↩

5 Lefter Pepo, “Enveri, si na bënte moral në Liceun Francez”, në: http://telegraf.al/dosier/lefter-pepo-enveri-si-na-bente-moral-ne-liceun-francez/ , vizituar më 18 nëntor 2018. ↩

6 Petraq Pepo, “Njëzet e një ditë me studentët vullnetarë”, në: Shpresa, nr. 10-11, maj-qershor 1924, f. 117. ↩

7 Arkiva e Familjes Pepo, Kujtimet e Petraq Pepos (dorëshkrim). ↩

8 Intervistë e Kristi Kolçes me djalin e Petraq Pepos, Leonidhën, intervisuar më korrik 2018. ↩

9 Në jetëshkrimin e tij, ndër studentët e tij ai përmend shumë prej figurave që luajtën rol kryesor në politikn shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore si: Enver Hoxhën, Misto Treskën, Behar Shtyllën, por që mbajtën peshën kryesore në formësimin e arsimit dhe shkencës shqiptare të tillë si: Kol Papakriston, Dhimitër Shuteriqi, Minella Karajani, Mahir Domi, Selman Rizën, Behar Shtyllën, Pandi Geçon, Dhimitër Pilikën etj. ↩

10 AQSH, F. 335/Drejtoria e Liceut të Korçës, V. 1931, D. 1, fl. 83. Njoftim i Ministrisë së Arsimit mbi pjesëmarrjen e prof. Pepos në Kongresin e Mësimit që do të mbahet në Paris më 14. 7. 1931. ↩

11 AQSH, F. 195/Ministria e Arsimit, V. 1939, D. 28, fl. 267. Korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkollës Normale të Elbasanit për lejimin e Petraq Pepos për të shkuar jashtë shtetit për mbledhje dokumentacioni për Historinë e Shqipërisë. ↩

12 AQSH, F. 195/Ministria e Arsimit, V. 1935, D. 24, fl. 528. Lutje e Eqrem Çabejt dhe e Petraq Pepos për të vizituar Piana dei Grecci. ↩

13 AQSH, F. Lef Nosi, V. 1907-1944, D. 55/1, fl. , Letër e Petraq Pepos për Lef Nosin, 10 tetor 1930. ↩

14 Arkiva e Familjes Pepo, Kujtimet e Petraq Pepos (dorëshkrim). ↩

15 AQSH, F. Lef Nosi, V. 1907-1944, D. 55/1, fl. , Letër e Petraq Pepos për Lef Nosin, 12 korrik 1937. ↩

16 AQSH, F. 164/Partia Kombëtare Fashiste, V.  1940, D. 20, fl. 44. Karakteristikë e Prof. Petraq Pepo. ↩

17 AQSH, F. 164/Partia Kombëtare Fashiste, V.  1940, D. 20, fl. 44. Karakteristikë e Prof. Petraq Pepo. ↩

18 Internet: Pepo, Historiani që bllokoi grekët në Konferencën e Paqes, dt. 4 nëntor 2009, site i përdorshëm: ikub.al http://ëëë.ikub.al/Lajme/911040979/Article_Pepo-historiani-qe-bllokoi-greket-ne-Konferencen-e-Paqes-.aspx?cookiesEnabled=false ↩

19 Arkivi personal I familjes Pepo, Deklaratë e Helidhona Fallit, dhënë më 9 tetor 1951. ↩

20 Arkivi personal I familjes Pepo, Deklaratë e Helidhona Fallit, dhënë më 9 tetor 1951. ↩

21 AQSh, F. 200/Instituti i Studimeve Shqiptare, V. 1940, D. 11, fl. 4. Informacion mbi Kuvendin I të Studimeve Shqiptare në Tiranë, 12 prill 1940 në mëngjes. ↩

22 AQSh, F. 200/Instituti i Studimeve Shqiptare, V. 1940, D. 20, fl. 1-2. Letër e Petraq Pepos për Mustafa Krujës, 5 tetor 1940. ↩

23 AQSh, F. 200/Instituti i Studimeve Shqiptare, V. 1940, D. 20, fl. 3. Letër e Mustafa Krujës për Petraq Pepon, nr. 19.10. 1940-XVIII. ↩

24 Petraq Peppo, “L’Albania nella preistoria”, in: Albania/Shqipni, anno 3/nr. 3, Roma, marzo 1941-XX, pp. 85-86. ↩

25 AMPJ, V. 1946, D. 147, fl. 3 dhe 4. Dokumenti përmban notën verbale të qeverisë shqiptare të datës 26 korrik 1946, drejtuar ambasadës franceze në Tiranë, me anë të së cilës i kërkon viza hyrëse për delegacionin zyrtar të Konferencës së Paqes, i cili përbëhej nga Hysni Kapo, ministër i Shqipërisë në Beograd, Dr. Manol Konomi, ministër i Drejtësisë, Kahreman Ylli, ministër i Shqipërisë në Francë, Behar Shtylla, sekretar i përgjithshëm i MPJ, Pullumb Dishnica, deputet i Kuvendit Popullor, prof. Aleks Buda dhe prof. Petraq Pepo, ing. Salih Angoni, Misto Treska, drejtor i shtypit. Më 2 gusht 1946 mbërriti në MPJ përgjigjja e Notës Verbale, sipas së cilës ambasada kishte marrë autorizimin t’i jepte vizën personave që përmbaheshin në listës e qeverisë shqiptare. ↩

26 Puna e këtyre historianëve duhet të ketë filluar prej prillit të vitit 1945 (AMPJ, V. 1945, D. 128/5, fl. 21, Radiogram i Hysni Kapos nga Beogradi për MPJ, pa numër, datë 22 prill 1945). Sipas një radiogrami të Hysni Kapos nga Beogradi, çështjen shqiptare në Këshillin e Ministravë të Jashtëm të shteteve aleate, por edhe në Konferencën e Paqes (nëse delegacioni shqiptar nuk do të lejohej të merrte pjesë), do t’i besohej delegacionit jugosllav. Ata do të vinin në dispozicioni për këtë qëllim historianët e tyre, midis të cilëve edhe një shqiptar nga Kosova. Gjithsesi u kërkua nga qeveria shqiptare që të mblidhej material për një sërë problematikash që lidheshin me Greqinë, si: njoftime historike sa më të vjetra, që kur Shqipëria e Jugut ishte ndarë në krahina dhe principata dhe masat që janë marrë për një ndarje të tillë si principata e Janinës dhe të tjera; statistika të sakta mbi minoritetin grek në Shqipëri dhe atë çam në Greqi; statistika të përgjithshme të popullatës shqiptare dhe statistika fetare, përqindja e popullit të krishterë që flet greqisht; argumente historike dhe etimologjike pse thirren me emra grekë një pjesë e katundeve minoritare; pretendimet greke mbi Vorio-Epirin, ku bazohen, si është zhvilluar procesi i kërkesave të tyre, shkaqet; qëndrimi i kolonive shqiptare jashtë, i pjesës ortodokse ndaj pretendimeve greke dhe vepra të tyre ku tregojnë ndjenjat atdhetare; një studim i gjerë mbi popullin shqiptar të Çamërisë dhe vendin; dokumente mbi trajtimin që i është bërë minoritetit çam qysh në ditët e para të sundimit grek deri më 1945, etj. Siç është treguar më sipër, Petraq Pepo kishte treguar interes dhe kishte studiuar qysh gjatë viteve ’30 për shume prej këtyre tematikave. ↩

27 AMPJ, V. 1946, D. 146, fl. 36, Telegram shifër e ministrit shqiptar në Paris, Karreman Ylli për MPJ, 2 gusht 1946. ↩

28 AMPJ, V. 1946, D. 151, fl. 1-3, Fjala e kryeministrit grek, Caldaris në mbledhjen e gjashtë plenare të Konferencës së Paqes, 3 gusht 1946. ↩

29 AMPJ, V. 1946, D. 150, fl. 65, Telegram shifër i Enver Hoxhës nga Parisi për gjeneral Koçi Xoxen, 23 gusht 1946. ↩

30 Enver Hoxha, Dy popuj miq ..., f. 38; si dhe, Bashkimi, 22 gusht 1946. ↩

31 Intervistë e Kristi Kolçes me Leonidha Pepon, marrë në korrik 2018 ↩

32 Arkiva personale e Familjes Pepo, e përmendur. ↩

33 “Vendimi i Këshillit Ministerial, nr. 16, dt. 28.1.1947” mbi nevojën e krijimit të një Instituti studimesh, në:  Buletini i Institutit të Studimeve, nr. 1, qershor 1947. ↩

34 Shih frontespicin e Buletinit të Institutit të Shkencave, nr. 1, Tiranë: 1951. ↩

35 AQSH, F. 14/AP org. udh, V. 1950, D. 48, fl. 1, Relacion mbi veprimtarinë e Institutit të Shkencave gjatë vitit 1948-1949. ↩

36 AQSH, F. 14/AP org. udh, V. 1950, D. 48, fl. 1, Relacion mbi veprimtarinë e Institutit të Shkencave gjatë vitit 1948-1949. ↩

37 AQSH, F. 14/AP org. udh, V. 1950, D. 48, fl. 16, Projekt-vendim i Sekretariatit të KQ të PPSH mbi veprimtarinë e Institutit të Shkencave. ↩

38 Interviste e Kristi Kolçes me prof. Ferit Dukën, marrë më nëntor 2018. ↩

39 AQSH, F. 490/Këshilli i Ministrave, V. 1948, D. 802, fl. 20. Nga procesverbali i mbledhjes së Institutit të Shkencave, 21 qershor 1948. ↩

40 “Procesverbalet e mbledhjes vjetore të Institutit të Shkencave”, në: Buletini I Institutit të Shencave, nr. 2, Tiranë: 1952, f. 183-184. ↩

41 Po aty ↩

42 Intervistë e Sonila Boçit dhe Kristi Kolçes me Andi Rëmbecin, marrë në dt. 20 tetor 2018. ↩

43 AQSH, F. 14/AP str., V. 1972, D. 681, fl. 7 ↩

44 AQSH, F. 14/AP str., V. 1971, D. 623, fl. 2 ↩

45 AQSH, F. 14/AP str., V. 1974, D. 1090, fl.1 ↩

46 Arkiva personale e Familjes Pepo, e përmendur ↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *