Studime

Kolë Kamsi

Facebooktwitter

Kol Kamsi: intelektuali apolitik që i kushtoi jetën arsimit dhe kërkimit shkencor

Enxhi BEKA, Eriketa Pandelejmoni Papa

Në këtë punim do të hidhet dritë mbi një intelektual që i ka kushtuar jetën arsimit në Shqipëri, siç është Kol Kamsi, për të cilin pak është shkruar deri më sot. Analiza e figurës së Kol Kamsit kryesisht do të zhvillohet përmes analizës krahasimore të burimeve arkivore dhe shkrimeve mediatike dhe artikujve të botuar mbi të.

Biografia 1

I lindur më 23 shtator 1886 në Shkodër. Babai i tre fëmijëve, i Paolin, Karlo dhe i Terezina Kamsi. Me një origjinë shoqërore prej tregtari të vogël dhe një profesioni prej arsimtari.2
Është folur pikërisht shumë për kontributin e tij në fushën e arsimit e të kulturës kombëtare. Personalitet shkencor, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator, e fabulist, publicist e redaktor, studiues i shquar i gjuhës shqipe e të traditave shoqërore. Familja shkodrane Kamsi, nuk është një familje pa ndikim në Shkodër. Prapa këtij mbiemri fshihet një histori e vjetër e kësaj familjeje, dhe me një kontribut të jashtëzakonshëm në aspektin kombëtar. Në fakt mbiemri Kamsi lidhet ngushtësisht me Drishtin e Komunës së Postribës.3 Drishti, apo Drivastumi, siç njihej në mesjetë ka qenë një ndër qendrat më të zhvilluara që në shek XII. Kështu, Kamsi është mbiemri i njërës prej dy degëve të familjes së sundimtarëve të Drishtit, të Ëngjëllorëve. Familja i ka rrënjët tek Dhimitër Ejlli, më pas ajo u nda në dy degë në atë Kamsi dhe Radovani. Me pushtimin e Drishtit dhe fortesës së saj nga osmanët, Ëngjëllorët u shpërndanë. Një pjesë e tyre merr mbiemrin Kamsi duke zotëruar fshatrat mes Cukalit e Drishtit, dhe kështu shpërndahen në zona të ndryshme të Shkodrës. Kështu nis rrëfimi i historisë Kamsi në një prej shkrimeve të  Gazetës Shekulli nga pinjolli i kësaj familjeje Karlo Kamsi. Më tej vijon Karlo Kamsi në zonën e Drishtit dhe sot ruhen toponimet që lidhen me emrin e kësaj familjeje si Guri i Kamxit (Kamsit), Shpella e Kamsit, Kullat e Kamcejeve, Dheu i Kamsit etj. Interesante është gjithashtu emrin që morën pas shpërbërjes së Ëngjëllorëve. Njëri prej pjesëtarëve të familjes Kamsi, i quajtur Denk Kamsi ishte i njohur për të ecurën e tij të shpejtë dhe kështu i mbeti pseudonimi Kamci ose këmbëshpejtë.4

Duke iu referuar sërish kësaj gazete zbulojmë se në familjen e Karlo Kamsit ruhen me fanatizëm 16 dokumente pergamentë, origjinalë që flasin për vjetërsinë e kësaj familjeje. Jo vetëm Arkivi i Shtetit, por dhe Vatikani ka kërkuar dokumentet që flasin për vjetërsinë e familjes Kamsi. Përveç pemës familjare, rrëfen Karlo Kamsi, këto dokumente flasin dhe për ekonominë e zhvillimin kulturor të zonës, akte juridike të kohës etj.5

Një ndër figurat më të shquara të kësaj familjeje ishte Imzot Pal Kamsi, një ndër figurat më të njohura të kishës katolike, i cili ka shërbyer si famulltar i kishës së Zojës së Shkodrës në Tophanë më 25 maj 1742, është caktuar nga Papa Benedikti XIV si Ipeshkv i Shkodrës. Pal Kamsi gjatë shërbimit të tij në Tivar u bë i njohur se arriti të bënte për herë të parë regjistrimin në librin e kishës, e cila ruhet në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Drejtoi Dioqezën e Shkodrës për 29 vite dhe u nda nga jeta më 14 prill 1771 në kuvendin françeskan të Kastratit.6 Gjon Kamsi është një tjetër figurë mjaft interesante, i cili menjëherë të kujton refuzimin që i bëri Papa Klementit të XII më 1739 për të qenë Ipeshkv i Shkodrës. Jeta që Gjon Kamsi preferonte të bënte ishte ajo midis njerëzve të thjeshtë, ai u nda nga jeta në moshën 90- vjeçare dhe pasurinë e tij ua la të varfërve. Emra të tjerë ishin Kolë Ndoc Kamsi, Pep Kamsi, ky i fundit ka shërbyer si përkthyes në konsullatën e Venedikut në Shkodër.

Willy Kamsi rrëfen se Gjon Kamsi, babai i tij ishte një tjetër intelektual i familjes Kamsi. Gjon Kamsi e zhvilloi aktivitetin e tij në Bari të Italisë ku dhe Ëilly Kamsi lindi. Ishte bashkëpunëtor i shtypit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhe anëtar i gazetarëve të huaji në Itali, ka botuar në revistat e njohura të asaj kohe “Posta e Shqypnisë”dhe “Bashkimi i Kombit”, veç të tjerave ka bashkëpunuar dhe me shumë gazeta e revista të tjera, ku ndër to dallohet bashkëpunimi 5-vjeçar me prestigjozen “Hylli i Dritës”.7 Xhaxhai im Kolë Kamsi, vijon Ëilly Kamsi studioi njëlloj si babai im në fillim në Shkodër e pastaj në Itali. Ëilly Kamsi vetë kishte punuar në biblotekën e qytetit të Shkodrës dhe kishte disa dhjetëfishuar numrin e librave të fondit të biblotekës. Kishte shërbyer si i pari ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Vatikan.8

Kur ishte kthyer në Shkodër pas shërbimit të tij diplomatik, kishte përpiluar seritë bibliografike të revistave më të rëndësishme të periudhës para vendosjes së regjimit. Ai është përkushtuar mbas botimit të disa veprave të rëndësishme siç janë, 4 vëllimet e plota me bibliografi të revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shejzet” dhe “Shkëndija”, dhe materiale të rëndësishme historike si “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit dhe studime të tjera me karakter historik. Ëilly Kamsi është marrë me histori, monumente e arkeologji me gjuhë shqipe kryesisht me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore.

Pra, e parë në këtë kendvështrim pema gjenealogjike e familjes Kamsi është një pemë gjenealogjike intelektuale. Duke parë këtë ecuri natyrisht që dhe Kolë Kamsi do të ishte pjesë e kësaj rrjedhe, ecuria e tij ishte thuajse e paracaktuar nëse do të shohim familjen në të cilën ai u rrit. Kolë Kamsi do të ishte veçse emri i rradhës që do të kontribuonte gjerësisht në fushën e arsimit.

Rrugën drejt dijes Kolë Kamsi e nisi në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Në Shkodër, ai mori mësimet e tij të para duke kryer shkollën fillore dhe atë të mesme, duke marrë kështu dhe diplomën në Shkollën Teknike Tregtare Italiane. Shkollën Normale do ta kryente në San Demetrio Corone (Itali), dhe italishtja do të ishte një ndër gjuhët që ai do të zotëronte 9. Këtu do të qëndronte për tre vjet ku do të mbaronte shkollën Normale Pedagogjike më 1907. (Në këtë kolegj, katedra e gjuhës shqipe u  themelua nga Jeronim De Rada me 1849, dhe po në këtë institucion arsimor dha mësime në gjuhën shqipe nga viti (1906-1909) profesor doktor Aleksandër Xhuvani, si dhe studioi pas vitit 1897 patrioti, politikani  dhe intelektuali i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi. Në vitin 1907, pasi kryen studimet, në moshën 21-vjeçare, Kamsi kthehet në vendin e lindjes, me një devotshmëri dhe përkushtim për ti shërbyer atdheut në fushën e arsimit. Po këtë vit emërohet mësues i gjuhës shqipe në qarkun e Vlorës, qark ky që në këtë periudhë  trashëgonte  prapambetje të theksuara në fushën e arsimit. Duke u njohur realisht me gjëndjen e arsimit në qarkun Vlorë dhe Gjirokastër, Kamsi ndërmerr hapjen e 44 shkollave elementare për t’i mësuar shqip fëmijëve të këtyre dy qarqeve. Pasi ushtron për një kohë të gjatë veprimtarinë e tij si arsimtar për 7 vite rresht, në vitin shkollor (1915-1916) emërohet drejtor i shkollës së parë fillore për djem në prefekturën e Vlorës, dhe mësues në këtë shkollë caktohen Jani Minga, Thoma Papapano dhe Halim Xhelo. Në këtë periudhë duke qenë koshient për nivelin e ulët të arsimtarëve, që jepnin mësim në këto shkolla, Kamsi së bashku me Jani Mingën çelën në Vlorë një kurs afatshkurtër pedagogjik, i cili synonte të ndihmonte mësuesit për përdorimin e metodave didaktike gjatë mësimdhënies.10

Kamsi krahas drejtimit të shkollave dhe mësimdhënies filloi një veprimtari intensive që lidhej me hartimin e teksteve bazë për shkollën fillore, ku përveç abetares që e titulloi “Jeta e re”(1915) 72 faqe,, iu përvesh punës dhe brenda katër vitesh hartoi tekstin “Mësime përmbi natyrën” (1917), 60 faqe, dhe në vitin (1919) Kamsi botoi antologjinë me vjersha për shkollën fillore “Lulet e mendimit” 52 faqe. Në këto vite K. Kamsi bëhet anëtar dhe veprimtar i klubit Labëria dhe shquhet si veprimtar i lëvizjes arsimore e kulturore “Lidhja e arsimtarëve” në Vlorë, lëvizje kjo e cila e ushtroi aktivitetin e saj  në vitet (1907-1928). Në këto vite K.Kamsi arrin të vërë në skenë dramën “Vdekja e Pirros” e Mihal Gramenos. Në qarkun e Vlorës, Kamsi e ushtroi veprimtarinë e tij për hapjen dhe drejtimin e shkollave shqip deri më 1920 përgjatë një periudhe 13-vjeçare. Mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore kthehet në Shkodër.

Në vitet 1910-1920, Kamsi ushtonte profesionin e mësuesit në Vlorë. Me urdhër të Ministrisë së Jashtme ai punoi si mësues i thjeshtë në shkollën Italiane në Vlorë 11. Në vitet 1912-1916 pagesa e tij në Vlorë ishte 220 fr.ari 12. Në vitin shkollor 1915-1916 në Vlorë çelet shkolla fillore për djem, drejtor i së cilës emërohet pikërisht Kolë Kamsi. Me urdhër të Perfekturës emërohet drejtor në shkollën shqipe të Vlorës. Në vitin 1916-1917 pagesa e tij mujore bazuar në dokumentet arkivore në pozicionin e drejtorit ishte 240 fr.ari 13. Stafi i mësuesëve në këtë shkollë përbëhej nga emra si: Jani Minga, Thoma Papano, Halim Xhelo etj. Sipas dokumenteve arkivore në vitet 1917-1920 në pozicionin e mësuesit Kolë Kamsi merr një pagë prej 220 fr.ari 14. Në vitet 1920-1926 ishte në po të njëjtën detyrë, por në Shokdër me po të njëjtën pagesë. Ndërmjet këtyre viteve ai emërohet mësues në Shkodër me urdhër të Ministrisë së Arsimit në shkollën françeskane, në vitet 1920-1922. Po ashtu Kamsi është një ndër delegatët në Kongresin e dytë Arsimor në Tiranë, kongres ky i cili zhvilloi punimet  në godinën e Parlamentit të Parë Shqiptar. 15  Emocionuese në mbledhjen  e parë të punimeve të këtij Kongresi, i cili u çel ditën e shtunë, me datë 22.korrik 1922, ora, 10.00, ishte fjala e mbajtur nga Ministri i Arsimit i asaj kohe, shkëlqesia e Tij, Zoti Rexhep Mitrovica, i cili iu drejtua pjesëmarrësve:

Zotërinj të ndershëm, ndjehem shumë i gëzuar që po shoh rreth meje fuqitë më të vlefshme të arsimit, të mbledhur këtu për të rrahur çështjet që kanë rëndësi të madhe për zgjimin e popullit tonë dhe për përparimin e kulturës së tij që mund të fitohen vetëm me anën e shkollave. Me arsim ne jo vetëm do të sigurojmë lirinë dhe pavarësinë e kombit tonë, por do të përmirësojmë edhe gjendjen e tij ekonomike e shëndetësore, dy pika jo më pak të rëndësishme se liria dhe pavarësia politike.

 

Profesor Kolë Kamsi së bashku me profesorët Kolë Margjini, Thoma Papapano dhe Dhimitër Gjerga emërohen sekretarë të këtij kongresi me votim nga pjesëmarrësit dhe profesor Karl Gurakuqi ngarkohet me shkrimin e raportit, që do shkruhej mbi bazën e procesverbaleve të mbajtura në kongres. Në këtë kongres, Kolë Kamsi së bashku me profesorët: Xhuvani, Kondo, Pogoni, Beltoja, Gurakuqi, Çekaj, Minga, Bala, Gashi, Babameto dhe Papapano zgjidhen anëtar të komisionit prej 12 vetash si një përfaqësi e pjesëmarrësve nga qarqet e  ndryshme të vendit, të cilët do përgatisnin reformën arsimore, programet dhe tekstet shkollore dhe do merrnin vendimet për ecurinë e sistemit arsimor, në Shqipëri. Synimi i këtij kuvendi ishte që të kryhej një reformë arsimore, kurrikula e së cilës duhej të përgatiste në të ardhmen qytetarë me karakter të patundur, vullnet të hekurt, me inisiativë dhe gjykim të drejtë, që ti shërbejnë kombit dhe për ta nxjerrë vendin nga prapambetja shekullore ku ishte zhytur.16

Pikërisht në këtë moment të mëdha dhe të vazhdueshme ishin  përpjekjet e deputetit të Shkodrës nga krahu opozitar, Luigj Gurakuqit, i cili seance pas seance shprehte nevojën e krijimit të një shkolle të mesme. Ndaj, shqetësimin për nevojën emergjente të hapjes së një shkolle laike shtetërore të mesme në qytetin e Shkodrës, e paraqiti në parlamentin shqiptar deputeti Luigj Gurakuqi, në janar të.1922, në Mbledhjen e X–të të Këshillit Kombëtar, i cili e mori fjalën menjëherë pas fjalimit të plotë të Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Rexhep Mitrovica “Mbi kët pikë dua t’i heq vërejtjen zotit Ministër të Arsimit të merren masat e nevojshme për të hapunit e një shkolle të mesme laike, pse atje gjithë, i cili ka dëshirë të math për arësim. Shkollat e mesme në këtë qytet janë private dhe i përkasin besimeve fetare”.17. Kështu, “Këshilli i Ministrave i Shtetit Shqiptar në vitin 1922, me datën 11 Gusht merr vendimin nr. 720, të bazuem në kërkesen e Ministrisë së Arsimit, nr. 11878, vendim me të cilin urdhnon që “të hapet në Shkodër një shkollë Gjimnaz i Shtetit, për me mujtë me ndjekë aty mësimet një shumicë e studentave shqiptarë, që nuk kanë me u dergue ma jashtë e, sidomos, nxanësit e atij Qarku...”. Më 05.10.1922 Ministria e Arsimit, çel gjimnazin shtetënor, me një bazë materiale tepër modeste, në të cilin rregjistrohen 20 gjimnazistët e parë dhe emëron profesor Kolë Kamsin (gjuhë shqipe dhe letërsi), Loro Rasha (latinisht), Kolë Kraja (frëngjisht), Kolë Margjini (Histori-Gjeografi), Ruhi Zheko (Matematikë), Simon Rrota (vizatim) , Demush Jakova (gjimnastikë). Pas dy muajsh muajsh emëron Drejtor të parë të këtij gjimnazi profesor Xhevat Korça (Histori-gjeografi) dhe Zv.drejtor Luigj Shala (Histori Natyre)18.

Me po të njëjtin urdhër, të Ministrisë së Arsimit emërohet mësues në vitet 1922-1924 në gjimnazin e shtetit në Shkodër dhe më 1924-1925. Kamsi emërohet drejtor nga Ministria e Arsimit në Shkodër në shkollën “Teuta”.  Në vitin 1925, me urdhër nga Ministria e Arsimit emërohet drejtor dhe pegagog i kursit pedagogjik që Ministria çeli në qarkun e Korçës për përgatitjen e mësuesve, që do të jepnin mësim në shkollat e qytetit të këtij qarku. Arsimtarët që ndoqën këtë kurs shprehën konsideratat më të larta për ndihmesën, që ju dha atyre nga profesor Kolë Kamsi me synim përmirësimin e metodologjive të reja didaktike për mësimdhënien.19 Vlerësimet për aftësitë dhe vlerat e kursit të ndjekur nga profesor Kamsi i gjejmë përmes artikullit që u titullua “Kurset e pedagogjisë për mësuesit e Korçës dhe të qarqeve”, botuar në gazetën “Zëri i Korçës”, në të cili shkruhej: “ Zoti Kamsi është Drejtor dhe pedagog i kurseve dhe shquhet për një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, dhe kështu tërheq vëmendjen e të gjithë arsimtarëve të cilat janë të etjësuar për të mësuar methodha të ra dhe sa më lehtësuese për shkollat”20……..Dhe pesë javë më vonë në revistën “ Gazeta e Korçës” VII, datë 05.shtator 1925, pas përfundimit të këtij kursi, 12 arsimtarët pjesëmarrës shprehën mirënjohje ndaj përkushtimit që profesor Kamsi pati ndaj tyre përmes një artikulli. Në fund të artikullit të 12 arsimtarët pjesëmarrës kishin firmosur shkrimin në shenjë mirënjohje ndaj profesor Kamsit me këtë dedikim: “Për drejtorin e kursit profesor Kamsin, i cili me aktivitet dhe energji të palodhur  përdor metodën më të pëlqyeshme për zhvillimin e mësimeve didaktike, prej të cilave po kemi një dobi tepër të madhe. E falenderojmë nga thellësia e zemrës dhe e përgëzojmë për këto cilësi që ka”.21  Po në këtë vit, më 1924 ishte drejtor dhe mësimdhënës në një kurs pedagogjik për mësuesit e qytetit dhe të qarkut.

Nga viti 1926-1928 punoi në Insitutin Tregtar në Vlorë u emërua drejtor nga Ministria e Arsimit. Konkretisht, më 1926 ishte drejtor i Shkollës Tregtare dhe i Konviktit të Ujit të Ftohtë në Vlorë. Në këtë pozicion ai, shpërblehet me një pagesë prej 300 fr.ari 22.

Përveç paraqitjes së këtyre fakteve mekanike, ajo që nuk mund të anashkaloj është pikërisht një letër e Kolë Kamsit që mban datën e 31 dhjetorit 1926 në Vlorë dhe i drejtohet Revistës “Diturija”, ku Kolë Kamsi dha një kontribut të gjerë në botimin e disa shkrimeve. Tekstualisht Kolë Kamsi shprehet kështu në letër “Me vjetin e ri të më njehni edhe mue si pajtimtar i së përkohshmes “Diturija”, qi ka nise të botohet nën drejtim të Z. s’uej23. Më tej në letër vihet re dhe fryma e tij perëndimore për të kontribuar me disa mendime të shkrimtarëve të huaji, dhe kryesisht ato në gjuhën frënge dhe atë italiane. “Përnjiher po ju dërgoi edhe disa mendime të zgjedhura shkrimtarësh të huej, të cilat i kam përmbledhe mbas subjektit qi kam kështu të botohen veçmas ndër numra të përkohshmes”, më tej vijon .“Disave u kam vu para origjinalin e men të përkthimin sidomos të mendimeve në gjuhën frëngjishte e italishte”24. Gjatë viteve 1907-1928 ka qenë veprimtar i shquar i lëvizjes arsimore e kulturore në Vlorë dhe anëtarë i shoqërisë Lidhja e Arsimtarëve të Vlorës.

Më 1928-1936 emërohet në gjimnazin e shtetit në Shkodër në rolin e mësuesit nga Ministria e Arsimit, me një rrogë prej 360 fr.ari 25, dhe nuk shkëputet deri në vitin 1936. Më 1936-1939 emërohet drejtor i Insitutit Femëror “Donika Kastrioti” në Shkollën e Mesme në Shkodër, me urdhër të Ministrisë së Arsimit, duke arritur një pagesë prej 400 fr.ari 26. Më 1939-1940, emërohet në Insitutin “Nana e Skënderbeut ” në pozicionin e drejtorit në Tiranë me një pagesë prej 400 fr.ari 27. Në vitin 1940 caktohet nga Ministria e Arsimit anëtar në Komisionin Teknik të hartimit të teksteve  dhe së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Karl Gurakuqin, Ernest Koliqin dhe Eqerem Çabejn, të cilët punuan intensivisht për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe antologjive të letërsisë shqiptare për shkollat shtetërore. Në vitin 1940 punon pranë Institutit të Studimeve Shqiptare themeluar nga profesor Ernest Koliqi, i cili shërbeu si drejtues i këtij institucioni me sekretar at Zef Valentini. Ky institucion u krijua për të zhvilluar veprimtari shkencore, në të cilin u përfshinë studiues të gjuhës, letërsisë dhe artit. Anëtarë të këtij institucioni ishin intelektualë të shquar si: Aleksandër Xhuvani, Ekrem Vlora, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Lazër Shantoja, Sotir Kolea, Vangjel Korça etj. Më 1942 ky Institucion u quajt Instituti Mbretnuer Shqiptar dhe varej direkt nga  Kryeministria.28

Po nga Ministria e Arsimit në vitet 1942-1945 emërohet në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër. Në vitin1944 Instituti i Studimeve u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte, Kamsi punon pranë këtij institucioni.për zgjerimin e fushave të kërkimit e të numrit të studiuesve shqiptarë,tashmë të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Në këtë institucion u përfshinë edhe intelektualë të tjerë të njohur të kohës, si: Ali Asllani, Arshi Pipa, Hamdi Sulçebe, Hasan Dosti, Krist Maloki, Kristo Floqi, Ndoc Nikaj, Mithat Frashëri, Odhise Paskali, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Vedat Kokona etj.29

Në vitet 1945-1946 emërohet përsëri nga Ministria e Arsimit si mësues në Shkodër në Gjimnazin e Shtetit. Më 1945-1947 gjendet përsëri në Shkodër në pozicionin e mësuesit, dhe më 1.7.1945 në Liceun e Shtetit me po të njëjtën pozicion.30. Vitet 1947-1948 do ta gjenin në të njëjtin profesion në Gjimnazin e Shtetit në qytetin e tij të lindjes. Për të vijuar në këtë rrjedhë më 1948 ai punon për pak kohë në Insitutin e Studimeve në Tiranë, në pozicionin e folkloristit si mbledhës e studiues. Në vitin 1948 emërohet në Tiranë, pranë Institutit të Shkencave, institut ky që kishte trashëguar përveç veprimtarisë, arkivin dhe bibliotekën e çmueshme albanologjike të Institutit të Studimeve Shqiptare, themeluar nga profesor Ernest Koliqi. Në një procesverbal të mbledhjes së dytë të Asamblesë së përgjithshme të Insitutit të Studimeve, mbajtur në sallën e e Biblotekës Kombëtare të Qershorit 1948, mbledhja hapet me Dr. Manol Konomin, ku fton anëtarët të bëhen pjesë e diskutimeve e propozimeve, mbas referateve që do të paraqiten, ndër bashkëpunëtorët për seksionin e gjuhës dhe të literaturës veçohet dhe emri i Kolë Kamsit 31.

Në vitin (1950- 1955) rikthehet profesor i gjuhës dhe i letërsisë në gjimnazin (tashmë në vitet e regjimit komunist me emërtesën “29 Nëntori”) në Shkodër dhe njëkohësisht profesor në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”.32. Për të respektuar këtë figurë të shquar të kulturës shqiptare, më 1955 do të zgjidhej “Kandidat i Shkencave”. Më 2 shtator 1957 themelohet Instituti i Lartë Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër dhe Kamsi emërohet pedagog i folklorit dhe i gjuhës shqipe në Fakultetin e Gjuhës dhe Historisë. Në këtë Institucion si dhe paralelisht në gjimnazin e shtetit vazhdoi punën deri më 25 shkurt 1960, vit në të cilin ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare, pasi kontribuoi 53 vite në vendosjen e themeleve të arsimit kombëtar shqiptar. Po në këtë vit ai do të mbante dhe një fjalim në varrezat e Shkodrës me rastin e sjelljes së eshtrave të Luigj Gurakuqit. Më 24 shkurt të vitit 1960, një ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij, “Fjalorit arbërisht-shqip”, prof. Mahir Domit, ai i thotë ngadalë: “Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë e mbajta”.33

Për hartimin e Fjalorit arbërisht-shqip Kol Kamsit i ishte ngarkuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë në Tiranë, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej, ai punoi pa u lodhur ditën e natë dhe tashmë u ndje i qetë, pasi mundi ta dorëzonte punimin brenda afateve të përcaktuara nga Instituti. Por dhe pse i përfunduar, fjalori i dorëzuar brenda afateve të caktuara nga ky institucion do të “flinte” për dyzet vite me radhë në raftet e Institutit të Shkencave në Tiranë. Botimi i fjalorit u mundësua në vitin 2000, pas një redaktimi nga profesor Ferdinand Leka.

Ja sesi do të pasqyrohej shkurtimisht rrugëtimi 53-vjeçar në fushën e arsimit i intelektualit të shquar Kolë Kamsit.

(1907- 1915) , mësues i gjuhës shqipe në qarkun e Vlorës;

(1915-1916) drejtor i shkollës së parë fillore për djem në prefekturën e Vlorës;

(1916) drejtor dhe mesues i një kursi afatshkurtër pedagogjik në Vlorë per arsimtaret;

(1917-1920) mesues ne qarkun e Vlores;

(1907-1928) anëtar dhe veprimtar i klubit Labëria dhe shquhet si veprimtar i lëvizjes arsimore e kulturore “Lidhja e arsimtarëve” në Vlorë;

(1920) mësues në shkollën qytetase françeskane, Shkoder;

(22.07.1922-03.08.1922) delegat ne kongresin e II Arsimor, Tirane;

(1922- 1924) mesues i gjuhës shqipe dhe letërsise ne Gjimnazin “28 Nentori”, Shkoder;

( 1924) drejtor i shkollës fillore “Teuta” në Shkodër;

( 1925) drejtor dhe pegagog i kursit pedagogjik për mesuesit në qarkun e Korçës;

( 1926) drejtor nëshkollën e mesme tregtare në qarkun e Vlorës dhe drejtor i konviktit në  Ujin e  Ftohtë (Vlorë);

(1927)  emërohet drejtor i Institutit Tregtar në qytetin e Vlorës;

(1928- 1936) mësues në Gjimnazin e Shtetit “28 nentori”, (Shkodër);

( 1936) drejtor i Institutit femëror “Donika Kastrioti”, (Shkodër);

( 1937-1939) mësues në Gjimnazin e shtetit (Shkodër);

(1939) drejtor i Institutit femëror “Nënë e Skënderbeut” (Tiranë);

( 1940) anëtar në Komisionin Teknik të hartimit të  teksteve prane Ministrise se Arsimit;

(1940- 1942)) në Institutit të Studimeve Shqiptare; Tirane;

(1942)drejtor i Gjimnazit të shtetit “28 nentori” në Shkodër.

(1944) punon disa muaj prane  Institutit te  Studimeve, Tirane;

(1946-1947) mësues i gjuhës shqipe në shkollën unike të qytetit të Shkodrës;

(1948) emërohet në Tiranë, pranë  Institutit të Shkencave;

(1950- 1960) rikthehet profesor i gjuhës dhe i letërsisë në Gjimnazin “29 Nëntori”, Shkoder dhe  profesor në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” .

(1955) zgjidhet  “Kandidat i Shkencave” pranë Institutit të Shkencave në Tiranë;

(1957-1960) pedagog i folklorit dhe i gjuhës shqipe në Institutin 2-vjecar dhe njekohesisht ne gjimazin “29 Nentori”

Duke parë të gjithë këtë rrugëtim të personalitetit të Kolë Kamsit do të ishte e pakuptimtë të njihnim historinë e kulturës e të arsimit shqiptar pa emrin e Kolë Kamsit. Do të ishte e pakuptimtë, apo e paplotë të njihnim historinë e folklorit e të kulturës pa atë të cilin bëri emrin e kësaj histore.

Veprimtaria e Kolë Kamsit

Ndër kontributet më të mëdha që la Kolë Kamsi ishin dhe veprat e tij. Sa i takon veprave të Kolë Kamsit mund të listojmë një shumësi të tillash. Veprimtaria kërkimore-shkencore e Kamsit shtrihet në një hark kohor prej 50 viteve (1907-1960). Studimet e tij albanologjike vihen re në tre aspekte, në atë të gjuhësisë, letërsisë, të folkloristikës dhe historisë. Në fushën e gjuhësisë u dallua me veprën “Manual Praktik i Gjuhës Shqipe” e shkruar në dy gjuhë në italisht dhe shqip për strukturën gramatikore të gjuhës shqipe 34. Pati tre botime në Zarë të Dalmacisë më 1930, dhe në Shkodër më 1940 e 1941. Një tjetër kontribut i padiskutueshëm janë dhe monografitë mbi “Jeta dhe Vepra e Frang Bardhit” dhe “Disa vërjetje gjuhësore mbi Pashko Babit”.

Tituj të tjera veprash janë dhe ato të krijmtarisë letrare. Më konkretisht Kamsi ishte autor i disa poezive për fëmijë, disa tregime edukative, të cilat në vetvete ishin përshtatje në shqip të shkrimtarëve të huaj. Ndër përkthimet mund të përmendim, përkthimin që i bëri Andersenit, Lasingut, Vëllezërve Grim, Hygoit, Bokaços, Tolstoit e shumë emrave të tjerë të letërsisë botërore, duke sjellë pranë lexuesit shqiptar kryeveprat e kësaj letërsie. Sa i takon fushës së historisë, Jup Kastrati veçon disa nga veprat e tij të tilla si: “Udhëtim i Skënderbeut në Romë”, “Dita 28 Nëntori”, “Kryengritja e Malësisë së Madhe”, një tjetër artikull mban emrin “Fatosat e Traboinit që u vranë në kryengritjen shqiptare të vitit 1910-1911” dhe për të vijuar me “Një letër Abdyl Frashërit e Françesko Krispit” dhe shumë tituj të tjerë.35

Kamsi botoi “Dokumenta të Agimit të Lirisë” me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë. Ky botim përfshinte promemorie, protesta, peticione, memorandume të kolonive shqiptare në Egjipt, Rumani e Turqi si dhe artikuj të dërguar nga shoqëritë e klubet shqiptare që vepronin në emigrim 36. Gjithashtu ishin një pjesë e madhe e të gjithë dokumentave letrare që i ishin dërguar Fuqive të Mëdha për njohjen e Shqipërisë. Ndërsa në lëmin e publicistikës botimet e tij gjenden tek “Albania” e Londrës së vitit 1907, tek “Kalendari Kombiar” në Sofje, të vitit 1912, tek “Përparimi” në Shkodër më 1915. Shkrimet e tij do të zinin vend në artikujt e “Corriere della Puglie” me një numër të posaçëm mbi Shqipërinë më 1917. Tek “Kuvendi” në Romën e vitit 1919, “Edukata e Re” e vitit 1950 në Tiranë. Botimet e tij do të ishin prezente tek “Agimi” i Shkodrës së vitit 1920, tek “Dituria” e Tiranës së vitit 1928 e shumë të tjera 37. Kryevepra e tij është cilësuar fjalori arbëresh, i cili u botua vetëm pas 40 vjetësh. Fjalori ka rreth 8000 fjalë dhe fraza të nxjerra drejtpërsëdrejti nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia popullore e arbëreshëve të Italisë, Karlo Kamsi shprehet se ky fjalor ka qëndruar për 40 vjet në Insitutin e Gjuhësisë, në dorëshkrim. “E kam gjetur në një magazinë me ndihmën e Bahri Becit, i cili drejtonte atëherë këtë institucion38.

Duke filluar nga 1907 Kolë Kamsi punoi parreshtur mbi fonetikën, morfologjinë dhe veçanërisht për leksikun e arbërishtes. Një ditë para se të vdiste ai i dorëzoi në shtrat në shtëpinë e vet në Shkodër Prof. Mahir Domit veprën e tij jetësore dhe më të mirë të krijmtarisë së tij shkencore, “Fjalorin e Dialektit Arbëresh”, më 23 shkurt 1960 duke i thënë këto fjalë: “Po vdes i qetë, zotimin e marrë para Insitutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e mbajta39. Fjalori ka rreth 10.000 fjalë e fraza të nxjerra drejtpërsëdrejti nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia popullore e shqiptarëve të Italisë, duke filluar nga Matranga e deri në ditët e sotme, pra më 1960.

Fjalori Arbërisht-Shqip u botua në vitin 2000. Kamsi u bë i njohur si studiues me monografinë “Shqiptarët e Italisë”. Çdo muaji për çdo vjet rresht u botua në të përkohshmen “Leka” në Shkodër nga (1934-1944). Në fushën e gjuhësisë ai u dallua me veprën “Manual Praktik i Gjuhës-Shqipe”, shkruar në italisht-shqip mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe 40. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi i tij për “Fjalorin Italisht-Shqip” të Fluvio Kordinjanos. Për Insitutin e Studimeve, më 1948, Kamsi redaktoi veprën “Material Leksikor” të mbledhur në rrethin e Gjakovës nga Murat Paci, ish-nxënës i gjimnazit të shtetit të Shkodrës që u vra nga fashistët në vitin 1943.

Për historinë e letërsisë shqiptare, përveç artikujve mbi shkrimtarët arbëresh, Kolë Kamsi botoi punime me vlerë për Pashko Vasën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Justin Rrotën e shumë të tjerë. Gjithashtu mjaft interesante janë dhe artikujt mbi figurën e Ismail Qemalit, Miss Edith Durahm dhe shumë emra të tjerë. Folkloristika është dhe një nga zhanerat më të spikatuar të Kamsit. Konkretisht ai mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes me veprën e tij “Goja e Popullit Tonë”. Ky libër përmbledh thënie popullore të shkurtra. Në fushën e krijmtarisë së tij letrare janë për t’u vënë në dukje dhe disa vjersha, apo tregime për fëmijë.

Shkurtimisht disa nga titujt e veprave janë:

Kolë Kamsi (Abetare, 1915, Jeta e re, shtypur në Bari të Italisë, shtypshkronja “La italiana”, ribotohet duke u përmirësuar botimi i parë tre herë në Bari, ne po te njëjtën shtypshkronjë); Vlorë, 72 faqe.

Kolë Kamsi “Lulet e mendimit”, 1917, Vlorë, antologji me vjersha të mbledhura për shkollat fillore, botuar në Itali, 52 faqe.

Kolë Kamsi 1919,Vlorë, “ Mësime përmbi natyrën” përshtatur sipas programit të diturisë se natyrës për shkollat fillore, botuar në Itali, faqe 60

Kolë Kamsi 1930”Manuale practico della lingua albanese” 224 faqe, Zara (ribotuar 1940, 1942)

Kolë Kamsi bashkëautor me Ndue Palucën e Ernest Koliqin, “Shkollë e jetë” vëllimi I antologji për shkollat e mesme, tekste shtetërore, (1935, Shkodër) shtëpia botuese “Ora”, 288 faqe.

Kolë Kamsi bashkautor me Karl Gurakuqin “Te praku i jetës”   libër leximi, per klasën e parë dhe të dytë të shkollës së mesme, tekste shtetërore Tiranë, 449 faqe, 1940, ribotuar 1942,

Kolë Kamsi bashkautor me Karl Gurakuqin “Rreze Drite” (1941) për klasën e tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, tekste shtetërore,Tiranë, 538 faqe;

Visaret e kombit, vëllimi IX, Folklorë, përmbledhje mbi zakonet dhe gjuhën popullore të botuara në revistën “Leka” (Mbledhë nga Kolë Kamsi), shtyp në shtypshkronjën “Zoja e papërlyeme”, 1943, 192 faqe, botim i Ministrisë së Arsimit Nr.9)

”Bota shqiptare” (Tiranë, 1943, antologji për kursin e naltë të shkollës së mesme, Mbledhë nën kujdesin e Xhuvanit, Kamsit, Çabejt, Gurakuqit, Koliqit, botim i Ministrisë së Arsimit).Antologji  me 616 faqe, tekst  shtetërorë për shkollat e mesme)

“Shqiptarët shqiptarë”, pjesa e II, botimi i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1941 Kamsi me Ernest Koliqi dhe Karl Gurakuqi  ,

(Këto tekste u përdorën nga nxënësit për tridhjetë vjet (1915-1945), dhe u hoqën nga kurrikula shkollore në vitin 1945 vit në të cilin po instalohej diktatura komuniste). Krahas teksteve shkollore, Kamsi botoi sistematikisht artikujsh metodikë për mësimdhënien me karakter shkencor –arsimor, për zbërthimin e temave mësimore sipas metodologjive të reja, në revistat dhe gazetat e periudhës (1907-1960) brenda dhe jashtë vendit. Mjafton të përmedim disa prej tyre si: Revista Albania në Londër (1897-1907, 1909), duke përdorur pseudonimin Komneni, Revistën“Corriere della Puglie” (Numër i posaçëm mbi Shqipërinë, 1917), Revistën “Kuvendi” (Romë, 1919), Revistën Hylli i dritës-Shkodër (1913-1914, 1921-1924, 1930-1944), Revistën kalendari Kombiar ( Sofje 1912) , Revista Përparimi, Shkodër, (1914-1916), Gazetën “Përlindja e Shqipënies”, Revista Agimi Shkodër, (1919-1922), Revista “Shkolla e re”,Shkodër (1921), Revista “ Leka” , Shkodër (1929-1940,1943-1944), Revista “ Shejzat” (1957-1974, 1978).Revistën “ Kalendari i veprës Pijore”, (Shkodër 1927), “Diturija” (Tiranë, 1928), “Edukata e re”, Tiranë, 1930, “Shkolla Shqiptare”, Tiranë 1941, “Buletin për shkencat shoqërore” , Tiranë , 1956, “ Buletin për shkëmbimin e experiences”, Shkodër, 1954, “Nëndori”, Tiranë (1955-1960), Buletin i Universitetit shtetëror të Tiranës, Seria shkencat shoqërore, (Tiranë, 1957-1960).

Në bazë të kërkimeve arkivore kam mundur pikërisht të studioi disa nga dorëshkrimet e Kolë Kasmit mbi Arbëreshët e Italisë, por jo vetëm për të parë kështu më nga afër kontributin e tij. Një shkrim të posaçëm Kolë Kamsi i ka kushtuar figurës së Milo Duçit, i njohur ndryshe si Sulo Malësori. Në shkrimin e tij ai e quan atë si një famulltar të vjetër të Rilindjes Kombëtare duke nxjerë në pah kontributin e tij. Kolë Kamsi shkruan: “Ka qenë një puntuer i palodhur që me pendë ka ndezë e mbajtë gjallë në kolonin e shqiptarëvet të Misirit, flakën e atdhedashurisë e i ka sjellë shërbime të mëdha ç’ështjes shqiptare e gjuhës shqipe41. Njëkohësisht Milo Duçi është autor i një numri veprash, duke pasur meritime jo vetëm si gazetar, por dhe si shkrimtar i dialektit tosknisht.

Një tjetër shkrim i K.Kamsit është dhe ai mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeun. Në shkrimin e tij Kamsi shkruan për dhuratën që Ferdinanti i I i bën Skënderbeut, qytetin e Tranit për ndihmën që i dha kundra armiqve të tij. Kamsi bën me dije se  “Në Palatinë fisi i Kastriotëve qindroi deri në vjetin 1539 nën titullin marchesi42. Më tej shkruan sesi një pjesë e popullsisë shqiptare zhvendosen nga krahina e Leces në Kalabri. Kamsi i referohet dhe autorit Milan Shuflaj në librin e vet “Serbët dhe Shqiptarët f.196 thotë se farefisi i Gjon Kastriotit mbaroi në XVI qindvjetë”. Një moment interesant që zë vend në shkrimet e Kamsit është dhe Udhëtimi i Skënderbeut në Romë, më 1465 ku i kërkon Papës ndihmë në të holla dhe njerëz. Skënderbeu pritet me nderime të larta “Nji mori njerzish kish rranë n’at qytet t’amshueshem për të pa me sij luftanin ma të madh të asaj kohe43. Madje kujtimi i heroit mbeti i gjallë në Romë, afër Quirinalit gjendet një rrugë “Rruga Skanderbeg”.

Një tjetër shkrim i Kolë Kamsit është dhe ai mbi Pashko Vasën dhe botimet e tij. Në shkrimet e tij ai e cilëson Pashko Vasën si një ndër pionerët e parë të Rilindjes Kombëtare. Më tej ai fokusohet tek karriera e tij, duke përmendur këtu ndikimin që pati tek Vasa letërsia frënge e italiane, për të përmendur më tej kontributin që ai ka dhënë si pjesëmarrës në luftën për lirimin e Venedikut. Ajo se çfarë është interesante në shkrimin e Kamsit janë fjalët që Pashko Vasa i transmeton sulltanit për propozimin si Vali i Kosovës: “Madhni, jam nji nënpunës i Perandoris e mundohem me i shërbye me zell të sinqertë, por jam shqiptar e në më detyroftë Madhnija e Juej me shkue atje, më shtrëngon të baj nji tradhti. Do të tradhtoj Perandorin, ose do të tradhtoj atdhen tim44. E më tej Kamsi vjen me veprat dhe rëndësinë e përhapjes së gjuhës shqipe nga Pashko Vasa.

Një tjetër shkrim i Kamsit është edhe “Gjuha e Malli i Atdheut”, pikërisht është fjala për shqiptarët e Italisë. Kamsi e vendos theksin në ruajtjen e traditave, dhe rëndësinë e gjuhës si i vetmi element përbashkues. Sigurisht të bashkëjetosh me një komunitet të huaji ka dhe ndikime që mund të synojnë zhdukjen e gjuhës, por që nuk kanë mundur të arrijnë plotësisht. “Katundet shqiptare të Kalabrijes së Veriut e të Basilikatës e ruejten ma tepër karakterin e tyre etnik45 dhe kjo për shkak të pozicionit gjeografik. Sipas shkrimeve të Kasmit gjuha shqipe nuk flitej vetëm brenda shtëpisë, por dhe jashtë, sipas Kamsit vihet re veçanërisht në shtresat e ulëta të popullsisë. Madje ruajtja e dialektikës ka sjellë mjaft dobi gjuhës kombëtare, për shkak se kanë mundur të nxjerrin fjalë të reja që kanë qenë të moçme. Faktori i martesave është dhe një element që ka ndikuar në humbjen e gjuhës. “Vërtetë një Kathedër e vorfën për mësimin të gjuhës shqipe e të letërsisë shqipe u themelue mbas përpjekjeve të poetit të madh Jeronim de Radës, në vjetin 1822”46. Por nuk arriti të funksiononte, vite më vonë ngrenë zërin dhe shkrimtarë italian për rëndësinë e gjuhës dhe kjo për hir të studimit si shkencë, arbëreshët respektojnë dhe kultin e të parëve, në çdo shtëpi shihen simbolet shqiptare. Një aspekt ku fokuson shkrimin e tij janë dhe doket e arbëreshëve. Kështu në doket e morteve autori citon: “Porsa nji pjestar familje ndahet kso jete, grat zhgrehen në vaj e thrrasin me fjalët më të mallnghyme, i puthin duer e faqe tue derdhë mbi te lot. Burrat nuk qajnë for pse e kanë për marre. Gratë rrahin kryet me grushta e zhgulin prej kras flokë që i hjedhin përmbi kufomë47. Rite të tjera që Kolë Kamsi na i bën të njohura ishin dhe ato te Uji i Bekuem që ishte pagëzim i Jezu Krishtit, rite për Shën Lazarin etj. Kremtja e Rrëshajave, ishte një tjetër rit që lidhej me pushtimin e tokave nga Turqit. Veç këtyre kanë mundur të mbajnë gjallë ritet e martesës.

Një tjetër shkrim përbëjnë dhe Bestytnit dhe Lojët Kombtare, të cilat dhe këto janë ruajtur tek arbëreshët. Kështu për shembull besonin tek shtrigat, thuerja e pasqyrës konsiderohej fatkeqësi. Interesante është mbajtja pastër e ambientit në rastin e lindjes së fëmijëve. Pakënaqësia e njerëzve mund të sillte fatin e zi tek fëmija. Shkrime interesante të Kolë Kamsit janë dhe proverba apo aforizma. Të tilla janë për fenë. “Zoti e per gjithkend”(Shkodër), “Zoti s’harron, por vonon”(Shkodër). Për gjendjen e jetës së njerëzve, të tilla si: “Mos ha çka të shohç, por ha çka të kesh”, “Mos më thuej si kje, por më kallxo si je” (Shkodër)48. Për gjumin e pushimin, të tilla si “Gjumi i tepërm, rroba të vjetra”, “Gjumi nuk ka besë” etj 49.

Shkrimin e rradhës ia kushton Listës së Revistave Shqiptare të botuara nga Arbreshët e Italisë ndër to janë 50:

  • L’Albanese d’Italia në Napoli
  • Fiamuri i Arbërit, numri i parë më 20 korrik 1883, në dy gjuhët.
  • Arbri i Ri, ku Gustav Meyer bën një studim mbi shqiptarët
  • Ylli i Arbreshvet
  • La Nazione Albanes, daton më 15.12.1924 ,me karakter politik e letrar
  • La Gazzetta Albanese, botohet në Romë, Itali më 1904
  • Albania, u botua më 24.12.1929 ne shqip e italisht, dhe atë anglisht në Neë York, u bë e përmuajshme dhe shumë revista e gazeta të tjera.

 

Një studim tjetër Kamsi ia dedikon edhe Marko Boçarit, ku me anë të këngës popullore synon të ngrej lart figurën e tij. Kontributi i shqiptarëve të Italisë për  Rilindjen Shqiptare, mbetet sërish në vëmendjen e Kamsit. Këtu ai i referohet kontribuesve të huaji si Meyer, apo autorëve të tjerë për mendimet rreth popullit shqiptar. Si më të vjetrin dokument shqiptar italo-shqiptar që njihet deri më sot është “Doktrina e Krishterë” e Lukë Matrangës, si vepër e parë u botua më 1592. Tek ky dokument vërehet rëndësia si vepër e dialektit të Arbëreshëve të Siçilisë. Kontribut dhanë De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Skiroi etj. Një moment historik përbëjnë absolutisht dy kongreset linguistike ndër vendimet që ata marrin janë: Themelimi i një Shoqërie Kombtare, përdorimi i vetëm një alfabeti, botimi i një reviste italo-shqiptare. Arbëreshët kontribuan dhe në çështje politike të Shqipërisë, duke lobuar për mbrojtjen e saj. Së fundmi K.Kamsi flet dhe për momentet e vështira të arbëreshëve, madje shumë prej tyre u dënuan për kontributin që dhanë në ç’ështjen shqiptare. Piemonte do të bëhej qendra e arbëreshëve. “Ndër 70 vetë, që u gjykuan prej nji gjykatorje së posaçme në Cosenza, ma tepër se 40 qenë italo-shqiptarë”51.

 

Kolë Kamsi gjatë regjimit Komunist

 

Kolë Kamsi jetoi, brenda një harku kohor prej 74 vitesh. Një pjesë të jetës së tij Kamsi e kaloi nën regjimin komunist. Një ndër regjimet më të ashpra që përjetoi Shqipëria. Aq ashpër u instalua ky regjim saqë një prej grupeve më të përndjekura të këtij regjimi diktatorial ishin dhe intelektualët. Shumë prej tyre u dënuan pa gjyqe, u persekutuan, kunndrejt tyre u përdorën metoda nga më çnjerëzoret, pasi Partia këta persona, i shikonte shumë më tepër të arsimuar sesa ajo vetë do të donte. Shumë prej tyre u kthyen në kërcënim, por fatmirësisht personazhi Kol Kamsi i mbijetoi persekutimin dhe përndjekjes duke qenë se u fokusuar tërësisht në punën e tij akademike dhe arsimore.

Gjithsesi brenda kësaj “lirie të ndrydhur”që instaloi regjimi, shumë veta vazhduan të shkruanin të lirë, kjo në lëmin e letërsisë, historisë, folkloristikës, pra në aspektin e kontributit atdhetar. Megjithatw edhe Kamsi nuk i shpwtoi dot proceddurave hetimore dhe nw njw procesverbal të vitit.1950 nga organet lokale në Shkodër, atij i drejtohen disa pyetje tw karakterit biografik si pwr shembull mbi pjesmarrja në L.N.Ç,?52. Arsimtari Kamsi nuk ka marrë pjesë as në Ushtrinë N.Ç, madje nuk ka kryer as shërbimin ushtarak. Në pyetjen e rradhës që i bëhet se në cilën organizatë ke bërë pjesë para çlirimit ai përgjigjet në formë mohuese, pra nuk ka qenë pjesë e asnjë organizate. Si arsimtar kam qenë antar i partisë fashiste dhe Bashkimin Profesional në organizatën e Frontit Demokratik në Kryqin e Kuq në Lidhjen Kulturore 53. Kamsi nuk ka qenë dënuar asnjëher nga gjyqet. Duket se Kamsi ka qenë larg shembujve të internimit të intelektualëve të tij, ai bënte një jetë familjare. E shoqja Gjyzepina Kamsi ishte shtëpiake, Paolin Kamsi ishte mësues në Rrëshë, djali tjetër Karlo Kamsi ushtronte profesionin e kursistit në Tiranë. Vajza e familjes Kamsi Terezina Kamsi ishte nxënëse në Shkodër dhe në vlerësimin final tw  procesverbalit Kamsi etiketohet si njeri i sinqertë 54.

Kështu Kolë Kamsi më 19 Tetor 1957 me dekret të numrit 2544 me propozimin e Ministrisë së Arsimit e Kulturës. Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoron me “Urdhërin e Flamurit”  me motivacion “Për kontributin e vlefshëm në edukimin e brezave të rinj, gjatë 50 vjetëve punë të rregulltë e të pandërprerë në sektorin e arsimit”55. Në demokraci Kamsi u dekorua më 1993 dhe iu dha titulli “Mësues i Popullit” me motivacion: “Mësues i fillimeve të arsimit kombëtar shqiptar, studiues i pasionuar i gjuhës dhe historisë, i kulturës dhe traditave kombëtare, botues veprash dhe artikujsh shkencorë, shembull qytetarie, shpirt demokratik e përparimtar”56. Këshilli i Bashkisë Shkodër me vendim të nr.52 datë 29 qershor 2005, pasi mori në shqyrtim kërkesen e komisionit të vlerësimit të titujve dhe emërtesave dhe kërkesën e sindikatave te pavarura te arsimit vendosi miratimin e titullit ”Kolë Kamsi” për profesionin  e mësuesit dhe “Mirënjohja e qytetit të Shkodrës”.

 

Më 25 shkurt 1960, personaliteti i shquar Kolë Kamsi ndahet nga jeta, duke lënë të përjetshme veprat e tij dhe kontributet në fushën e arsimit. Kamsi u përcoll për në banesën e fundit me një ceremoni madhështore organizuar nga intelektualë të fushave të ndryshme të vendit, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Akademia e Shkencave Tiranë, intelektualë nga Instituti pedagogjik, dhe gjimnazi i shtetit, të cilët së bashku me nxënës shkollash  dhe studentë, shoqëruan kortezhin e përmotshëm me kurora në duar nën tingujt e bandës së qytetit përgjatë bulevardit. Pas vdekjes së tij shumë shkruan për figurën e tij, ja sesi do të kujtohej Kolë Palokë Kamsi nga rrethi i ngushtë:

Unë po rënkoj fort K.Kamsin mikun besnik, shkencëtarin e palodhur. Vdekja e tij është një humbje e madhe për shkencën, për kombin, për familjen, për miqtë, më dhimbset zemra” (Prof. Maksimilian Lambetz, Leipzigt,1960)

Vdekja e ish nxënësit tonë të dashur Kolë Kamsit, është një humbje e madhe të një shkrimtari të dalluem e punëtori të palodhun” (Prof. Aleksandër Xhuvani, 1960)

Figurë intelektuale për t’u vu në pah. Kolë Kamsi përfaqëson një ndër personalitetet më të spikatura të kulturës shqiptare në gjysmën e parë të këtij shekulli” (Papa Zef Faraco, 1980)

Kolë Kamsi iu pat kushtu krejtësisht e më gjithë shpirt arsimit pa pritë shpërblime, pa kërkue lavdërime e çmime. Punonte në heshtje, punonte me sistem e pa u lodhë, prandaj puna e tij ka lanë gjurmë në historinë e arsimit kombëtar dhe të letërsisë shqiptare” (Prof. Karl Gurakuqi).

 (Jup Kastrati 1960) Kolë Kamsi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkollës shqipe e të arsimit kombëtar, duke dhënë kotributin e tij të çmuar në disa fusha me rëndësi jetike për periudhën në të cilën jetoi. Kamsi gjatë gjithë kohës që jetoi u dallua për kthjelltësinë  e tij mendore, fuqinë e analizës dhe sintezës, për thellësinë e problemeve.Njëkohësisht gëzonte autoritet në rrethin shkollor dhe intelektual për karakterin e tij burrënor, vullnetin dhe seriozitetin e çështjeve që trajtonte.Ai gëzonte përveçstimës dhe respektit edhe dashurinë e të rinjve , si dhe kolegëve për esprin që e karakterizonte.

Sipas autobiografisë intervistuese të Petro Markos Kamsi ishte “i heshtur, por punëtor i madh. Ai bënte gjuhësi, gramatikë, lexim dhe hartim. E them me plot gojën se na mësoi shqipen mirë: gramatikën, poetët tanë, historinë e shkrimit të shqipes dhe kulturës tonë”57.

 

Përfundime

Edhe gjatë regjimit Komunist Kolë Kamsi nuk e ndërpreu rrugëtimin e tij për kontribute të tjera në fushën e arsimit. Madje në këto vite Kamsi emërohet në Insitutin e Lartë të Studimeve, konkretisht më 1950 ai nderohet me Urdhërin e Flamurit. Duket se Kolë Kamsi ishte një nga intelektualët e pakët, i cili nuk u persekutua në kampet e egra të regjimit komunist, qoftë dhe nuk u dyshua për diçka të tillë. Kamsi nuk u kthye asnjëher në rrezik, apo kërcënim për ideologjinë e asaj kohe, ai mund të jetonte dhe nën këtë sistem, i lirë ose jo në të menduarin e tij. Ai synonte vetëm një gjë çfarë mund të bënte ai më shumë për vendin e tij, si mund të kontribuonte ai? E kjo mund të vinte vetëm nëpërmjet studimeve të tij.

Një komb mund të përmirësojë të ardhmen e tij, fatin e tij dhe mund të jetë më shpresëdhënës vetëm me anë të arsimimit. Një komb i arsimuar, rrjedhimisht është dhe një komb i lirë në mendim dhe në shkrim. Ndoshta çdokush në komunizëm zgjodhi një formë të jetesës, një formë motivimi. Kamsi zgjodhi pikërisht dijen dhe studimet e mëtejshme duke i shërbyer popullit të tij.

 

Bibliografia

 

AQSH. F.803.Ministria e Arsimit. D. II-134

AQSH.F. 823. D.5

AQSH.F. 823. D.5/1

AQSH.F. 823. D.1

AQSH.F. 823. D.2

AQSH.F. 823. D.3

AQSH.F. 823. D.7

AQSH.F. 823. D.8

AQSH.F. 823. D.9

AQSH.F. 823. D.12

AQSH.F. 669. V.1923. D.8

AQSH. D.1230. V.1957

Bisedimet Parlamentare 1922. Tiranë: 2012

Gazeta Ditë e Re. Tiranë 23.07.1922

Gazeta 55. Kolë Kamsi, punëtor i palodhur në lëmin e arsimit e kulturës kombëtare. Tiranë: 2013

Gazeta Shekulli. Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës. Tiranë: Nr.2926.V.2010

Gazeta Zëri i Korçës. Nr.5. V.1925

http//: Konica.al

Marko, Petro. Intervistë me vetveten. Tiranë: OMSCA

Mirela Kamsi Gurakuqi, Manuskript mbi fjalën e mbajtur mni Kol Kamsin në përvjetorine 95-të të Gjimnazit të shtetit

Revista Phoenix. Kolë Kamsi për Arbëreshët.


 

1 Falenderojnë Znj. Mirela Kamsi Gurakuqi, mbesën e Prof. Kol Kamsit mbi ndhmën e dhënë me ofrimin e burimeve historike dhe historive familjare për të plotësuar sa më mirë figurën e tij.↩

2 AQSH, Fondi 803, Dosja II-134, Fl. 51 ↩

3 Gazeta Shekulli “Familja Kamsi intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës” . Nr.2926. V.2010. Fq 16-17

4Gazeta 55 “Kolë Kamsi, punëtor i palodhur në lëmin e arsimit e kulturës kombëtare”. V.2013.

5 Po aty ↩

6 Po aty ↩

7 Gazeta Shekulli “Familja Kamsi intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës”. Nr.2926. V.2010 Fq 16-17 ↩

8 https//://Konica.al ↩

9AQSH, Fondi 803. Dosja II-134. Fq.51 ↩

10 Po aty. ↩

11 Po aty, 54 ↩

12 AQSH. Fondi 803.Fq.50 ↩

13 Po aty, 53 ↩

14 Po aty, 50 ↩

15 Gazeta Dit e Re, 23 korrik, 1922, Tiranë, fq 22,23 ↩

16  Mirela Kamsi Gurakuqi, Manuskript mbi fjalën e mbajtur mni Kol Kamsin në përvjetorine 95-të të Gjimnazit të  shtetit. ↩

17 Bisedimet parlamentare, 1922, pjesa I,Tiranë, 2012, Mbledhja e X-të e Këshillit Kombëtar, fq.110 ↩

18 AQSH, Fondi 669, V. 1923, D. 8 Fq. 5 ↩

19 Mirela Kamsi Gurakuqi, vep. cit. ↩

20 Gazeta .Zëri i Korçës, nr.5, datë 1 gusht 1925 ↩

21 Mirela Kamsi Gurakuqi, vep. cit. ↩

22 AQSH,Fondi 803. Dosja II-134. Fq.50 ↩

23 AQSH, Fondi 823. Dosja 5.Fq.6-7 ↩

24  Po aty ↩

25 AQSH. Fondi 803.Fq.50 ↩

26 Po aty, 50 ↩

27 Po aty, 50 ↩

28 Mirela Kamsi Gurakuqi, vep. cit. ↩

29 AQSH. Fondi 803.Fq.50 ↩

30 Po aty ↩

31 AQSH. D. 1230. V.1957. Fq.18 ↩

32 AQSH. Fondi 803.Fq.50 ↩

33 Mirela Kamsi Gurakuqi, vep. cit. ↩

34 Revista Phoenix “Kolë Kamsi për Arbëreshët” V. 2018 ↩

35 PO aty. ↩

36 Po aty ↩

37 Gazeta Shekulli. Nr.2926. V.2010. Fq 16-17 ↩

38 Gazeta 55. V. 2013 ↩

39 Po aty ↩

40 Po aty ↩

41 AQSH,Fondi 823. Dosja 2. Fq.1 ↩

42 AQSH,Fondi 823.D.1. fq.15 ↩

43 Po aty,2 ↩

44 AQSH,Fondi 823.D.3. fq. 4 ↩

45 AQSH,Fondi 823.D.5. fq. 4 ↩

46 Po aty,6 ↩

47 AQSH,Fondi 823.D.7. fq. 5 ↩

48 AQSH,Fondi 823.D.8. fq. 4 ↩

49 Po aty,2 ↩

50 AQSH, Fondi 823.D.9. fq.2,3,4 ↩

51 AQSH, Fondi 823.D.12. fq. 10 ↩

52 AQSH,Fondi 803. Dosja II-134. Fq.52 ↩

53 Po aty ↩

54 Po aty,52 ↩

55 AQSH. D. 1230. V.1957. Fq.69 ↩

56 Gazeta 55. V.2013 ↩

57 Petro Marko.Intervistë me vetveten. (Tiranë: OMSCA), 57 ↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *