Studime

Gjovalin Gjadri

Facebooktwitter

Vështrim antropologjik mbi persekutimin e shkencëtarëve përgjatë viteve 1945 – 1955. Rasti i Inxhinier Gjovalin Gjadrit: i vëzhguari i komunizmit.

Albert P. Nikolla,Joana Doda

Te kultura sovjetike njerëzit tanë të rinj
do të gjejnë, të pastruar nga çdo mbeturinë,
nga çdo falsitet i shkencës borgjeze,
pasurinë e madhe kolosale
të të gjithë shkencës botërore.
E. Hoxha

Metodologjia

Rasti i marrë në shqyrtim i nënshtrohet një metodologjie kërkimore shumëplanëshe, gjë që na e dikton vetë personaliteti i Inxhinier Gj. Gjadri. Pas studimeve në Austri, inxhinier Gjadri pati një përvojë pune pesëvjeçare në Bashkimin Sovjetik, nisur edhe nga kjo e dhënë do të vërejmë disa dinamika antropologjike të marrdhënieve midis shkencës “socialiste” dhe asaj “kapitaliste”. Ndikimi i përvojës studimore austriake, puna në BS dhe më vonë në Shqipëri, na shtyjnë të shohim me vëmendje dinamikat kulturore të sjelljes së Inxh. Gjadrit ndaj çështjes së shpërblimit të punës, nën këndvështrimin e antropologhisë ekonomike. Në këtë optikë, do të qasen dokumentat arkivore të PPSH mbi çështje të shërblimit dhe do të bëhet një krahasim mes qasjes së Leninit në BS mbi këtë çështje dhe debatet e inxh. Gjadrit rreth të njëjtit argument. Kjo, për faktin se regjimi komunist shqiptar, në vitet të cilave u referohet studimi, merr për bazë kryesisht metodat sovjetike të përfshirjes së intelektualëve në ndërtimin e socializmit.

Mbështetje metodologjike mjaft të rëndësishme përbëjnë hulumtimet arkivore mbi vëzhgimin që i bëhet inxh. Gjadrit si një “armik potencial” i regjimit. Në këtë pjesë të studimit do të analizohet nga pikëpamja antropologjike dinamika e vëzhgimit, spiunimit, dozës kulturore të pashmangshme të thashethemeve dhe impaktin që kanë këto veprimtari mbi jetën e Gjadrit.

Së fundi, në pjesën që vijon, e cila është edhe pjesa kryesore e studimit, do të ndiqet metodologjia e antropologjisë historike, nëpërmjet së cilës analizohen dokumentet arkivore nën dritën e elementeve të pranishme kulturore që na japin mbështetjen e duhur për t’u thelluar në analizë. Në këtë optikë do të shikohet sjellja e regjimit ndaj “aftësive teknike” të Gjadrit. Interes të thellë antropologjik për studimin tonë përbën ndeshja e shpeshtë në arkiva e termit “përdorim” për t’iu referuar personave. Sipas nesh, kjo është dëshmi e qartë e reduktimit të qenies njerëzore në mjet, në objekt, gjë që i hap rrugën edhe kulturalisht një persekutimi që rregullohet deri me ligj nga regjimi.

Hyrje

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u vendos një regjim i bazuar në diktaturën e proletariatit. Modeli i qeverisjes, i mbështetur nga PKSH-ja 1 do të ishte ai socialist, duke ndjekur atë sovjetik. Në dritën e persekutimeve të panumërta dhe të forta, mund të thuhet se Shqipëria u kthye në një burg të madh.

            Ngjitja në pushtet e komunistëve shqiptarë qëndron akoma e mbështjellë me një mister dhe do të duhen akoma shumë studime që të nxjerrin në pah peshën tragjike të periudhës historike që shkon nga fundi i luftës deri në vitin 1991. Elita mbizotëruese në Partinë Komuniste Shqiptare qe përgatitur dhe imponuar nga komunistët jugosllavë. Kjo elitë përbëhej nga njerëz jo shumë të përgatitur kulturalisht apo shkencërisht, por të etur për pushtet e mbi të gjitha të pamëshirshëm ndaj gjithkujt: të gatshëm të vritnin këdo dhe në çdo moment që të mund të mbanin pushtetin. Në këtë klimë politike kulturore diktatori mbështeti fort luftën e klasave sipas modelit sovjetik. Klima e krijuar ishte vërtetë mospranuese për ata që nuk ishin të bindur ndaj pushtetit. Një pohim i diktatorit e krijon një ide të qartë mbi atë situatë.

 

            “Ju lani fytyrën kur ktheheni nga puna dhe spastroheni. Ja, kështu është dhe me kritikën e autokritikën bolshevike, ajo spastron të metat dhe gabimet në njerëzit. Ju s'rroni dot në një dhomë me pluhur dhe me ndyrësira, por merrni fshesën dhe i fshini këto. Ja, kështu bën dhe kritika e autokritika bolshevike; ajo spastron njerëzit, spastron Partinë tonë, spastron pushtetin dhe vendin tonë nga «... pleshtat, spekuluesit, nga tartabiqet..»- siç i quan Lenini njerëzit e këqinj që futen kontrabandë në radhët tona. Partia ju thotë juve t'i bëni sytë katër kudo 2.”

 

Lufta e klasave dhe persekutimi komunist veproi në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo qe shumë e ashpër sidomos kundrejt intelektualëve e shkencëtarëve që ishin shkolluar në vendet perëndimore. Për intelektualët  Enver Hoxha do të shprehej: Duhet me i shkundë intelektualët nga ideologjia borgjeze dhe me i armatos me ideologjinë marksiste-leniniste.3

Regjimi komunist, intelektualët që mund të mendonin ndryshe nga dogmat zyrtare, i shikonte si kërcënim për ngritjen dhe konsolidimin e pushtetit. Kjo bëri që mbi pjesën më të madhe të intelektualëve të kohës, që më ardhjen në pushtet të komunizmit, të vërshonin akuzat për sabotatorë, arrestimet, internimet, torturat e pushkatimet. Por edhe kundrejt atyre intelektualëve të cilët mundën të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin presioni nuk ishte i pakët. Kundrejt tyre kishte vëzhgim të vazhdueshëm për aq kohë sa inteligjenca shihej si kërcenimi për pushtetin.

Porositë Enver Hoxhës ishin gjithmonë për brumosjen e çdo njeriu me ideologjinë marksiste-leniniste, e veçanërisht njerëzit e shkencës. Për këtë shërbente dhe një nga drejtoritë më të rëndësishme të pushtetit sic ishte Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës.

 

 Ju, shokët e Drejtorisë së agjitacionit e të propagandës të. Komitetit Qendror, nuk keni të bëni as me rroba ose me maqina as me materiale të tjera e as me kuadro që i duhen institutit; ju të interesoheni që të zbatohet vija e Partisë në Institutin e Shkencave. 4

 

Vëmendja e regjimit kundrejt intelektualëve të ardhur nga përvoja studimore perëndimore mbështetej në bindjen e pushtetit komunist se shkenca ka karakter thellësisht ideologjik e moral. Pra kemi “shkencë socialiste” të mirë dhe “shkencë kapitaliste” të keqe! Kjo bindje ideologjike tipike e elitave komuniste vinte nga arsyetimi se morali dhe shkenca janë shumë të ndërlidhura mes tyre e për rrjedhojë një shkencë e mirë edukon një moral të mirë dhe anasjelltas. “Shkenca socialiste” identifikohej me ideologjinë markiste – leniniste dhe kjo e fundit, sipas ideologëve marksistë, ishte në gjendje t’i jepte zgjidhje çdo problemi shkencor. Aq intesiv bëhej identifikimi i shkencës me ideologjinë saqë edhe socializmi quhej “socializëm shkencor”!

 

Marksizëm-leninizmi është shkenca e ligjeve të zhvillimit të natyrës dhe të shoqërisë, shkenca e revolucionit të masave të shtypura e të shfrytëzuara, shkenca e fitores së socializmit, shkenca e ndërtimit të shoqërisë komuniste. Prandaj Partia jonë, si një parti marksiste-leniniste, që në ditët e para të organizimit, i ka kushtuar një kujdes të veçantë edukimit ideologjik të anëtarëve te saj5.

Përkundër, shkenca “kapitaliste”6, nuk ka këtë karakter kaq të theksuar ideologjik dhe nuk kërkon përmbysje formacionesh ekonomiko – shoqërore me dhunë. Ka edhe ajo shpeshherë dogmat dhe “mëkatet” e saj, por nuk pretendon të jetë “shkenca e pushtetit totalitar”! Edhe në versionet e saj më agresive, si në rastin e themelimit të rrymës së pozitivizmit nga A. Comte, prapë se prapë ajo paraqitet si alternativë, jo si dhunë!

 

Inxhinier Gjovalin Gjadri: i vëzhguari i komunizmit.

Në këtë situtatë që përmendëm më lart kërkojmë të sjellim në dritë, nëpërmjet këtij studimi, historinë e vëzhgimit dhe të persekutimit të Inxh. Gjovalin Gjadrit. Inxh. Gjadri lindi më 2 korrik të vitit 1899, në Shkodër. Ishte i biri i nje familjeje të thjeshtë. I ati Andrea Gjadri, tregtar, vdiq kur Gjovalini ishte në moshë të njomë dhe e ëma Tereze Deda e rriti e vetme. Nga viti 1905 deri më 1913 Gjadri ndjek kolegjin Saverjan në Shkodër. Në vitin 1914 me bursë austriake vazhdon shkollën e mesme në Krema, dhe në 1925 arrin të diplomohet në degën Inxhinieri Civile në Universitetin e Vjenës, diplomë që mban numrin e protokollit 141. 7 Njohuritë e tij shkencore mbi inxhinierinë e ndërtimit plotësohen akoma më tej edhe me zotërimin e katër gjuhëve të huaja si: Gjermanisht, Italisht, Rusisht dhe Frengjisht.8  Pas përfundimit të studimeve në vitin 1925 rikthehet në Shqipëri, ku emërohet inxhinier në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botore.

            Moment i rëndësishëm në debutimin e tij si inxhinier, nga ku do të fillonte dhe konsolidimi i figurës së tij në botën e inxhinierisë, do të ishte pozicioni inxhinier kontrollues në  Urën e Matit, për llogari të firmës Italiane Mezzarana, në vitin 1926. Kjo urë është shpallur monument kulture.9

            Nga viti 1927 deri në vitin 1932 ka punuar si inxhinier projektues në Institutin e Projektimit të Urave “Mostovoi Byro” në Bashkimin Sovjetik. Për shkak të komplikacioneve shëndetësore nga klima e ashpër ai rikthehet në Tiranë. Edhe mbi këtë fakt, siç do ta shohim më poshtë, lindin përherë dyshime nga Sigurimi i Shtetit për veprimtari agjenturore austriake në Bashkimin Sovjetik! Me rikthimin e tij vazhdon puna e pandalshme profesionale, për gati 50 vjet, me  vepra të projektuara që mbajnë emrin e tij. Deri në çlirimin e Shqipërisë Inxh. Gjadri punoi si inxhinjer projektues e zbatues në Ministrinë e Botores. Mbas çlirimit ka punuar në Ministrinë e Ndërtimit dhe në Institutin Shtetëror të Projektimit si projektues e drejtues në sektorin e Urave dhe statikën e konstruksioneve të ndërtimit.10 

Në një autobiografi të tij në dosjen pranë AIDSSH, në vitin 1945, përveç të dhënave mbi punën e tij, Gjadri e ndjen të nevojshme të tregojë që ishte i pastër si figurë; “Në kohën e okupacionit Italian nuk jam shkrue në Partin Fashiste, as në kohën e okupacionit Gjerman nuk kam bashkëpunuar me Gjermanin.”11 Ky fakt e siguron që të mos pësojë fatin e atyre që u dënuan si bashkëpunëtorë dhe të vazhdojë i qetë punën e tij. Sigurisht gjithë kjo përkujdesje për pastërtinë e figurës së tij, lidhet me dyshimet e tij mbi persekutimin e mundshëm që mund ta godasë ashtu siç ka ndodhur me shumë kolegë të tij.

Inxhinier Gjadri mban Urdhërin e Punës të Klasit Parë, të marrë me Dekret të Kuvendit Popullor nr. 28, viti 1945, në akordim theksohet: “Ndonse shëndet lig, Gjadri u hodh pa rezerva në ndërtimin e krejt urave të mëdha. Punoi pa rreshtur dhe me dinamizmin që kërkonte koha. Vuri krejt zotësin e tij teknike në shërbim të popullit.” 12

Arritjet e tij shkencore e profesionale janë me të vërtetë mbresëlënëse. Për të përmendur vetëm një pjesë prej tyre mund të themi se në fushën e projekteve, në fondin e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit ruhen projekte të mbi 75 veprave inxhinierike të tij të ndërtuara në rajone të ndryshme të Shqipërisë, midis të cilave spikasin sidomos Ura e Lanës (në bulevardin e madh të Tiranës - v. 1932), Ura e Bunës (Shkodër - v. 1934), Ura e Zaranikës (Elbasan - v. 1934), Ura e Gjanicës (qyteti i Fierit - 1940), Ura e Mbrostarit (Fier - v. 1945), Ura e Mezhgoranit (Tepelenë - v. 1947), Ura e Rrogozhinës (v. 1948), Ura e Bahçallëkut (Shkodër - v. 1949), Ura e Mokrës mbi Shkumbin (Pogradec - v. 1951), Kullë e lartë uji për lokomotivat (Durrës - v. 1951), Ura e re e Mifolit mbi Vjosë (Vlorë - v. 1952), Centrali i Rubikut (1952), Urë tip pasarelë mbi Vjosë (Memaliaj - v. 1953), Oxhak i lartë në Rubik (v. 1954), Ura mbi Dunavec (Maliq - v. 1957) e shumë e shumë vepra të tjera, kryesisht nga infrastruktura e transportit si dhe objekte industriale.13 Të gjiktha këto arritje bëjnë që Inxh. Gjadri të renditet ndër figurat më të shquara të shkencës shqiptare dhe që në vitin 1947 të anëtarësohet në Asamblenë e Përgjithshme të Institutit të Studimeve, që mund të cilësohet si gur themeltar i institucioneve shkencore në vend. Në Asamble bënin pjesë 23 intelektualë e ndër ta përmendim:  Sejfulla Malëshova, Spiro Koleka, Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Petraq Pepo, Eqerem Çabej, Petro Fundo dhe Gjovalin Gjadri 14.

Ndërkohë, në fushën e studimeve teknike-shkencore vlejnë për t’u përmendur: “Artikull mbi urën e Lanës”, botuar në Bauteknik viti 1935; “Probleme urash në Shqipëri” botuar në materialet përmbledhëse të Kongresit të Berlinit viti 1936; “Problemi i adjezonit në lëvizjen e trenit hekurudhor”, botuar në Buletinin e Institutit të Shkencave, viti 1949; “Tre artikuj mbi teorinë e plasticitetit”, botuar në Buletinin e Institutit të Shkencave viti 1950; “Referat mbi llogaritjen e harkut të inkastruar”, mbajtur në një nga seksionet shkencore të organizuara për nder të 20 vjetorit të çlirimit të atdheut, botuar nga dega e botimeve të Universitetit të Tiranë, viti 1964. 15

      Përsa i përket botimeve shkencore, një peshë të rëndësishme zë libri “Shkenca e Konstruksioneve” Volumi I, Rezistenca e materialeve, Tiranë 1965, i përbërë nga 550 faqe.  Prof. Gj. Gjadri e kishte konceptuar veprën e tij "Shkenca e Konstruksioneve" në tre vëllime dhe në vëllimin II trajtoheshin teoritë e shtypjes së tokës dhe trau vertikal, instruktuar në tokë. U dorëzua pjesërisht në universitet, ndonëse pa recensë, edhe vëllimi III mbi analizën statike të strukturave tip hark.16 Përfundimi i punës u pamundësua për shkak të vdekjes së tij në vitin 1974.

Për librin “Shkenca e Konstruksioneve”, në vitin 1952, Gjadri i shkruan nën/Kryeministrit  Ing. Spiro Kolekës  një promemorie, ku shpjegon angazhimin që ka  ndërmarrë për të shkruar librin për Institutin e Shkencave,  dhe thekson që për shkak të shëndetit të tij të dobët, i nevojiten 3 orë në ditë liri veprimi, brenda orarit zyrtar, gjithashtu kërkon që t’i pakësohen çështjet formale dhe administrative që të mund të përfundojë librin.  Ajo që bie në sy në këtë letër është  guximi i tij për të kërkuar mbështetje prej drejtuesve të lartë të regjimit për punën shkencore:

 

“Nuk qëndron çështja mbas mendimit t’em te mekaniciteti i permanencës ma pak a ma shumë në zyrë, por te trajtimi akademik. Në këtë pikëpamje kam informata se, në Bashkimin Sovjetik, ata që merren me shkrime librash, shkruajnë vetëm libra dhe nuk merren me asnjë punë tjetër.”17

 

Edhe nga vështrimi i imët i dosjes së Gjadrit vihet re një marrëdhënie e ftohtë me regjimin. Për Gjadrin, regjimi është një punëdhënës dhe ai nuk shfaq asnjë lloj pasioni politik pro regjimit apo kundër tij. Për këtë arsye do të akuzohet edhe për “indiferentizëm”! Pra edhe dinamikat e “përplasjeve” sado të vogla kanë të bëjnë thuajse me një marrëdhënie punëdhënës – punëmarrës. Regjimi ka nevojë për aftësitë e tij tekniko-profesionale, Gjadri ka nevojë për një punë që t’i sigurojë sa më shumë të ardhura dhe t’i njihen meritat profesionale.

Njohja dhe vlerësimet nga ana e autoriteteve shkencore të kohës për veprën e Gjadrit dëshmon se regjimi ishte i kënaqur me punën e tij. Asnjë vlerësim nuk ishte i mundur pa pëlqimin e autoriteteve të regjimit. Pas botimit të librit nuk kanë munguar vlerësimet për punën e tij të madhe. Në një recension publik botuar në shtypin e kohës në shtator 1966, duke komentuar vëllimin I të veprës së Prof. Gj. Gjadrit, një inxhinier tjetër i fushës së konstruksioneve të ndërtimit, Haxhi Dauti shprehet se:

 

 "Libri i inxh. Gjadrit është shkruar me dinjitet teknik dhe karakterizohet nga një nivel i lartë teorik, si nga pikëpamja e thellësisë së argumentimit, ashtu dhe nga ajo e rrobës matematike... Lënda e trajtuar në të është mjaft e gjerë dhe aktuale... Libri ka rëndësi të madhe të dyfishtë, për inxhinierët dhe studentët e Inxhinierisë..."18

Në 1972, në mbështetje për dhënien e titullit Profesor, ka një recensë të shkruajtur nga Docent. Andrea Papastefani ku ia vlen të theksojmë fjalët e tij mbi veprën e Gjadrit:

Libri “Shkenca e Konstruksioneve” është libri i parë në këtë lëmë të shkencave, që shkruhet në gjuhen amëtare. Ai meriton vemendje të veçantë për një trajtim të problemit të rezistencës së materialeve si nga ana teknike ashtu edhe teorike.19

Gjithashtu mbi veprimtarinë e tij shkencore ka recensë edhe nga Doc. Vasil Pistoli. Ndër të tjera theksohet që autoriteti i tij është i mirënjohur edhe nga shumë personalitete të huaja të fushës së ndërtimit. Siç përshkruan rastin e diskutimit të bërë ndërmjet disa inxhinierëve shqiptarë që vajtën për këmbim eksperience në Itali me profesorin Carlo Cesteli Guidi, me autoritet ndërkombëtar , i cili, sipas V. Pistolit kishte për Gjadrin respektin e një kuadri shkencor të shquar.20

Gjadri, prej vitit 1957 ushtronte aktivitetin shkencor pedagogjik në Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke qenë nga kuadrot e para në fushë të ndërtimit qysh me krijimin e Institutit të Shkencave. Moment i rëndësishëm për Gjadrin ishte vendimi i shumëpritur dhe deri diku i vonuar, mbi dhënien e titullit profesor. Këshilli shkencor i fakultetit të inxhinierisë në mbledhjen e datës 6 Dhjetor 1972 vendosi me 24 vota pro nga 25 votues, t’i akordojë titullin shkencor Profesor.21

 

Dinamikat e përndjekjes së Inxh. Gj. Gjadrit.

Por pavarsisht punës së tij të madhe në rindërtimin e vendit ai është mbajtur vazhdimisht  kontrollin e Sigurimit me pretekstin se Inxh. Gajdri mund të dëmtonte pushtetin. Në dosjen e tij pranë AIDSSH, figura e Gjadrit trajtohet disa herë si figurë e pastër e herë të tjerë ngrihen hije dyshimi. Në një nga përshkrimet e figurës së tij në një raport të shkruar më 1949 fillon me fjalët: për kategorizimin e aktivitetit kundërshtar të Gjovalin Gjadrit, shikohet tendenca e qartë për të hedhur hije dyshimi mbi figurën e tij. Ku theksohet:

“Gjovalin Gjadri është njeri i priviligjuar”, dhe raporti vijon me informatat mbi arsimimin e tij në Vienë dhe punësimin e tij në ministri pas kthimit në Shqipëri, dhe më pas përmendin punësimin e tij si inxhinier në Moskë më 1927 dhe kthimin më 1932 nga Bashkimi Sovjetik. Për periudhën e punës në BS raporti vazhdon hedh hije dyshimi mbi arsyet e kthimit:

“Gjatë kohës që ka qëndruar në Moskë dhe largimi i tij nga Bashkimi Sovjetik nuk dihet përse, meqënse ky ka kryer universitetin në Austri, dyshohet të jetë kenë agjent i kontrollit  austro-gjerman”22.

Në punën e Sigurimit të Shtetit shumëçka ishte nën shenjën e dyshimeve për agjenturë të huaj, sidomos për ata që kishin studiuar jashtë shtetit. Problemi bëhej më dramatik atëherë kur në përndjekjen e personave Sigurimi mbështetej vetëm tek dyshimet dhe hipotezat dhe jo në verifikimin e tyre. Vëzhgimi kryhej në mënyra nga më të ndryshmet dhe fryma e vëzhgimit ishte krijuar nga nevoja e pushtetit për të patur nën kontroll çdo person që mund të krijonte ndonjë problem ndaj tij. Fakti që pushteti kishte ngritur një sistem kontrolli të jashtëzakonshëm që nga ushtria, policia, sigurimi i shtetit, me një rrjet spiunësh në çdo skaj të vendit, kontrolli punëtor, organizatat e masave, kolektivët e punës së çdo ndërmarrjeje, na bën të mendojmë se regjimi  ishte e bindur se nuk kishte krijuar një “njeri të ri” të bindur, por gjithçka ishte një përpjekje e mirëmenduar për të mbajtur pushtetin nëpërmjet frikësimit të popullit.

  Në vijim, dosja përmban aludime mbi vënien e interesit vetjak mbi atë të përgjithshëm nga ana e Gjadrit, cilësi kjo e papranueshme për moralin komunist. Në citimin e mëposhtëm, spiunimi përpiqet të nxjerrë në pah dy veti “negative” të Gjadrit: vënia e interesit vetjak mbi atë të përgjithshëm dhe indiferentizmin.

 

“Gjatë regjimit Zogut, ky ashtë bërë njeri i privilegjuar simpatizonte regjimin dhe punonte për të deri në okupacion. Ky ka qënë i lidhur ngushtë me degën e sektorit ku punonte si inxhinier. Gjatë okupacionit i ka shërbyer fashizmit më së miri, njeri që ka shikuar gjithmonë lekun dhe interesin e tij personal, ka simpatizuar okupacionin Italian-Gjerman dhe organizatat trathtare të  Ballit e të Legalitetit, ka folur në favor të tyre duke popullarizuar ata dhe luftën N.CL. nuk e ka shikuar me sy të mirë. Nuk ka treguar ndonjë aktivitet kundërshtar mbasi ka qëndruar indiferent”23.

 

Gjadri nuk mund të konsiderohet as “njeri i ri” as person i besueshëm i regjimit pasi ai “ka shikuar gjithmnonë lekun dhe interesin personal”! Kjo çështje ka një peshë të madhe antropologjike pasi na sjell në vëmendje dinamikat e antropologjisë ekonomike në marrëdhënien e regjimeve me shkencëtarët. Në vitet e para të regjimit komunist në BS ku Gjadri ka punuar për 5 vite, ka një qasje kryesisht negative të pushtetit kundër kërkesës që kanë shkencëtarët e intelektualët për paga të larta. Lenini ishte kundërshtar i madh i pagave të larta:

 

Është e padiskutueshme që pagat e larta kanë një influencë të madhe korruptimi mbi pushtetin tonë bolshevik! Por shpejtësia e zhvillimit të Revolucionit tonë ka bërë që të detyrohemi të na bashkohen disa aventurierë intelektualë që kërkonin paga të larta duke bërë që të shpërdorohej paraja publike e masave punonjëse. Masave u duhet shpjeguar se të paguarit e  intelektualëve me paga të larta është jo parimore, por e kemi bërë nga nevoja ekstreme”!24

 

Edhe regjimi shqiptar kërkonte t’i përmbahej kësaj linje. Interesi vetjak ka qenë demonizuar përgjatë gjithë kohës së pushtetit socialist. Madje edhe arti ishte vënë në funksion të luftës ndaj interesit vetjak. Veprat artistike duhej ta dënonin çdo tendencë të vënies së interesit vetjak mbi atë të përgjithshëm.

 

“Veprat më të mira të kësaj periudhe edukuan njerëzit me mendime dhe dëshira të reja, ato brumosën në ndërgjegjen e tyre qëndrimin socialist ndaj punës dhe pronës së përbashkët, frymën e kolektivizmit dhe vënien e interesave të përgjithshme mbi interesat e ngushta vetjake, i edukuan ata me besnikërinë e pakufishme ndaj socializmit dhe me frymën e urrejtjes ndaj shoqërisë me klasa dhe moralit të saj.”25

 

Duke parë pjesën e dosjes së Gjadrit ku shkruhet për debatet mbi pagën, vërehet një fakt interesant: ministrat i kanë premtuar rritje page, por nuk e kanë mbajtur fjalën:

 

“Në pleniumin e datës 20 korrik 1949, me rëndësi ka qënë diskutimi i Gjovalin Gjadrit që kërkon rritjen e rrogës së tij. Të cilën vjet ja kanë premtuar ministrat por akoma s’ka ndryshuar. Ai thekson që është e padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin e punës i cili përcakton si të doktorave dhe të nënpunësve. Ndërkohë që doktorët marrin 8000-9000 leke. 26

Duke kërkuar mbi rrogat e Inxh. Gjadrit në kohën kur ishte drejtor në Drejtorinë e Rrugëve dhe Urave, nga arkivi zbuluam se rroga kapte shifrën 1850 lekë. Rroga bazë ishte 1600 lekë dhe 200 lekë i përfitonte për kualifikimin që zotëronte në këtë kohë, kishte gradën e III; po ashtu merrte edhe 50 lekë shpërblime.27

Gjadri është jashtë klimës sociale, kulturore e shpirtërore në të cilën është rritur, është shkolluar, ka punuar. Çdo gjë në vitet e para të regjimit i duket aq e zymtë dhe e papërballueshme saqë kërkon në rrugë zyrtare të largohet nga Shqipëria. Kërkesa që ai i bën pushtetit për largim nga Shqipëria vihet në dosjen e tij nën titullin: “Material kompromentues”:

 

“Shveshja e drejtave, më kujton përsëri kohët e hershme kur kam kenë student në Austri, ku kam ndie një mungesë, kam hekë një vuajtje që nuk e kam ditë se çka është kanë, por që tash e di se ka kenë vuajtja e mungesës të Atdheut, që e kam kërkue gjithmonë dhe nuk e kam gjetë kurr, sa këtu në Shqipëri ....por në degradimin tem kam bindjen me të drejtat dhe pretendimet e mija këtu në Shqipëni , janë pa të realizueshme…. dëshiroj ta le këtë Shqipni .Unë kam një nanë dhe një  motër në Austri, që vujn ekonomikisht simbas lajmeve që kam marr…I lutem ministris më me shkarkue nga çdo detyrë dhe me ndërmjetësu ku duhet për lëshimin e pashaportës që mund të shkoj në Austri”28.

 

Ky është kulmi i dëshpërimit për një person që e do atdheun e tij, por që e sheh veten të huaj me këtë pushtet. Këtë mënyrë të shprehuri me nota të forta emocionale do ta gjejmë edhe poshtë në vijim të artikullit kur të shikojmë librin e tij “Letër grues seme të vdekun”! Gjadri është një shpirt i lirë, rregullat e diktaturës i rrinë mjaft ngushtë e nuk ka dëshirë të qëndrojë më në atdheun e tij.

Edhe indiferentizmi nuk është parë me sy të mirë nga regjimi pasi ai kërkonte me ngulm që çdo person, për më tepër intelektualët, të përfshiheshin në luftë kundër pushtuesit. Kujtojmë në këtë kontekst edhe kritikat e opinionit shoqëror në socializëm ku kjo mendësi e të qëndruarit i pa angazhuar dhe pasiv në jetën shoqërore dhe politike kategorizohej si “indiferentizëm”!

 

“Pasiviteti dhe indiferenca janë fenomene të huaja jo vetëm për komunistët, por për çdo qytetar të ndershëm të shoqërisë sonë socialiste ... si mund të rrijë indiferent një komunist madje dhe një qytetar kur ... sheh që ndokush nuk respekton disiplinën proletare, kur ndokush nuk sillet sipas normave të moralit të shoqërisë sonë socialiste në punë, në shoqëri dhe në familje? Shoku Enver Hoxha nënvizon se indiferentët «janë më të rrezikshëm edhe se vetë fajtorët, sepse indiferentët dëmtojnë zhvillimin e opinionit shoqëror.”29

 

Të klasifikoheshe si indiferent ishte një hap drejt konsiderimit si armik i regjimit. Gjithë analiza e dosjes së Gjadrit dhe arkivat e tjera të konsultuara na shtyjnë të pohojmë se Gjadri është konsideruar përherë si armik, por për arsye të nevojës së madhe që regjimi kishte për njohuritë e tij, ai është mbajtur vazhdimisht nën vëzhgim. Në fakt në dosje kemi gjetur edhe kategorizimin e tij si element armik në kategorinë 2.B,  i cila është treguese për intensitetin e vëzhgimit nga Sigurimi i Shtetit element kundërshtar.

            Dramatik ka qenë përgjatë regjimit komunist mënyra e dënimit me karakter kolektiv. Pra nëse dikush kryente një “krim”  apo shprehte kundërshti kundër regjimit, ai nuk ishte i vetmi që do të paguante pasojat, bashkë me të vuanin dhe të afërmit e tij. Kjo është arsyeja pse në raportet e gjetura në arkiv, flitet për njerëzit e tij të afërt.

Vëzhgimi i inxhinierit bëhet edhe më i qartë në disa fletë pranë dosjes së AIDSSH që mbajnë titullin “Përmbledhje e informative të ndryshme të Gjovalin Gjadrit”. Këto fletë nisin gjithmonë në krye me fjalët “Vdekje Fashizmit - Liri Popullit”. Kemi mbi 30 informata, që në njëfarë mënyrë janë spiunime të ndryshme mbi çdo veprim të Gjadrit nga individë me pseudonim. Këto spiunime i kemi të datave të ndryshme nga 1946 deri në 1954. Ndjekja e personaliteteve të shkencës, artit apo politikës ka qenë një shenjë dalluese e regjimit komunist shqiptar. Ky fakt buronte nga mosbesimi që mbretëronte midis drejtuesve politikë. Mosbesim ndaj intelektualëve, mosbesim ndaj njëri-tjetrit, frikë nga njëri-tjetri. Nën diktaturë, regjimi nuk kishte besim tek bindja e njerëzve dhe për këtë qëllim organizonte një kontroll të vazhdueshëm përndjekës kundër të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që mund të paraqisnin rrezik për pushtetin.

Një element që ne e konsideruam me rëndësi të veçantë antropologjike gjatë analizës së dosjeve ishte përdorimi i fjalës “thuhet” gjatë denoncimeve dhe spiunimeve të ndryshme. Kjo fjalë, duke qenë evazive, lë shkas për thashetheme pasi nuk përcaktohet qartë se kush është burimi i informacionit. Kjo ka të bëjë edhe më një qëndrim të dyfishtë të pushtetit ndaj problemit të thashethemeve: nga njëra anë, zyrtarisht regjimi i dënon thashethemet dhe personat që merren me to, nga ana tjetër regjimi i nxit thashethemet “kur ato janë në të mirën e pushtetit”30. Te dosja e Gjadrit pranë Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjejmë shpesh informacione me shprehjet “thuhet” dhe me autorësi “anonim”!

 

Në politikë thuhet se qëndrimi i tij politik nuk është i mirë por ka shfaqur urrejtje kundra formës në […]. Thuhet se në vitin 1948 nuk e ka realizuar planin dhe nuk është goditur përpara kolektivit. Thuhet të ketë kushërinj të tij në burg, por kur është pyetur me rastin e verifikimit të kundërshtarëve ka deklaruar se jo. Del se nuk bën përpjekje për të përfituar nga eksperienca Sovjetike, por përdor literaturën Gjermane”31. (nënvizimi ynë!)

 

Kjo mënyrë e marrjes së informacionit ka mbështetur një dhunë të pashoqe kundrejt mjaft personave të pafajshëm të cilët nuk kishin as mundësi të mbroheshin përballe akuzave “thuhet” me autorësi anonime. Përballë pyetjes që mund të drejtonin të akuzuarit rreth autorëve të formulimit të akuzave, punonjësit e Sigurimit kishin gati formulën: Partia, ajo di gjithçka!

Nga një informatë tjetër ku komentohen veprimet e Gjadrit në punë, vërejmë se si pushteti shfrytëzon shpesh edhe konfliktet midis kolegëve në mënyrë që ata të mund të akuzojnë njëri tjetrin.

“I.Lufi dhe Gjovalin Gjadri nuk shkojnë mirë, për arsye se Lufi i dorëzon punë Gjadrit për të bërë që i takon sektorit të tij dhe i thotë që në këtë datë duhet të jetë gati. Këtu Gjadri acarohet dhe grindet me Lufin. Me 15.03.1948. Nga seksioni i III.të”32

Marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërprofesionale në komunizëm ishin pre e një frikë të ndërsjelltë dhe të paditjes a denoncimit të mendimeve, që dikush mund të shprehte hapur në mirëbesim a në një bisedë miqësore. Shpeshherë, grindjet mes personave mund të shfrytëzoheshin nga regjimi për qëllimet e tij persekutuese për të vënë kundër njëri tjetrit personalitetet e fushave të ndryshme.

Tipik në arsyetimin e regjimit ka qenë dyzimi në gjykimin ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve: janë të aftë, por nuk janë politikisht të  mirë. Regjimi kërkonte një dedikim total të personit ndaj pushtetit, dedikim profesional, politik e moral. Jashtë regjimit nuk ka asgjë që mund të jetë me e rëndësishme se vetë regjimi, për pasojë çdo kush që nuk ka këtë dedikim total mund të jetë i dëmshëm për regjimin.

 

“Prandaj ky element është një inxhinier i zoti por është anormal dhe politikisht nuk pajtohet me politiken popullore. 1948 , (pseudonim).” 33

 

Një element i rëndësishëm antropologjik që ka të bëjë me punën e spiunëve lidhet edhe me detyrimin që kishin këta të fundit për të dhënë llogari ndaj eprorëve e shpesh edhe e teprojnë me zellin e tyre duke përshkruar edhe detaje që përdoren për të krijuar një ide se personi i vrojtuar është vërtetë i rrezikshëm edhe kur nuk ka asnjë fakt për të vërtetuar akuzën.

 

“Sipas një bisedimi që pata me Ing. Myzefer Dragotin në lidhje me ing. Gjadrin pasi më foli për zgjuarësinë e tij, më tha se një ditë ishte duke biseduar me Gjadrin rreth një projekti të punuar nga Ing. Lutfi Strazimiri tha: Ah, interesant dhe puna e ketij personi, vall çfarë krimi ka bërë ky person? Ing. Dragoti nuk ju përgjigj. Më pas vazhdon: Nga shikimi i veprimtarisë së përgjithshme të tij del se është menefregist në punë dhe si rrjedhim  puna e tij del me vonesë, e pa studiuar mirë dhe pa asnjë bazë të sistemit sovjetik. Megjithëse nuk kemi fakte konkrete në duar, si opinion unë e them me siguri se është një fashist i fëlliqur mbasi megjithëse shpërblehet rreth 10.800 Lek në muaj është i pakënaqur për shpërblimin që merr. Në një mbledhje ose diskutim politik si informacion politik etj, nuk i pret mirë, dhe këto i shpreh me fjalë indirekte. Më 17.01.1951. (Informatë nën pseudonim) 34 (nënvizimi ynë!)

 

Kjo ishte në mënyrë të përmbledhur klima ku punoi e jetoi për 28 vite Inxh. Gjadri, veprat e të cilit kanë lënë një dëshmi të jashtëzakonshme në sektorin e ndërtimit, të urave e rrugëve në Shqipëri. Për këtë figurë të rëndësishme të inxhinierisë shqiptare në 1967 u hap edhe shkolla që mban emrin e tij “Gjovalin Gjadri” në Gjadër të Lezhës si një vlerësim për punën e tij shumëvjeçare.

 

Gjovalin Gjadri si shkrimtar.

Gjovalin Gjadri në fushën e tij mbetet një personalitet i lartë, përpos dëshirojmë të përmendim edhe meritat e tij si shkrimtar. Në vitin 1941 ai humbet gruan e tij, Zejnepin,  të cilën aq e deshi sa përjetësoi dhimbjen e tij në librin Letra grues seme të vdekun. Libri ka në përmbajtje të saj letra të shkruara mes 3 shtatorit 1941 dhe 20 korrikut 1942. Në mes tyre ka edhe letra të shkëmbyera mes të dashuruarve, po edhe mjaft reflektime me natyrë filozofike mbi jetën, vdekjen, shoqërinë, kulturën.

 Në leximin e këtyre letrave të duket sikur ke hapur ditarin e fshehtë të një të afërmi. Të fshehtë e konfirmon edhe botimi i këtij libri, të cilin Gjovalin Gjadri e boton në gjuhë të huaj, gjermanisht “Briefe an meine tote frau” dhe nën pseudonimin G. Maranaj. Duket sikur do ta mbajë larg lexuesit të asaj kohe kaotike lufte. Studiuesi Ardian Ndreca, që ka përkthyer librin nga gjermanishtja, në parathënie sjell informacione të mëtejshme që plotësojnë mjaft mirë këtë libër të pazakontë në letërsinë shqiptare. Njohja me Zejnep Toptani ndodhi në vitet 1930,  ajo ishte vajza e Abdi Toptanit, një prej nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë. Abdi Toptani nuk mund të pranonte martesën e së bijës me një njëri që nuk i përkiste rangut të tij, dhe më e rëndësishmja për një mysliman që në 1920 ka qenë përfaqësues i myslimanëve sunitë në Këshillin e Lartë, të pranonte për dhëndër një katolik. Por Zejnepi largohet nga shtëpia e prindërve dhe martohet me inxh. Gjadrin kundër dëshirës së familjes. Pas ndërtimit të familjes së tyre dhe me ardhjen në jetë të djalit  Egon Gjadri, Zejnepit i shfaqet sëmundja e tuberkulozit.  Pavarësisht dëshirës së madhe për të jetuar, me 15 gusht të viti 1941 ndahet nga jeta në Romë.35

Në mesin e dhimbjeve autori duke shprehur dhimbjen për humbjen e së shoqes përpiqet të gjejë edhe fajtorët e shkaktarët e kësaj humbjeje. Njëherë e shikon fajin tek vetja, një herë tek lufta, që nuk iu la mundësinë të shkonin në Vjenë për kurim, një herë tek familjarët e Zejnepit, madje e shikon si një hakmarrje të historisë ndaj tyre, duke e gjetur fajin tek stërgjyshërit e saj “Karlat dhe Andreat”, që sipas tij i hapën zemrën dhe derën armikut turk. 36

Struktura antropologjike ka mjaft prani të heshtur në këtë libër, mbasiqë është e qartë se personi historik nuk mund të konceptohet kurrë i ndarë prej individualitetit shprehës të subjektit. Shkruan Gjovalin Gjadrin: “E di, ti don që un ta mbaj veten, që të tregohem i fortë para njerëzve, siç e lypin doket e vendit tonë, sic e kërkon edukata dhe krenija jote”. Sikur e cekëm ka dy dimensione në këtë dhimbje, humbje, vdekje: një krejt vetjak e intim, e një dimension shoqëror, që e harron njeriun e përveçëm: njeriu i përveçëm është harruar qyshkur babai duhet të kundërshtojë martesën mes një myslimaneje dhe një të krishteri; qyshkur imponimet e rangut pengojnë bashkimin mes një djali të thjeshtë e një vajzë soji: një luftë mes fanatizmit dhe qytetnimit.

Funksionin më të madh shprehës ky libër e ka bash në këto ndarje që ushqejnë një diskurs të pasur antropologjik, ku shenjën e barazimit e vendos veç dashuria e mbasandej vdekja. Po vdekja nxjerr në dritë mjerimin e sjelljeve fanatike, padobinë e vogëlsive njerëzore përballë një ngjarjeje të skajshme si vdekja. Ja si ia kujton në letër, Gjadri të shoqes, brengën që ajo kishte për marrëdhënien vëlla-motër tashmë të krisur pikërisht për shkak të zgjedhjes se Zejnepit t’u martuar me Gjadrin: “Ti e din e dashun se përsa i përket tand vëllau mue s’më ka interesue kurrë asgja, por për të qetësue ty do të jem i butë me të, edhe pse asht e vështirë mos me pasë paragjykime. Unë kisha mendime të thjeshta, të natyrshme rreth marrdhanjeve të njerëzve me njeni-tjetrin. E shihja qëndrimin e tij të vjetruem, të papajtueshëm me edukatën që kishte marrë jashtë dhe s’mund të shfajësohej me trysninë që baba yt plak mund të ushtronte mbi të”.

 

Bibliografi

Arkiv:

AIDSSH- Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja e Gjovalin Gjadrit.

AQSH. Fond 489 . Presidiumi i Kuvendit Popullor, Dosja 102. Viti 1945

AQSH. Fondi. 499 Ministria e Ndėrtimit Dosja 323/1. Viti 1947

AQSH. Fondi 499. Ministria e Ndërtimit. Dosja 744. Viti 1952

AQSH. Fondi 800. Komisioni i Lartë i Atestimit. Dosja 330

Literaturë:

Hoxha, Enver, Vëllimi 7, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH Tiranë: Naim Frasheri. 1971

Hoxha, Enver, Vëllimi 15, Tiranë, Naim Frashëri, 1971.

Hoxha, Enver, Vëllimi 8, Tiranë, Naim Frashëri, 1973.

Hoxha, Enver, Vëllimi 17, Tiranë, Naim Frashëri, 1973.

Gjadri, Gjovalin, Letër grues seme të vdekun, Tiranë, Onufri, 2017.

Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, ASh. e RPS të Shqipërisë, IGJL, Tiranë, 1978

Moscato, A, INTELLETTUALI E POTERE IN URSS (1917-1956), Ed., MILELLA – LECCE, 1986.

Nikolla, A. Njeriu i ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit, Onufri, 2012, Tiranë.

Gazeta :

Gazeta shqiptare. - Nr. 6211, 16 dhjetor, 2013   

Revista:

Rruga e Partisë, 1973, n. 3, “Në luftë kundër ndikimeve borgjeze-revizioniste”,  


1 Partia Komuniste e Shqipërisë.↩

2 Hoxha E, Vepra V. 8, f. 182.↩

3 Hoxha E, Vepra V. 15. Tiranë: Naim Frasheri. 1971, fq, 284↩

4 Hoxha E, Vepra V. 7, Tiranë Naim Frasheri. 1973, fq, 94↩

5 E. Hoxha, Vepra V. 17, f. 288.↩

6 E përdorim këtë termi vetëm në mënyrë konvencionale për krahasimin me shkencën “socialiste”! ↩

7 AIDSSH, D. Gjovalin Gjadri, fl. 6 ↩

8 AQSH, F. 800/Komisioni i Lartė i Atestimit, V. 1971. D. 330, f. 51. ↩

9 Vendim KM, Nr. 313, datë 8.7.1999, Për shpalljen e “Ures së Matit” Monument kulture. ↩

10 AQSH, F. 800, V. 1971, D. 330, fl, 50 ↩

11 AIDSSH. fq 6 ↩

12 AQSH, F. 489/Presidiumit të Kuvendit Popullor, V. 1945, D. 102. Dosje për dhënie dekoratash e urdhërash të ndryshëm. ↩

13 Niko Pojani,  Gjovalin Gjadri. inxhinieri i urave të para shqiptare, në: Gazeta Shqiptare, nr. 6211, 16 dhjetor 2013, fq, 16 ↩

14 “Problemi i adjezonit në lëvizjen e trenit hekurudhor”, në: Buletin i Institutit të Studimeve, V. I-rë. Nr. 1  Tiranë: Botim i Institutit të Studimeve, 1949.↩

15 AQSH, F. 800, V. 1971, D. 330, fq, 52, Lista e punimeve shkencore të KUJT??? ↩

16 Po aty, fl, 53↩ 

17 AQSH, F,  499/ Ministria e Ndërtimit, V. 1952, D. 744,↩

18 Niko Pojani, “Gjovalin Gjadri,  inxhinieri i urave të para shqiptare”, në: Gazeta Shqiptare, Nr. 6211, 16 dhjetor, 2013 ↩

19 AQSH, F. 800, V. 1971, D. 330.  fl. 57. Recensë e kujt?? , DATA  ↩

20 Po aty, fl, 55 ↩

21 Po aty, fl, 62 ↩

22 AIDSSH, fl. 8 ↩

23 AIDSSH, fl. 8 ↩

24 Moscato, A, INTELLETTUALI E POTERE IN URSS (1917-1956). Ed. MILELLA – LECCE, 1986, fq, 79 ↩

25 Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, ASh. e RPS të Shqipërisë, IGJL, Tiranë, 1978, fq, 193 ↩

26 AIDSSH, f, 16 ↩

27 AQSH. F. 899. V. 1947, D. 323/I, ,f. 213. ↩

28 AIDSSH, fl. 21 – 23 ↩

29 “Në luftë kundër ndikimeve borgjeze-revizioniste”, në: Rruga e Partisë, 1973, n. 3, fq,12 ↩

30 Shih. Nikolla, A. Njeriu i ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit. Onufri. 2012. Tiranë, f. 99 ↩

31 AIDSSH fl, 21- 23 ↩

32 Po aty. fl, 14 ↩

33 Po aty. fl, 24 ↩

34 AIDSSH, fl. 18 ↩

35 Gjovalin Gjadri. “Leter grues seme të vdekun”. Tiranë: Onufri 2017.  fq 10 ↩

36 Po aty.  fq. 122 ↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *