Studime

Gjergj Kokoshi

Facebooktwitter

Gjergj Kokoshi dhe kontributi i tij politik në një atmosferë atipike politike në Shqipërinë e pasluftës

Enriketa Pandelejmoni

Në këtë punim do të trajtohet figura e Gjergj Kokoshit, në kuadër të kontributit të tij politik në vitin e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, duke u bazuar në burime kryesisht arkivore, nga Arkivi Qendror i Shtetit si dhe nga Arkivi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Synimi është shkrmi i një studimi, duke e bazuar analizën në burimet arkivore, por jo vetëm dhe duke patur në qendër analizën diskursive në hedhjen dritë mbi një nga figurat më interesante dhe më pak të zbardhura në vitin e parë të konsolidimit të pushtetit nga Partia Komuniste, siç është Gjergj Kokoshi.

Gjergj Kokoshi lindi në Shkodër më 1904 nga Jaçim e Viktore Kokoshi, diplomuar në Itali dhe Francë për filozofi dhe doktoruar në Paris për letërsi. Gjatë viteve ’30, Kokoshi ishte profesor në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë, i njohur si anti-zogist.1 Në vitin 1940, u ftua të bënte pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Shqiptare, ngjarje kjo që shërbeu si themeluese e Institutit Mbretënuet të Studimeve Shqiptare. Ai refuzoi të merrte pjesë në këtë konferencë për arsye shëndetësore2.

Në thelb antifashist, Gjergj Kokoshi gjatë Luftës së Dytë Botërore dëshmoi afiliacion me lëvizjen nacionalçlirimtare të drejtuar nga PKSH. Më 1943 ai aderoi në Frontin Nacionalçlirimtar3 dhe ishte ndër intelektualët antifashistë që u morr edhe me propagandimin e ideve antifashiste dhe përhapjen e tyre tek rinia shkollore. Ai mori pjesë në rezistencën e armatosur kundër pushtuesit në zonën e Dibrën, madje pas Kongresit të Përmetit u gradua kolonel.4

Emri i Gjergj Kokoshit, profesorit, filloi të dëgjohet mjaft pas Kongresit të Përmetit, kongres që vuri bazat e regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë kongres, ai u zgjodh një prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, struktura legjislative e qeverisjes së shtetit shqiptar5. Ai duhet të jetë propozuar si i ngarkuar me punë për arsimin që gjatë ditëve të Kongresit, pasi emri i tij gjendjet në një dokument pa firmë6. Zyrtarisht Kokoshi u emërua si i ngarkuar me Arsimin më 20 qershor 1944 gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të mbajtur në Odriçan. Enver Hoxha e prezantoi Kokoshin me elozhe të mëdha. Ai vuri në dukje veprimtarinë e Kokoshin si pjesëmarrës i Levizjen Nacionalçlirimtare, “si njeri që nuk ka bërë kompromise dhe si kompetent dhe me eksperiencë në fushën e arsimit”7

Në Mbledhjen e Dytë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar të mbajtur në Berat më 20-23 tetor 1944, Kokoshi emërohet Ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Enver Hoxha, post nga i cili dha dorëheqjen më 13 janar 1945. Në postin e ministrit të Arsimit, ai organizoi Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë, i cili përpiloi platformën për organizimin e arsimit në Shqipëri. Në këto Kongres, pikëpamja e Kokoshit për zhvillimin cilësor të arsimit në Shqipëri u përplas me pikëpamjen e Sejfulla Malëshovës për masivizimin e arsimit8. Po ashtu debate Kokoshi kishte me Malëshovën edhe mbi kopetencat e Ministrisë së Kulturës Popullore, si në rastin e Institutit të Studimeve që ishte nën këtë ministri dhe jo në atë të Arsimit, si dhe mbi zërin e ulët që arsimit i ishte kushtuar në bixhetin e 1945, kur më parë sipas Kokoshit arsimit i ishte rezervuar 13 % e buxhetit.9

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kokoshi vazhdoi të ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili pas gushtit të vitit 1945 mori emrin Fronti Demokratik. Në shtator dhe në fillim të dhjetorit të po këtij viti, edhe pse ishte anëtar i Frontit Demokratik, e shprehu hapur kundërshtimin e tij ndaj ligjit të ri zgjedhor, që nuk lejonte pjesëmarrjen në zgjedhje të partive të tjera.10

Qeveria provizore shqiptare pas çlirimit të Shqipërisë nuk ishte njohur ndërkombëtarisht dhe një ndër objektivat kryesore mbetej konsolidimi i pushtetit politik dhe njohja ndërkombëtare e saj. Kjo e fundit ishte refuzuar të bëhej nga Aleatët Perëndimorë, ku sidomos SHBA dhe Britania e Madhe kishin vënë si kusht zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ndaj Partisë Komuniste (PKSH) i duhej fillimisht të organizonte zgjedhjet lokale dhe më pas ato kombëtare, me synimin e fitimit të tyre nëpërmjet paraqitjes në zgjedhje të anëtarëve vetëm të FNÇ, pas së cilit qëndronte PKSH. Zgjedhjet e organeve lokale u zhvilluan gjatë pranverës 1945 dhe në to PKSH arriti të zgjidhte njerëzit e vetë që i konsideronte “të sprovuar në luftë, të vendosur dhe besnikë ndaj interesave të popullit”, dhe të organizonte “ndërtimin e aparatit të ri shtetëror, si nga forma dhe nga përmbajtja marksiste-komuniste, mbi baza të reja institucionale, administrative, e u ngritën gjykatat popullore, Policia Popullore dhe Drejtoria e Mbrojtjes Popullore,11 që më pas u shndërrua në organet e Sigurimit të Shtetit”, që do i shërbenin konsolidimit të pushtetit të PKSH dhe mori në duart e veta drejtimin e shtetit, duke eleminuar më parë “përfaqësuesit e reaksionit”. Gjergj Kokoshi kandidoi në këto zgjedhje në Lagjen e Re në Tiranë, por nuk mundi të zgjidhej dhe kishte marrë vetëm 17 vota.12

Pas zgjedhjeve lokale të Majit 1945 PKSH duhet të konsolidonte pushtetin qëndror dhe kjo u realizua përmes shndërrimit të FNÇ në një organzatë politike, e cila do të dilte si e vetmja alternativë politike në zgjedhjet qëndrore. Por para zgjedhjeve FNÇ zhvilloi kongresine tij, në 3 Gusht 1945, ku dhe u shndërua në Frontin Demokratik dhe Fronti kontrollohej totalisht nga PKSH, por kishte dhe elemente jo komunistë, por që ishin të pakët. Pas Kongresit u vendos që zgjedhjet qëndrore të mbaheshin më 2 Dhjetor 1945. Por përpara tyre në 27-29 Shtator 1945 u mbajt Mbledhja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), në të cilën u diskutua kryesisht për zgjedhjet e ardhshme dhe u miratua një paketë ligjore për to. U miratua Ligji elektoral, Ligji mbi Asamblenë Kushtetuese si dhe Ligji mbi listat e votuesve.13
Të tre këto ligje në një farë mënyre kufizonin zhvillimin e zgjedhjeve të lira, pasi megjithëse ligji elektoral nuk vinte kufizime për paraqitjen e kandidatëve nga grupime të ndryshme politike,14
Kështu ekzistenca e një force të vetme politike si Fronti Demokratik që drejtohej nga PK nuk lejonte krijimin e grupeve të tjera politike, rrjedhimisht e kthente Shqipërinë në një shtet monist.

I gjithë procesi i administrimit të votimit, sipas historianes Sonila Boçi ishte në duart e FANÇ, pasi procesi zgjedhor administrohej nga Fronti dhe komisionet elektorale kryesoheshin dhe në shumicën absolute të tyre ishin me anëtarë të FANÇ, si dhe votimi do të mbikqyrej nga anëtarë të këshillave të Frontit, gjë që minonte transparencën e të gjithë procesit elektoral.15 Zgjedhjet do të fillonin në ora 7 të mëngjesit deri në ora 19 dhe në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të ishte Andrea Saatçi dhe të gjithë anëtarët e komisionit vinin nga Fronti (Andrea Nathanaili, Faik Dishnica, Xhavid Gjata, Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa). Madje edhe zevëndësuesit e tyre ishin anëtarë të Frotnit Demokratik (Salim Luniku, Irakli Noçka, Neki Delvina, Sotir Kuneshka, Vasil Sidoshi, Karaman Ylli dhe Eqrem Çabej).16

Këto dhe disa ambiguitete të tjera të ligjit elektoral shkaktuan pakënaqësi të përgjithshme për ata individë që kishin qëllim të konkurronin si të pavarur në zgjedhjet e 2 Dhjetorit, por edhe brenda vetë FANÇ. Që në diskutimet mbi hartimin e ligjit, Gjergj Kokoshi, në atë kohë Ministër i Arsimit, por dhe anëtar i Këshillit të FANÇ, diskutoi mbi problematikat e ligjit të menduar, i cili nuk ishte i përshtatshëm me parimet demokratike dhe madje doli kundra miratimit të këtij ligji, që cënonte vendosjen e një regjimi demokratik dhe pluralist. Në kushtet e pas luftës, ky ligj nuk u mundësonte njerëzve të arsimuar dhe të kualifikuar për të kontribuar për vendin e tyre. Lufta kish marrë fund dhe tani ishte koha për të zhvilluar Shqipërinë sipas standarteve demokratike dhe u duhej dhënë mundësia atyre njerëzve, të cilët për arsyet e besimit të tyre politik nuk ishin anëtarë të FANÇ, të mund të vinin kandidaturat për zgjedhjet e përgjithshme.17 Sipas Kokoshit ligji nuk u jepte kohën e mjaftueshme njerëzve dhe grupimeve jashtë Frontit për t’u organizuar dhe paraqitur listat e kandidaturat e tyre. Ligji favorizonte thjesht FANÇ dhe madje zgjedhjet ishin nën kontrollin e Frontit. Ndaj kushdo që do të konkuronte në këto zgjedhje do ta bente kundra jo vetëm Frontit, një organizate politike, por përkundrejt makinerisë shtetërore.18 Kjo binte ndesh me parimet e demokracisë liberale. Kështu dukej se Fronti Demokratik dominohej komplet nga PKSH dhe ky fakt ishte i ditur edhe për qeveritë e aleatëve, për të cilët nuk kishte iluzione mbi regjimin e ri dhe që qeveria shqiptare për ta ishte thjesht “një grup individësh të sinqertë, patriotë me të cilët do të kishte vështirësi në bashkëpunim”, pasi sipas përfaqësuesit amerikan në Tiranë, Jacobs, “zyrtarët ishin injorantë për sa i përket shkencës së qeverisjes, dinin shumë pak mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ishin tepër të ndjeshëm ndaj faktit, se megjithëse kishin luftuar kundra të njëjtit armik, ende qeveria e tyre nuk ishte njohur nga aleatët, përveç Jugosllavisë”.19

Duket se para zgjedhjeve të 2 Dhjetorit edhe brenda vetë Frontit Demoktratik kishte pakënaqësi dhe hezitime mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe “lirisë” për të kandiduar jashte Frontit. Qeveria shqiptare ende nuk ishte njohur nga Aleatët, ndaj njerëz jashtë Frontit filluan të organizoheshin me shpresën e konkurimit në këto zgjedhje, madje konktaktuan edhe me njerëz brenda Frontit apo Këshillit Nacionalçlirimtar, siç ishte Gjergj Kokoshi, i cili pavarësisht se kishte qenë Ministër i Arsimit pas luftës,  kishte filluar të mbante një qëndrim më kritik ndaj politikave qeverisëse dhe ishte tërhequr nga posti i ministrit. Në mbledhjet e KFNÇ Kokoshi disa herë ishte shprehur kundra politikave të ashpra ekonomike, të cilat mund të justfikoheshin për kriminelët e luftës, por nuk mund të vazhdonin të merreshin masa të rrepta edhe rekuizim pasurie edhe ndaj anëtarëve të familjes së tyre, sidomos në rastet kur personi në fjalë kishte vdekur,20 apo dhe në rastin e tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës të kihej kujdes me aplikimin e këtij ligji, pasi kështu siç ishte zhvilluar si procedure ligji ishte kthyer në një makth për tregtarët.21

Kjo klimë e nderë politike e bënë Gjergj Kokoshin që të rimendonte pozicionin e tij brenda Frontit dhe mundësinë e largimit të tij, pasi e shikonte që të gjithë punën e Frontit po e drejtonin vetëm komunistët dhe qeveria drejtohej vetëm nga Partia Komuniste.22 Ndaj rruga e ndjekur e tij për të marrë pjesë në këto zgjedhje, duket se ka qenë ajo e daljes nga listat e Frontit Demokratik. Sipas tij në publik flitej kundra Frontit, se s’kishte liri dhe se vendi ishte në diktaturë.23

Në këtë frymë pakenaqësie ndaj politikës elektorale të Frontit Demokratik dhe synimit të fitorjes së zgjedhjeve prej tij, Gjergj Kokoshi filloi të përpiqej për t’u organizuar politikisht. Ai ishte takuar disa herë me njerëz që po mundoheshin të organizoheshin për zgjedhjet e 2 Dhjetorit si Shefqet Beja, Selaudin Toto, Riza Dani, Kosta Boshnjaku, Kol Kuqali, Irfan Majuni e Musine e Salim Kokalari, të cilët duke shpresuar edhe në mbështetjen amerikane dëshironin të formonin një parti klandestine, me parimet e demokracive perëndimore dhe që donin të shtrinin ndikimin tek shtresat e pakënaqura sociale, si të prekurit nga regjimi i ri, tregtarët, pronarët, çifligarët dhe intelektualët me parime të kundërta me pushtetin popullor.24 Por sipas deponimit të Shefqet Bejës pas arrestimit të tij, duket se megjithëse Kokoshi ishte kundra dhe e kishte kundërshtuar në Front ligjin elektoral, ai propozoi themelimin e një opozite dhe daljen si parti më vete në zgjedhjet e 2 Dhjetorit. Ky propozim nuk u ndoq nga anëtarët e tjerë dhe sipas Shefqet Bejës ky ishte dallimi me tyre, grupit opozitar, që kërkonte mbështetjen e amerikanëve, të cilët u kishin rekomanduar bejaës dhe të tjerëve, që më mirë të rrinin brenda rradhëvë të Frontit, sesa të dilnin më vete dhe Kokoshit, që siç dukej anonte më shumë nga influenca britanike, u shkëput nga grupi i Shefqet Bejës dhe Riza Danit.25

Po ashtu Kokoshi ishte dhe mik i Mirash Ivanaj dhe i kushëririt të tij Nikolla Ivanaj. Ai shpesh herë ishte takuar në Tiranë me Mirash Ivanajn, i riatdhesuar rishtazi në Shqipëri me ftesë të vetë Kokoshit si Ministër i Arsimit, mbi mundësinë e organizimit dhe daljes si kandidatura në zgjedhjet e 2 Dhjetorit. Nikolla Ivanaj mendonte të vinte kandidaturën në Shkodër dhe përkrahej nga Kokoshi dhe Mirashi, madje ky i fundit në shënimet e Ministrisë së Brendshme gjatë marrjes në pyetje, konsiderohej që bashkë me Kokoshin “ishin me Frontin dhe pushtetin, por më të rezervuar, gjoja për t’i dhënë një pamje më demokratike Frontit”. Sipas shënimeve në dosjen e Hetuesisë së Kokoshit, Mirash Ivanaj shënohej se “i ka thënë se Aleatët kanë deklaruar që anëtarë të KANÇ janë të emëruar dhe jo të zgjedhur”.26

Gjithësesi, nga dosja e tij hetimore-gjyqësore, tërhequr tek Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSH), Kokoshi duket se krijimin e një partie opozitare e ka patur qëllim të qënësishëm dhe ka biseduar dhe takuar dhe me persona të ndryshëm të interesuar në formimin e saj. Kështu, gjatë hetuesisë depononte se “aktiviteti i tij politik për formimin e një Partije, e cila do të kishte funksioni e një opozite demokratike konstruktive” e kishte filluar rreth 15 Tetorit 1945. 27 Gjatë Luftës së Dytë Botërore madje ai, siç mësohet nga Dosja Formular e Selaudin Totos, Kokoshi ishte i pakënaqur nga elementët ekstremë të majtë që ishin në pushtet. Për Kokoshin, LNÇ nuk ka qenë lëvizje njëqind për qind e së majtës ekstreme. Në të ka pasur dhe të moderuar (fakti që ekstremistet morën pushtetin, kjo gjë nuk i pëlqente dhe kishte shkaktuar shumë dëshpërim në shumë elemente të lëvizjes).28 Meqënëse nuk arriti të kishte firmat e nevojshme për të krijuar grupimin politik, ra në kontakt me njerëz të tjerë antikomunistë e anti Front, që ishin në këtë kohë duke u organizuar për zgjedhjet. Kështu ai u takua në Tiranë më intelektualë të ndryshëm, si Sami Qeribashi, Shaban Balla e Profi Çeko Tut Mëniku për të diskutuar mbi krijimin e një grupi, i cili do të konkuronte në zgjedhjet e 2 Dhjetorit. Kësaj nisme politike të të sipërpërmendurve iu bashkuan edhe njerëz të tjerë, të cilët ishin të interesuar të dilnin veçmas Frontit e që ligji elektoral nuk ua lehtësonte kandidimin, si Musine Kokalari, e cila ishte iniciatorja e grupimit social-demokrat apo Qenan Dibra simpatizant i monarkistëve.

Duhet patur parasysh se në kushtet e një terrori politik të iniciuar me gjyqet speciale apo gjyqet e popullit të marsit 1945 fillimisht ndaj “kriminelëve të luftës”, e vijuar më tej me antikomunistët kryesisht në Veri të Shqipërisë, klima në vend nuk ishte dhe aq në favor të organizimeve politike jashte Frontit. Por gjithësesi, presioni ndaj qeverisë shqiptare për t’u njohur përfundimisht nga të gjithë Aleatët (BS e njohu qeverinë Shqipëtar më 10 nëntor 1945), i kushtëzuar prej SHBA dhe Britanisë së Madhe me kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe lejimi i gazetarëvë të huaj gjatë fushatës elektorale dhe në ditën e zgjedhjeve,29 ishin faktorë nxitës për elementët jokomunistë për t’u organizuar dhe dalë me lista konkrete në zgjedhje. Megjithatë presioni ishte i jashtëzakonshëm, duke patur parasysh edhe kohën e shkurtër prej 1 Tetorit kur Ligji u shpall në Fletoren Zyrtare dhe deri në zgjedhje mbeteshin vetëm 2 muaj. Presioni duket aq i madh, sa në takimet e fshehta doli në pah edhe vështirësia në sigurimin e firmave të mjaftueshme për të shpallur kandidaturat apo grupin politik. U arrit të mblidheshin 25-30 firma, të cilat ishin të pamjaftueshme për të kandiduar si subjekt politik.30 Në mbledhjen e parë që u zhvillua në shtëpinë e Shaban Ballës, ku morën pjesë përfaqësues të tri grupimeve, më 17 Nëntor 1945 grupi vendosi të dilte me një emër konkret, “Bashkimi demokratik”, si bashkim i rrymave politike me qëllim formimin e një opozite.31 Qendrimi politik antifashist dhe i kahut të majtë të Kokoshit, duket dhe kur ai propozon që për të realizuar këtë ishte e nevojshme hartimi i një programi dhe i një lutjeje, që do të nënshkruheshin prej disa “njerëzve të ndershëm me qëndrim politik korrekt”, që do t’i dërgoheshin Ministrisë së Brendshme për ta vënë në dijeni. Programi i kësaj partie vazhdoi për habinë e të gjithëve të mbledhur në takim, do të ishte pak a shumë i ngjashëm me atë të Frontit, mqs edhe ky grupim politik do të ishte në kahun e Bllokut antifashist. Kjo parti sipas bindjes së Kokoshit do të kryente “po ato reforma ekonomike që do bënte Fronti, por në një masë më të vogël”.32 Duket se në bindjet e tij të majta Kokoshi, si një antifashist, por dhe si një patriot ndahej me Frontin në çështjen e politikës së jashtme. Ai ishte kundra politikës së qeverisë shqiptare, e cila sipas tij “don me bashkue Shqipërinë me Jugosllavinë”. Për të, ky bashkim ishte kundra vullnetit të populllit shqiptar, “populli shqiptar don që Shqipëria të mbetet shtet indipendent dhe sovran, na duhet ta rujm një shtet të tillë, por pa Gjirokastër e pa Korçë nuk ka shtet shqiptar”. Ndaj Shqipëria duhet të ruhet nga Veriu dhe Jugu. Ndërsa për sa i përket çështjes së Kosovës, Kokoshi duket se kishte një mendim tjetër nga të pranishmit në mbledhje, kur sugjeron që për momentin kjo çështje duhej lënë mënjanë, “pasi Jugosllavia na ndihmon për me rujt integritetin tokësor”.33 Ndaj Kokoshi propozoi që para se të hartohej programi duheshin mbledhur firmat, të cilat ishin të nevojshme për të dalë si opozitë në zgjedhje dhe secili duhet të mendonte personat për firmë. Duket se Gjergj Kokoshi përpos përpjekjeve për të dalë me një parti më vete në zgjedhje kishte dhe besim tek misionet britanike dhe amerikane në Shqipëri dhe tek influenca e tyre mbi qeverinë shqiptare për t’i berë presion mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe sidomos për shtyrjen e tyre. Me naivitet dhe për habinë e pjesëmarrësve në mbledhje u bën me dije se programi dhe lutja duhej t’i dërgoheshin qeverisë shqiptare, konkretisht Ministrisë së Brendshme, pasi ai kishte biseduar me Gjerneralin britanik Hodgson dhe ai i kishte sugjeruar që për këtë duhet t’i drejtohej Ministrisë së Brendshme të qeverisë shqiptare.34 Ky propozim i tij u prit me skepticizëm nga shumica e pjesëmarrësve në mbledhje, pasi po të bënin me dije qeverinë mbi krijimin e kësaj partie, rrezikonin të arrestoheshin. Por Kokoshi insistoi në mëndimin e tij mbi bërjen me dije të qeverisë mbi organizatën politike, dhe duhej marrë parasysh dhe arrestimi në momentin që ndërmarin nismën për të krijuar një parti opozitare.35

Për këtë u rimblodhën dhe në një mbledhje tjetër, në të cilën përveç firmave do të diskutohej e çështja e Kosovës, programi dhe do dakordësoheshin në notën apo memorandumin që do u dërgonin misioneve britanike dhe amerikane me shpresën për të influencuar në shtyrjen e zgjedhjeve dhe në krye të së cilit u vunë Gjergj Kokoshi dhe avokat Fuad Asllani 36 dhe secili prej anëtarëve ideatorë të grupit do të merrte përsipër sigurimin e firmave të nevojshme për t’u legalizuar pastaj si grupim elektoral.

Vështirësia e mbledhjes së firmave vuri në mëdyshje organizatorët për të marrë në konsideratë mundësinë reale të Bashkimit Demokrat të tre grupeve (grupi i rezistencës, monarkistët, social-demokratët) për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2 Dhjetorit. Ndaj përfaqësues të tyre u takuan me përfaqësues të Misionit britanik, për t’u paraqitur programin dhe një memorandum me 10 pika, ku ndër to kërkohej dhe ndërmjetësimi i misionit britanik pranë qeverisë shqiptare për të shtyrë zgjedhjet. Si pikë kontakti me britanikët shërbyen anëtarë të Bashkimit Demokrat, të cilët punonin si përkthyes pranë britanikëve dhe amerikanëve, si Kiço Xhonga, Avdulla Muça, Shaban Balla, Niko Beço, Hivzi Golja, Larry Posti (Llazar Papapostoli).37

Vetë Gjergj Kokoshi së bashku me avokat Sami Qeribashin, ideatori kryesor i Bashkimit Demokrat, Shaban Ballën, vunë në dijeni Aleatët Perëndimorë nëpërmjet Kolonel Palmer, të cilin e kishin takuar disa herë për të diskutuar mbi hapat e marra. Idea që iu paraqit Palmerit ishte ajo e formimit të një grupi opozitar, në të cilin do të bashkoheshin përfaqësues të disa tendencave politike me një një program dhe degë në disa qytete kryesore të Shqipërisë, ku kishin përkrahës, si në Shkodër, Korçë, Tiranë, Vlorë. Bashkimi demokrat do të dilte më vehte në zgjedhjet e 2 Dhjetorit me një program të vetin. Kokoshi u bëri me dije anglezëve se në rast se zgjedhjet do të ishin të lira opozita do të fitonte 20-30%, ndaj u duhej mbështetja angleze. Prej misionit atyre iu komunikua që të hartonin programin e kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve, pasi të kishin siguruar firmat.38

Më 20 Nëntor 1945 përfaqësues të ndryshëm të grupimeve politike u mblodhën serisht në shtëpinë e Shaban Ballës, ku në këtë mbledhje Gjergj Kokoshi si përfaqësues edhe i Frontit Nacionalçlirimtar, vuri në dukje nevojën e bashkimit të grupeve për të bashkëpunuar dhe formuar një opozitë. Pati edhe debate mbi përfshirjen o jo të çështjes së Kosovës në program, ku Kokoshi ishte në fillim kundra, për shkak se “duhet ta mbanin mire me Marëshalin Tito”,39 por që u tërhoq më vonë për shkak të imponimit të pjesëmarrësve të tjerë, se nëse nuk përfshihej Kosova në program, nuk do të kishin dallim nga Partia Komuniste. Po ashtu Kokoshi u propozoi anëtarëve të mbledhjes që programi i opozitës t’u çohej anglezëve, konkretisht Gjeneralit Hudgson, por dhe qeverisë shqiptare. Për këtë të fundit të tjerët ishin kundra, duke parashikuar rrezikshmërinë e lartë për ta nëse qeveria shqiptare vihej në dijeni.40 Si përfundim u la vetëm që programi e një notë mbi shtyrjen e zgjedhjeve të dhjetorit, formën demokratike të regjimit pas zgjedhjeve si dhe për mundësinë e kthimit të mbretit Zog në Shqipëri nëse pas zgjedhjeve vendosej për një formë monarkike të regjimit, t’u dërgohej vetëm misioneve aleate në Tiranë.41

Kështu u hartua e një memorandum në një mbledhje tjetër për shtyrjen e zgjedhjeve që iu dërgua misionit anglez dhe atij amerikan në Tiranë.42 Sipas dëshmisë së Qenan Dibrës, prezent në mbledhjen ku u ra dakord për bashkimin e tre grupeve dhe hartimin e nje programi, një memorandumi, ku synimi i Bashkimit demokratik ishte që:

  1. Nuk ishte e mundur që zgjedhjet të zhvilloheshin lirisht në konditat e sotme, sepse populli kishte për të votuar për Frontin (Nacionalçlirimtar) nga frika.
  2. Premtimet e dhëna nga qeveria që nuk i përshtateshin të vërtetës, sepse në atë kohë qeveria kishte caktuar një afat të shkurtër për paraqitjen e ndonjë opozite ose kandidatëve të veçantë.
  3. Nuk mjafton ardhja e korrespondentëve të huaj për vëzhgimin e zgjedhjeve.
  4. Vëzhgimi i zgjedhjeve mund të bëhej vetëm me dërgimin e observatorëve anglo-amerikanë.
  5. Kërkohej një ndërhyrje nga ana e Aleatëve në bazë të parimit të shpallur shpesh prej burrave të shteteve aleate.43

 

Tek Misioni anglez, grupi opozitar dërgoi edhe një notë, në të cilën kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve dhe dërgimin e disa vëzhguesve për zgjedhjet. Po ashtu kualicioni i tre partive me tendenca të ndryshme demokratike kërkonte dhe sigurimin e indipendencës dhe integritetit tokësor të Shqipërise etnike (Kosovë e Çamëri); zbatimin e Reformës Agrare; dënimin e Kriminelëve të Luftës; marrëdhënie miqësore me fqinjët; zgjidhjen e çështjes së Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut; deklarimin e neutralitetit të shtetit shqiptar dhe garantimi i këtij neutraliteti nga ana e Fuqive të Mëdha.44

Por kur ua dorëzuan dy ushtarakëve anglez, Palmer dhe Arnott në Misionin e tyre në Tiranë, morën përgjigje se tashmë këto ishin dorëzuar shumë vonë dhe pak shpresë kishte për shtyrjen e zgjedhjeve, por sidoqoftë do t’ua dorëzonin gjeneralit Hodgson.45 Në fakt anglezët kishin patur gjatë gjithë vitit 1945, para se të njihej qeveria shqiptare disa takime me përfaqësues të ndryshëm të opozitës, kontakte të cilat u zhvilluan nga koloneli Palmer dhe Majori Arnott. Vetë Palmer dhe Arnott në letrat që i ka dërguar Ministrisë së Jashtme britanike me rastin e akuzave ndaj britanikëve në gjyqin e grupit për ndihme, kanë sqaruar pozicionin e tyre, duke mohuar që t’u kenë bërë njerëzve të opozitës premtime konkrete. Palmer pranon që iu dorëzua një program dhe memorandumi, që për qëllim primar kishte marrjen e pushtetit në rrugë demokratike dhe paqësore, duke nënkuptuar zgjedhje të lira. Në mungesë të këtyre zgjedhjeve, atëherë mund të përdorej forca. Ndërsa nga memorandumi kërkohej ndër të tjera, se nëqoftëse një numër i madh prej tyre do të arrestoheshin, atëherë britanikët duhet t’i mbështesnin.46 Ndërsa majori Arnott dhe ai pranon takimet e shpeshta me përfaqësues të grupeve opozitare në Mision. Atij planet e tyre i ishin dukur të dobëta dhe shpesh herë me natyre dhune. Madje për të këto grupe ishin joefektive dhe kundërshtonin njëri-tjetrin në mjaft çështje bazike, duke mos patur bashki me njëri-tjetrin. Ai pranon se ndër emrat që ka patur kontakte ishin dhe Gjergj Kokoshi, Sami Qeribashin, Qenan Dibra, Xhavid Koka, Fuad Asllani, Shaban Balla, Musine Kokalari, Larry Post (Llazar Papapostoli), të cilët i ishin dukur të përçarë dhe se nuk e inspironin se do të mund të ruanin konfidencialitetin e bisedave me të.47

Megjithatëë siç u përmend më lart të gjithë ranë dakord për bashkimin e grupeve në një parti opozitare jashtë Frontit me Gjergj Kokoshin si kryetar të saj,48 i cili ishte profesor që duhet njihte mirë rininë në shkollat e gjimnazet dhe do të mund ta organizonte atë. Musine Kokalari duket se ka qenë skeptike ndaj aderimit në këtë kualicion dhe ka patur po ashtu dyshime se pse në krye të opozitës duhet të ishte Gjergj Kokoshi. Ajo në një bisede me Suad Asllanin e pyet se, përse duhet të ishte Kokoshi në krye dhe pse ishte aq i domosdoshëm. Ai iu përgjigj, se ishte personi më i përshtatshëm pasi kishte qenë në Front, kishte luftuar, kishte qenë ministër, deputet dhe ishte një përsonalitet i njohur për aleatët.49 Më pas ajo u tërhoq dhe pranoi që Bashkimi Demokrat të kryesohej nga Gjergj Kokoshi. madje ishte po ajo që në mbledhjen e tretë, në shtepinë e Ali Kavajës shkroi memorandumin për shtyrjen e zgjedhjeve bashkë me Qenan Dibrën.50

Në Memorandum 51 shkruhej si më poshtë:

“Gjatë pushtimit italian dhe gjerman në Shqipëri, komunistët luftuan kundër forcave pushtuese nën zërin e “Frontit Nacional Çlirimtar”, programi politik i të cilit bazohej tërësisht në një sistem demokratik. Një thirrje kaq gjeniale u dha mundësinë të zgjerojnë në mënyrë të konsiderueshme radhët e tyre, duke regjistruar një pjesë të madhe të djemve, të cilët luftonin me gëzim për çlirimin e atdheut. Arsyeja, që një pjesë e madhe e djalërisë u bashkua me komunistët, qëndron në faktin që dy grupet e tjera nacionaliste (Balli Kombëtar dhe pasuesit e Zogut), duke patur frikë nga komunizmi dhe duke qenë nën influencë të një pjese të shtypit Aleat, nuk vazhduan luftën kundër forcave pushtuese. Djalërisë dhe nacionalistëve të tjerë, që morën pjesë në Lëvizjen Nacional Çlirimtare, nuk u shkoi ndërmend kurrë se po binin në grackë dhe të mendonin ngritjen me forcë të një regjimi komunist në Shqipëri.

Në këtë mënyrë Fronti Nacional Çlirimtar u bë i vetmi grupim politik i autorizuar nën direktivat dhe kontrollin komunist. Nacionalistët, që përbënin shumicën, nuk lejohen të formojnë një parti të veçuar nga komunistët; ata nuk lejohen, gjithashtu, të shkëputen prej frontit duke krijuar një parti jashtë tij. Në të dy rastet akuzohen si sabotatorë, fashista dhe reaksionarë “rasti i prof. Gjergj Kokoshit, më parë ministër i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës e tregon qartë këtë gjë”.

  1. Pasqyra e përgjithshme e gjendjes së tanishme.

(a) Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, qeveria, këshillat e Prefekturave dhe të nënprefekturave, si dhe të lokaliteteve më të vogla, ndodhen të gjitha nën drejtim dhe kontrollin komunist.

(b) Të trija fuqitë, dmth pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndarja e të cilave garanton një regjim me liri politike, në fakt janë një përzierje. Shumëzimi i zyrave bëhet për këtë qëllim. Shembull është që kryetari i policisë, në të njëjtën kohë, gjendet edhe anëtar i trupit gjykues (nënpresident), anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Kryetar i Gjyqit të Lartë, Kryetar i Komisarëve Politikë në ushtri etj.

(c) Të katër liritë (liria e alës, e fesë, e nevojës dhe e frikës) janë shkelur nën këmbë.

(d) I tërë legjislacioni është marrë prej atij të Jugosllavisë; ligjet më të rëndësishme janë një përkthim besnik i ligjeve Jugosllave.

(e) Në të gjitha problemet shtypi ynë dhe radio paraqesin tërësisht pikëpamjet ruse.

(f ) Puna e Policisë bëhet prej Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, programi dhe aktiviteti i së cilës përbën një GPU të dytë. Kryetari i saj Gjeneral, Koçi Xoxe, është një nga të dy sekretarët e përgjithëshm të Partisë Komuniste Shqiptare, tjetri është vetë Enver Hoxha.

(g) Numri i atyre që janë vrarë egërsisht gjatë ditëve të para të regjimit (150 pa u gjykuar fare në Tiranë e në rrethe), si dhe ata që janë gjykuar, dënuar me vdekje dhe pastaj ekzekutuar, i kapërxen të 1.000-jën në të gjithë vendin. Në qoftë se merr si shembull Francën, popullata e së cilës është 45 herë më e madhe se e jona, që në të njëjtën kohë, numëron 2.321 dënime me vdekje, atëherë mund të kuptonit tragjedinë e popullit shqiptar. Shumë prej këtyre janë ekzekutuar për shkak se po të qenë të gjallë do të kanosnin unitetin e regjimit të tanishëm.

Ka rëndësi këtu të përmendet që, ca muaj më parë në Durrës, disa njerëz i bënë qeverisë një telegram me anën e të cilit kërkonin mëshirë për ca persona, që u dënuan me vdekje nga gjyqi lokal. Për këtë ata u arrestuan menjëherë, u nxorrën në gjyq dhe u dënuan me burgim pasi me qëndrimin e tyre kishin shkuar kundër mendimit gjyqësor, i cili konsiderohet si shprehje më e lartë e vullnetit të popullit! Aktiviteti i Mbrojtjes së Popullit dhe më- nyra me të cilën u zhvillua drejtësia kanë krijuar një atmosferë frike dhe terrori në të gjithë vendin. Natyrisht, kjo gjë e ka shtuar më tepër numrin e të pakënaqurve, por frika dhe vetëm frika i ka ndaluar ata të organizohen në një opozitë.

Po të mos dish këtë gjë të nëndheshme është e pamundur të marrës vesh pse populli do të shkojë në votime më 2 dhjetor, si mund të bëhej ndryshe, kurse Shqipëria ndodhej për 13 muaj nën diktaturën më të tmerrshme që ka parë historia e saj. Shko në katunde dhe bisedo me popullin fshehtësisht dhe atëherë do të konstatosh se një presion është ushtruar në favor të listës unike të Frontit Nacional Çlirimtar.

(h) Shqipëria nuk ka patur kurrë një ushtri kaq të madhe sa kjo e tanishmja; numri i saj është dy shuar qysh prej çlirimit të vendit dhe tani përbëhet prej rreth 60.000. Mbajtja e një ushtrie kaq të madhe i kushtohet kryesisht faktit se autoritetet kanë frikë që numri i vazhduar i të pakënaqurve mund të përbëjë rrezik për regjimin. Kjo masë politike ka patur një efekt kata- strofal jo vetëm për nancat tona, që përmbledhin më tepër së gjysmën e buxhetit për ushtrinë, po gjithashtu edhe për bujqësinë dhe blektorinë, në të cilat ndihet seriozisht mungesa e krahut të punës.

(i) Në administratat tona gjenden gati katër herë më shumë funksionarë se përpara. Kjo i përgjigjet faktit se qeveria mund t‘iu gjejë punë të gjithë punonjësve besnikë pa marrë parasysh kapacitetin e tyre. Me gjithë atë, për të patur një administratë të kënaqëshme, ata janë të detyruar të mbajnë disa nga teknikët më të mirë dhe, në fakt, janë këta që bëjnë gjithë punën. Por kjo situatë ka krijuar njëfarë kaosi dhe, për këtë, kjo është arsyeja që nëpër krahina punët zgjaten tepër.

(j) Ligji i bujqësisë është nga reformat më me rëndësi, për të cilën regjimi fryhet së lëvduari. Kjo është bërë dhe aplikuar në mënyrë ekstreme: 1/ Toka, që u është lënë pronarëve të mëparshëm (15 hektarë), është e pamjaftueshme t‘u sigurojë atyre jetën megjithëse kanë mjaft tokë për të gjithë. 2/ Ligji bujqësor, kështu siç ekziston, është vetëm e vetëm një konfiskim, pasi e tërë toka është shpronësuar, duke mos u shpërblyer aspak.

(k) Qeveria e ka humbur besimin e tregtarëve për shkak të masave që kanë ndër degët e ndryshme të aktivitetit ekonomik. Iniciativa private është zhdukur pothuajse krejtësisht.

(I) Përsa i përket politikës së jashtme, qeveria e tanishme i qëndron besnike aksit Beograd – Moskë. Parulla “Enver – Tito” është bërë e zakonshme.

  1. Kush jemi ne?

Është nevoja të theksojmë që ne nuk jemi armiqtë e komunizmit. Edhe sikur të mos ekzistonte komunizmi do të qe e dobishme ta krijonim si një fuqi shtytëse drejt përparimit social. Por, nga ana tjetër, ne jemi kundërshtarët e tij politikë deri sa ai shkel liritë politike dhe ngre një qeveri despotike në vend të asaj demokratike.

  1. A është e mundur demokracia në Shqipëri?

Është e parakohëshme të flitet në Shqipëri për një demokraci të tipit perëndimor. Po, nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se është nevoja për një qeveri totalitare në vendin tonë. Ne besojme se një demokraci relative me të paktën 2 parti është plotësisht e mundëshme në Shqipëri. Kjo gjë do ti jepte rast shumicës së popullit, të cilët nuk janë komunistë të bashkohen me një orga- nizatë, me anën e së cilës të jenë në gjendje të shprehin idetë politike.

  1. Cili është programi ynë?

(a) Politika e brendshme

Vendosja e menjëherëshme e lirisë së plotë politike. Liri e fesë, liri e shtypit, liri e personave dhe mbrojtja përpara ligjit dhe përpara gjyqit me gjykatës të zgjedhur.

(b) Poltika e Jashtme.

Pjesëmarrja në të gjithë kombet e bashkuara në themelimin e një rregulli internacionalist të bazuar mbi principin e sigurimit kolektiv. Mbajtja e marrëd- hënieve miqësore me të gjithë aleatët tanë të mëdhenj dhe me të gjithë fqinjët tanë. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat tona për të dhënë kontributin tonë për një të ardhme paqësore dhe më të mirë në Ballkan dhe të sigurojmë integritetin tonë tokësor, konform shpirtit dhe Kartës së Atlantikut.

(c) Politika Sociale

Përmirësimi material dhe moral i kushteve të jetës së klasës punëtore. Pjesëmarrja e plotë e punëtorëve dhe e fshatarëve në jetën politike. Lenia e lirë e organizatave të punëtorëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendosjen e kushteve të punës. Demokratizimi i institucioneve. Rivendosja e identitetit familjar.

(d) Politika Ekonomike

Respektimi i plotë i pasurive private brenda ku jve të funskioneve shoqërore. Kontrolli i shtetit mbi industritë vitale dhe inkurajimi i iniciativës dhe i ndërmarrjeve private.
Reforma agrare

Ngritja e shtëpive moderne për fshatarësinë dhe krijimi i kooperativave bujqësore.

  1. Dëshira jonë e zjarrtë

Duke konsideruar që misioni juaj në Shqipëri është i shenjtë, pasi e keni për detyrë t’i thoni botës situatën e vërtetë të vendit tonë, shpresojmë se do të konstatoni që në situatën e tanishme të asësh për zgjedhje të lira do të thotë të errësosh të vërtetën. Me këtë frymë, ne shpresojmë që ju do të bëheni interpret jo vetëm i opozitës, por pothuaj i dëshirës së gjithë kombit për shtyrjen e zgjedhjeve, në mënyrë që t’i jepet rast popullit të shprehë lirisht vullnetin e tij dhe në këtë mënyrë të ngrejë një qeveri demokratike përfaqësuese.

Do të shihni një numër të madh realizimesh që do t’ju tregohen për llogari të qeverisë të tanishme. Ne nuk e vëmë në dyshim vullnetin e mirë të qe- verisë, por, në të njëjtën kohë, e quajmë të nevojshme të nënvizojmë që shumica e këtyre realizimeve kanë ekzistuar përpara Nëntorit të 1944-ës. Përsa u përket urave dhe punimeve të tjera të këtij lloji, çdo shqiptar e di mirë që këto janë ndërtuar prej shoqërive italiane, nën mbikqyrjen shqip- tare, me materiale të sjella nga Italia.”

 

Përveç memorandumit në takimet e bëra grupet e Bashkimit demokratik, secili paraqiti programet respektive. Musine Kokalari u paraqiti atë të social-demokratëve, të cilët përfaqësonte dhe Sami Qeribari atë të Grupit të rezistencës, ku ndër të tjera ai kishte si qëllim të krijonte lidhje me të arratisurit politikë jashtë Shqipërisë me njerëzit brenda për të organizuar një kryengritje kundër regjimit komunist. Si kryetar i këtij grupi ishte Sami Qeribashi,52 i cili hartoi e një thirrje për të arratisurit jashtë dhe ato nëpër qytetet kryesore, ku i bënte me dije formimin e Komitetit Nacional që ftonte të gjithë kundërshtarët e regjimit t’i bashkoheshin në përpjekjen e tyre. Madje Sami Qeribari u bëri me dije grupit se ishte menduar që para zgjedhjeve, më datën 28 Nëntor, me rastin e Festës së Pavarsisë të organizohej dhe një demostratë dhe të kërkohej shtyrja e zgjedhjeve. Prandaj dhe ishte përgatitur dhe një thirrje për popullin:

28 Nëntor 1945

Vllazër shqiptarë!

Sot në këtë ditë të shenjtë ka ardh koha që të gjithë të bashkohemi dhe t’ju heqim maskën armiqve të kombit, që na kanë pushtue votrat tona dhe po na çojnë në greminë.

Partija Komuniste që është sot në fuqi me terror siç e dini të gjithë nuk është gjë tjetër përveç nji vegël e verbër e Imperializmit sllaa. Kjo parti që mbretëron sot në Shqipëri, sikurndër e shiti Kosovën, ka me ja dorëzue Titos shumë shpejt dhe krejt Shqipnin.

Na përket ne popullit dhe patriotëve të vërtetë që e dashurojnë ketë vend me sinqeritet të duhur, që ta shpëtojmë Atdheun nga këjo fatkeqësi e madhe që ka qenë sot.

Me qenë se këtu po trumbetohet se gjoja ka shumë liri, fjalë propagande, ju njoftojmë që të gjithë sëbashku të drejtohemi në misionet Aleate dhe të kërkojmë prej tyre ndërhymjen për shtyrjen e zgjedhjeve, për me i tregue botës mbarë, se këtu ka një Opozitë të fortë që është në gjendje të përmbledhë rreth saj shumicën dërmuese të popullit shqiptar dhe ka formue për këtë qëllim Koalicionin e partive me tendenca demokratike (Partia Monarkiste, Social-Demokrate dhe ajo e Rezistencës)”.53

 

Demostrata nuk u mbajt, prej frikës së survejimit dhe u hodhën vetëm trakte kundra pushtetit. Të gjitha iu dërguan misioneve britanike dhe angleze, por asnjë prej tyre nuk ndërhyri pranë qeverisë shqiptare për të shtyrë zgjedhjet. Zhgënimi dhe hidhërimi i mos-ndërhyrjes së tyre duket dhe në fjalët e Musine Kokalarit rrëfyer në fshehtësi tek i nipi i saj më 1972, kur shprehet se, “Aleatët nuk i ndërhynë qeverisë dhe heshtën mbi një çështje, e cila, logjikisht, rezultoi më pas si e pashmangëshme për dënimin e firmosësve. Një nga një firmëtarët u arrestuan me akuzën për rrëzim të qeverisë. Pasojat për të gjithë këta njerëz janë thjeshtësisht të imagjinueshme”.54

Heshtja e përfaqësuesve britanikë dhe amerikanë, të cilit tashmë ishin në dijeni të ekzstencës së opozitës dhe përpjekjes për të dalë në zgjedhje ishte fatale për Bashkimin Demokratik që ndërkohë ishte dhe i survejuar nga strukturat e Seksionit të Mbrojtjes Popullore (Sigurimi), i cili kishte katër informatorë dhe bashkëpunëtorë brenda opozitës. Goditja ishte e afërt. Që në dhjetë-ditëshin e parë të 1946 filluan arrestimet e para (10-23 janar). Fillimisht u arrestuan Sami Qeribari, Qenan Dibra, Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari dhe Shaban Balla që ishin drejtuesit kryesorë, si dhe pjesëtarë të tjerë, gjithsej 37 persona.55

Gjyqi ndaj 37 anëtarëve të Bashkimit Demokrat filloi në Tiranë më 17 qershor 1946 në Kinema Nacional (kinema 17 Nëntori) në prani të një populli “të zgjedhur” dhe gazetarëve vendas.56 Gjyqi që zgjati 15 ditë u transmetua dhe në radio, si formë presioni dhe si një mjet propagandistik i pushtetit popullor, që ta dëgjonin njerëzit në çdo skaj të Shqipërisë. Grupi u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake e kryesuar nga  Major Frederik Nosi, Kapitenët I-rë Veledin Zeneli e Nexhat Hyseni, ndërsa akuza u mbrojt nga Prokurori ushtarak, Kapiten I-rë Nevzat Haznedari.57 Të gjithë akuzoheshin se ishin mbledhur disa herë me qëllim që në bashkëpunim me kriminelët e luftës të arratisur brenda e jashtë vendit dhe me reaksionin e jashtëm të aktivizoheshin për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor, për të shkaktuar një ndërhyrje të imperialistëve të jashtëm, që për pasoje të kishte një vetëvrasje, do të bënin atentate kundra udhëheqësve të pushtetit popullor dhe ishin të lidhur ngushtë edhe me reaksionin e grupit të klerit katolik, “Bashkimi shqiptar”.58 Të lidhur me gjithë këto grupe e individë reaksionarë këto rrethe kundërshtare në fillim me propagandën kundra masave të gjera dhe reformave shoqërore, filluan të veprojnë në grupe të vogla klandestine për të krijuar më vonë komitete e nën-komitete, të cilat u lidhën dhe bashkarisht me grupet fashiste terroriste të Shkodrës, formuan një komitet qendror të përkohshëm, të ashtuquajtur “Komiteti Nacional”. Programi i tyre kryesisht synonte të rrëzonte pushtetin popullor me violencë dhe me terror, përmes atentateve, aksioneve të ndryshme me kriminelët e arratisur, goditje deposh ushtarake dhe grabitje armësh e municionesh, sulme me armë nga kriminelët e arratisur jashtë.59

Në akt-akuzën që prokurori i çështjes kundra Kokoshit, Nevzat Haznedari e akuzonte Gjergj Kokoshin që në bashkëpunim me Suat Asllanin, Qenan Dibrën, Sami Çeribashin dhe elementë të tjerë të Ballit, Legalitetit e të tjerë, kishte udhëzuar dhe frymëzuar në mënyrën e veprimit për të tërhequr sa më shumë elementë dhe ju kishte treguar mënyrën e organizimit të grupeve për t’u lidhur me njëri-tjetrin, si grupin e Rezistencës, monarkistëve e të tjerë, të lidheshin edhe me të arratisurit, të ashtuquajtur kriminelë të luftës brenda e jashtë Shqipërisë. I kishte mësuar të përpilonin nota për misionin e huaj dhe me anë e tyre t’u paraqisnin të kërkonin ndërhyrjen e ndihmën e tyre. Ka shfrytëzuar vendin, emrin dhe kredinë që i kishte dhënë Fronti duke e përdorur për të sabotuar e për të përmbysur pushtetin. Gjithë aktiviteti dhe propaganda e tij ka qenë për të përmbysur me forcë pushtetin popullor në lidhje me të sipërpërmendurit e me reaksionin grek e ndërkombëtar. Prandaj prokurori kërkonte dënimin e tij nga Gjykata e Lartë Ushtarake.60

Kokoshi gjatë gjyqit mbajti dhe një fjalë në mbrojtje të vetes, e cila mungon në aktet gjyqësore,61 por pranonte se “qeveria komuniste nuk përfaqësonte vullnetin e popullit. Ajo po ia falte gjithë pasurinë Jugosllavisë”, ndai ai i ishte bashkuar grupit të opozitës. I vënë para një fakti të qartë të një gjyqi politik e farsë në akuza, në fund edhe ai si të tjerët (Sami Qeribari e Musine Kokalari) vendos të mos flasë me. Thjesht kërkoi të dinte se “çka ishte në kundërshtim me ligjet shtetërore në fuqi?”

Në përfundim të Gjyqit të Bashkimit Demokrat, më 2 Korrik 1946 u dhanë dënimet për 37 personat e gjykuar, prej të cilëve 8 u pushkatuan, dhe të tjerët u denuan me dënime nga 30 – 2 vjet. Ndërsa informatorët e Sigurimit u dënuan minimalisht o u liruan si të pafajshëm.62

 

Përfundime

Gjergj Kokoshi ishte një ndër ideatorët kryesorë të koalicionit opozitar Bashkimi Demokrat, që përfshinte bashkimin e tre përfaqësuesve të tre rrymave politike në Shqipërinë e post Luftës së Dytë Botërore, monarkistëve, social-demokratëve dhe atyre të ashtuquajtur grupi i rezistencës, përfaqësues kryesisht të pronarëve të mëdhenj, të arratisurve politikë dhe intelektualëvë anti-komunistë. Kokoshi që kishte një veprimatri politike në FANÇ u ftua të merrte pjesë në Bashkimin Demokratik dhe ta kryesonte atë, pasi njihej si një njeri intelektual, politikan me përvojë dhe popullor ndër njerëz. Ky pragmatizëm në zgjedhjen e tij në krye të opozitës vinte dhe ngase përfaqësonte të pakënaqurit brenda Frontit dhe ishte në dijeni të politikave shtëtërore të kohës, por dhe njihej si një njeri i afërt me misionin britanik në Shqipëri. Ndaj pakënaqësia e tij dhe vullneti për të marrë pjesë në aktivitet politik, dhe të sakrifikonte veten, pavarësisht se shëndeti i tij ishte i prekur dhe nga TBC,63 ishin arsye të qënësishme në vënien e tij në krye të oopzitës. Po ashtu emrin e tij nuk e kundërshtuan as britanikët, madje këta dhe e kërkuan Kokoshin në krye të opozitës.

Bashkimi Demokratik nuk arriti të dilte në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 si parti opzotare, për shkak edhe të vonesës së miratimit të këtij koalicioni rrymash politike prej misioneve aleate, të cilat megjithëse ishin në dijeni të çdo hapi dhe iniciative politike të grupit, si vënia e kontakteve me të arratisurit politik jashtë Shëipërisë Muharem Bajraktari, Fiqiri Dine e Shefqet Vërlaci, apo dhe me ata që fshiheshin brenda, si Alush Leshanaku, nuk e mbështetën këtë parti. Mungesa e kësaj mbështetje ishte fatale, pasi pavarësisht mos-arritjes së mbledhjes së 75 firmave të domosdoshme për të dalë si subjekt politik, ndërhyrja e aleatëve pranë qeverisë shqiptare për të shtyrë zgedhjet, si dhe dekonspirimi i Bashkimit Demokratik nga brenda, bënë që dhe kjo nismë politike për vendosjen e një demokracie liberale në Shqipërinë e post-1945 të dështonte.

Bashkimi Demokratik u zbulua dhe të gjithë ideatorët dhe organizatorët e tij dhe nëpër qytetet kryesore të vendit të arrestoheshin dhe dënoheshin me dënime kapitale dhe me burgim të rëndë. Goditja e Bashkimit Demokratik, vinte në një klimë tepër të ndrë politike, ku në harkun kohor të një viti ishin vënë para gjyqeve speciale dhe popullore dhe dënuar me dhjetra njerëz, të cilët kërkonin një Shqipëri jo të orientuar drejt Lindjes Komuniste.

Në fakt fati i Shqipërisë ishte vendosur si konseguencë dhe e vendimeve Jaltës, por më 1945, kur ende nuk ishin zhvilluar zgjedhjet e lira, dhe kur njohja ndërombëtare e Shqipërisë kondicionohej nga këto zgjedhje, goditja e grupimeve politike jo-komuniste në Shqipëri i dhanë knock out-in atyre që shpresonin ende për vendosjen e një shteti demokratik-liberal.

Gjergj Kokoshi u dënua me 30 vjet burg dhe humbjen e të drejtave qytetare dhe politike si dhe konfiskimin e pasurisë. Dënimi 30-vjeçar i tij do të mbaronte më 23 janar 1976, por ai ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në vitin 1961.

 


Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSH) Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 11.↩

2 AQSH, F. 200, V. 1940, D. 2, fl. 26, Letër e Gjergj Kokoshit drejtuar Ministrisë së Arsimit, 9 prill 1940.↩

3 Po aty, Fleta 25.↩

4 AQSH. F. 40/APL, V. 1944, D. 13, fl. 66. Procesverbal i Kongresit të Përmetit, 26 maj 1944.↩

5 Po aty.↩

6 AQSH, F. 40/APL, V. 1944, D. 19, fl. 6. Vendim i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për emërimin e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar, pa datë, pa firmë.↩

7 AQSH, F. 40/APL, V. 1944, D. 31, fl. 1. Fjala e Enver Hoxhën në Mbledhjen e Parë të Këshillit të Përgjithëm Nacionalçlirimtar të mbajtur në Odriçan, 20 qershor 1944.↩

8 E.Kambo, Arsimi në Shqipëri, Tiranë 2005, Botim i Akademisë së Shkencave , “Mësonjëtorja”, fq. 14-16.↩

9 AQSH, F. 489, D. 88, Viti 1945. Fleta 27↩

10 Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV, ISKK: Tiranë,  2015, fq. 264.↩

11 Instituti i Studimive Marksiste-Leniniste, Historia e Partisë Punës së Shqipërisë. Botimi i dytë. “8 Nëntori”: Tiranë, 198, fq. 186.↩

12 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 25.↩

13 Boçi, Sonila, The December 2nd, 1945 Albanian Elections: Legitimization, or Mere Formalization for Communist Power? Porta Balkanica (7), 2005, fq. 16, ç11-24]↩

14 Kandidati si i pavarur mund të konkuronte në zgjedhje nëse kishte 20 firma dhe grupimi politik regjistrohej nëse mblidhte 70 firma. Për më shumë shih Ligjin Nr. 124 (28.09.1945) botuar tek Gazeta Zyrtare Nr 54.↩

15 Boçi, Sonila, vep.cit., fq. 17.↩

16 AQSH, F. 489, D. 88, Viti 1945. Fleta 2.↩

17 Boçi, Sonila, vep.cit., fq. 17.↩

18 Po aty.↩

19 Mëhilli, Elidor, From Stalin to Mao. Albania and the Socialist World, Cornell University Press, Ithaka, London, 2017, fq. 21.↩

20 AQSH, D. 489, D. 108, Viti 1945, Fleta 6.↩

21 AQSH, D. 489, D. 108, Viti 1945, Fleta 13.↩

22 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 25.↩

23 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 6.↩

24 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 19.↩

25 Po aty.↩

26 Po aty., 25.↩

27 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 3.↩

28 AIDSSH, Dosja 11 formular e Selaudin Totos, Fq. 29↩

29 Boçi, vep.cit, fq. 14.↩

30 AIDSH, Dosja Nr. 5, N 1081-A, Fleta 50.↩

31 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 3.↩

32 Po aty.↩

33 Po aty.↩

34 Po aty, Fleta 4.↩

35 Po aty.↩

36 Instituti i Historisë, Historia e popullit shqiptar. Vëll. 4. Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Toena: Tiranë, 2008, fq. 193.↩

37 Koçi, Dorian, Musine Kokalari and the Anticommunist Resistance in 1945-1946, Anglisticum Journal (IJLLIS), Volume: 6| Issue: 7. Fq. 46.↩

38 AIDSH, Dosja Nr. 5, N 1081-A, Fleta 53.↩

39 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 80.↩

40 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 81.↩

41 Po aty.↩

42 AIDSH, Dosja Nr. 5, N 1081-A, Fleta 54.↩

43 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 73.↩

44 AIDSH, Dosja Nr. 3, N-1081-A, Fleta 74.↩

45 AIDSH, Dosja Nr. 5, N 1081-A, Fleta 47.↩

46 Kapri, Erald, Sekretet e Luftës,. Shqipëria tjetër në dokumentat brikatnike.Tiranë: Lumo Skendo, 2017, fq. 412-413.↩

47 Po aty, 413-415.↩

48 AIDSH, Dosja Nr. 3, N-1081-A, Fleta 151.↩

49 Po aty, Fleta 170.↩

50 Ndoja, Leka, Bashkimi Demokratik Shqiptar 1946. Akte gjyqësore politike gjatë komunizmit në Shqipëri I. Tiranë: ISSK, 2015, fq. 14-15↩

51 Ëagner, Alina, Musine Kokalari  dhe Social – Demokracia në Shqipëri, Fridrich Ebert Stiftung: Tiranë, 2016, fq. 26-29.↩

52 AIDSH, Dosja Nr. 3, N 1081-A, Fleta 81↩

53 AIDSH, Dosja Nr. 3, N-1081-A, Fleta 263.↩

54 Ëagner, vep.cit., fq. 13.↩

55 Ndoja, vep., cit., fq. 17-18.↩

56 Pepa, Pjetër, Dosja e Diktaturës, ISSK: Tiranë, fq. 89.↩

57 AIDSH, Dosja Nr. 5, N-1081-A, Fleta 35.↩

58 Po aty.↩

59 Po aty, 36-37.↩

60 Po aty.↩

61 Pepa, vep.cit. fq. 95.↩

62 Ndoja, vep.cit., fq. 15.↩

63 AIDSH, Dosja Nr. 3, N-1081-A, Fleta 20.↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *