Studime

Eqrem Çabej

Facebooktwitter

“Armik i pushtetit popullor” që shkencërisht “punon për ne”: Shteti komunist dhe studiuesi Eqrem Çabej

Ledia Dushku

Metodologjia
Profili i studiuesit Eqrem Çabej ka si qëllim të paraqesë aspekte thelbësore të veprimtarisë së tij shkencore, të vendosura në kontekstin historik të kohës. Analiza ka si pikënisje formimin e hershëm intelektual të Çabejt, për të kuptuar në vijim sjelljen e regjimit komunist ndaj tij. Prezantimi në disa këndvështrime i personazhit, gërshetuar me ekspozenë e tipareve që fitoi “shkenca” dhe “punonjësi i mendjes” në Shqipërinë e viteve 1945-1954, janë në funksion të zbulimit të sjelljes së regjimit ndaj tipologjisë së intelektualit, të përfaqësuar nga E. Çabej; për të kuptuar se deri në çfarë mase qëndrimi i shtetit kushtëzohej nga marrëdhënia e intelektualit me Sigurimin e Shtetit, nga tiparet e profilit të tij psikologjik, veprimtarisë shkencore, qëndrimit të partisë-shtet dhe vetë Enver Hoxhës.
Materiali është konceptuar në një qasje kronologjike-tematike. Burimet e shfrytëzuara janë të shumanshme dhe të larmishme. Shquhen dokumentet e Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë, pjesë e fondeve të Ministrisë së Arsimit, Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, fondeve të Partisë (Strukturat dhe Organet Udhëheqëse) dhe Kryeministrisë; dokumentet pjesë e Dosjes Formulare të Sigurimit të Shtetit për E. Çabejn, konsultuar pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (AIDSSh). Me vlerë ka qenë konsultimi i revistës së Institutit të Studimeve\Instituti I Shkencave, literatura e bollshme mbi veprimtarinë e studiuesit Çabej, literatura mbi totalitarizmin në përgjithësi dhe studimet për komunizmin në Shqipëri, pa anashkaluar intervistën tejet njerëzore dhe të çlirët të bijës së profesorit, Brikena Çabejt.
Një qasje më favorizuese ndaj studiuesit e legjislacionit për konsultimin e arkivit të AIDSSh-së, do të shërbente për të realizuar plotësisht atë që në gjuhën shkencore, njihet si kërkim i tërthortë, në saje të të cilit do të zbuloheshin të dhëna plotësuese për Çabejn, nga dosjet e personazheve të survejuar, pjesë e rrethit të tij familjar e shoqëror. Realizimi i plotë i këtij kërkimi do ta pasuronte profilin e përgatitur dhe do të shërbente për të kuptuar më gjerë dhe më thellë anën e errët të regjimit komunist në marrëdhënie me individin\studiuesin në përgjithësi dhe E. Çabejn në veçanti.

Kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Eqrem Çabej
Eqrem Çabej u lind, më 6 gusht 1908 në Eskishehir, qytet në afërsi të Ankarasë (Turqi). Sipas së bijës Brikena Çabejt, 6 muaj pas lindjes së tij familja u vendos në Gjirokastër, por “babait nuk i pëlqente të thoshte që kishte lindur andej. Në dëftesat e shkollës vendlindja është Eskisher, por në çdo biografi ai quante, edhe psikologjikisht besoj, Gjirokastrën si vendlindjen e tij. Kurrë nuk e shkroi që kam lindur në Eskisher”1 . I ati, Hyseni me profesion gjyqtar, kishte lënë gjurmë në formimin e të birit, duke i dhënë një edukatë, sikurse Çabej vetë shprehej “me drejtim nga ndershmëria qytetare dhe nga dashurija për vendin”2 . Shkollën fillore dhe qytetëse djaloshi i Çabejve e përfundoi në Gjirokastër3 . Pasi fitoi një bursë nga shteti shqiptar, më 1920 vijoi shkollimin në Austri, fillimisht në St. Polten, më tej në Graz dhe maturën në Klagenfurt. Studimet e larta i përfundoi po në Austri, përkatësisht 3 semestra në Universitetin e Grazit dhe 5 semestra në Universitetin e Vjenës, duke u specializuar në Linguistikë të Përgjithshme e Indoevropiane dhe në Albanistikë, në klasat e profesor Nobert Jokli-t, një nga albanologët më të njohur të kohës, si edhe në Histori të Ballkanit. Gjatë gjithë periudhës së shkollimit Çabej tregoi vullnet e këmbëngulje dhe u dallua si i ri që premtonte mjaft.
Profesor Jokli duke çmuar talentin e tij, e mbajti afër. Marrëdhënia mes tyre ndikoi në mbrujtjen e Çabejt me dashurinë për kërkimin shkencor dhe shërbeu si shtysë për vijimin e studimeve të thelluara për gjuhën shqipe, tashmë me tezën e doktoraturës Italoalbanische Studien (Studime italo-shqiptare). Disertacioni u mbrojt, më 7 tetor 1933 dhe Çabejt iu dha diploma për gradën doktor nga Universiteti i Vjenës, me rezultatin Shkëlqyer. Për sa më sipër, autoritetet drejtuese të universitetit i propozuan të qëndronte aty, si asistent pranë Joklit. Por Çabej e refuzoi propozimin, u kthye në Shqipëri, duke përmbushur kështu angazhimin që kishte marrë më 19 gusht 1927 karshi shtetit shqiptar, me të cilin “detyrohej që mbasi të ketë kryer mësimet, t’i shërbejë Shtetit për 7 vjet në çdo vend që dërgohet ose t’i kthejë të hollat e marruna si bursë”4 .
Me t’u kthyer në Shqipëri, Çabej punoi si profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe, fillimisht në Gjimnazin shtetëror të Shkodrës e më pas në Normalen e Elbasanit, Gjimnazin shtetëror të Gjirokastrës dhe Liceun e Tiranës. Njëkohësisht, ai mbajti edhe poste administrative si atë të nëndrejtorit të Konviktit “Malet Tona” në Shkodër dhe shefit të seksionit të Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit. Sipas relacionit të drejtorisë së Gjimnazit të Shkodrës, profesori i letërsisë shqipe shfaqte prirje liberale në marrëdhënie me nxënësit dhe respektonte mendimin e tyre. Vendosja e një marrëdhënieje besimi konsiderohej e rëndësishme, e në këtë aspekt gënjeshtra nuk përtypej lehtë prej tij. Ndonëse drejtoria e gjimnazit konstatonte se për shkak të moshës së re i mungonte shpirti i sakrificës, evidentonte faktin se Çabej “përmban në vedi elementë përmirësimi dhe bindjeje”. Ai spikaste për korrektësinë, përgatitjen profesionale dhe ndjenjat kombëtare: “asht shumë i zoti dhe përpiqet gjithnji tue studjue, me dalë kurdoherë faqe bardhë. Nuk ka mungue në shkollë. Ka ndjenja të mira kombësije”5 .
Sakaq, vrullshëm nisi edhe konsolidimi i Eqrem Çabejt si studiues i letërsisë e gjuhës shqipe nga njëra anë dhe, folklorit nga ana tjetër. Spikasin botimet e një sërë artikujve tek Hylli i Dritës dhe në revista të ndryshme ndërkombëtare, pa anashkaluar edhe librin Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme, botuar nga Ministria e Arsimit në vitin 19366 . Kjo veprimtari e klasifikonte Çabejn si një nga intelektualët dhe edukatorët më në zë në Shqipërinë e fundviteve 30.
Lufta e Dytë Botërore e gjeti E. Çabejn drejtor të Liceut të Tiranës, post që nuk e mbajti gjatë. Arsyen e zbulon raporti i datës 27 korrik 1940 i Federatës së Fashios së Tiranës në të cilin Çabej konsiderohej “i vetmi person përgjegjës për veprimet e këqija të kryera nga studentët e Liceut në demonstratat e njohura të 28 Nëntorit 1939. Deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë afrimi me politikën fashiste. Prandaj duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masa për ta shkarkuar nga detyra që kryen në këtë moment”7 . Në janar të vitit 19428 ai u dërgua “si gjysmë internimi”9 në Itali, ku qëndroi i mbikëqyrur deri në qershor të vitit 1944, duke punuar për Atlasin Gjuhësor Shqiptar në Akademinë e Shkencave në Romë.
Ndërkohë, në vlerësim të punës së tij shkencore, Eqrem Çabej që prej prillit 1940-ës ishte anëtar “i rendshëm” [i rregullt] dhe pjesë e Këshillit Drejtues të Institutit të Studimeve Shqiptare, i riorganizuar në gusht të vitit 1942 si Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare dhe, në prill të 1944, si Instituti Shqiptar për Studime e Arte10 . Marrëdhënia e tij me institutin nuk rezultoi lineare. Ajo pësoi thyerje në vitin 1942, kohë kur u bë riorganizimi i komisioneve dhe nënkomisioneve të punës. Krahas emërimit në Nënkomisionin e Gjuhësisë, Terminologjisë, Folklorit, Çabej u caktua anëtar edhe në Nënkomisionin e Fjalorit, pjesë e të cilit ishte edhe Atë Fulvio Cordignano 11. Më 27 shtator 1942, ai i dërgoi një letër të shkurtër, por të guximshme, kryetarit të Institutit, Ernest Koliqit, me anën e së cilës kërkoi “të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare”, se “si mis [anëtar] i këtij Instituti figuron atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare12” . Dorëheqja nuk u pranua, nën arsyetimin “se emnimi i tij asht i përjetshëm simbas Statutit”13 .
Në kohën e qëndrimit në Romë, fillimisht autoritetet italiane më 1942 dhe më pas ato gjermane më 1943, i propozuan postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Tiranës. Në të dyja rastet përgjigjja është refuzuese. Vetë Çabej është shprehur se “i kam hedhur poshtë dy propozimet për bashkëpunim me të huajt, si gjë që nuk pajtohej me nderin tim shqiptar dhe me të mirën e vendit dhe të popullit tim14” . Pa e shmangur një arsye të tillë, mendoj se kishte edhe dy arsye që ndikuan në përgjigjen refuzuese. Arsyeja e parë lidhet me faktin se Çabej nuk e konsideronte të rëndësishëm angazhimin në politikë. Në telegramin që përfaqësia diplomatike gjermane në Romë i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme, evidentohet se Çabej e kishte refuzuar postin e ministrit të Arsimit nën arsyetimin se “nuk e ndien veten të zot për postin e ministrit dhe nuk dëshiron gjithashtu të angazhohet politikisht15” . Krahas kulturës së marrë në familje për t’i qëndruar larg politikës, në mbrujtjen e tij, duhet të ketë ndikuar edhe fakti se në periudhën e Ahmet Zogut, nëpunësit dhe arsimtarët e kishin të ndaluar me ligj përfshirjen në veprimtari politike. Arsyeja e dytë, që duhet ta ketë çuar Çabejn, në refuzimin e postit të propozuar tanimë nga gjermanët, mendoj se lidhet me fundin tragjik që gjermanët i dhanë profesorit të tij të dashur, Nobert Jokli, i cili u vra prej tyre, ndërkohë që zhdukën edhe bibliotekën e tij personale. Ky mendim përforcohet edhe nga Brikena Çabej, e cila me bindje thotë se i ati “nuk mund të pranonte të bëhej ministër i gjermanëve, që i patën vrarë babanë shpirtëror, Joklin 16” .
Lajmi për vrasjen e të vëllait, Selahudinit, me detyrë nënprefekt i Tropojës, ishte sipas familjarëve, arsyeja e kthimit në Shqipëri të Çabejt. Me të mbërritur, në korrik 1944, ai filloi punë provizore në Ministrinë e Arsimit, në Komisionin e Teksteve shkollore (Inspektoria Eprore). Ndërkohë, Çabej vijoi të përmbushte angazhimin e tij në Institutin e Studimeve Shqiptare dhe të Artit, duke marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit të Gjuhës e të Letërsisë. Kjo marrëdhënie vazhdoi deri në maj të vitit 1945, kur Qeveria e Përkohshme Demokratike, mori në dorë drejtimin e Institutit të Studimeve dhe vendosi si përgjegjës të tij, Selahudin Toton. Tanimë Çabej u emërua nëpunës teknik 17dhe përgjatë viteve 1945-1946 drejtoi punën e grupit për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës, pjesë e të cilit ishin Sabiha Kasimati dhe Gjergj Komnino18 .

Tipare të shkencës dhe “punonjësit të mendjes” në vitet e para në Shqipërinë komuniste
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist, Shqipëria hyri në një fazë të re të zhvillimit politik, shoqëror dhe ekonomik. Struktura shtetërore dhe shoqëria shqiptare do të duhej të zhvilloheshin mbi baza krejt të reja, të cilat nuk kishin asnjë pikë takimi me atë çka kishte ndodhur në Shqipëri më herët.
Përjashtim nga e tëra nuk do të bënte as fusha studimore dhe “punonjësit e mendjes”. Që në mbledhjen e dytë të Frontit Demokratik më 7 tetor 1946, Enver Hoxha i konsideroi çështjet e arsimimit, kulturës dhe shkencës problemet më me rëndësi të Frontit dhe të Shtetit19 . Tashmë në atë që në terminologjinë e kohës konsiderohej si “Shqipëri e Re”, rrugën e së cilës e kishte shenjuar Lufta Nacional-Çlirimtare, zhvillimi i arsimit, kulturës dhe shkencës do të merrte tipare, thellësisht të ndryshme nga më parë. Ato diktoheshin nga modeli i ri që shteti dhe shoqëria shqiptare, do të duhej të ndiqnin. Sa i përket kulturës\shkencës Hoxha shprehej se në përgjithësi duhej të zhvillohej në baza shkencore, të pastrohej nga “të gjitha ideologjitë reaksionare që gjenden në kundërshtim flagrant me principet e mëdha që dualën nga Lëvizja Nacional Çlirimtare20” . Në të kundërt, ajo konsiderohej “antihistorike, antinjerëzore, shërbëtore e ulët dhe armë e poshtër në duart e klikave reaksionare21” .
Sikurse edhe në fusha të tjera, modeli mbi të cilin do të ngrihej shkenca shqiptare ishte ai sovjetik, i konsideruar si pararojë. Shkenca shqiptare, sikurse ajo sovjetike, duhej të kishte në themel një botëkuptim unik: materializmin dialektik që përbënte bazën filozofike të doktrinës së Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Ajo duhej të ishte “në shërbim të masave punonjëse” dhe e mbrujtur me frymë partie. Në funksion të kësaj fryme, ngjyresa politike që kultura\shkenca duhej të merrte ishte komponenti bazë i saj. Shkenca nuk mund të mos kishte përmbajtje ideologjike dhe për këtë, sikurse shprehej Manol Konomi, kryetar i Institutit të Studimeve, studiuesit nuk duhej të kishin as më të voglin dyshim22 .
Tiparet e mësipërme ishin përcaktuese edhe për veçoritë që duhej të kishte studiuesi dhe puna e tij. Së pari, “punonjësit e mendjes” duhej të njihnin realitetin e ri shoqëror dhe të shkëputnin çdo lidhje “të pashkëputur me botën e vjetër” dhe “shkencën borgjeze”. Metoda e punës së tyre do të duhej të ishte ajo marksiste-leniniste, pa të cilën nuk mund të përfitojë nga shkenca dhe kultura e popujve të Bashkimit Sovjetik23 . Përvetësimi i kësaj metode ishte i lidhur me njohjen e “botëkuptimit të ri” të materializmit filozofik dhe dialektik. Njerëzit e shkencës duhej të dilnin nga sferat e idealizmit, ku i kishin shtyrë “regjime reaksionare të së kaluarës” dhe të zbrisnin në sferën e realitetit. Ata duhej të ishin të lidhur me popullin/masat e gjera. Tashmë liria për studiuesin (për)kufizohej vetëm tek liria e njohjes së aspiratave, nevojave dhe problemeve të popullit, duke u shmangur hapur liria e mendimit dhe e gjykimit24 .
Gjithë sa më sipër do të ishin edhe linjat mbi të cilën do të duhej të zhvillohej puna në Institutin e Studimeve, i krijuar rishtazi nga qeveria e Enver Hoxhës, më 28 janar 194725 , me emër të ndryshuar në Institut të Shkencave një vit më pas. Një ndër 23 anëtarët e Institutit ishte edhe Eqrem Çabej.

Shteti komunist dhe studiuesi Eqrem Çabej
10 vitet e para pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, do të ishin të vështira për shqiptarët dhe intelektualët në veçanti. Regjimi do të kërkonte të konsolidohej dhe si rrjedhojë do të zhvillonte një propagandë dhe terror totalitar. Sikurse edhe në regjimet e tjera totalitare, terrori do të realizohej përmes një aparati policor të bindur deri në verbëri dhe të mirëdisiplinuar. Nuk ekzistonte parti tjetër përveç partisë-shtet dhe çdo kundërshtim apo mendim kundër linjës ideologjike të partisë dënohej rëndë 26. Krahas etjes për pushtet, terrori ushtrohej edhe nga tendenca për të krijuar “njeriun e ri” që duhej të ishte i denjë për shoqërinë komuniste, e konsideruar si e përsosur27 . Në këtë kuadër, me rëndësi mori puna me elitën/intelektualin.
Përqendrimi i vëmendjes në procesin e formësimit të një elite të re, e konsideruar e tillë jo për shkak të moshës por ideologjisë, mori rëndësi të posaçme edhe për komunistët në Shqipëri. Elita e re, krahas pjesës që do të krijohej rishtazi dhe do të shkollohej në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e demokracive popullore, nënkuptonte reformimin e elitës/kuadrove të vjetër dhe brumosjen me idetë e marksizëm-leninizmit. Në terminologjinë e kohës, “kuadro të vjetër” konsideroheshin ata që kishin studiuar në shkollat e Perëndimit, të cilët nga pikëpamja kulturore ishin nën influencën e asaj shkolle dhe nën zotërimin e ideologjisë borgjeze. Ata ishin pa parti dhe si të tillë kishin probleme ideopolitike. Elita e vjetër që nuk dakordësohej me formën e regjimit që po vendosej, konsiderohej nga Enver Hoxha dhe drejtuesit më në zë komunistë shqiptarë, si rrezik potencial. Si e tillë, ajo duhej “reformuar” që të bashkëpunonte me regjimin, në të kundërt konsiderohej tepër e rrezikshme dhe duhej margjinalizuar28 .
Nga sa më sipër marrëdhënia midis shtetit komunist dhe studiuesit Eqrem Çabej u kushtëzua nga disa aspekte:

1. E kaluara jetësore, me theks tek shkollimi në Perëndim, prejardhja familjare, rrethi shoqëror dhe veçanërisht vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Në lidhje me këtë aspekt, marrëdhënia midis shtetit dhe E. Çabejt kaloi nëpërmjet sitës së Sigurimit të Shtetit. Informacioni i parë, që mbërrin në trajtën e një shënimi në drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në lidhje me Çabejn, i përket Sektorit të Pushtetit, më 29 shtator 1946, sipas të cilit: “Eqerem Çabej në kohën e fashizmit ishte dërguar në Itali nga Ministria e Ekonomisë për të ndjekur disa studime. Mbas kapitullimit të Italisë ky ka patur marrëdhënie të mira me gjermanët se këta e emëruan ministër, mirëpo ky nuk pranoi se pse u këshillua nga shokët e internuar. Ky u kujdesua dhe asht elementi kryesor që bëri të vijnë në Shqipëri Stefo Grabocka me shokë. Na lë të dyshohet se ky ka qenë besnik tek gjermanët sa të liroj dhe të dërgoj në Shqipëri 30-40 shqiptarë të internuar prej italianëve dhe kaq jugosllavë. Dyshohet mbi qëndrimin e tij29” . Shënimi me gjasë ishte përpiluar nga Mehmet Shehu, në atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare, e më pas ministër i Brendshëm, prej nga ku varej drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në Dosjen Formulare të Çabejt, të dhënat për implikimin e tij në procesin e riatdhesimit të dhjetëra shqiptarëve, gjenden në materialin pa datë, që mban titullin: “Pjesë nga relacioni pa firmë i Gjeneral M. Shehut30” .
Nuk do të ishin të çuditshme lidhjet e afërta të Eqrem Çabejt me kulturën gjermane, që vinin për shkak të shkollimit në Vjenë. Dokumentacioni arkivor i konsultuar deri më tani dëshmon për kontakte sporadike të Çabejt me autoritetet gjermane në Romë31 . Telegrami i konsullit Gumpert i gjendur në Arkivin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, evidenton një përçapje/lutje të Eqrem Çabejt për riatdhesimin e shqiptarëve të internuar prej pushtuesve italianë në kampe të ndryshme të Italisë Veriore dhe të Mesme 32. Në lidhje me rastin në fjalë, në librin Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët) Petro Marko tregon se, Stefo Grabocka dhe Mina Uçi e kishin këshilluar që të takonte Eqrem Çabejn. Ky i fundit duhej “të mundohej dhe t’i siguronte një shkresë nga ambasada gjermane në Romë për të shkuar e për të mbledhur shqiptarët e burgosur e të internuar33” . Çabej ia kishte dalë të siguronte shkresën e kërkuar dhe Petro Marko u autorizua “nga ambasada gjermane e Romës të udhëtojë nëpër Itali për të mbledhur të burgosurit dhe të internuarit shqiptarë, që t’i sjellë në Romë, se këndej ata do të riatdhesohen. Autoritetet ushtarake të Rajhut janë të lutura të mos e pengojnë për të kryer misionin e tij34.”
Brikena Çabej, sërish duke iu referuar një bisede të saj me P. Markon, dëshmon se i ati kishte kontaktuar dhe ndërhyrë nëpërmjet një shoku klase të periudhës së shkollimit në Vjenë, i cili ishte mobilizuar nga gjermanët dhe mbante një post të lartë në strukturat pushtuese gjermane në Romë. Takimi mes dy bashkëstudentëve kishte ndodhur rastësisht në një kafene të Romës. “Në atë takim, ai shok i hershëm i kishte treguar se kishte mjaft gjëra në dorë e i kishte shfaqur gatishmërinë për ta ndihmuar në rast nevoje. Ndihma që Çabej i kërkoi shokut të vjetër në dimrin e vitit 1943 ishte pikërisht riatdhesimi i 23 bashkëpatriotëve të tij. Më tej, Petro Marko ka shkuar bashkë me Çabejn për të paraqitur këtë kërkesë [pranë autoriteteve përkatëse]35” .
Pavarësisht se ndërhyrja e Eqrem Çabejt rezultoi e suksesshme kjo nuk përligj ndonjë lidhje të afërt politike të tij me gjermanët. Deri më tani as dokumentacioni gjerman dhe literatura e konsultuar nuk japin indikacione për një gjë të tillë 36.
Në vijim, informacioni i Sigurimit të Shtetit për të kaluarën e Eqrem Çabejt vjen e plotësohet dhe zgjerohet. Në materialin e përgatitur nga seksioni i Tiranës, më datë 9 janar 1948, krahas fakteve që kanë të bëjnë me studimet e kryera në Austri, njohjen e disa gjuhëve të huaja, prejardhjes nga “shtresa të pasura”, jetës në “rrethe borgjeze”, përbërjes së rrethit shoqëror nga “elementë kundërshtarë të pushtetit”, siç ishin Selahudin Toto, Gjergj Ashta, Vedat Kokona, Sabiha Kasimati, pjesë e studiuesve të Institutit të Studimeve, theksi vihet tek e kaluara e Çabejt në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ky aspekt shkëputej nga konteksti, interpretohej dhe manipulohej në frymën e kohës, çka bënte që në tërësi informacioni të ishte i paplotë, larg të vërtetës. Sipas relacionit: “Okupacionin fashist e ka pritur mirë, duke e përhapur dhe deklaruar si mik të popullit tonë, ka punuar me mish e me shpirt për fashizmin dhe ka përkrahur njerëzit e tij. Për këtë u dërgua në Itali për studime, ku qëndroi deri në kapitullimin e Italisë. Mbas kapitullimit Eqeremi u caktua ministër i arsimit, me gjithë se akoma nuk ishte kthyer nga Italia. Gjatë okupacionit nazist u kthye në Shqipëri dhe filloi të bashkëpunojë me ta duke mbrojtur politikën e tyre37” .
Pavarësisht sa më sipër, ende në informacionet që i vinin Sigurimit të Shtetit, emrit të Eqrem Çabej nuk i ishte bashkëngjitur togfjalëshi “armik i pushtetit popullor”. Për herë të parë, ky togfjalësh përdoret në relacionin e datës 11 tetor 1950 të bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Prurësja”, por duke u specifikuar se nuk kishte “ndonjë aktivitet të zgjeruar antipushtet”. Etiketimi “armik i pushtetit popullor” ishte rrjedhojë e të kaluarës së tij, me fokus vitet e Luftës së Dytë Botërore. Informacioni tashmë pasurohej me dy të dhëna të reja: Çabej “ka të arratisur burrin e motrës eksponent i Ballit” dhe “prej partizanëve kur ende nuk ishte çliruar vendi i është vrarë një vëlla, ka qenë prefekt në Kosovë”. Një vend i posaçëm i kushtohej marrëdhënies së Eqrem Çabejt me Sabiha Kasimatin, kjo për faktin se “Prurësja” ishte personi i ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit për të mbikëqyrur këtë të fundit. Marrëdhënia midis tyre konsiderohej si “miqësi e ngushtë”, “më shumë me karakter politiko-kulturor”, midis të cilëve “bisedohet rreth kulturës, shkencës dhe veprave ... të shkrimtarëve me kulturë borgjeze. Kultura marksiste për ta konsiderohet si hiç gjë, veprat e Leninit jo si kryevepra, por si ngjarje të rastit.38” .
Marrëdhënia e Sigurimit të Shtetit me studiuesin Çabej mori përmasa të tjera, në vitin 1952, atëherë kur regjimi duhej të bindej për nivelin e rrezikshmërisë, duke e patur plotësisht nën vëzhgim veprimtarinë e tij. Përgjatë këtij viti, niveli i survejimit të “elementit kundërshtar Eqrem Çabej” do të kategorizohej fillimisht në nivelin IIB dhe që prej 4 tetorit 1952 në nivelin më të lartë, atë IIA. Të dy raportet e kategorizimit arrinin në përfundimin se Çabej kryente “aktivitet antipopullor, kundra atdheut dhe popullit39” . Raporti i kategorizimit në nivelin IIA paraqitet më i plotë në informacion, duke synuar të përligjë ndryshimin në një kategorizim më të lartë. Theksi vihej tek shkollimi në Vjenë, prej nga rridhnin tendencat naziste, që konsideroheshin të barasvlershme me ato antipushtet. Këto tendenca ishin përforcuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur ai kishte qëndruar në Itali, si “përfaqësues i Ernest Koliqit”, kohë kur i ishin propozuar postet e ministrit të Arsimit. Në përputhje me frymën dhe orientimin e udhëheqjes komuniste, qëndrimi i të përmendurit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte përcaktues edhe për qëndrimin e tij në të ardhmen. Sipas raportit, Çabej për shkak të së kaluarës së tij ishte “i predispozuar për të qenë armiku i klasës, që edhe sot vazhdon të veprojë, sepse ky qysh mbas çlirimit dhe sot vazhdimisht asht parë të shoqnohet me elementa të dyshimtë të tipit të tij...40” . Krahas emrit të biologes Sabiha Kasimati, tashmë e ekzekutuar në kuadrin e bombës në legatën Sovjetike, për të cilën spekulohej se ishte Çabej ai që kishte bërë punë armiqësore, rrethi shoqëror plotësohej me Shyrete Kurteshin, e përjashtuar nga partia, survejuar në nivel IIA, e cila më vonë do të ishte edhe bashkëshortja e tij; etnologun Rrok Zojzi, që konsiderohej “fashist me damkë”, survejuar në IIB; ish ministrin e Arsimit, kolegun e tij në Institutin e Shkencave
Sejfulla Malëshova, “tradhtar i partisë”, survejuar në IIA. Por, për ta kaluar nga kategoria IIB në atë IIA nuk kishte mjaftuar as “gjithë ky aktivitet”, as fakti se Çabej “asht nji element mjaft inteligjent edhe me nji kulturë të gjerë dhe eksponent i dorës së parë për reaksionin”. Ishte dashur “nji shënim qi ka vënë titullari i këtij dikasteri, gjeneral Leitnant Mehmet Shehu për t’u vënë në përpunim aktiv”, shënim ky që evidentohej nga nëntogeri Taip Rada si i rëndësishëm për ta kaluar rastin e Çabejt nga kategoria IIB në IIA 41.

Vendosja në kategorinë IIA u shoqërua me hartimin e planeve të detajuara të “masave operative agjenturore”. Nga tetori i 1952-shit deri në prill 1955-s u hartuan gjashtë plane masash. Plani i parë e vinte theksin tek përdorimi i agjenturës dhe bashkëpunëtorëve ekzistues të Sigurimit të Shtetit, “por nëse të tillë nuk gjendeshin atëherë të studiojmë gjetjen e një kandidati për rekrutim dhe ta rekrutojmë”. Menjëherë u aktivizua një rrjet i tërë bashkëpunëtorësh, ku spikatin pseudonimet Prurësja, Drojtja, Edija, Dhelpërija, Çajupja dhe Taraboshi. Puna e tyre ishte të informonin në detaje mbi çdo aspekt të veprimtarisë së Eqrem Çabejt, karakterin që ai kishte, veprimtarinë shkencore, rrethin e njerëzve me të cilët shoqërohej, interesimin ose jo për politikë, bisedat që zhvillonte, jo vetëm në Institutin e Shkencave
apo Bibliotekën Kombëtare, por edhe shtëpi apo kudo ku ai shkonte, në Tiranë apo jashtë saj. Ndërkohë, filloi puna për të gjetur informacion nga procesverbalet e të akuzuarve të tjerë, prej nga ku duhej të nxirrej informacion që implikonte studiuesin Çabej. Qëllimi ishte që të përligjej “veprimtaria armiqësore agjenturore” e Eqrem Çabejt. Për shkak se nuk u sigurua informacioni që pritej, më 10 prill 1953 u përgatit plani i dytë i masave, ku u shtua mbikëqyrja e korrespondencës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, si edhe kontrolli i hyrjeve e daljeve në shtëpinë ku ai banonte. Por, pavarësisht planeve të njëpasnjëshme, dëshirës dhe vullnetit të Sigurimit të Shtetit për të zbuluar “veprimtarinë armiqësore dhe agjenturore” të Eqrem Çabej, objektivat mbetën të parealizuara. Planet e masave vijuan edhe pas vitit 1955, ndonëse me intensitet më të ulët, deri në vitin 1963, kohë kur Dosja Formulare do të arkivohej, por jo përgjithmonë.

Aspekti i dytë që kushtëzoi marrëdhënien e shtetit komunist me studiuesin Çabej ishte profili psikologjik dhe karakteri njerëzor. Natyra dhe karakteri i Eqrem Çabejt u vendos në fokus të punës së bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, për të kuptuar shkallën e rrezikshmërisë së tij. Në përgjithësi relacionet, ku spikasin ato të bashkëpunëtorit “Edija”, student i Çabejt dhe prej 1952 koleg me të, e përshkruajnë profesorin si njeri me kulturë borgjeze, mjaft i zgjuar e inteligjent, por dinak. Edhe në kohën e Zogut, “kur vendi i zakonshëm për shumicën e profesorëve ishte kafeneja, ky studionte, nuk është njeri i bixhozit”. Shfaqte ego të madhe, e çmonte shumë veten, prekej shpejt në sedër, por manifestonte gjithmonë maturi dhe seriozitet. Sa i përket asaj që në terminologjinë e kohës konsiderohej “anë politiko-shoqërore”, evidentohej mbajtja gjithnjë e me konsekuencë i bindjes së “një nacionalisti borgjes të vendosur42” .
Në përputhje me pritshmërinë e kohës, në fokus të relacioneve të bashkëpunëtorëve vendosej marrëdhënia e Çabejt me politikën. Në përgjithësi aty, evidentohej drejtë e kaluara jo politike dhe e tashmja indiferente\shpërfillëse karshi politikës. Bashkëpunëtori “Edija” e gjente me vend të tregonte mendimin e Çabejt se: “Ka disa njerëz të mëdhenj që qëndrojnë mbi politikën, nuk interesohen, se përfillin fare politikën”. “E tha me pasion këtë, theksonte “Edija”, aq sa më dha të kuptoj se edhe ai ishte i bindur se një qëndrim i tillë ishte i përshtatshëm për njerëzit e mëdhenj, prandaj ai mbante...43” . Më tej, Çabej konsiderohej mendjemadh, që nuk pajtohej me luftën e klasave dhe çështjet shkencore i shihte të ndara nga politika, duke sfiduar kështu ideologjinë e kohës.
Nga sa më sipër, përshkrimi i karakterit të Eqrem Çabejt përgjithësisht nuk e përligjte profilin e “armikut të pushtetit popullor” me rrezikshmëri të lartë. Ndonëse relacionet e bashkëpunëtorëve evidentojnë natyrën e tij tejet të rezervuar, prirem të mendoj se ky ishte një aspekt jo plotësisht i lindur i karakterit të Çabejt, por i krijuar nën ndikimin e rrethanave të kohës, si një masë mbrojtëse karshi ashpërsisë së regjimit dhe ndjenjës së rrethimit nga spiunë të kudogjendur. Duke konsultuar Dosjen Formulare dukshëm të bie në sy se rrethi i personave me të cilët E. Çabej kontaktonte, zvogëlohet ndjeshëm, veçanërisht që prej vitit 1952, kohë kur ai u vendos në survejim. Kështu, nëse në vitin 1948, Çabej kishte kontaktuar 62 persona, në vitin 1953 numri kishte shkuar në 17, ndërsa në 1956-ën gjatë 5 ditëve të survejimit, ai kishte takuar jashtë familjes së ngushtë, vetëm 2 persona, njëri prej të cilëve ishte i vjehrri 44.
Po si qëndron profili veshur me ideologjinë e kohës përballë profilit të bijës për atin. Brikena Çabej e përshkruan kështu të atin “njeri i matur e i përmbajtur, me një edukatë të pabesueshme në komunikimin me të gjithë, që nga një fëmijë i vogël deri te plaku më i respektueshëm. E kam parë shumë rrallë të humbiste durimin dhe të nervozohej. Zakonisht kur ndodhte kjo, ikte nga dhoma. Nuk shante njeri dhe i shmangte konfliktet sa të mundej. Besoj se bënte atë që thotë populli që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”. Kishte një ndershmëri proverbiale dhe një karakter vërtet për ta pasur zili. I ndihmonte shumë të tjerët, nuk bënte asgjë me bujë. Kishte parime, të cilat nuk i shkelte kurrë. E dinte fort mirë se ku ishte dërrasa e kalbur dhe i qëndronte larg. Mundohej t’i nguliste mendime e ide njerëzve përreth pa dhënë këshilla, por duke dhënë shembullin e tij; ishte një shprehje që përmendej shpesh në shtëpinë tonë, ai e përmendte shumë shpesh: “Fjalët të mësojnë, shembujt të tërheqin”. Nuk ankohej kurrë, megjithëse nuk ka bërë jetë të lehtë. Për gjërat që i dhimbnin nuk fliste. Në qoftë se kishte një thelb në karakterin dhe në qenien e tij, ishte atdhedashuria dhe patriotizmi. Sa i përket politikës, e ndiqte me interes, por vetë shmangte plotësisht që të merrej me të45” .

Aspekti i tretë që ravijëzoi marrëdhënien e shtetit komunist me studiuesin Çabej, ishte raporti që Partia dhe Enver Hoxha krijoi me Institutin e Shkencave
në përgjithësi dhe atë vetë, në veçanti. Kjo marrëdhënie u kushtëzua nga vëmendja që mori nga njëra anë përgatitja e “kuadrove të rinj” dhe rolit që do të luanin studiuesit me përvojë dhe nga ana tjetër procesi i reformimit të “kuadrove të vjetër”.

Duke nisur nga fillimviti 1950, kohë kur Sekretariati i Komitetit Qendror (KQ) të PPSh-së dhe personalisht vetë Enver Hoxha mori plotësisht në dorë Institutin e Shkencave
, lidhja formale e organeve të partisë dhe me institucionin e vetëm shkencor në Shqipëri, përbënte shqetësim për udhëheqjen. Për Enver Hoxhën ngritja e Institutit të Shkencave ishte padyshim një sukses, por Partia nuk kishte krijuar një pikëpamje të drejtë për punën aty “duke e konfonduar atë me kuadrin e vjetër që është atje46” . Instituti, vijonte ai, “nuk është parë me sy të mirë, puna e tij është nënvlerësuar..., duke qenë atje kuadro të vjetra është humbur besimi në punën e Institutit nga që ata janë më të shumtë dhe pse ka vetëm dy tre anëtarë partije atje”. Në këtë kuadër, E. Hoxha konsideronte të rëndësishme marrjen e dy masave: së pari “duhet të kemi kujdes se Instituti nuk është atje për të vënë kuadrot e vjetra, por ata që janë atje ne duhet të përpiqemi dhe t’i bëjmë që të punojnë”; së dyti “duhet të kujdesohemi që të përgatisim kuadro të tjera”, për të cilët duhej të përdorej edhe përvoja e eksperienca e “kuadrove të vjetër”.

Që prej asaj mbledhjeje, puna në Institutin e Shkencave
do të vendosej në lupën e partisë, madje personalisht Hoxha do të merrte në dorë raportet dhe planet e punës aty. Sakaq ai u shpreh: “se ne na duhet të dimë mirë se cilat janë kuadrot që punojnë mirë atje dhe kjo, jo vetëm me emrat dhe biografitë e tyre, por edhe me kapacitetin e tyre”. Si shembull, u mor prej tij, vetë Eqrem Çabej: “Ne e dimë,... se çfarë elementi është Eqrem Çabeu, por duhet të përpiqemi që ta bëjmë të punojë. Këto kuadro KQ duhet t’i marrë dhe t’i studiojë mirë dhe këtë do të mund ta bëjë, po të dijë mirë se çfarë bëhet atje47” .

Tashmë, periodikisht thuajse çdo dy vjet kur në organet udhëheqëse do të diskutohej puna e Institutit të Shkencave, Enver Hoxha do të përmendte emrin e studiuesit Çabej. Ai do të ishte kështu, përfaqësues i asaj kategorie të elitës së vjetër, të pa parti, që nuk bënte përpjekje për të përqafuar ideologjinë marksiste-leniniste, puna e të cilit në kushtet e mungesës së studiuesve të rinj të përgatitur në BS dhe vendet e Demokracive Popullore, do të konsiderohej e rëndësishme për partinë dhe regjimin komunist.
Që prej sjelljes tejet të ashpër të shtetit me një pjesë të elitës së vjetër, eliminuar midis viteve 1946-1951 dhe spastrimit të administratës nga “elementët armiq”, në mbështetje të vendimit të Sekretariatit të KQ të PPSh-së, të 14 shkurtit 195148 , vihet re një zbutje e marrëdhënies së partisë\shtetit me “intelektualët e vjetër”, të konsideruar armiq.
Shqetësim për udhëheqjen komuniste përbënte fakti “i shkëputjes së urave” me ta. Përsa kohë veprimtaria intelektuale e kësaj kategorie konsiderohej e rëndësishme, puna e partisë “me intelektualët armiq” duhej të merrte vlerë. Lënia pas dore konsiderohej si “lëshim në vijë”, ndërkohë që theksi vihej tek fakti se “armiku nga ana e tij punon”. Në këtë frymë kërkohej që intelektualët, anëtarë partie, të kishin më durim dhe të luftonin sektarizmin ndaj elitës së vjetër, madje të mos nënvleftësonte kapacitetet e tyre. Elita e re nuk duhej të trembej nga marrëdhënia me të vjetrit, sepse ata ishin “të armatosur me marksizëm leninizmin dhe me shkencën e kulturën e përparuar sovjetike” e si të tillë “janë në mënyrë më absolute superiorë nga intelektualët e shkollës së vjetër dhe me ideologji të huaj49” .
Kjo qasje e re, në dukje më e zbutur në punën e partisë me “intelektualët e vjetër”, u përforcua edhe nga Enver Hoxha: “të kenë nji frymë shoqërore që t’i ndihmojmë për të shkuar përpara ... Por kjo nuk arrihet në mënyrë policeske, me dhunë, me përplasje grushtesh në bango, me kufizim me mbytje të diskutimeve, me metoda imponimi e të tjera të kësaj natyre. Kjo do të thotë: ja ky është intelektuali me të metat e tija dhe me të mirat e tija, xhvishe nga të metat, ndihmoje për këtë dhe bjere në rrugë50” .
Gjithë sa më sipër u reflektua edhe në qëndrimin ndaj Eqrem Çabejt. Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSh-së, të datës 25 janar 1952, që shqyrtoi punën e Institutit të Shkencave, u shmang diskutimi për “kuadrot e vjetër”. Madje, pyetjes së Mehmet Shehut: Çabeu e të tjerë duhet të mbeten atje?, Enver Hoxha nuk i dha përgjigje51 , duke nënkuptuar që ndaj tyre nuk kishte ashpërsim qëndrimi. Në këtë aspekt, Hoxha kishte anashkaluar edhe raportin e Misto Treskës, përgjegjës i Seksionit të Kulturës dhe Arteve në Drejtorinë e Agit-Propit në KQ të PPSh-së në të cilin Çabej konsiderohej njeri që as politikisht as ideologjikisht nuk ishte me komunistët, dhe ç’ishte më keq, as që mund të edukohej e të korrigjohej52 .
Qëndrimi karshi tij do të ndryshonte në vitin 1954, kohë kur numri i “kuadrove të reja” të përgatitura në BS dhe vendet e tjera të Lindjes ishte rritur, duke zvogëluar raportin e kësaj kategorie me atë të “kuadrove të vjetra” në Institutin e Shkencave
. Situata e re do të vihej në dukje nga vetë Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSh-së, më 24 shkurt 1954. Sipas tij: “ne kemi me qindra kuadro të mësuara me teori e me shkencë të lartë të pararojës”. Tashmë kishte ardhur momenti që t’i jepej fund praktikës së deriatëhershme, kur “nuk kishim kuadro të larta, kur ata ishin të pakta, numëroheshin me gisht pra ahere kjo punë për ne ishte e vështirë”. Qëndrimi i Enver Hoxhës në lidhje me intelektualët e vjetër, të konsideruar armiq, do të ishte i ashpër: “t’i japim fund një herë e mirë me ata elementë të vjetër që nuk kanë asnjë lidhje me shkencën tonë të re dhe me pushtetin tonë, por që bile janë edhe armiq dhe gjoja mbahen atje pse janë të mësuar dhe të ditur. Diturija e njerëzve si Sejfulla Malëshova, Eqrem Çabej, etj., ...nuk na vlen për në Institut, i cili ka qëllime të mëdha. Ne duhet t’i japim kompetenta institutit, që ata njerëz të mos i mbajë më se, mjaft i kemi mbajtur dhe në ato duar ne nuk mund të japim sekretet shkencore tonat. Prandaj duhet t’i pastrojmë ata njerëz... Instituti I Shkencave... nuk mund të mbajë në gjirin e vet njerëz që qëndrojnë atje sepse janë gjoja pleq, të pjekur ose të ditur, kur në një kohë ata janë armiq të pushtetit tonë popullor, të shkencës së re dhe të socializmit...53” .

Por, marrëdhënia e Partisë me studiuesin Çabej do të marrë një tjetër qasje, duke nisur nga viti 1955. Në mbledhjen e Byrosë Politike, më 3 mars 1955, kur u diskutua përbërja e re e Institutit të Shkencave, në ndryshim nga një vit më parë, entuziazmi i Enver Hoxhës për rritjen e numrit të studiuesve të Institutit të Shkencave, kishte rënë. “Nuk mund të japim 40 veta”, konstatonte ai, ashtu sikurse ishin nevojat atje54 . Por, mbledhja rezervoi një surprizë në lidhje me qëndrimin karshi Eqrem Çabejt, emri i të cilit ishte propozuar nga Instituti I Shkencave që të hiqej nga përbërja e tij. Për të mos hedhur poshtë atë që vetë Enver Hoxha kishte thënë për Çabejn një vit më parë, fjalën në lidhje me të e mori një tjetër pjesëtar i familjes, Nexhmije Hoxha, drejtore e sektorit të Agjitacionit e Propagandës në KQ të PPSh-së. Ajo u shpreh: “Për Eqerem Çabejin, po të nisemi nga ana politike mund të hiqet, por unë them se ai nuk duhet të hiqet, duke marrë parasysh se ai sot [shkencërisht] punon për neve, prandaj kjo të shikohet55” . Fjala e saj do të vuloste gjithçka dhe Çabej do të vijonte të punonte në Institutin e Shkencave
.

Puna studimore ishte kështu aspekti i katërt që kushtëzoi marrëdhëniet e shtetit me studiuesin Çabej. Nisur nga veçoritë e “punonjësit të mendjes” qasja e shtetit me të mban parasysh: fushën e kërkimit dhe cilësinë e punës shkencore, aspekt ky që në analizë të fundit ndikoi pozitivisht në marrëdhënien e shtetit me studiuesin Çabej; metodologjinë e punës, që në rastin e Çabejt rezultoi sfiduese në marrëdhënien e tij me shtetin. Pavarësisht përpjekjeve për imponimin e ideologjisë marksiste në punën e tij studimore, Çabej vijoi të shkruante duke u mbështetur në “ideologjinë borgjeze” dhe “shkollën idealiste gjermane 56” . Ky aspekt i dytë, në analizë të fundit ndonëse ndikonte negativisht në marrëdhënien e shtetit me studiuesin, në rastin e Çabejt u tolerua për shkak të punën së tij të domosdoshme dhe cilësore.
Në Promemorien “Mbi krijimin e një fakulteti universitar katërvjeçar për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Tiranë”, hartuar nga një grup studiuesish dhe paraqitur, më 17 gusht 1947 qeverisë shqiptare nga Dhimitër Shuteriqi, mungesa e specialistëve në fushën e shkencave shoqërore, ishte kryefjalë. Fakti se studimet gjuhësore brenda vendit kishin qenë mjaft të kufizuara, se në to ishin angazhuar pak persona, që më së shumti ishin ata që kishin pasur fatin të qëndronin afër ndonjë albanologu, evidentoheshin si arsyet e një situate të tillë. Eqrem Çabej ishte një prej tyre, që në Promemorie konsiderohej “kuadroja më i afirmuar nga pikëpamja shkencore gjuhësore 57” . I barasvlershëm me të qëndronte Kostaq Cipo, e pas tyre vinte Aleksandër Xhuvani, i vlerësuar për kulturën e gjerë shkencore dhe gjuhësore.
Sakaq, ministri i Arsimit, Sejfulla Malëshova kishte vendosur piketat e punës në Institutin e Studimeve/Shkencave. Fjalori i Gjuhës Shqipe, Historija e Literatyrës dhe Gramatika e Gjuhës Shqipe, ishin fushat në të cilat do të përqendrohej puna në sektorin e Gjuhësisë dhe Letërsisë 58. Tre ekipe studiuesish nisën nga puna, pjesë e të cilave ishte edhe Eqrem Çabej. Fillimisht ai punoi me Cipon dhe Xhuvanin për Ortografinë dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe, punë që në vazhdimësi u vlerësua si shkencore e kujdesshme dhe e kualifikuar59 dhe që prej 1950-s, u angazhua në Historinë e Letërsisë Shqipe. Puna për këtë të fundit e vendosi në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me drejtuesin e projektit, Dhimitër Shuteriqin, i anëtarësuar herët në parti, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Puna për hartimin e Historisë së Letërsisë Shqipe u fillua në shkurt të vitit 1950, por ajo nuk eci me ritmet e parashikuara60 . Për këtë, Dh. Shuteriqi bëri me faj Institutin e Shkencave
, që i kishte dhënë përparësi përgatitjes së Atlasit Gjuhësor të Shqipes, duke anashkaluar punën e transkriptimit të veprave të shkrimtarëve të vjetër si Buzuku e Budi, e konsideruar si e domosdoshme për Historinë e Letërsisë Shqipe. Në letrën që Shuteriqi dhe Mark Ndoja i dërguan kryetarit të Institutit të Shkencave, Manol Konomi, bënin me dije se Eqrem Çabej ishte “i vetëmi njeri ndër ne që ësht interesuar gjer më sot për “Atlasin e Shqipes”..., që ngurronte të merrte përsipër të punonte me autorët e vjetër të letërsisë shqipe. Puna për hartimin e Atlasit konsiderohej nga dyshja Shuteriqi-Ndoja si “utopike” dhe ngurrimi “për studimin e auktorëve të vjetër shqiptarë e të letërsis arbëreshe, ësht i dëmëshëm jo vetëm sepse pengon për hartimin e “Historisë së Letërsisë Shqipe”, por së shpejti do të influenconte edhe për çështje të tjera me rëndësi...”. Me ton urdhërues Shuteriqi-Ndoja, kërkonin që Çabej, Cipo e Xhuvani, “shkencëtarët më me eksperiencë për punë të gjuhës” të merreshin menjëherë me “studimin e transkriptimin e autorëve më me rëndësi, e pa u lejuar që tjetërkush të bëjë studimin e tjetërkush transkriptimin61” .

Prej këtej e ka zanafillën puna e Çabejt për transliterimin dhe transkribimin e Mesharit të Gjon Buzukut, libri më i vjetër në gjuhën shqipe i zbuluar deri më sot. Puna me Mesharin, e konsideruar nga specialistët e fushës “si punë murgu”, filloi në verë të vitit 1950 dhe përfundoi në vitin 1958. Ajo rezultoi e gjatë, tejet e vështirë, por cilësore dhe skrupuloze 62 . Në vitin 1955, kur Nexhmije Hoxha foli për punën e Çabejt, profesori ishte duke punuar pikërisht me Mesharin e Buzukut. Në këtë mënyrë, Meshari jo vetëm evidentoi domosdoshmërinë e punës së Çabejt, por në një farë mënyre u bë edhe shpëtimtari i tij 63.
Ndërkohë, puna e profesorit, të rezervuar e fjalëpak, i ishte bërë prezent Udhëheqjes edhe nga raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Spikasin këtu raportet e “Edijes”, në të cilat Çabej përshkruhej si studiuesi “që punon me leksin [leksikun] e teksteve të vjetra të gjuhës shqipe, të cilët i njeh mirë, punën e të cilit seksioni i gjuhësisë e shfrytëzon mirë; njeri që punon shumë..., që njeh gjithë anën teorike të shqipes, çfarë është thënë mbi të nga linguistët e mëdhenj”, i vetmi studiues i çmuar nga A. Xhuvani, “që nuk e nxjerr kurrë punën nga dora kur s’ka përfunduar si duhet 64” . Përshkrime të tilla, pa anashkaluar këtu qëndrimin e Udhëheqjes karshi Çabejt, do ta detyronin kapitenin Nuri Çakërri që në maj 1955, në Dosjen Formulare të Çabejt, të vendoste shënimin “Vlera e Çabejt në pikëpamje të Historis Linguistikës ësht e madhe. Sot që neve na mungojnë të tillë kuadro, unë jam dakort...që duke vlerësuar punën e tija, pa u kursyer ... të punohet për heqjen e botëkuptimit reaksionar ... kur është rasti për ndonjë delegacion shkencor në Demokracit Popullore ... ta dërgojmë gjithnjë me qëllim afirmimi 65” .

Përfundime
Periudha 10-vjeçare nga viti 1944 deri në 1954 rezulton të jetë më e vështira në aspektin njerëzor dhe profesional të studiuesit Eqrem Çabej. Gjatë këtyre viteve shteti komunist ndoqi ndaj tij politikën e dorës së hekurt, duke e survejuar, mbyllur në vetvete dhe ndrydhur thuajse në çdo aspekt të veprimtarisë së tij. Duke nisur prej 1955-ës marrëdhënia e shtetit me të, gradualisht filloi e mori trajtat e politikës së dorashkës së kadifenjtë, që nuk ishte gjë tjetër veçse një formë shumë e hollë dhune dhe manipulimi, me synim nënshtrimin përmes shtrëngimit dhe përkëdheljes njëkohësisht 66 . Në rastin konkret, “përkëdhelja” fillon e bëhet e dukshme që prej vitit 1957, kur Eqrem Çabej u vlerësua me Urdhrin e Punës së Klasit II, për të vijuar me disa çmime të para të Republikës dhe dhënien e titullit “Mësues i Popullit”. Sakaq, prej vitit 1961, Çabej do të ishte pjesë e diskursit publik të Enver Hoxhës, duke u konsideruar si “mik i vjetër” dhe “profesor me rezultate të shkëlqyera 67” . Në vijim, nga gushti i 1963-shit, me ulje e ngritje të herëpashershme, ai u bë pjesë e delegacioneve të studiuesve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Regjimi kishte nisur kështu të projektonte përdorimin e punës së pashoq të profesorit të gjuhës, si pasqyrë të tij në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, larg syve të publikut zhvillohej ana tjetër e dorës së hekurt të totalitarizmit shqiptar. Ajo mban emrin Dosja Formulare, numër 2383, që ekzistoi si e tillë deri pesë muaj pas ndarjes nga jeta të profesor Çabejt. Në brendinë e 205 fletëve të saj zbulon “tjetrin” e Çabejt studiues, atë të Çabejt “armik i pushtetit popullor”, që nuk e përqafoi marksizëm-leninizmin, me një vëlla të vrarë nga komunistët dhe kunatin eksponent të Ballit Kombëtar, arratisur në Amerikë. Këto dy aspekte të fundit, pjesë e historisë së tij familjare në vitet e Luftës së Dytë Botërore, gjatë gjithë jetës ishin kambanat e alarmit, çekanët mbi kokë, për ta frikësuar dhe bindur njëkohësisht, duke dashur t’i kujtonin se për regjimin ai ishte “i dashuri armik”.


  1. Brikena Çabej, “Takimet e tim eti me Enver Hoxhën”, në http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/03/08/brikena-cabej-takimet-e-tim-eti-me-enver-hoxhen/, klikuar, 13 qershor 2018. ↩
  2. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (më tej: AIDSSh), Dosja Formula e Eqrem Çabejt, fl. 12.↩
  3. Për një informacion të plotë në lidhje me biografinë e Eqrem Çabejt shih: Shaban Demiraj, Eqrem Çabej. Një jetë kushtuar shkencës, Tiranë: 8 Nëntori, 1990; Eqrem Çabej, personalitet i shquar i shkencës dhe i kulturës shqiptare (Në 90-vjetorin e lindjes), Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Sesioni shkencor i albanologjisë. Studime shqiptare 9, Tiranë: Botimet Çabej MÇM, 1998; Eqrem Çabej dhe vendi i tij në shkencat albanologjike, Aktet e konferencës shkencore në 100-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Tiranë: Kristalina KH, 2009.↩
  4. Eqrem Çabej kishte marrë bursë nga shteti shqiptar për një periudhë 13-vjeçare (1 tetor 1920 deri 31 dhjetor 1933), në vlerën e 23.550 frangave. Arkivi Qendror i Republikës së Shqipërisë (më tej: AQSh), Fondi (më tej: F.) Ministria e Arsimit, Viti (më tej: V.) 1935, Dosja (më tej:D) 524, fl. 1. Shkresë e ministrit të Arsimit për Ministrinë e Financave, Tiranë, 29 janar 1935. ↩
  5. AQSh, F. Ministria e Arsimit, D. 33, V. 1934, fl. 100 – 106. Raport drejtorisë së Gjimnazit shtetëror të Shkodrës për Ministrinë e Arsimit, Shkodër, 12 gusht 1934. ↩
  6. Shih: Jup Kastrati, “Bibliografi për Eqrem Çabejn”, Studime Filologjike, Nr. 3, Tiranë: 1981, f. 219-254.↩
  7. AQSh, F. Partia Fashiste, V. 1940, D. 138, fl. 15-20. Raport i Federatës së Fashios së Tiranës dërguar Drejtorisë Qendrore të Partisë Fashiste Shqiptare, Tiranë, 29.7.1940; Sh. Demiraj, Eqrem Çabej...., f. 12-13.↩
  8. AQSh, F. Ministria e Arsimit, D. 780, V. 1942, fl. 1. Njoftim i Ministrisë së Arsimit dërguar prefekturës së Tiranës për pajisjen të Eqrem Çabejt për të shkuar në Itali, Tiranë, 9 janar 1942.↩
  9. Kështu e konsideron Çabej periudhën e qëndrimit në Itali. Shih: AIDSSh, Dosja Formula e E. Çabejt, fl. 12.↩
  10. AQSh, F. Instituti i Studimeve Shqiptare, V. 1940, D. 10, fl.1-3, Dekret i Mëkëmbësit të Madhërisë së Tij Viktor Emanuelit III, 10 gusht 1942 ; V. 1942, D. 19, fl. 11 Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare për anëtarët e Këshillit të Institutit, Tiranë, më 28 shtator 1942; fl. 13, Letër e Kryetarit të Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare (nuk e jep se kujt i drejtohet), Tiranë, më 9 tetor 1942; V. 1944, D. 1, fl. 4, Kryesija e Këshillit të Naltë për Institutin Shqiptar për Studime e Arte, Tiranë, 22 prill 1944. ↩
  11. AQSh, F. Instituti i Studimeve Shqiptare, V. 1942, D. 19, fl. 13-18, Letër e Kryetarit të Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare (nuk e jep se kujt i drejtohet), Tiranë, më 9 tetor 1942. ↩
  12. AQSh, F. Instituti i Studimeve Shqiptare, V. 1942, D. 1, fl. 16. Letër e Eqrem Çabej dërguar Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, 27 shtator 1942. ↩
  13. Po aty, fl. 17. Kryetari i Institutit, Ernest Koliqi për Kryeministrin, Tiranë, 5 tetor 1942.↩
  14. Sh. Demiraj, Eqrem Çabej..., f. 13.↩
  15. Buletini Arkivor Ushtarak, Nr. 1-2/2017. Përmbledhje dokumentesh nga Fondi i Komandës Gjermane 1940-1944, Tiranë: Ministria e Mbrojtjes. Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura, 2017, f. 153-154. Përfaqësia diplomatike në Romë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Romë, 8 dhjetor 943.↩
  16. Intervistë e Brikena Çabejt dhënë L. Dushkut, qershor 2018.↩
  17. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 12, Biografi e Eqrem Çabejt. ↩
  18. AQSh, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1942, D. 22, fl. 146-147 Mbledhja e Përgjithshme për Riorganizimin e Institutit, 13 prill 1946.↩
  19. Buletini i Institutit të Studimeve, Viti I-rë, qershor 1947, Nr. 1, f. 14. Fjala inauguruese e Manol Konomit, kryetar i Institutit të Studimeve, mbajtur n’Asamblenë e Përgjithshme t’Institutit më 28.4.1947.↩
  20. Enver Hoxha, Për shkencën, Vëll. 1, Tiranë: 8 Nëntori, 1985, f. 12.↩
  21. Buletini i Institutit të Studimeve, Viti I, qershor 1947, Nr. 1, f. 3. Me rastin e së parës Asamble të Përgjithshme t’Institutit të Studimeve .↩
  22. Po aty, f. 11. Fjala inauguruese e Manol Konomit, kryetar i Institutit të Studimeve, mbajtur n’Asamblenë e Përgjithshme t’Institutit më 28.4.1947.↩
  23. Buletini i Institutit të Shkencave, Viti IV, Nr. 1-2, 1950, f. 136. Fjala e Tuk Jakovës, nënkryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë në mbledhjen e Seksionit të II të asamblesë së Institutit të Shkencave, 17-18 mars 1950.↩
  24. Buletini i Institutit të Studimeve, Viti I, qershor 1947, Nr. 1, f. 11. Fjala inauguruese e Manol Konomit, kryetar i Institutit të Studimeve, mbajtur n’Asamblenë e Përgjithshme t’Institutit më 28.4.1947.↩
  25. AQSh, F. Këshilli i Ministrave (490), V. 1947, D. 7, fl. 1. Vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 16, dt. 28.1.1947. ↩
  26. Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmave, Prishtinë: Dija, 2002, f. 589.↩
  27. Chantal Millon Delsol, Idetë politike në shekullin XX, Tiranë: Onufri, 2006, f. 53.↩
  28. Rast ekstrem në sjelljen e regjimit me elitën ishte ekzekutimi i inxhinierëve të Maliqit në vitin 1946, për të vijuar më tej me ekzekutimin e një grupi deputetësh të Kuvendit Popullor në vitin 1947 dhe grupin e ekzekutuar në kuadrin e bombës në Legatën Sovjetike, pjesë e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati. Shih: Sonila Boçi për inxhinierët e Maliqit në: http://old.shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=454639 ; Sonila Boçi, Hamit Kaba, “Deputetët opozitarë përballë ndërtimit të “shtetit të diktaturës së proletariatit”, Studime Historike, nr. 3-4, Tiranë: 2017; Kastriot Dervishi, Terrori Komunist 1951, Tiranë: ISKK, 2017; Uran Butka, Bomba në Legatën Sovjetike, Tiranë: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2018. ↩
  29. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 31. Përmbledhje materiali për Eqrem Çabejn, pa datë. ↩
  30. Po aty, fl. 70. Pjesë nga relacioni pa firmë i gjeneral M. Shehut, pa datë. ↩
  31. Politisches Archiv des Auswärtigen Amts, Rom (Quirinal), Band 129, Telegram i konsullit Schiep për ambasadën gjermane në Romë, Tiranë, 11 dhjetor 1942; Telegram i ambasadës gjermane në Romë për konsullin Schiep në Tiranë, Romë, 17 dhjetor 1912 (përkthyer nga Edmond Malaj); Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura (më tej: AQFA), Fondi (më tej: F): Dokumentet e Komandës Gjermane, V. 1943, D. 33, fl. 50. Telegram sekret i punonjësit të ambasadës gjermane në Romë Gumpert, për komandën gjermane, Romë, 26 tetor 1943 (përkthyer nga Edmond Malaj).↩
  32. AQFA, F. Dokumentet e Komandës Gjermane, V. 1943, D. 33, fl. 50. Telegram sekret i punonjësit të ambasadës gjermane në Romë, Gumpert, për komandën gjermane, Romë, 26 tetor 1943. ↩
  33. Petro Marko, Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët), Tiranë: OMSCA, 2000, f. 398-399.↩
  34. Po aty, f. 399.↩
  35. Intervistë e Brikena Çabejt dhënë L. Dushkut, qershor 2018.↩
  36. Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare, 1941-1944, përgatiti Hakif Bajrami, Prishtinë: Vatra, 1998; Buletini Arkivor Ushtarak, Nr. 1-2/2017. Përmbledhje dokumentesh nga Fondi i Komandës Gjermane 1940-1944...; Marenglen Kasmi, Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944 (Me këndvështrim në dritën e dokumenteve gjermane, Tiranë: Botimet Filara, 2013; Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945, Tiranë: Çabej MÇM, 2000. ↩
  37. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 25. Shkresë e Seksionit të Tiranës drejtuar Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, 9 janar 1948.↩
  38. Po aty, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 28. Relacion i “Prurëses” për Sigurimin e Shtetit, 11 tetor 1950. ↩
  39. Po aty, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 6. Raport propozimi për survejim në nivelin IIB për Eqrem Çabejn, data mungon; fl. 16, Raport kategorizimi në IIA për Eqrem Çabejn, 4 tetor 1952.↩
  40. Po aty, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 16. Raport kategorizimi në IIA për Eqrem Çabejn, 4 tetor 1952.↩
  41. Po aty.↩
  42. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 25. Shkresa e Seksionit të Tiranës për Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, 9 janar 1948; fl. 28. Relacion i “Prurëses” për Eqrem Çabejn, 11 tetor 1950; fl. 29. Raport i “Edijes” për Sigurimin e Shtetit, 29 shtator 1952; fl. 60-61. Raport i bashkëpunëtorit “Edije” për Sigurimin e Shtetit, 22 prill 1955.↩
  43. Po aty, fl. 60. Raport i “Edijes” për Sigurimin e Shtetit, 22 prill 1955.↩
  44. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl 34. Personat me të cilët është shoqëruar E. Çabej gjatë vitit 1948 dhe 1953; fl. 69. Përmbledhje e materialit të survejimit 5 ditor që iu bë E. Çabejt, 4 maj 1956. ↩
  45. Intervistë e Brikena Çabejt dhënë L. Dushkut, qershor 2018. ↩
  46. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1950, D. 80, fl. 25 (5). Protokoll i mbledhjes së Sekretariatit të KQ të PPSh, 30 mars 1950. Fjala e Enver Hoxhës. ↩
  47. Po aty, fl. 25 (6)↩
  48. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1950, D. 80, fl. 11. Vendim i Sekretariatit të KQ të PPSH “Mbi spastrimin e Aparatit Shtetëror nga elementë armiq”, 14 shkurt 1951.↩
  49. AQSh, F. 14\Strukturat, Viti 1951, D. 704, fl. 1-6. Puna me intelektualin, 13 korrik 1951.↩
  50. Po aty.↩
  51. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1952, D. 28, fl. 135. Protokoll i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSh, 25 janar 1952. Fjala e Enver Hoxhës. ↩
  52. AQSh, F. Këshilli i Ministrave, V. 1950, D. 1881, fl. 12-14. Letër e Misto Treskës për Bedri Spahiun, 3 shtator 1950.↩
  53. AQSH, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1954, D. 9, fl. 47-49. Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSh, 24 shkurt 1954. Fjala e Enver Hoxhës. ↩
  54. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1955, D. 9, fl. 221. Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSh, 3 mars 1955. Fjala e Enver Hoxhës.↩
  55. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1955, D. 9, fl. 222. Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSh, 3 mars 1955. Fjala e Nexhmije Hoxhës.↩
  56. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 23. Andrea Varfi për Eqrem Çabejn, 21 janar 1948; fl. 55. Raport i bashkëpunëtorit “Dhelpërija” për Sigurimin e Shtetit, 24 dhjetor 1953.↩
  57. AQSh, F. Ministria e Arsimit, V. 1947, D. 33, fl. 1-11. Promemorie “Mbi krijimin e një fakulteti universitar katërvjeçar për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Tiranë”, 17 gusht 1947↩
  58. AQSh, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1942, D. 22, fl. 146-147. Mbledhja e Përgjithshme për Riorganizimin e Institutit, 13 prill 1946.↩
  59. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1950, D. 80, fl. 4. Relacion mbi aktivitetin e Institutit të Shkencave, shkurt 1950.↩
  60. Puna nuk eci me ritmet e parashikuara deri në janar 1952, kohë kur Byroja Politike e KQ të PPSh vendosi përparësi të punës në Institutin e Shkencave
    , punën për Historinë e Letërsisë Shqipe. AQSh, F. 14/Organet Udhëheqëse, V. 1952, D. 28, fl. 24-27. Vendim i Byrosë Politike të KQ të PPSH mbi orientimin e punës shkencore dhe strukturën e Institutit të Shkencave, 25 janar 1952. ↩
  61. AQSh, F. Këshilli i Ministrave, V. 1950, D. 1881, fl.5-10, Letër e Dh. Shuteriqit dhe M. Ndojës për Manol Konomin, 18 gusht 1950.↩
  62. Merita Sauku-Bruci, “Botimet kritike filologjike – misioni i papërmbushur i albanologjisë”, kumtesë mbajtur në seminarin e Ohrit, 2007; Sh. Demiraj, Eqrem Çabej..., f. 115-126.↩
  63. Për punën e bërë me Mesharin e Gjon Buzukut, Eqrem Çabej u vlerësua në vitin 1962 me Çmimin e Republikës të Klasit I. Pak më herët, më 1957, ai ishte vlerësuar me Urdhrin e Punës së Klasit II. ↩
  64. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 29, Raport i “Edijes” për Sigurimin e Shtetit, 29 shtator 1952; fl. 60, Raport i “Edijes” për Sigurimin e Shtetit, 22 prill 1955. ↩
  65. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 61. Shënim me shkrim dore i kapitenit Nuri Çakërri, 12 maj 1955↩
  66. Hannah Arendt, Mbi dhunën, Tiranë: Pika pa sipërfaqe, 2015, f. 58.↩
  67. Nëntori, Nr. 8, Tiranë: 1961, f. 10. Nga fjala e shokut Enver Hoxha në mbledhjen e gjerë me shkrimtarë dhe artistë, mbajtur më 11 korrik 1961; Enver Hoxha, Vepra, Vëllimi 23. Janar 1962-tetor 1962, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSh, Tiranë: Shtëpia Botuese 8 Nëntori, 1977, f. 522. Fjala e Enver Hoxhës në takimin me përfaqësuesit e inteligjencës së kryeqytetit, 25 tetor 1962.↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *