Events

AIDSSH ne perkujtim ne masakres se 26 shkurtit 1951

Facebooktwitter

Masakra e 26 Shkurtit 1951

Informacion mbi 26 Shkurtin

Pasdreken e datës 19 shkurt 1951, u hodh një sasi e vogël dinamiti në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike. Pati alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politike të Tiranës dhe shqetësim në ambasadën sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS-së. Pleniumi i KQ të PPSH i ndërpreu përkohësisht punimet, sepse u mblodh urgjentisht Byroja Politike e KQ të PPSH, që mori në shqyrtim incidentin e rëndë në Ambasadën Sovjetike. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, disa qindra persona, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiluan listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 vetave (nga datat 19-26 shkurt 1951). Secili prej emrave të përzgjedhur, arrestuar me ngut dhe dënuar kishte një histori të pasur individuale dhe familjare, në fusha të ndryshme dhe përfaqësonte më së miri shtresën intelektuale e properëndimore të Shqipërisë së asaj kohe. Të arrestuarit u pushkatuan pas pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti me gjashtë nene, për „veprimtaritë terroriste” që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë nuk mori pjesë në këtë farsë. Pas ekzekutimit të viktimave që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan me mangësi. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, u mor vesh se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kish dhënë vendim për dënimin me vdekje të 22 të vdekurve.

Urdhër Arrestimi

Akt – Akuzë

Sabiha Kasimati

Sabiha Kasimati, 38 vjeçe E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave krahas shkencëtarëve të shquar në histori.

Tefik Shehu

Tefik Shehu, 39 vjeçI lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi.Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë.


Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Por jo më 26 shkurt 1951.

Pjetër Guraziu

Pjetër Guraziu, 45 vjeç
I lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.

Jonuz Kaceli

Jonuz Kaceli, 43 vjeç
Lindi në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulture, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, në Ministrinë e Brendshme e vranë në tortura dhe e hodhën nga dritarja.

Anton Delhysa

Anton Delhysa, 47 vjeç
Lindi në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fullcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë.Pas luftës, drejtoi punimet për për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave ë Vorë etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, pastaj me pushkatim…

Haki Kodra

Haki Kodra, 30 vjeç
Lindi në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin e zi të pushkatimit 1951.


Gafur Jegeni

Gafur Jegeni, 41 vjeç
Lindi në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali.Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri.Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut.U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene.U lirua nga anglo-amerikanët më 1943.Pas kësaj u tërhoq nga ushtria deri në shkurt të vitit 1951.


Myftar Jegeni

Myftar Jegeni, 36 vjeç
Lindi në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali.Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane.Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri.Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951.


Manush Peshkëpia

Manush Peshkëpia, 39 vjeç
Poet patriot, lindi në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën. Poradecin, Koliqin, Kutelin etj.

Shkrimtari Vedat Kokona shprehej: “Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë…Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty.Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jeshë poet në vargje, nuk është faj.Faj është të mos jeshë njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri”.

Reiz Selfo

Reiz Selfo
Lindi në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmesës së tij për lulëzimin e Shqipërisë.


Qemal Kasaruho

Qemal Kasaruho, 49 vjeç
Lindi në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.


Zyhdi Herri

Zyhdi Herri, 30 vjeç
Lindi në Tiranë. Studjoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë.


Gjon Temali

Gjon Temali, 47 vjeç
Lindi në Shkodër. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences.Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Njeri i përkushtuar në shërbimet humane të mjekësisë.


Petro Konomi

Petro Konomi, 30 vjeç
Lindi në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.


Niko Lezo

Niko Lezo, 50 vjeç
Lindi në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Kreu Universitetin e Tuluzës.në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik.në Tiranë. Po atë vit u zgjodh deputet i Delvinës. Më 1940 u arrestua dhe internua në Ventotene. Pas luftës punoi sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pandeli Nova

Pandeli Nova, 59 vjeç
Lindi në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist.Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.


Thoma Katundi

Thoma Katundi, 64 vjeç
Lindi në Katund të Korçës. Ish-vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951.

Mehmet Ali Shkupi

Mehmet Ali Shkupi, 58 vjeç
Lindi në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi.Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste.Pra prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq, shërbeu sajesa me emrin dyshim.


Ali Qorralliu

Ali Qorralliu, 61 vjeç
Lindi në Tiranë. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës përkrahu Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist. Megjithatë pas lirimit nuk ndërmori asnjë veprim kundër regjimit. U arrestua si “terrorist” dhe u pushkatua pa mëshirë, pa gjyq. La kujtimin e një njeriu të ditur e të pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë.


Fadil Dizdari

Fadil Dizdari
Me origjinë nga Shkodra, lindi në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave dhe të fejuarës së vet, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor.” “Faji” i tij ishte bujaria, teksa shiste pothuaj falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuara “të verdha”, të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler etj. Shpëtoi vetëm unaza e fejesës që u gjet në gropë, për të dëshmuar për krimin e mesnatës.


Hekuran Troka

Hekuran Troka, 32 vjeç
Lindi në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”. U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja u internua e punoi në punë të rënda për bukën e gojës.

Lluka Rashkoviç

Lluka Rashkoviç, 51 vjeç
Lindi në Mal të Zi. Erdhi në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike.

“Procesverbalet e hetimit”














Vendimi i Pafajësisë, 1991"

Familjet e të ekzekutuarve u përndoqën brutalisht për vite me radhë. Në korrik të vitit 1991 ata kërkuan pafajësinë e familjarëve të pushkatuar pa gjyq. Vendimi i Gjykatës së Lartë i shpalli të pafajshëm 22 intelektualët e dënuar.

Zhvarrimi, 1993

Në vitin 1993, të sinjalizuar nga banorë të zonës dhe të orientuar nga dëshmitarë okularë, familjarët arritën të gjenin vendekzekutimin dhe vendvarrimin e përfolur pranë Urës së Beshirit. Me identifikimin e vendit u krye edhe zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi me të gjitha nderimet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Presidenti i Republikës ka nderuar me medalje 22 intelektualët e ekzekutuar, po ashtu familjarët e tyre për vlerat dhe dinjitetin njerëzor të treguar në vite.

Dekorime të Presidentit të Republikës së Shqipërisë



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *