Studies

Sabiha Kasimati

Facebooktwitter

REGJIMI KOMUNIST DHE STUDIUESI: RASTI I BIOLOGES SABIHA KASIMATIT

Ledia Dushku, Doris Pasha

Metodologjia
Profili i biologes Sabiha Kasimati ka si qëllim të paraqesë aspekte thelbësore të veprimtarisë së saj intelektuale dhe shkencore, të vendosura në kontekstin historik të kohës. Analiza në të parë synon t’i japë përgjigje pyetjes se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Sabiha Kasimati para vendosjes së regjimit komunist, për të kuptuar në vijim sjelljen e regjimit karshi saj. Paraqitja në disa këndvështrime e personazhit ndihmon lexuesin të kuptojë deri në çfarë mase sjellja e regjimit ndaj intelektualit kushtëzohej nga veprimtaria shkencore, tiparet e profilit psikologjik, apo marrëdhënia me drejtuesit e lartë komunistë, në rastin e Sabiha Kasimatit me vetë Enver Hoxhën.
Materiali është konceptuar në mënyrë kronologjike, ndërkohë që aspektet problemore bëhen pjesë e kronologjisë përkatëse. Burimet kryesore arkivore të shfrytëzuara në përpilimin e profilit të Sabiha Kasimatit janë: dokumentet e Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë, pjesë e fondeve të Ministrisë së Arsimit, Liceut Kombëtar të Korçës, Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, fondeve të Partisë (Strukturat dhe Organet Udhëheqëse), Kryeministrisë; dokumentet e Dosjes së Hetuesisë së të akuzuarve për bombë në legatën Sovjetike dhe ato të Dosjes Formulare të Eqrem Çabejt, konsultuar pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (AIDSSh). Të vlefshme për këtë punim kanë qenë materialet e revistës së Institutit të Studimeve\Instituti I Shkencave; literatura mbi totalitarizmin, mbi komunizmin në Shqipëri dhe vendosjen e bombës në legatën Sovjetike.
Dokumentacioni i munguar i Sigurimit të Shtetit për Sabiha Kasimatin nuk ka dyshim se do ta kishte pasuruar profilin në fjalë. Njëkohësisht, një qasje më favorizuese për studiuesin e legjislacionit për konsultimin e arkivit të AIDSSh-së, do të shërbente për të realizuar plotësisht atë që në gjuhën shkencore, njihet si kërkim i tërthortë, në saje të të cilit do të zbuloheshin të dhëna plotësuese për Kasimatin, nga dosjet e personazheve të survejuar, pjesë e rrethit të saj shoqëror. Realizimi i plotë i këtij kërkimi do të shërbente për të kuptuar më gjerë dhe më thellë anën e errët të regjimit komunist në marrëdhënie me individin\studiuesin në përgjithësi dhe S. Kasimatin në veçanti.

Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri dhe sjellja ndaj elitës
Pas Kongresit të Përmetit të majit 1944, rruga drejt pushtetit për Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSh) dukej se ishte jo fort e largët. Rezistenca kundër pushtuesve dhe pas nëntorit të 1944 fitorja ndaj tyre, u dhanë komunistëve kredite jo të pakta popullariteti, duke lehtësuar kështu ngritjen e tyre në pushtet1 . Pavarësisht kësaj, komunistët shqiptarë nuk ndjeheshin fort të sigurt në rrugën e tyre si të vetëm, drejt legjitimimit të pushtetit.
Më 17 tetor 1945 u zhvillua Plenumi IV i Komitetit Qendror të PKSh-së, i cili analizoi situatën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Enver Hoxha në referatin e tij “Mbi situatën e brendshme dhe të jashtme” theksonte se “reaksioni jonë [opozita kundër PKSh-së] nuk i kishte rrënjët në ujë”. Sipas tij, situata ndërkombëtare kishte nxitur “reaksionin” për t’u organizuar dhe për të krijuar një lëvizje opozitare. Ai konsideronte si opozitarë të mundshëm popullsinë e veriut të Shqipërisë, e cila ishte tërësisht nën influencën e krerëve fisnorë; elementët e pakënaqur nga reformat e ndërmarra nga Qeveria Provizore Demokratike; klerin katolik; “shtresat e intelektualëve të pasqaruar dhe që kanë qenë ose janë në pozitat e armikut, ose në indiferencë, shtresat e tregtarëve të mëdhenj që i kanë goditur tatimet e fitimeve të jashtëzakonshme, spekulatorët e përhershëm, shtresat e bejlerëve dhe të agallarëve që i ka prekur ligji i Reformës Agrare dhe rreth këtyre me siguri mund të grumbullohen në rast se ne s’punojmë drejt dhe nuk zbatojmë si duhet vijën e Frontit, të gjithë ata elementë indiferentë të papërzier me politikë dhe që nuk arrijnë të kuptojnë si duhet manovrën e reaksionit dhe përpjekjet tona në këtë situatë të vështirë”2
.

Në të tillë situatë, u ndoq një politikë e ashpër dhe represive ndaj atyre që konsideroheshin rivalë prej komunistëve. Krijimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës, ku u arrestuan dhe u vranë shumë kundërshtarë, lufta ndaj komuniteteve fetare, masat drastike ndaj shtresave të pasura dhe ashpërsimi në tërësi i luftës së klasave, ishin politika që regjimi kishte vendosur t’i ndiqte për të siguruar me çdo kusht pushtetin e komunistëve.
Ndërkohë, deklarimi i ndërkombëtarëve në Jaltë për të njohur vetëm ato autoritete “në të cilat të përfaqësohen gjithë elementët demokratë të popullsisë [dhe] që ndërmjet zgjedhjeve të lira duhet sa më shpejt të formojnë qeveri që i përgjigjen vullnetit të popullit”3 , si edhe frika nga “armiku fqinj jugor”4 , ndikuan që E. Hoxha të shkonte në zgjedhje, të cilat do t’i zhvillonte duke kontrolluar çdo mjet informacioni dhe propagande.
Studiuesi Afrim Krasniqi shprehet se: “Në rrethanat ku ndodhej vendi, me kundërshtarë politikë të detyruar të emigrojnë, me politikanë kritikë të arrestuar apo të internuar, me pronarë të shpronësuar, me komunitete fetare të sulmuara ashpër dhe me një makinë të fuqishme propagande, regjimi vendosi të zhvillojë zgjedhjet..., i sigurt se as teorikisht nuk kishte më shanse për refuzimin e tij”5 .
Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese u zhvilluan më 2 dhjetor 1945 dhe pa ndonjë surprizë, ato u fituan nga Fronti Demokratik6 . Nëpërmjet tyre, Hoxha kreu lëvizjen përfundimtare që i duhej atij dhe PKSh-së për të krijuar legjitimitetin ndërkombëtar dhe për të marrë pushtetin përfundimisht. Marrja e pushtetit “de jure” nga komunistët dhe zhdukja e opozitës e ktheu PKSh-në në partinë e vetme politike në Shqipëri. Shpallja e vendit Republikë Popullore, miratimi i Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë, më 14 mars 1946 dhe njohja që i dhanë zgjedhjet qeverisë së Hoxhës, legalizuan vendosjen e pushtetit të PKSh-së, ndonëse ajo vazhdonte të fshihej nën hijen e Frontit Demokratik.
10 vitet që do të vinin më pas, do të ishin vitet ku regjimi do të kërkonte të konsolidohej dhe si të tilla do të shoqëroheshin me një propagandë dhe terror totalitar. Ndërtimi i shtetit të diktaturës bazohej në dhunë sistematike, nëpërmjet së cilës shumë njerëz janë masakruar, vrarë e internuar. Terrori, shprehet studiuesja e totalitarizmit, Hannah Arendt, bëhet total atëherë kur ai përveç opozitës fillon dhe shtyp shoqërinë, pjesë e së cilës janë edhe intelektualët7 . Krijimi i një shoqërie homogjene është një ndër aspektet kryesore të totalitarizmit që nëpërmjet propagandës nuk tenton vetëm të ndikojë dhe të ndryshojë jetën e individit, por futet edhe në familje, në intimitetin e tij, duke shkatërruar çdo aspekt të individualitetit njerëzor.
Si pjesë e pandashme e ideologjisë totalitare, terrori dhe dhuna nuk i nënshtrohen rregullave të arsyes së zakonshme, shprehet studiuesja tjetër e totalitarizmit, Cantall Millon Desol. Ato realizohen përmes një aparati policor të bindur deri në verbëri dhe të mirëdisiplinuar, i cili nuk mjaftohet vetëm me dënimin e të akuzuarit, por duhet ta bëjë atë të pranojë gabimet. Nuk ekziston parti tjetër përveç partisë-shtet dhe çdo kundërshtim apo mendim kundër linjës ideologjike të partisë dënohej rëndë. Krahas etjes për pushtet, terrori ushtrohej edhe nga tendenca për të krijuar “njeriun e ri” që duhet të ishte i denjë për shoqërinë komuniste, e konsideruar si e përsosur8 . Në këtë kuadër, moment i rëndësishëm konsiderohej puna me elitën.
Për regjimin komunist në Shqipëri në fazën e parë të tij, përqendrimi i vëmendjes në procesin e formësimit të një elite të re intelektuale, e perceptuar e tillë jo për shkak të moshës, por brumosjes ideologjike, konsiderohej moment i rëndësishëm. Kjo elitë në një të ardhme të afërt do ta ndihmonte atë në vendosjen e paqes së brendshme dhe në rezultat final do të kryente ndërtimin e socializmit. Krahas pjesës rishtare, që do të shkollohej në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e demokracive popullore, elita e re nënkuptonte edhe reformimin e elitës së vjetër dhe edukimin e saj me idetë e marksizëm-leninizmit. Elita e vjetër, e arsimuar në Perëndim, me parime dhe ideologji të ndryshme nga ajo komuniste, që nuk ishte dakord me formën e regjimit që po vendosej, konsiderohej nga Enver Hoxha dhe drejtuesit më në zë komunistë shqiptarë, si rrezik potencial. Si e tillë, ajo duhej “reformuar” që të bashkëpunonte me regjimin, në të kundërt konsiderohej e rrezikshme dhe duhej “eliminuar”9. Mënyra sesi regjimi komunist u soll ndaj biologes Sabiha Kasimati përfaqëson një model sjelljeje tepër të ashpër të shtetit karshi studiuesit, në përpjekje për të eliminuar atë që për të konsiderohej kundërshtar politik dhe “armik i pushtetit popullor” me rrezikshmëri të lartë.

Kush ishte Sabiha Kasimati dhe çfarë përfaqësonte ajo
Sabiha Kasimati u lind në Edirne (Turqi e Sotme), më 15 shtator të vitit 1912. Në vitin 1927, familja u vendos në Korçë10. Kasimati vinte nga një familje intelektuale, ku i ati Abdurrahmani ishte doktor i njohur për kohën. Petro Luarasi, i cili është nga të paktët që ka studiuar figurën e S. Kasimatit e përshkruan kështu rrethin e saj familjar: “ ajo u mëkua, u rrit dhe u edukua si shqiptare e kulluar në vatrën e një familjeje të madhe në numër dhe vlera, me farefis të gjerë dhe lidhje të thella, me kontribute atdhetare, kulturore e shkencore..., u mëkua me dashuri për atdheun e të parëve të saj libohovitë, diturinë dhe vlerat universale” 11.
Shkollimi në Liceun Kombëtar të Korçës (1928-1931) ishte një moment i rëndësishëm në formësimin e Sabiha Kasimatit. Do të ishte Liceu ai që, krahas familjes do të ndikonte jo vetëm në formimin profesional por edhe në mbrujtjen e karakterit të saj. Kjo nuk ishte e rastësishme sepse Liceu kishte një trupë mësimore të përbërë nga pedagogë të kualifikuar shqiptarë dhe francezë, një program mësimor ku nxënësit përveçse njohurive shkencore, merrnin njohuri për edukatën morale si pjesë shumë e rëndësishme e jetës njerëzore, ndiqnin aktivitetet kulturore duke frekuentuar kinematë e qytetit, kishin lirinë e mendimit dhe formoheshin si qytetarë perëndimorë12 .
Si liceiste Sabiha Kasimati ra në sy për zgjuarsinë, vullnetin, natyrën e saj çapkëne e të çlirët dhe rezultatet e larta në mësime13 . Por, kjo ishte njëra anë e të kaluarës së saj që lidhej me Liceun, ana tjetër kishte të bënte me rrethin e njohjes aty. Ekziston mundësia që pikërisht në Lice, Kasimati të ishte njohur me Enver Hoxhën, i cili studionte aty.
Pas përfundimit të Liceut, Kasimati do të punësohej në Shkollën Amerikane të Kavajës (1932-1933), për t’u rikthyer sërish në Lice, më 3 tetor 1933, tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij. Por, qëndrimi në Korçë zgjati vetëm 2 muaj, pasi ajo u detyrua që për arsye shëndetësore të jepte dorëheqjen. Ministria e Arsimit e pranoi dorëheqjen dhe e transferoi në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë” si mësuese të gjuhës frënge14.
Këto do të ishin eksperiencat e para të punës së Sabiha Kasimatit, derisa të niste studimet në Itali në vitin 1936, me bursë të plotë nga shteti shqiptar, e përgjysmuar që prej shkurtit 193715. Ajo studioi për biologji në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë në Torino dhe u diplomua në vitin 1940. Teza e diplomës mbante titullin Fauna Ittica d’acqua dolce dell Albania (Fauna iktiologjike e ujërave të ëmbla të Shqipërisë)16.
Gjatë kohës si studente në Torino, S. Kasimati nënshkroi një kërkesë drejtuar Ministrisë shqiptare të Arsimit, me anën e së cilës disa studentë shqiptarë kërkuan dhënien e provimeve edhe në sezonin e vjeshtës. Në kushtet e problemeve me gjuhën italiane, lëndët e vështira dhe mungesën e teksteve, sezoni i verës konsiderohej prej tyre i pamjaftueshëm për të kryer plotësisht detyrimet shkollore17 . Nënshkrimi i kërkesës tregon edhe një anë të karakterit të vajzës së Kasimatëve, guximin për të kërkuar të drejtat e saj. Kjo e bën atë përveçse të zgjuar dhe inteligjente edhe një njeri të vendosur për të ngritur zërin, për të reaguar kundrejt asaj që ajo e konsideronte si padrejtësi.
Pasi u kthye nga Italia, Sabiha Kasimati më 13 nëntor 1940 doli fituese në konkursin e shpallur për postin e ndihmëssekretares në personelin e administratës arsimore. Pasi kaloi periudhën e provës, ajo u emërua ndihmëssekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941 filloi punë. Statusi i saj ndryshoi shpejt, kur më 17 nëntor të vitit 1941 u bë pjesë e trupës mësimore të Shkollës Normale Femërore “Nana e Skanderbeut”18 (ish Instituti “Nana Mbretneshë”), si mësuese e shkencave, kimisë dhe higjienës. Arsyet shëndetësore e detyruan në maj të 1943-it, të largohej nga mësimdhënia dhe të shtrohej në spital në Itali. Sabihaja ishte shëndetligë dhe vuante nga tuberkulozi. Ajo u nxor “në prituni” për një vit deri në maj të 1944-ës. Pavarësisht se nuk ishte pjesë aktive në procesin mësimor, gjatë periudhës së “pritunies”, ajo mori rrogë të plotë, e cila tashmë ishte 200 franga në muaj pasi kishte kaluar në gradë X të grupit A19. Mospërmirësimi i gjendjes shëndetësore, ndikoi që Kasimatit t’i zgjatej pritmëria deri më 1 maj të 1945-ës. Gjatë kësaj kohe, ajo do të gëzonte jo më një pagë të plotë mujore, por gjysmën e saj20. Nuk mund të lihet pa u përmendur fakti që ekziston një vendim gjatë kohës që Sabiha Kasimati ishte në kurim në Itali, që e gradoi atë nga profesoreshë e klasit IV në profesoreshë të klasit II, grupi A, me pagë mujore 260 franga21.
Nga sa më sipër, kuptojmë që, Sabiha Kasimati ka qëndruar 2 vite në pritmëri dhe vitin e parë është paguar me pagë të plotë, ndërkohë që vitin e dytë është rritur në gradë pa qenë mësuese aktive në Institutin Femëror “Nana e Skanderbeut” dhe është paguar me gjysmë page. Kjo na bën të mendojmë që në këtë periudhë ajo gëzonte një status të privilegjuar.

Fillesat në rrugën e shkencës
Marrëdhëniet e Sabiha Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943. Gjatë kohës që punonte si mësuese në Institutin “Nana e Skanderbeut”, ajo pati një bashkëbisedim me Ernest Koliqin, kryetar i Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, themeluar si Institut i Studimeve Shqiptare në prill të vitit 1940. Marrëdhënia e saj me Koliqin i kishte fillesat më herët, në periudhën e shkollimit në Itali, kur sikurse vetë Kasimati shprehej “Shkëlqesa e Juaj më përkrahu, si Titullar i Arsimit që ishi”22 . Menjëherë pas bashkëbisedimit, ajo i dërgoi një letër/raport kryetarit të Institutit, prej nga ku kuptojmë edhe arsyen e takimit.
S. Kasimati i paraqiti Ernest Koliqit një projekt mirëfilli shkencor, nëpërmjet të cilit ajo kërkonte që pranë Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare: të formohej “një koleksion zoologjik, tue filluar nga Dega e Iktiologjisë”, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; të përgatitej “një erbario mbasi flora shqiptare, siç dihet, ka provuar interesimin më të gjallë të botanistëve më të çquar, sidomos gjerman dhe t’Europës përgjithësisht”; të grumbulloheshin “në bashkëpunim të ngushtë dhe me Drejtorinë e Minjereve pranë Ministrisë s’Ekonomisë, llojet e ndryshme të mineraleve dhe të fosileve që gjinden në shtresat e tokës në Shqipni”23. Për suksesin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke të posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative. “Të gjitha këto, - evidentonte S. Kasimati - përveç interesit shkencor do të kishin edhe një randësi të lartë nga pikëpamja gjuhësore, mbasi do t’arrihesh të mblidheshin, të seleksionoheshin dhe të caktoheshin njëherë e mirë në rast se nuk ekzistojnë emrat dhe termat teknikë shqipe, gjë që do të pasuronte mjaft gjuhën t’onë kombëtare”24 .
Në projektin e mësipërm dukshëm vihet re mënyra shkencore dhe akademike e formulimit të tij. Ndonëse në fillimet e karrierës së saj si studiuese, propozimet e S. Kasimatit flasin për një intuitë dhe vizion shkencor, çka e bënte të ardhmen e saj akademike, tejet premtuese. Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare në mbledhjen e 18 shkurtit 1943, në mbështetje të projektit të Kasimatit vendosi të krijojë pranë tij një muze të shkencave, për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë. Që prej 22 shkurtit, Sabiha Kasimati do të gëzonte statusin e punonjëses me kontratë pranë Institutit, me një shpërblim mujor prej 200 frangash. Gjithashtu, ajo do të kujdesej për të përgatitur një përshkrim të materialeve të nevojshme dhe të librave për bibliotekën e posaçme25.
Përfundimi i studimeve në Itali në një degë të veçantë siç ishte iktiologjia, përgatitja e një projekti të mirëfilltë shkencor dhe përgjegjësia e ngarkuar nga Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare për ndërtimin e Muzeut të Shkencave, tregon se Sabiha Kasimati kishte hyrë tashmë në radhën e studiuesve premtues.

Regjimi komunist dhe sjellja ndaj Sabiha Kasimatit
Sabiha Kasimati vijoi t’i përkushtohej kërkimit shkencor edhe në vitet e para të regjimit komunist, veprimtari që në analizë të fundit do të kushtëzojë marrëdhëniet e regjimit me të. Dokumentacioni arkivor na bën me dije se Sabiha Kasimati ka qenë pjesëmarrëse në mbledhjen e datës 13 prill 1946 të Institutit të Studimeve Shqiptare, krahas figurave me zë të botës akademike shqiptare si: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahudin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja e kryesuar nga ministri i Arsimit, Sejfulla Malëshova bëri një analizë të veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantoi planin e ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve26. Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati së bashku me Gjergj Komninon kishte punuar në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe për terminologjinë e shkencave të natyrës, një ide të cilën ajo e kishte patur që dy vite më herët, në projektin paraqitur Ernest Koliqit.
Më 28 janar 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16 vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”27 . Instituti që do të funksiononte me një rregullore të përkohshme, do
të kishte në përbërje të tij “njerëz të shquar të artit dhe të shkencës, do merrej me problemet aktuale të vendit në kuadër gjithmonë të zhvillimit ekonomik dhe kulturor duke shfrytëzuar pasuritë natyrale dhe fuqinë prodhuese të vendit. Tri seksionet më të mëdha të Institutit do të ishin gjuhësi e literaturë, shkenca të natyrës, dhe pjesa e tretë do t’i përkiste historisë, sociologjisë dhe ekonomisë”28 . Në themel të punës së tij do të ishte ideologjia marksiste-leniniste, do të përdoreshin planet e punës, ndërkohë që modeli sovjetik do të ishte filli i kuq që do të përvijonte ndërtimin e shkencës në Shqipëri29 .

Manol Konomi, kryetar i parë i Institutit në mbledhjen inauguruese shprehej: “Ne duhet të marrim nga Bashkimi Sovjetik shkencën dhe teknikën. Duhet të studiojmë literaturën dhe artin e tij. Shkenca e re juridike do të na shërbejë në ngritjen e sistemit tonë ligjor. Eksperienca e Bashkimit Sovjetik do të jetë një ndihmë e madhe në zhvillimin e ekonomisë sonë dhe në organizimin e Shtetit tonë të ri”30.
Ndërsa vetë Enver Hoxha në vitin 1950, theksonte se: “Për të përmbushur detyrat e mëdha që na vë përpara ndërtimi i socializmit në vëndin tonë, shëmbëllën na e jep shkenca sovjetike, shkenca e pararojës. Sipas kësaj shëmbëlle së madhe ne Ju premtojmë se do të dalim nga izolimi dhe kufizimi në të cilin donin ta mbanin punën shkencore regjimet e së kaluarës, do t’i lëftojmë me vendosmëri dhe do t’i flakim tej mbeturinat e ideologjive kallpe borgjeze, do të përvehtësojmë sa më mirë të vetmen metodë shkencore, marksizmin-leninizmin dhe do të pajisemi me rezultatet e shkencës sovjetike”31 .
Po, cila ishte marrëdhënia e Sabiha Kasimatit me këtë institut, që tashmë me përjashtim të emrit të pjesshëm, në drejtim nuk kishte gjë të përbashkët me Institutin e Studimeve Shqiptare të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Nga dokumentacioni i konsultuar është e vështirë të zbulosh marrëdhënien e Kasimatit më Institutin e Studimeve përgjatë vitit 1947. Ndërkohë që në qershor të 1948-ës mbledhja e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi dhe miratoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati 32.
Në Shqipërinë komuniste, studimi i shkencave natyrore do të merrte rëndësi të veçantë, si të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik të vendit. Profesor Sotir Angjeli, shef i seksionit të Shkencave të Natyrës, në referatin e mbajtur në inaugurimin e Institutit të Shkencave, krahas problemit të ujit, të pyjeve, e konsideroi të rëndësishëm edhe studimin e peshkut dhe të peshkimit në Shqipëri 33. Kështu, Sabiha Kasimati, e vetmja e specializuar në iktiologji, do të ishte femra e parë studiuese që do të merrej me studimin e peshkut dhe peshkimit. Ajo do të botonte në Buletinin e Shkencave, nr. 2-3, 1948 një artikull shkencor mbi këtë aspekt, që çuditshëm nuk u pasqyrua në përmbajtjen e lëndës së revistës 34.
Artikulli vinte në dukje pasuritë kombëtare ujore të Shqipërisë, duke theksuar faunën iktiologjike shumë të pasur në sasi dhe në cilësi. Rëndësi i kushtohej faktorëve të larmishëm natyrorë, duke analizuar ndikimin që ata kishin pasur në shumëllojshmërinë e peshqve në ujërat shqiptare. Këtë larmi studiuesja Kasimati e përshkruante në terma shkencorë dhe e vinte theksin në cilësinë e lartë të peshkut në ujërat e ëmbla të bregdetit shqiptar.
Artikulli trajtonte edhe problemet e peshkimit, madje guximshëm evidentonte problemet e shumta me të cilat përballej ai, që nga mjetet primitive të përdorura nga peshkatarët, mungesën dhe përdorimin e kufizuar të barkave të peshkimit, mungesën e mjeteve dhe pajisjeve për konservimin e peshkut të gjallë, mungesën e mjeteve të transportit, pa anashkaluar dhe traditën e munguar të peshkimit dhe të një ligji të posaçëm për të. Prodhimi i peshkut, ishte një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar në artikull, pasi në bazë të raporteve të teknikëve dhe studiuesve të huaj kapaciteti i ujërave të brendshëm në Shqipëri, rezultonte shumë më i madh nga sa ishte prodhimi i momentit.
Studiuesja Kasimati shfaqej kritike ndaj situatës në të cilën gjendej peshkimi në Shqipëri, por pa u mjaftuar vetëm me konstatime. Ajo kërkonte që përmes fakteve të identifikonte problemet dhe t’i jepte zgjidhje atyre, zgjidhje që sipas saj do të kontribuonin në mosvarfërimin më tej të ujërave shqiptare dhe në shfrytëzimin e gjithë pasurisë iktike të vendit. Pishikultura (degë e iktiologjisë) dhe organizimi i peshkimit në baza racionale dhe moderne, duke ruajtur sigurisht pasurinë iktiologjike të vendit; organizimi më i mirë i peshkimit, duke përdorur mjetet moderne e ligjet ndërkombëtare, ishin zgjidhjet që ajo propozonte. Kjo e bënte Kasimatin një studiuese mendjehapur, në një regjim që diktonte gjithçka. Artikulli, që tregonte rritjen profesionale të S. Kasimatit, ishte bazuar në kërkime shkencore të realizuara përmes ekspeditave dhe kërkimeve periodike. Si një studiuese e arsimuar në Perëndim, referencat e saj ishin po ashtu të tilla, duke mos pasur asgjë të përbashkët me ideologjinë marksiste-leniniste dhe referencat e shkencës sovjetike.
Artikulli do t’i paraprinte një bashkëpunimi të mëtejshëm me Institutin e Shkencave, ku krahas përgatitjes së monografisë “Peshqit e Shqipërisë”, ajo do të ishte pjesëmarrëse në ekspeditat e ndryshme kërkimore35 , si edhe në përgatitjet për Muzeun e Shkencave. Për herë të parë, informacionin për monografinë “Peshqit e Shqipërisë” e gjejmë në planin e punës së Institutit të Shkencave për vitin 1948. Aty ishte parashikuar që “broshura “Peshqit e Shqipërisë” (rreth 100 faqe, 1200 kopje), punuar prej zj. Kasimatit”, të botohej në shtator36 . Ishte planifikuar edhe sasia e parave që do të shpenzohej për botimin e studimit 37. Duke u nisur nga koha e shkurtër për botimin e broshurës, priremi të mendojmë se botimi do të ishte në vija të përgjithshme puna e tezës së diplomës së Sabiha Kasimatit.
Nga hulumtimet e kryera rezulton se broshura nuk doli nga botimi atë vit, ndërkohë që puna kërkimore në repartin e zoologjisë ku bënte pjesë edhe Sabihaja, përgjatë vitit 1949 vijoi me hulumtime edhe në ujërat e kripur. Instituti I Shkencave raporton në buletinin e vitit 1949 se ekipi i zoologjisë ka mbledhur material iktologjik të “Liqenit të Shkodrës, të Bunës dhe të Drinit, në ujrat e Rrethit të Shkodrës; ka mbledhur materjal të njëjtë të ujrave të kripura dhe të bregdetit të Shëngjinit. Njëkohësisht ekipi ka bërë vrejtje natyre shkencore mbi zhvillimin e kulturës së peshqve, mbi llojet dhe vlerën ekonomike të këtyre”38 . E gjitha kjo na bën të mendojmë se botimi i broshurës është shtyrë, mbase për mungesë buxheti dhe, Kasimati ka vazhduar punën kërkimore për ta pasuruar studimin e saj edhe me ujërat e kripura. Shtyrja e botimit vërtetohet lehtësisht pasi në Buletinin e Institutit të Shkencave, nr.1-2, viti 1950, bëhet me dije se “në këtë vit janë dhënë për në shtyp studimet origjinale “Ortografia e gjuhës shqipe” kolektive dhe “Peshqit e Shqipërisë” e S. Kasimati”39 . Informacioni në lidhje me sa më sipër është më i plotë në projektplanin e punës së Institutit të Shkencave për vitin 1950, në të cilin ishte parashikuar që të botohej: “Një vepër mbi “Peshqit e Shqipërisë”, hartuar nga S. Kasimati. Vepra me 100 e ca faqe teksts dhe 50 e ca figura, do të vihet në shtyp në tremujorin e parë dhe do të dalë në tremujorin e dytë në 3.500 ekzemplarë”40
Studimi “Peshqit e Shqipërisë” ka parë dritën e botimit, ashtu sikurse ishte parashikuar në vitin 1950, pasi në raportin e bashkëpunëtores së Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Prurësja”, datë 27 prill 1950, tregohet se Sabiha Kasimati në bisedë të lirë me të ishte shprehur:
“...Tash kemi shpënë në shtypshkronjë një broshurë për t’u botuar; është vepra ime, pjesën më të madhe më ka ndihmuar dhe Çabeu [bëhet fjalë për Eqrem Çabejn]. Sot këtë broshurë vajta dhe e mora nga shtypshkronja. Ju thashë atyre se e kërkon Komisioni i Kontrollit...”41 .
Fatkeqësisht për momentin ne nuk zotërojmë asnjë informacion mbi fatin e mëtejshëm të tij. Çuditshëm nuk ka gjurmë as në Bibliotekën Kombëtare, ku nuk gjendet asnjë skedë që të vërtetojë ekzistencën e tij, madje as gjurmë në inventarin e regjistrimit të librave të kohës.
Studiuesi Leka Ndoja hedh hipotezën se puna e Sabiha Kasimatit është përvetësuar pas pushkatimit të saj në shkurt të vitit 1951 dhe është botuar në vitin 1958, me të njëjtin titull nën autorësinë e studiuesit rus Anatolij Poljakov dhe të shqiptarëve Ndoc Filipi dhe Ndoc Rakaj42 . Është e vështirë për ne që ta pohojmë një gjë të tillë, në kushtet kur mungon një analizë krahasuese shkencore midis librit “Peshqit e Shqipërisë” të Sabiha Kasimatit dhe atij të botuar nën emrat e autorëve të lartpërmendur. Përsa sa kohë nuk disponojmë broshurën e botuar në vitin 1950, kjo analizë krahasuese nuk mund të jetë shteruese. Megjithatë, studiuesit e fushës mund krahasojnë librin e botuar në vitin 1958 me temën e diplomës dhe artikullin e 1948-ës, punë të cilat Kasimati padyshim që do t’i kishte bazike në hartimin e studimit “Peshqit e Shqipërisë”. Petro Luarasi ka bërë një hap, ka përkthyer temën e saj të diplomës, në qendër të së cilës janë tipologjitë e ndryshme të peshqve, përkatësisht analiza e 7 familjeve të tyre; përshkrimi gjeografik i mjediseve iktiologjike, si edhe përshkrimi i shkurtër i industrisë së peshkimit në Shqipëri43. Ndërkohë, studiuesi i zoologjisë, profesor Ferdinand Bego ka bërë recensën shkencore, duke e vlerësuar tezën e saj si një “punim të shkëlqyer diplome, i shkruar me një gjuhë të pasur dhe korrektësi shkencore, në të cilën ajo demonstron njohuri të thelluara mbi shkencën e iktiologjisë dhe të mjediseve me ujëra të ëmbla të vendit tonë44” .
Mbetet e vështirë që nga dokumentacioni i momentit të arrish në një përfundim shterues në lidhje me përvetësimin e punës shkencore të Sabiha Kasimatit. Gjithsesi, nuk mund të mohohet fakti, se në lidhje me këtë çështje ka dyshime të arsyeshme, të cilat të çojnë të mendosh se një përvetësim i tillë mund të ketë ndodhur, aq më tepër, që studiuesit sovjetikë ishin ulur këmbëkryq në Shqipëri. Në një regjim totalitar, kush konsiderohej “armik” dhe dënohej si i tillë, nuk meritonte asgjë. Familja i internohej, emri i zhdukej, vepra i përvetësohej dhe ai/ajo dergjej në harresë. Siç thotë edhe Machiavelli tek libri i tij Princi; “kur është e nevojshme të dëmtohet një njeri ai duhet të dëmtohet rëndë, në mënyrë që askush të mos druhet më prej hakmarrjes së tij” 45.
Krahas punës intelektuale, aspekti i dytë që kushtëzoi marrëdhënien e regjimit komunist me Sabiha Kasimatin ishte natyra e çlirët në marrëdhënie me njerëzit, liria për të shprehur hapur mendimin, si edhe për të kundërshtuar politikat ekonomike, kulturore që regjimi komunist po ndiqte në Shqipëri. Për këtë arsye, ajo duhet të jetë vënë në survejim që herët nga Sigurimi i Shtetit, duke u konsideruar “armike të pushtetit popullor”. Deri më sot të dhëna të drejtpërdrejta për kohën dhe nivelin e survejimit nuk kemi, përderisa nuk ekziston një dosje personale formulare në fondin e Arkivit të Sigurimit të Shtetit. Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, studiuesit Kastriot Dervishit, dosjet personale formulare të Sigurimit të Shtetit për të gjithë ata që u ekzekutuan më 22 shkurt 1951, nën akuzën e bombës në Legatën Sovjetike, pjesë e të cilëve është edhe Kasimati, janë eliminuar.
Megjithatë disa informacione në lidhje me Sabiha Kasimatin, kemi mundur t’i gjejmë nëpërmjet kërkimit të tërthortë, duke konsultuar Dosjen Formulare të Eqrem Çabejt, studiues në Institutin e Shkencave. Aty kupton se Kasimati i shprehte hapur pakënaqësitë e saj ndaj regjimit. Në raportin e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Prurësja”, më 27 prill 1950, bëhet me dije se, S. Kasimati kishte thënë: “është interesante të kesh gjith numurat e gazetave që përmbajnë diskutimet sesa raportin e Komandantit. Kush e humb kohën kot, kurse në diskutime mund të gjesh gjëra interesante”. Kritikuese shfaqej ajo edhe në lidhje me diskutimin që “kish bërë Gjeneral Leitnant Mehmet Shehu për grupin e të rinjve, duke i akuzuar si të dobët nga morali”. Në raport tregohej se, Kasimati kishte shprehur pakënaqësi për politikat e ndjekura nga drejtuesit komunistë në lidhje me kuadrin: “udhëheqësit tanë kur duanë të venë ndonjë tjetër në Komitetin Qëndror që e kanë më të besimit, heqin ndonji që e kanë pasur, por që ju ka humbur besimi. I venë ca akuza të kota, që në qoftë se ay i ka zbatuar, prapë me urdhërin e tyre i ka zbatuar”46 .
Në raportin e datës 22 shtator 1950, sërish të bashkëpunëtorit “Prurësja” evidentohej se Kasimati “takohet me kaptera dhe gra të cilat kanë burrat kriminelë me damkë”. Madje, ajo shprehte pakënaqësi në lidhje me situatën ekonomike dhe varfërinë në vend, që konstatohet në thëniet e saj “shtypi dhe radjo thonë se amerikanët i ushqejnë t’arratisunit me mish kali, por ky i këtyre kutive këtej ça është vallë? Se neve nuk i kemi as këto. Rallë na bie t’i kemi, edhe këto me ndërmjetësinë e miqvet tonë”47 .
Ndërkohë, në raportin për Institutin e Shkencave të datës 3 shtator 1950, që Misto Treska përgjegjës i Seksionit të Kulturës dhe Arteve në Drejtorinë e Agit-Propit në Komitetin Qendror të PPSh-së, ia dërgonte Bedri Spahiut, e konsideronte Sabiha Kasimatin së bashku me Eqrem Çabejn “njerëz që as politikisht as ideologjikisht nuk kanë asgjë të përbashkët me ne, madje as që mund të edukohen apo korrigjohen” 48.

Fundi tragjik i biologes Kasimati
Momenti më kulmor në marrëdhënien e regjimit komunist me Sabiha Kasimatin është arrestimi dhe ekzekutimi i saj, së bashku me 21 persona të tjerë, shumica tregtarë, nëpunës të shtetit, të akuzuar për sulmin ndaj legatës Sovjetike49 . Vendosja e “bombës” në Legatën Sovjetike, më 19 shkurt të vitit 1951 do të konsiderohej si sulm terrorist ndaj regjimit dhe do të përdorej si pretekst për fillimin e një spastrimi ndaj “armiqve të popullit”. Në Plenumin e Byrosë Politike, më 20 shkurt 1951, Mehmet Shehu deklaroi: “Duhen të merren masa të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Ne duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegjie dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi pregatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni ju dakort veprojmë që sonte50” .
Menjëherë nisën arrestimet. Studiuesi Kastriot Dervishi pas konsultimit të dokumenteve në Arkivin e Ministrisë së Brendshme ka arritur në përfundimin se proceset janë mbyllur me të shpejtë, pa u bërë hetim real. Po sipas tij, regjimi e komunistët vuanin nga kompleksi i inferioritetit, kishin frikë nga njerëzit e arsimuar dhe të shkolluar dhe çdo veprimtari të tyre e interpretonin si “veprimtari armiqësore51” .
Ndërsa studiuesi Uran Butka në lidhje me sa më sipër shprehet:
“Ky ishte dhe motivimi politik i kupolës komuniste për masakrën me pretekstin e “bombës” në Legatën Sovjetike. Të arrestojmë 100 ose 150 vetë dhe të pushkatojmë nja 10 ose 15 prej tyre pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Pra ishin vetë partia, vetë pushteti politik, që shkelnin ligjet dhe kryenin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një gjenocid me përmasa të mëdha për motive politike e pushtetore52” .
Sabiha Kasimati u arrestua më 20 shkurt 1951 dhe u pushkatua një javë më pas. Emri i saj, çuditshëm ishte vendosur në listën e sektorit të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit ku përfshiheshin ballistët, legalistët dhe pronarët 53. Ajo akuzohej se ishte kundra regjimit dhe se mbante lidhje me elementë armiq. Sipas dosjes hetimore “Gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me elementë fashistë, shqiptarë e italianë. Ajo mban qëndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave dhe mban kontakte me elementë armiq.... Ajo akuzohet gjithashtu se ka pasur kontakt me deputetin anglez Lester Hutchiston. Gjithashtu ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez si V. Robinson dhe anëtarin e misionit të UNRRA-s J.S.Payne me të çilin ka pasur lidhje të ngushta. Ajo akuzohet si armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij dhe sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist etj54” .
Sipas procesverbalit të mbajtur nga Gjykata Ushtarake, pretendohet se Kasimati i është përgjigjur akuzave si vijon: “Akuzën e pranoj pjesërisht. Kam qenë kundra pushtetit popullor sepse nuk përputhet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit, që me akte revolucionare të arrihet në komunizëm, jam lidhur me një grup shokësh të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste. Ndër shokët e grupit tim ka pasur edhe njerëz që mendonin se duhet të hidheshin në aksione kundër pushtetit. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akte terroriste. Ka bërë vaki që të kem folur se një luftë e re është e paevitueshme dhe se kjo është në interes të popullit shqiptar. Gjë tjetër s’kam për të thënë55” .
Që procesi ka qenë i manipuluar del edhe nga dëshmia e pretenduar se është dhënë nga Kasimati, pjesë e Dosjes Formulare të Eqrem Çabejt. Ajo është e ndryshme nga dëshmia që gjendet në dosjen hetimore të Sabiha Kasimatit dhe të ekzekutuarve të tjerë të shkurtit 1951, duke implikuar emra konkretë të kolegëve të saj në Institutin e Shkencave. Mesa duket, Sigurimi i Shtetit, i cili e konsideronte “Institutin e Shkencave objekt ku janë grumbulluar njerëz me shumë interes...”56 , kishte përshtatur më vonë në kohë dëshminë e saj57 . Sipas dëshmisë: “Nga elementat që janë kundërshtarë të pushtetit të sotëm dhe që presin ndryshimin e situatës janë: Eqrem Çabej, Injac Ndoja, Rrok Zojzi, Zef Boriçi, Stiliano Gaxho, Andromaqi Gjorgji [Gjergji] e Sotir Paparisto, të gjithë me punë në Institutin e Shkencave. Me të cilët në raste të ndryshme kam folur duke kritikuar reformat e pushtetit si reformën agrare, goditjen e tregëtarëve, politikën e jashtme që ndjek shteti, kemi komentuar lajmet e radiove të huaja mbi jetën e vendeve perëndimore dhe mbi ndryshimin e situatës. Për këto gjëra konkretisht kam biseduar në hotel Dajti me Petro Fundon dhe Eqrem Çabejn, në zyrë me Sotir Papariston, në muze me Injac Ndojin, Zef Boriçin e Steljano Goxhon. Në shtëpinë e Rrok Zojzit me Eqrem Çabejn, Petro Fundon, Sandër Saraçin e Rrokun. Në zyrë dhe në shtëpinë time me Gjergj Gecon dhe Andrimaqi Gjorgjin58” .
Studiues të ndryshëm hedhin idenë se këto procesverbale janë shkruar nga vetë anëtarët e partisë, pasi koha në të cilën ndodhi e gjithë ngjarja ishte shumë e shkurtër. Uran Butka duke u mbështetur në dëshminë e prokurorit të Përgjithshëm Siri Çarçani, më 17 nëntor 1993, ku pohohet se “Gjykata e Lartë ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq fare ndaj të pandehurve”, si edhe në shqyrtimin e procesverbalit ku mungojnë firmat e trupit gjykues, arrin në përfundimin se jo vetëm që nuk është bërë ndonjë gjyq, por janë fabrikuar e falsifikuar procesverbalet nga Gjykata e Lartë Ushtarake, pas ekzekutimit pa gjyq të 22 personave të pafajshëm59 . Për ekzekutimin e tyre sistemi komunist u mjaftua me një dekret të hartuar me urgjencë më 26 shkurt 1951, ku mes të tjerash thuhej se gjyqi bëhej pa pjesëmarrjen e palëve dhe se kundërshtimi i vendimit nuk lejohej60 .
Vrasja e Sabiha Kasimatit, të vetmes femër në grupin e të pushkatuarve, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ka ngjallur debate dhe diskutime të ndryshme në opinionin publik shqiptar. Ka prej tyre që pohojnë se ajo është pushkatuar sepse në një takim me Enver Hoxhën apo letër të shkruar për të, ka kritikuar mënyrën sesi Hoxha po qeveriste vendin. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë përkujtimore “Sabiha Kasimati: figura, vepra, përndjekja dhe diktatura”, arkivistja Gentiana Sinojmeri kumton: “Me aq sa e njohim historinë diktatoriale të komunizmit ndoshta ka qënë e vetmja grua që shfaqi si një shuplakë profecinë e saj duke i thënë Enver Hoxhës: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?”61 .
Ne kemi bërë kërkimet e nevojshme në dosjet e klasifikuara të Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë dhe në materialet e Dosjes së Hetuesisë së të akuzuarve për bombë në legatën Sovjetike, por nuk kemi gjetur një letër të Sabiha Kasimatit për Enver Hoxhën. Ndërkohë, familjarë të saj, në intervistat e dhëna në shtypin e përditshëm, pohojnë se emri i Sabihasë në listat e personave që do të pushkatoheshin ishte vendosur nga vetë Enver Hoxha, “pasi ai i ekzekutoi të gjithë ata që e njihnin dhe Sabihaja ishte një prej tyre”, duke qenë bashkënxënës në Liceun e Korçës. Sipas Viktor Kasimatit, nipit të Sabihasë: “ajo kishte një guxim të jashtëzakonshëm për t’i thënë hapur mendimet dhe se e njihte mirë kapacitetin intelektual të Enver Hoxhës, por edhe natyrën e tij prej Don Zhuani dhe njeriu pa moral e vlera. Ajo filloi të fliste hapur për Enver Hoxhën duke e akuzuar si faktorin kryesor për goditjet që po merrte elita shqiptare” 62.
Pa mohuar këtu marrëdhënien personale të diktatorit me Sabiha Kasimatin, arsyet e ekzekutimit të saj mbartin të ngërthyera një sërë fajtorësh që lidhen sa me tiparet e profilit njerëzor të Kasimatit, punën që ajo bënte, po aq sa edhe me modelin e emancipimit që regjimi komunist donte t’i injektonte femrës shqiptare. Fakti se Sabiha Kasimati kishte një karakter të guximshëm për të shprehur atë që mendonte, natyrë të çlirët e mendje të hapur, evidentohet qartë edhe në relacionet e përgjimit të përgatitur për Sigurimin e Shtetit. Në një prej tyre, realizuar në vitin 1954, bashkëpunëtorja me pseudonimin “Prurësja” e tregon hapur arsyen e sjelljes ekstreme të regjimit ndaj saj: “Lëre mos e pyet, nuk e bënte zap gojën ajo!”63 .

Përfundime
Sabiha Kasimati për kohën në të cilën jetoi, ishte një femër e shkolluar dhe e emancipuar, e pavarur si në mendime ashtu edhe në mënyrën e organizimit të jetës personale. Ajo ishte kthyer nga Italia me një bagazh të konsoliduar të dijeve shkencore, të cilat do të kontribuonin për një Shqipëri më të mirë dhe më të zhvilluar, aspak totalitare dhe marksiste leniniste, ashtu sikurse komunistët kishin vendosur. Kasimati zotëronte tipare të dukshme të një studiueseje të re, skrupuloze dhe vizionare. Puna për Muzeun e Shkencave dhe monografinë Peshqit e Shqipërisë, padyshim ishin hapa të rëndësishëm jo vetëm në konsolidimin e saj profesional, por edhe domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë së vogël e të prapambetur.
Me karakterin dhe përgatitjen intelektuale që zotëronte, rrethin e gjerë shoqëror me intelektualë shqiptarë dhe personalitete të huaja, Sabiha Kasimati e sfidonte dukshëm regjimin dhe mentalitetin e kohës. Ajo guxoi të fliste hapur dhe të artikulonte pakënaqësitë që kishte ndaj regjimit, ndonëse disa prej miqve të saj kishin pasur një fund tragjik, siç ishte rasti i Selahudin Totos, i pushkatuar nga regjimi komunist me Grupin e Deputetëve. Pushkatimi dhe vrasja e dhunshme e S. Kasimatit ishte projektuar nga regjimi në kuadër të eliminimit të kundërshtarëve të tij politikë.
Heqja nga jeta publike dhe intelektuale e grave të tilla të shkolluara si S. Kasimati apo Musine Kokalari eliminonte gjithashtu edhe një tjetër model të emancipimit të femrës shqiptare. Gruaja e emancipuar që regjimi propagandonte duhej të ishte revolucionare dhe e brumosur me ideologjinë marksiste-leniniste. Si një proces kryesisht i imponuar nga lart, emancipimi i femrës shqiptare, më shumë sesa emancipimin real dhe ndërgjegjësimin për të drejtat dhe vlerat që ajo mbartte, synonte sigurimin e një fuqie të konsiderueshme punëtore dhe subjekti prodhues. Në një shoqëri mashkullore dhe të paemancipuar ky model e vendosi gruan në një barrë të dyfishtë. Ajo do të duhej të punonte dhe të arrinte normat e punës, ndërsa kur të kthehej në shtëpi do të duhej të përmbushte rolin e nënës, të bashkëshortes, të zonjës së shtëpisë, pa pasur kohë dhe mundësi për të menduar për veten. Ky emancipim në realitet ishte nënshtrim dhe mosngritje zëri ndaj padrejtësive që i bëheshin. Regjimi nëpërmjet sjelljes karshi Sabiha Kasimatit u kishte dhënë tashmë mesazhin sesi përfundonin gratë mendjehapura, të guximshme dhe sfiduese ndaj autoritetit mashkullor dhe atij shtetëror.


  1. Sonila Boçi, “Zgjedhjet e 2 dhjetorit”, Studime Historike, nr. 1-2, 2008, Tiranë: 2009, f. 81.
    *Në kontekstin e kohës me termin “intelektualë të pasqaruar” nënkuptohej ajo kategori intelektualësh që nuk kishin mbështetur rezistencën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Partinë Komuniste Shqiptare dhe në përgjithësi nuk kishin afiliacion me të majtën komuniste.↩
  2. Sonila Boçi, Hamit Kaba, “Deputetët opozitarë përballë ndërtimit të “shtetit të diktaturës së proletariatit”, Studime Historike, nr. 3-4/2017, Tiranë: 2018, f. 205-206. ↩
  3. Artur Conte, Jalta dhe ndarja e Botës, Tiranë: Albinform, 1994, f. 189↩
  4. Për më shumë në lidhje me “rrezikun e fqinjit jugor” shih: Sonila Boçi, Minoritetet midis identitetit dhe integrimit (1939-1949), Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë: Kristalina-KH, 2012, f. 146-167.↩
  5. Afrim Krasniqi, Sistemet Politike në Shqipëri 1912-2008, Tiranë: Emal, 2009, f. 190.↩
  6. Për një trajtim shterues për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 shih: S. Boçi, “Zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945”...,f. 81-103. Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmave, Prishtinë: Dija, 2002, f. 589.↩
  7. Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmave, Prishtinë: Dija, 2002, f. 589.↩
  8. Chantal Millon Delsol, Idetë politike në shekullin XX, Tiranë: Onufri, 2006, f. 53.↩
  9. Rast ekstrem në sjelljen e regjimit me elitën ishte ekzekutimi i inxhinierëve të Maliqit në vitin 1946, për të vijuar më tej me ekzekutimin e një grupi deputetësh të Kuvendit Popullor në vitin 1947. Shih: Sonila Boçi për inxhinierët e biologes Sabiha Kasimati përfaqëson një model sjelljeje tepër të ashpër të shtetit karshi studiuesit, në përpjekje për të eliminuar atë që për të konsiderohej kundërshtar politik dhe “armik i pushtetit popullor” me rrezikshmëri të lartë.
    Maliqit në: http://old.shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=454639, parë më 30 korrik 2018; S. Boçi, H. Kaba, “Deputetët opozitarë përballë ndërtimit të “shtetit të diktaturës së proletariatit”..., f. 205-226.
    ↩
  10. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëllimi i dytë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë: Kristalina-KH, 2008, f. 1130 (zëri i Sabiha Kasimatit).↩
  11. Petro Luarasi, “105-vjetori i lindjes: Sabiha Kasimati, nderim dhe brengë” në: https://www.voal.çh/105-vjetori-lindjes-sabiha-kasimati-nderim-dhe-brenge-nga-petro-luarasi/, klikuar më 20.07.2018.↩
  12. Koli Xoxe, Liceu Kombëtar i Korçës, Tiranë: Shtëpia botuese “Lumo Skëndo”, 1997, f. 57.↩
  13. Sabiha Kasimati do të renditej e dyta në klasë për rezultatet e saj. Në provimet e vitit të fundit ajo vlerësohej me 269.4 pikë, nga 352 pikët maksimale, me shënimin “As Bien”. Shih: Arkivi Qendror i Republikës së Shqipërisë (më tej: AQSh), Fondi (më tej: F.) Liceu i Korçës, Viti (më tej: V.) 1931, Dosja (më tej:D) 561, fl. 4. Listë e notave të Sabiha Kasimatit, sezoni i qershorit 1931.↩
  14. AQSh, F. Kryeministria, V.1933, D. IV-338, fl 221. Përgjigje drejtuar Ministrisë së Arsimit nga Kryeministria ku pëlqehet emërimi i Sabiha Kasimatit në Liceun e Korçës; Po aty, D. 338/1, V. 1933, fl 461. Përgjigje drejtuar Liceut të Korçës nga Ministria e Arsimit ku pranohet dorëheqja e S. Kasimatit për arsye shëndetësore; Po aty, F. 803. D. I-218, fl. 68. Jetëshkrim i Sabiha Kasimatit..↩
  15. Fill pasi Kasimati ishte nisur për studime në Itali, Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi “hetime të imëta” nga prefektura e Korçës mbi gjendjen ekonomike të saj dhe të familjes. Në përgjigje u raportua se Sabiha Kasimati nuk kishte pasuri në emrin e saj. Babai dhe një vëlla ishin mjekë, kurse vëllai i dytë ishte inxhinier. Nisur nga sa më sipër, më 6 shkurt 1937. Këshilli i Ministrave vendosi t’ia përgjysmonte bursën sepse familja e saj rezultonte në gjendje “për me kontribue në shpenzimet e nevojshme” për shkollimin e saj. AQSh, F. Ministria e Punëve të Brendshme, V. 1937, D. 147, fl. 12, 56; Po aty, V. 1937, D. 250/1, fl. 382. Ministria e Arsimit për legatën shqiptare në Romë, shkurt 1937. ↩
  16. Teza e diplomës iu bë publike opinionit shqiptar dhe familjes Kasimati nga ambasada Italiane në Shqipëri, më 15 shtator 2017. Në ceremoninë përkujtimore “Sabiha Kasimati: figura, vepra, përndjekja dhe diktatura”, organizuar nga AIDSSh-ja, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe ambasadën Italiane në Tiranë, ambasadori italian i dhuroi familjes dhe AIDSSh-së tezën e diplomës së Sabiha Kasimatit. ↩
  17. AQSh, F. Ministria e Arsimit, V. 1937, D. 250/1, fl. 405-406. Kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit nga studentët bursistë në Universitetin e Torinos për kryerjen e provimeve në sezonin e vjeshtës, 6 prill 1937.↩
  18. AQSh, F. Ministria e Arsimit, V. 1941, D. 207, fl. 261-262. Dekreti i emërimit të Sabiha Kasimatit si profesoreshë në Shkollën Normale Femorëre “Nana e Skanderbeut”, 17 nëntor 1941. ↩
  19. AQSh, F. Ministria e Arsimit, V. 1944, D. IV-117/3, fl 96. Dekret ministror për nxjerrjen në pritmëri të Sabiha Kasimatit, 20 korrik 1944.↩
  20. Po aty, fl 98. Dekret ministror për mënyrën e pagesës së Sabiha Kasimatit, 20 korrik 1944. ↩
  21. AQSh, F. Ministria e Arsimit, V. 1944, D. IV-117/3, fl. 100. Vendim i Ministrisë së Arsimit për gradimin e Sabiha Kasimatit si profesoreshë e klasit II-të, 22 korrik 1944.↩
  22. AQSh, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1943, D. 23. fl 1. Letër/raport i Sabiha Kasimatit drejtuar Ernest Koliqit, kryetar i Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, 12 kallnor/janar 1943.↩
  23. Po aty.↩
  24. Po aty.↩
  25. AQSh, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1943, D. 23. fl 3. Shkresë dërguar S. Kasimatit nga Instituti Mbretnuer i Studimeve ku ajo ngarkohet për përgatitjen e Muzeut të Shkencave me një shpërblim mujor prej 200 frangash, 24 shkurt 1943.↩
  26. AQSh, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1942, D. 22, fl. 146-147. Mbledhja e Përgjithshme për Riorganizimin e Institutit, 13 prill 1946.↩
  27. AQSh, F. Këshilli i Ministrave, V. 1947, D. 7, fl. 1. Vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 16, dt. 28 janar 1947.↩
  28. Buletini i Institutit të Studimeve, Viti I, Tiranë: qershor 1947, Nr. 1, f. 7. Rregullore e përkohshme për Institutin e Studimeve.↩
  29. Po aty, f. 23-24. Fjala inaguruese e Manol Konomit, kryetar i Institutit të Studimeve, mbajtur n’Asamblenë e Përgjithëshme t’Institutit, më 28 prill 1947; Buletini i Institutit të Shkencave, Viti IV, Nr. 1-2, Tiranë: 1950, f. 136. Fjala e Tuk Jakovës, nënkryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë në mbledhjen e Seksionit II të Asamblesë së Institutit të Shkencave, 17-18 mars 1950.↩
  30. Po aty, f. 23-24. Fjala inaguruese e Manol Konomit, kryetar i Institutit të Studimeve, mbajtur n’Asamblenë e Përgjithëshme t’Institutit, më 28 prill 1947.↩
  31. Buletini i Institutit të Studimeve, Viti IV, Nr. 1-2, Tiranë: 1950, f. 188. Mbledhja e seksionit te III-të të Asamblesë së Institutit të Shkencave.↩
  32. AQSh, F. Këshilli i Ministrave, D. 8-2, V. 1948, fl. 22-29. Mbledhja e Asamblesë së Institutit të Studimeve, 21-23 qershor 1948.↩
  33. Buletini i Institutit të Studimeve, Viti I, Tiranë: qershor 1947, Nr. 1, f. 42. Referati i profesor Sotir Angjelit.↩
  34. Sabiha Kasimati, “Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë”, Buletini i Institutit të Studimeve, Viti II, nr. 2-3, Tiranë: 1948, f. 18-32.↩
  35. Sipas parashikimit të Institutit të Shkencave, gjatë vitit 1950, Sabiha Kasimati duhej të kryente ekspedita në orizoret e Beratit, në liqenin (kënetën) e Maliqit dhe të Belshit, në liqenin e Shkodrës dhe të Butrintit, si edhe në grykat e lumenjve Shkumbin e Seman. Shih: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (më tej: AIDSSh), Materiale Shtesë për Sabiha Kasimatin. Projekt plani i punës së Institutit të Shkencave, janar 1950.↩
  36. AQSh F. Këshilli i Ministrave, V. 1948, D. 802, fl. 40 dhe 60. Plani i Punës së Sesionit të Shkencave të Natyrës për vitin 1948.↩
  37. Po aty. Për botimin e monografisë ishte planifikuar 38.400 lekë shpenzime shtypi dhe 8.000 lekë klishe, në total 46.400 lekë.↩
  38. Buletini i Institutit të Shkencave, Nr 2,Tiranë: 1949, f. 108. Ekspeditat e Muzeut të Shkencave të Natyrës.↩
  39. Buletini i Institutit të Shkencave, Nr 1-2, Tiranë: 1950, f. 192. Aktiviteti Shkencor i Institutit të Shkencave.↩
  40. AIDSSh, Materiale Shtesë për Sabiha Kasimatin. Projekt plani i punës së Institutit të Shkencave, janar 1950. Shih edhe Leka Ndoja, Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1990), Tiranë: West Print, 2013, f. 9.↩
  41. AIDSSh, Dosja hetimore e Eqrem Çabejt, fl. 24 (26). Raport i bashkëpunëtores “Prurësja” në lidhje me Sabiha Kasimatin dhe Eqrem Çabejn, 27 prill 1950. ↩
  42. L. Ndoja, Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri..., f. 16-17.↩
  43. Petro Luarasi, “105-vjetori i lindjes-Sabiha Kasimati,nderim dhe brengë” në: https://www.voal.çh/105-vjetori-lindjes-sabiha-kasimati-nderim-dhe-brenge-nga-petro-luarasi/, parë më 20 korrik 2018.↩
  44. Ferdinand Bego, “Vlerësimi i veprës shkencore të studiueses Sabiha Kasimati”. Fjalë e mbajtur në ceremoninë përkujtimore “Sabiha Kasimati: figura, vepra, përndjekja dhe diktatura”, organizuar nga AIDSSh në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe ambasadën Italiane në Tiranë, më 15 shtator 2017.↩
  45. Niccolo Machiavelli, Princi, Tiranë: Shtëpia Botuese Enciklopedike, 1992, f. 12.↩
  46. AIDSSh, Dosja formulare e Eqrem Çabejt, fl. 24 (26), Relacion i bashkëpunëtorit me pseudonimin “Prurësja” për Sigurimin e Shtetit, 27 prill 1950.↩
  47. Po aty, fl. 25 (27), Relacion i bashkëpunëtorit me pseudonimin “Prurësja” për Sigurimin e Shtetit, 5 tetor 1950. ↩
  48. AQSh, F. Këshilli i Ministrave, D.1881, V. 1950, fl. 13. Shënime të Misto Treskës mbi raportet e shokëve Dh. Shuteriqi dhe M. Ndoja, si edhe K. Paparisto e A. Xhuvani, dërguar Bedri Spahiut, sekretar i KQ të PPSH, 3 shtator 1950.↩
  49. Kastriot Dervishi, Terrori Komunist i vitit 1951, Tiranë: ISKK, 2017, f. 161.↩
  50. AQSh, F.14\Strukturat, V. 1951, D.1. Diskutim i datës 20 shkurt 1951 në Plenumin e XIX të PPSh-së. Shih edhe: Uran Butka, Bomba në Legatën Sovjetike, Tiranë: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2018; K. Dervishi, Terrori Komunist... ↩
  51. K. Dervishi, Terrori Komunist..., f. 162. ↩
  52. U. Butka, Bomba në Legatën Sovjetike..., f. 34.↩
  53. K. Dervishi, Terrori Komunist..., f. 111.↩
  54. AIDSSh, Dosja e hetuesisë së Sabiha Kasimatit, fl. 17. Listë e personave të arrestuar, seksioni II. Shih edhe: U. Butka, Bomba në Legatën Sovjetike..., f. 47.↩
  55. AIDSSh, Dosja e hetuesisë së Sabiha Kasimatit, fl. 9, Procesverbal, dt. 27.02.1951. Shih edhe: U. Butka, Bomba në Legatën Sovjetike..., f. 84; K. Dervishi, Terrori Komunist i vitit 1951.., f. 151.↩
  56. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 57. Shënim me stilograf poshtë raportit për Sigurimin e Shtetit të bashkëpunëtorit “Dhelpërija”, 24 dhjetor 1953. Shënimi është bërë nga një punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe mban datën 30 dhjetor 1953, përmbajtja e të cilit është si më poshtë: “Instituti I Shkencave është objekt ku janë grumbulluar njerëz me interes për organet e Sigurimit. Për kërë objekt të interesohet vetë kryetari i degës III”. ↩
  57. Dëshmia e pretenduar e Sabiha Kasimatit është bërë pjesë e Dosjes Formulare të Eqrem Çabejt, më 20 tetor 1954. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 51, Relacion mbi këqyrjen e procesit të Sabiha Kasimatit, dt. 20 tetor 1954. Punëtori operativ Llazar Karafili shkruan: “Më datë 10 shtator 1954 mora në studim shtojc procesin e Sabiha Kasimatit, e proceduar më 26 shkurt 1951 nga Kap. I, Koli Shuke dhe Tog. Laze Dano, e akuzuar si agjente e huaj dhe për veprimtarinë e saj në dëm të Pushtetit Popullor është ekzekutuar. Në procesin e saj midis të tjerave implikon dhe një seri elementësh që janë në përpunim nga ana tonë për të cilët deponon ....” (vijon deponimi i parashtruar më lart). ↩
  58. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 51. Relacion mbi këqyrjen e procesit të Sabiha Kasimatit, 20 tetor 1954. ↩
  59. U. Butka, Bombë në Legatën Sovjetike..., f. 95. ↩
  60. AQSh, F. Presidiumi i Kuvendit Popullor, D. 27, V. 1951, fl. 5. Dekret mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë s’organizatave terroriste dhe t’akteve terroriste kundër punonjësve të Pushtetit Popullor dhe të organizytave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë, më 26 shkurt 1951.↩
  61. Gentiana Sinojmeri, “Instituti i Studimeve Shqiptare dhe fati i shkencëtarëve shqiptarë”. Fjalë e mbajtur në ceremoninë përkujtimore “Sabiha Kasimati: figura, vepra, përndjekja dhe diktatura”, organizuar nga AIDSSh në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe ambasadën Italiane në Tiranë, më 15 shtator 2017.↩
  62. “Si e vrau Enver Hoxha, shoqen e klasës”, https://telegrafi.çom/si-e-vrau-enver-hoxha-shoqen-e-klases/, parë më 20 korrik 2018.↩
  63. AIDSSh, Dosja Formulare e Eqrem Çabejt, fl. 39. Relacion i bashkëpunëtorit me pseudonimin “Prurësja” për Sigurimin e Shtetit, 1 mars 1954.↩

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *