Studime

Arshi Pipa

Facebooktwitter

Arshi Pipa, profili i një studiuesi të padëshiruar

Indrit Qehajaj, Andi Pinari

Hyrje

Një ndër tiparet më themelore të modelit totalitar, e sidomos atij shqiptar, mbetet dhuna e ashpër dhe eleminimi i individëve dhe grupeve që konsiderohen si kundërshtare të regjimit. I tillë ishte edhe rasti i Profesor Arshi Pipës, i cili ndonëse nuk kishte asnjë përgjegjësi penale të faktuar, u dënua dy herë duke qëndruar për rreth 11 vjet në burgje e kampe pune. Vitet 1945-1954 që janë në kufijtë kohorë të këtij prezantimi, përkojnë pikërisht me vitet e burgosjes dhe vuajtjeve të pafundme të Pipës dhe të familjes së tij. Në mënyrë kronologjike do të përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë personazh të rëndësishëm të kulturës shqiptare, duke u përpjekur të kuptojmë më mirë njeriun dhe studiuesin, arsyet e burgosjes së tij dhe përballjen e tij me dënimin. Materialet kryesore që janë përdorur i përkasin fondit personal Arshi Pipa në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit të cilat na janë vënë në dispozicion nga Autoriteti mbi Informimin për ish Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Me vlerë kanë qenë edhe disa prej librave të Pipës të shkruara para, gjatë dhe pas dënimit, që na ka dhënë mes vargjeve, artikujve studimorë dhe rrëfimeve personale, një pamje të plotë të njeriut, të intelektualit, të shkrimtarit dhe të studiuesit Pipa. Në librin e shkruar në burg dhe botuar pas dënimit si “Libri i Burgut” prezantohet edhe fytyra që regjimi i shfaqi Pipës, sikurse edhe shumë të tjerëve, sidomos në vitet e para të vendosjes së regjimit. Rrëfimet e tij mbi vuajtjet në burgjet e kohës, të shprehura në mënyrë mjeshtërore nga Pipa, përbëjnë një tjetër dëshmi të ashpërsisë së kohës për një pjesë të madhe të shqiptarëve. Në përmbledhjen e artikujve të titulluar “Stalinizmi shqiptar” gjenden disa analiza historike shkencore mbi modelin totalitar shqiptar që mund të konsiderohen edhe si ndër përpjekjet e para shkencore për të analizuar modelin totalitar shqiptar.  Me vlerë për këtë prezantim ështe edhe një dokumentar realizuar në fillim të viteve 90 nga Radio Televizoni Shqiptar. I xhiruar në qytetin e Shkodrës ku edhe kaloi rininë, dokumentari përshkruan disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së Pipës, të rrëfyera nga vetë ai.

 

Formimi akademik

   Arshi Pipa lindi më 28 korrik të vitit 1920 në qytetin e Shkodrës. Babi i tij, Mustafai ishte nga Libohova, ndërsa e ëma Hatixhja ishte nga Shkodra. I ati ishte jurist dhe kishte studiuar në Stamboll. Arshiu, kishte një vëlla dhe katër motra. Mësimet e para, i mori në kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Tek jezuitët, mori bazat e kulturës klasike, greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi në Gjimnazin shtetëror të Shkodrës, kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike greqishtën e vjetër dhe latinisht. Këto dy gjuhë atë e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.1

Familja Pipa investoi shumë për formimin akademik të fëmijëve të saj, veçanërisht djemve. Si Arshiu, ashtu dhe si i vëllai i tij, Muzaferi ndoqën studimet e larta jashtë Shqipërisë. Myzaferi, që do të ishte gjithmonë modeli dhe pika e referencës për Arshiun, kreu studimet e larta për jurispudencë në Padova të Italisë. Ndërsa Arshiu, pasi mbaroi Gjimnazin e Shkodrës në vitin 1938, u largua për të studiuar Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firencës në Itali. Aty do t’i përkushtohej plotësisht studimeve. Këtë gjë e vërteton më së mirë një bisedë mes Arshiut dhe shokut të tij që na e sjell si dëshmi Uran Kalakulla në librin e tij. Pasi shoku i tij Muhameti e fton të dalin në qytet për tu dëfryer, Arshiu i përgjigjet:–Muhamet, shok e mik të kam, por mos harro se na nuk kemi ardhë këtu për ahengje e dafrungë, por për më studjue. Dhe më parë se gjithshka asht detyra. E detyra jonë asht studimi e mbarimi i universitetit!

  Në bisedat mes autorit Uran Kalakulla, dhe mikut të Arshiut, Muhametit, ky i fundit shprehet se: Më kot m’u lodhë për me tundë Arshiun prej studimit, kur ai kishte orarin për këtë punë. Nuk mbaj mënd ndonjë herë që të ma ketë ba qejfin në këtë drejtim. E kur mendoj se sa kohë bjerrë kot i riu, them me vete se sa mirë e kishte ai. E shef, shok të ngushtë kemi qenë, por kush asht sot Arshi Pipa e kush jam unë! Mor mik, asgja s’arrihet pa mund e sakrifica!... E kjo, megjithëse ai, ishte zgjedhë si duket prej fatit a Zotit me u ba ai që u ba!...2

 

Arshi Pipa dhe Lufta e Dytë Botërore

   Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1941 Pipa u kthye në Shqipërinë tanimë të pushtuar nga Italia e Musolinit. Rezistenca që sapo kishte filluar të formëzohej dhe reagimi i ashpër i pushtuesve italianë ndaj saj, kishte prekur edhe familjen e Arshiut. Vëllai i tij, Muzaferi ishte treguar aktiv në këtë rezistencë. Duke qenë student në Padova, ai kishte shfaqur kundërshtimin e tij për pushtimin e Shqipërisë nga Italia e Musolinit. Në bar-kafe Pedrachi mblidheshin shpesh studentët shqiptarë. Në një nga këto takime, Myzaferi kishte nxitur studentët të këndonin këngën e Thoma Nasit “Vlona, Vlona… Bjeri më ju lumtë dora”, kushtuar luftës së Vlorës. Për këtë arsye ai do të internohej në ishullin famëkeq Ventotene më 1940, ku gjendeshin edhe Safet Butka, Isuf Luzaj, Abas Ermenji,  Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, Alteiro Spinelli, Petro Marko, Sadik Bekteshi etj., që u bënë të famshëm në jetën politike shqiptare dhe italiane.3 Edhe pse Myzaferi u shpreh hapur ndaj pushtimit Italian, madje dhe u internua për këtë gjë, kjo nuk do ta shpëtonte këtë nga regjimi që do të instalohej në Shqipërinë e pas Luftë së Dytë Botërore.  

Në këto momente të vështira për familjen e tij, Arshiu zgjodhi të rrinte i tërhequr dhe të ndërtonte profilin e tij si intelektual. Deri në vitin 1942 ai punoi si mësues në Gjimnazin e Tiranës. Gjatë këtij viti ai nisi të përgatisë edhe tezën e tij të diplomimit dhe zgjodhi të trajtojë filozofin freng, Henri Bergson. Në këtë temë ai shpreh mendimet e tij kritike ndaj filozofit frëng duke sjell një punim krejtësisht të tijin dhe pa ndihmën e askujt, madje as të profesorëve në Universitetin e Firencës për shkak të largësisë midis Shqipërisë dhe Italisë.  Pasi u diplomua ai do të bënte kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit për t’u transferuar pranë familjes së tij në Shkodër. Në vitet 1942-1943 Pipa ishte profesor i  letërsisë në Gjimnazin e Shkodrës.  Nuk do të kalonte shumë kohë dhe familja Pipa do të vendosej përfundimisht në Tiranë. Aryset e vendosjes mund të jenë të shumta dhe kjo shpjegohet me faktin se Tirana kishte marrë një zhvillim të madh, arsimor, kulturor dhe urban. Si e tillë, edhe Arshiut por edhe vëllait të tij Myzaferit, i intersonte të ishin sa më afër dijes, bibliotekava, grupeve intelektuale etj.

Në mars të vitit 1944 Arshi Pipa u bë themelues i revistës “Kritika” që u botua në katër numra nga marsi deri në qershor të vitit 1944. Synimi i kësaj reviste ishte nxitja e kritikës letrare në Shqipëri dhe përpjeka që lexuesit shqiptarë të njiheshin me letërsinë e huaj. Ai kishte si synim që ta shndërronte atë në një organ të mirëfilltë kritik, sidomos duke u përpjekur të përvijojë kahet e një kritike të tekstit si të tillë, gjë që është përmbushur më së miri në të gjitha numrat e revistës.4 Për realizimin e kësaj reviste, Arshiu, ishte konsultuar edhe me Aleks Budën, i cili në atë kohë ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës dhe jepte lëndën e  letërsisë . Në një letër që Arshi Pipa i dërgon Aleks Budës dhe që ruhet në arkivin e Familjes Buda, Pipa kërkon mendime prej tij lidhur me revistën. Letra mban datën 23 mars 1944, gjë që tregon se është shkruar sapo ka dalë numri i parë i revistës. Në këtë letër, Pipa i drejtohet Budës duke i kërkuar që revistën Kritika, ta vlerësonte vetë se çfarë ishte trajtuar dhe t’i jepte mendimet e tij. Ai vazhdon:  “Gjithsesi nuk besoj t’ia kem dalë plotësisht, por që mendoj se në numrin i dytë do të jetë më i pasur dhe i ndryshëm”. Nga letra kuptojmë që Pipa dhe Buda njiheshin me njërit-tjetrin, ndoshta si kolegë në mësimdhënie apo edhe si intelektualë të kohës. Nga letra rezulton se do të ketë pasur njohje dhe disa takime më përpara, ku të dy kanë biseduar në lidhje me revistën. Në letër Pipa i kërkon Budës të angazhohej më shumë duke i thënë se prej tij priste më shumë ndihmë se nga kolegët e tjerë.5 Nga kjo letër dëshmohet miqësia e dy intelektualëve të shquar të Shqipërisë, fatet e jetës së të cilëve do të ishin krejt të ndryshme. Vlerat e revistës “Kritika”, ndonëse me veç katër numra të botuara, janë evidentuar shpesh prej studiuesve letrarë si mjaft serioze dhe me shumë vlera. Nëse “historia” dhe jeta për Arshi Pipën do të kishte marrë rrugë tjetër, sot do të mund të flisnim për një kritikë letrare tepër të zhvilluar në Shqipëri.

Gjatë luftes, Pipa nuk u angazhua në lëvizjen nacionalçlirimtare. Ky fakt mund të ketë pasur arsye të ndryshme por më thelbësorja duhet të ketë qenë kundërshtia që kishte Pipa ndaj modelit totalitar të majtë. Sic shprehet ai në intervistë “jam rritur në një familje që mund të konsdierohet demokratike, me urrejtje për diktaturën e çfardo tipi qoftë ajo.”6  Ai më tej tregon në këtë intervistë se kishte lexuar edhe literaturë marksiste si Marksin, Leninin, Gramshin dhe kishte kuptuar problemet që kishte vetë doktrina dhe versionet e ndryshme të saj. Duke pasur të bënte rregullisht në leximet e tij me kollosë të filozofisë si Spinoza e Kanti, ideologët marksistë dukeshin si të papërfillshëm. Kur filloi lëvizja kundër pushtuesit ai edhe i vëllai nuk morën pjesë në të, sepse nuk u pëlqente formati stalinist 7. Vëllezërit Pipa e dinin se kishte shumë modele dhe rryma të komunizimt e jo vetëm stalinizëm si ai që po përpiqej të imponohej nga komunistët shqiptarë. Në pikëpamje doktrinare ajo që po aplikohej në Shqipëri ishte thjesht stalinizëm. Ndonëse u ishte propozuar disa herë të bëheshim pjese të lëvizjes, vëllezërit Pipa nuk pranuan ndonëse ishin edhe kundër fashizmit.8

Një fakt tjetër mbi jetën gjatë luftës është edhe përfshirja e Pipës në Institutin e Studimeve, i krijuar nga italianët. Në periudhën e pushtimit gjerman Instituti u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte, me zgjerimin e fushave të kërkimit e të numrit të studiuesve, tanimë vetëm shqiptarë, të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Në këtë institucion u përfshinë edhe intelektualë të tjerë të njohur të kohës, si: Arshi Pipa së bashku me Ali Asllani, Hamdi Sulçebe, Hasan Dosti, Krist Maloki, Kristo Floqi, Ndoc Nikaj, Mithat Frashëri, Odhise Paskali, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Vedat Kokona etj.9 Edhe ky fakt mund të ketë qenë një arsye pse nuk shihej me sy të mirë prej komunistëve.

 

Vendosja e regjimit komunist dhe dënimi i parë i Arshi Pipës

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Partia Komuniste Shqiptare u kthye në të vetmen forcë politike reale. Sfida e udhëheqjes së saj ishte vendosja e kontrollit të plotë mbi të gjithë vendin dhe jetën e tij. Ata do të ndërmernin disa hapa për të arritur qëllimet e tyre, si psh, goditjen e kundërshtarëve potencialë të tyre që në të vërtet ishin shtresat e mesme dhe të larta të shoqërise shqiptare, që ishin natyrshëm më të mirëarsimuar. Nën emërtimin si bashkëpuntorë të fashizmit dhe armiq të popullit, atyre ju hoq e drejta të mernin pjesë në jetën politke ju konfiskua pasuria dhe u lanë pa asnjë lloj mbështetje.10 Ndër gjyqet e para më të bujshme ishin ato kundër opozitës të njohura edhe si “Gjyqi i Deputetëve” ku u goditën drejtpërsëdrejt disa përfaqësues politikë të elitës intelekutale që shpresonin dhe kërkonin vendosjen e një sistemi demokratik.

Ndonëse nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me grupin e deputetëtve, Pipa u bë pa dashur pjesë e këtij grupi, që u akuzua si kundërshtarë të regjimit. Si një intelektual me pikëpamje demokratike, ai nuk mund ta duronte regjimin e ri që po instalohej në Shqipëri. Pipa e kishte demonstruar kundërshtimin e tij ndaj vendosjes së një regjimi diktatorial në shumë mënyra. Në librin e tij Letërsia Bashkëkohore Shqiptare të botuar në anglisht në New York në vitin 1991, Arshiu shkruan për “përplasjet” me regjimin dhe shkaqet që atë e çuan në burg për herë të parë: “Diskutimi im në mbledhjen me Totozanin u bë shkak të më ulnin në detyrë, duke më transferuar në liceun e Durrësit. Ligjerata ime për Migjenin u komentua si një akt rebelimi.  Menjëherë pas kësaj në një mbledhje poetike në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë, deklamova një lirikë të përkthyer nga Fausti, “Këngën e Plebishtit”, që përmbante vargjet: “Dhe në çast u bë Ministër/ Dhe kishte një yll të madh.” Totozani do të jetë tërbuar më tha një mik. Në një mbrëmje tjetër poetike, kësaj radhe në Durrës, recitova lirikën “Bushtra”, që bën fjalë për ngordhjen e një qeni të zgjebosur. Vetëm më vonë, gjatë kohës që torturohesha në zyrat e Sigurimit, mësova se bushtra qenkish B.S, dhe këlyshët e saj Demokracitë Popullore.11

Kishte disa kohë që Arshiun e përndiqte një student i tij në Durrës duke e pyetur vazhdimisht nëse lexonte literaturë Sovjetike dhe nëse pëlqente Mayakovsky-in.  Arshiu i përgjigjej se nuk e pëlqente Mayakovsky-in. “Por Stalini ka thënë që ai është poeti më i madh Sovjetik” ja priste studenti. “Ai mund të jetë poeti më i madh, por jo sepse e thotë Stalini. Ai nuk është kritik letrar” i përgjigjej Arshiu. 12 Po në librin e lart përmendur, Arshiu shkruan dhe për një ndodhi që mbase i vulosi vajtjen në burg. Gjatë një mbrëmje poetike në Tiranë teksa po dëgjonte pa ndonjë emocion recitimet e zakonshme plot patetizëm mbi heroizmat revolucionar,  në skenë del një djalosh, që pas afro 5 minutash recitim nuk kishte arrituar akoma të prekte temen e poezisë, që fliste për ndërtimin e një fabrike. Një djalosh që qëndronte në të djathtën e tij, foli me ironi:- Do ta ndërtojmë me sllogane!- Pipa buzëqeshi në shenjë aprovimi. Ngaqë vjersha ishte e mëzitshme dhe banale atij i duhej të stërmundohej. Djaloshi vazhdonte përsëri të thumbonte dhe unë përgjigjesha. Kështu pa dashur u bëmë pjesë e një dialogu parodizues buzëqeshjes dhe ironish. Në fund u përshendetëm me njëri-tjetrin por nuk u prezantuam. Kur po largoheshim, vazhdon përsëri Arshiu, një miku im më pyet: Kaq mirë njihesh me Nako Spiron? 13

Këto elementë që kujton Pipa, por mbi të gjitha, qëndrimi i vëllait të tij ndaj regjimit të ri do të ishin arsyet kryesore të arrestimit të tij. Arshi Pipa, ishte 27 vjeç, kur për të doli një urdhër arresti. Urdhëri ishte lëshuar nga Prokuroria Publike e Qytetit të Durrësit. Ai akuzohej për veprimtari kundërshtuese të kryer me grupe tradhtare dhe si pasojë urdhërohej ndalimi i tij i menjëhershëm dhe burgosja në burgun e Armiqve të Popullit.14 Pas këtij urdhëri, do të fillonte kalvari i vuajtjeve për Arshiun e ri. Në 1946 do të dënohej prej Gjykatës së Garnizonit të Tiranës me dy vjet burg në burgun e Durrësit për veprimtari kundër pushtetit.15 Akuzat u formuluan me shpejtësi dhe pa asnjë provë konkrete. Pra ishte një arrestim e dënim arbitrar. Vetë autoritetet e pranojnë këtë fakt nëpërmjet dokumentave të gjyqit. Gjatë qëndrimit në burgun e Durrësit, për të do fillohej të “hetohej” dhe të bëhej një pasqyrë e gjithë veprimtarisë së tij gjë të cilat Arshiu do t’i kundërshtonte hapur.  Në një dokument që mban datën 5 dhjetor 1947 thuhet se Arshi Pipa i dënuar më 23 nëntor 1946 me dy vite burg, ka marë një dënim minimal sepse në dosjen e tij hetimore nuk ka pasur prova dhe fakte të thelluar për të provuar veprimtarinë e tij antikombëtare. Kjo dhe për shkak se akoma nuk ishte zbuluar thellësisht organizata tradhëtare-sabotore e deputetëve.16 Gjatë formulimit të dosjes kundër tij përmendet dhe i vëllai, Myzaferi, si tradhëtar dhe armik i popullit 17.

 

Arshi Pipa edhe njëherë përballë shtetit të diktaturës së proletariatit: dënimi i dytë

Porcesi i dytë ndaj tij u zhvillua gjatë vitit 1947, ndërsa vendimi u morr në  24 dhjetor 1947. Ai së bashku me tre të akuzuar të tjerë që ishin Pashko Gjeci, Hysen Ballhysa dhe Preng Kacinari, u shpallën fajtorë sepse kishin qenë antarë të organizatës social-demokratike të kryesuar nga Gjergj Kokoshi dhe Suat Asllani. Gjithashtu ata u akuzuan se kishin në lidhje me organizatën tekniko-intelektuale, me kleriket dhe me mbeturina të organizatave tradhtare Balli Kombëtar dhe Legaliteti.  Aktiviteti i të katërt të pandehurve sipas akuzës, ishte shtrirë në të gjithë elementët e pakënaqur nga Pushtetit, duke propaganduar kundër reformave të Pushtetit Popullor, duke sabotuar në sektorët e punës së tyre si p.sh në sektorin shkollore etj., gjithashtu duke propoganduar mbi një ndërhyrje të armatosur të forcave anglo-amerikane në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe se në këtë mënyrë e së bashku me kriminelët e arratisur do të rrëzonin Pushtetin Popullor.18

    Formulimi i akuzës ndaj Arshi Pipës vazhdon akoma më tej duke e akuzuar se ai kishte drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë duke qenë profesor, në Liceun e Tiranës, ishte lidhur me grupin Social-demokrat dhe zhvillonte një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizate. Ai e vazhdon aktivitetin e tij më studentë dhe element të pakënaqur duke predikuar mbi demokracitë perëndimore me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte pushtetin si një pushtet terrorist. Sipas akuzës aktiviteti i tij ishte provua plotësisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjygjin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij para hetusisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes. Për ta thelluar akoma më shumë akuzën ndaj Arshi Pipës, shkruhet se: I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Preng Kacinarin, Stavro Frashëri, Isa Podgorica, Simon Deda, Hysen Mallhysa, Sabri Tici e Rifat Dervishi, dhe se këto mbledhje janë bërë në Liceun e Qytetit. 19 Për të mbështetur akuzën e ngritur prokuroria mbështeje tek dëshmia para gjygjit e të dënuarit Sulo Konjari i cili shprehej se: “Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin e social-demokratëve dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi me Isa Podgoricën, Hysen Bellhysën dhe Skënder Çelën”.20 Të njëjta deklarime bënin dhe dy të dënuarit Salim Kokalari dhe Skëndër Çela.21

Arshi Pipa mbajti një qëndrim dinjitoz dhe u përpoq të mbrohej, pasi nuk i pranonte këto akuza. Madje ai tha që as nuk ka qenë në dijeni të një organizate të tillë.22 Ai shprehej se deklarimet e Salim Kokalarit, Sulo Konjarit e Ramazan Tabakut janë të pavërteta dhe se nuk kishte qenë pjesë e asnjë organizate. Ai vazhdon akoma më tej kur thotë “duke qenë se pakënaqësitë e mia ndaj pushtetit popullor unë i kam shprehur dhe janë të njohura, i ka bërë ata që kanë deklaruar kundër meje të më hedhin dhe mua në faj ashtu siç mund të kenë hedhur dhe të tjerë.” 23

 Me Sulo Konjarin dhe Salim Kokalarin nuk kishte pasur ndonjë miqësi dhe as nuk i njihte. Sulo Konjari,- thoshte ai- mund të thotë shumë gjëra, por unë kërkoj të ballafaqohem. Ndërsa me Hysen Podgoricën kishte njohje, kjo për faktin se dhe ky të dy ishin profesorë. Në deklarimet e tij, Arshi Pipa, shprehej se me Hysen Podogoricën kishte pasur kontakte dhe biseda. Kishte biseduar për çështje letrare dhe jo për çështje politike, sepse për këtë të fundit nuk kishte kohë të merrej. Kohën e kishte vetëm për studime! Ndërsa më Hysen Bellhysën njihej por nuk kishte kontakte miqësie. Ishte takuar disa herë por asnjëherë nuk e kishte vizituar në shtëpi. Ndërsa Skënder Çelën nuk e njihte, por shprehej se ky i fundit mund ta kishte dëgjuar emrin e tij ngaqë ishte profesor. 24 Për sa i përket deklarimit të Hysen Bellhysës, ai e përmend Arshi Pipën, por shprehet se e njihte thjesht si person dhe se nuk ishte e vërtetë që të kishte biseduar ndonjëherë me të për partinë social-demokrate.25

 Në nje akuzë tjetër thuhej se i pandehuri Arshi Pipa mblidhte studentët në shtëpinë e tij për t’u bërë propagandë kundër pushtetit popullor, u fliste për Partinë Social-Demokrate dhe kundra udhëheqësve. Akuza faktohej nga deklarimet e disa studentëve si Alfred Kazanxhiu, Thomas Goxhaj dhe Sotiraq Manushi të cilët u shprehen se Arshi Pipa u fliste për parimet e Partisë Social-Demokrate. Në deklaratën e Sotiraq Manushit thuhej se Arshi Pipa kishte folur keq dhe për pushtetin popullor duke thënë se pushteti shqiptar është shtypës, se reformat që bënë këta po shkatërrojnë vendin dhe po varfërojnë mbarë popullin. Gjithashtu ata që janë vendosur në krye janë njerëz të paftë.26 Studenti Thomas Goxhaj shprehet se Arshi Pipa kishte folur dhe për Bashkimin Sovjetik duke thënë s është vendi ku shkelen më shumë të drejtat e njeriut. Deklarimi i Thomas Goxhaj është i njejtë më atë të Sotiraq Manushit sepse edhe ky flet për varfërinë që ka kapur popullin, drejtuesit e paftë etj. 27 Për sa i përket deklarimeve të studentëve, Arshi Pipa thotë se: unë këtyre ju jepja mësim privat dhe ata nuk i kanë kuptuar mirë fjalët e mija. Ata nuk kishin ndonjë simpati ndaj meje, por unë jepja mësim që të më paguanin ndërsa ata kishin interes që të mësonin.

Pas seancave gjyqësore ku u morën në pyetje shumë, duke u bazuar në të gjitha këto dëshmi, për Arshi Pipën kërkohej dënim makismal, si një njëri që kishte qenë pjesë e grupit social-demokrat dhe që kishte propoganduar kundër pushteti.28 Kështu më 20 dhjetor 1947 Arshi Pipa do të dënohej rishtaz nga Gjykata me 20 vite burg dhe për të do riniste kalvari i vujatjeve dhe mundimeve. Perveç kushtëve të këqija të burgut atë e mundonte dhe sëmundja e tij për të cilën ai shprehet se vuan nga një inflacion në mushkëri.29 Ky proces i ashpër dhe i padrejtë ndaj Pipës ishte një tregues i qartë i dhunës tipike staliniste në sistemin gjyqësor, një drejtësi e paprinciptë pasi bazohej tek nënshtrimi me anë të eleminimit, torturave e dhunës psikologjike ndaj kundërshtarëve më të ekspozuar.

 

Jeta në burgjet e diktaturës

   Në gjyqin e parë ai u dënua me dy vite burg dhe fillimisht u dergua në burgun e Durrësit. Pas qëndrimit në burgun e Durrësit dhe dënimit të dytë, ai së bashku me një grup të burgosurish u dërgua në kampin e Vloçishtit në korrik të vitit 1948. Pjesa më e madhe e të burgosurve aty kishin shkuar tre muaj para tij, siç shkruan Arshiu, nuk i njihje dot si ishin bërë prej urisë dhe mundimeve të mëdha.30 Në Kampin e Vloçishtit, Arshiu u sëmur dhe qëndroi disa kohë në spitalin e Korçës. Në këtë kohë në kampin e Vloçishtit kishte rreth 1300-1600 veta sipas periudhave që grumbulloheshin, dhe flinin nëpër tre barake të mbuluara me mushama që në shumë vende ishte e shpuar. Të burgosurit flinin në një krevat me tre dërrasa dhe sapo thyje brenda në barakë qelbeshe ere. Të burgousurit nuk kishin mundësi të laheshin dhe pastroheshin. Uji mund të sigurohej vetëm prej disa puseve. Ndërsa ujë të pijshëm kishte fare pak në hyrje të kampit. Nëpër baraka qëndronin të gjithë bashkë, të dënuar politike dhe “ordinerë”. Rastet e vjedhjeve ishin të shumta. Shpesh herë këta ordinerë nxiteshin nga rojet që vidhnin të dënuarit politik apo intelekualë të tjerë. Në rast se ankoheshe faji nuk i ngelte vjedhësve por personit që ankohej. Rojet kishin një mentalitet, i cili ishte: “Politikanët janë përfaqësues të klasës kapitaliste – borgjeze, kurse ordinerët janë proletarë, dhe si të tillë kanë të drejtë të plaçkisin të parët”.31 Ushqimi në kamp ishte shumë i pakët dhe njerzit ishin të uritur. Kishte raste kur të burgosurit shkonin për të punuar në distance të largëta nga kampi dhe gjatë rrugës ata shikonin parcela toke të mbjella më misër ose panxhar. Të burgosurit ishin aq të uritur saqë ndonjëri prej tyre hidhej me shpejtësi për të marë diçka nga të mbjellat dhe nuk e lëshonte edhe pse rojet e godisnin me shkelma ose dru kokës.  Burgu ishte më i ashpër për të dënuarit politikë se sa për fshatarët. Fshatarët e thjeshtë shikoheshin më me pak përçmim. Kishte raste kur të dënuarit politikë visheshin si fshatarët e thjeshtë vetëm për t’i shpëtuar dhunës. 32 Punët që të burgsourit bënin ishin hapja e kanaleve të mëdha ku gjatësia shkonte me kilometra, të gjerë 10 m dhe të lartë 3 metra. Kur ktheshin nga puna të burgosurit kishin rrugë të gjatë për të bërë. Të lodhur të rraskapitur ata torturoheshin dhe nga rojet rrugës. Të burgosërve u enjteshin këmbët nga puna e rëndë, lodhja dhe kushtet e këqija. Mungesa e çizmeve, këpucëve, dhe ecja këmbëzbathur dhe punët e mundimshme bënë që shumë të burgosur të vdisnin para kohe në kushte çnjerzore. Për kampi i Vloçishtit, Arshi Pipa, shprehet se ai qe si një kamp çfarosjeje!33

    Në vitin 1949, pas Kongresit të parë të P.K.SH, dhe pas dënimit të Koçi Xoxes dhe orientimin krejtësisht në Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha bëri një amnisti ku përfitoi edhe Arshiu sepse ju ulën 10 vite dënim. Vitet e mbetura të dënimit Arshiu i bëri në burgje të ndryshme.34 Pas qëndrimi në kapmin e Vloçishtit, Arshiu u shtura në spitalin e burgut të Durrësit deri në janar të 1950. Më vonë e dërguan në burgun e Gjirokastrës deri në qershor të 1952. Pastaj ai transferohet në bugun e Tiranës dhe shtrohet në spitalin e burgut përsëri. Pas disa kohës e dërgojnë në burgun e Burrelit deri në prill të 1956-s ku dhe do të mbarojë dënimin e tij.35 Arshiu do të lëvizte nga një kamp në tjetrin dhe kësisoj ai nuk mundi t’i shpëtonte as burgut famëkeq të Burrelit. Në këtë burg gjetën vdekjen qindra të burgosur.  Disa nga sëmundjet e disa nga torturat e mëdha, nga uria etj. Në nga problemet më të mëdha të të burgosurve në burgun e Burrelit ishte çështja e ujit. Gjatë kohës që Arshiu qëndroi në këtë burg ai thote se uji merej në një pus diku mes oborrit por që nuk kishte as grykë. Për ta vështirësuar akoma më shumë punën, të burgosurve nuk i ishte dhënë asnjë mjet lehtësues për ta nxjerr ujin. Madje as një kovë apo litar. Për nxjerrjen e ujit përdoreshin mjete rrethanore. Për të mos mjaftuar kjo, uji i pusit ishte shumë i ndotur dhe po kthehej në sëmundje për të gjithë. Mjaft njerëz kishin gjetur vdekjen nga ky uji i ndotur. Shpesh herë nga uji që të burgosurit nxirrnin kishte krimba.36 Arshiu kishte një fizik të dobët dhe ishte i sëmurë kështu që dalja gjallë nga kampi i Burrelit ishte veç se fat për të.

    Ndër veprat më të mira të Pipës, “Libri i Burgut”, është një dokument autentik i vuajtjeve nëpër burgjet dhe kampet e internimit të Shqipërisë komuniste duke e sjellë nëpërmjet vargjeve poetike. Ky libër, siç do të shprehet dhe vetë autori, u shkruajt gjatë periudhës së burgimit (1946-1956). Por ky libër nuk u shkruajt në ndonjë bllok shënimesh, apo në ndonjë fletë letre të pastër dhe pa frikën e ndokujt. Libri u nxorr fizikisht nga burgu i shkruar nëpër letra cigaresh.  Libri do të rishkruhej përsëri nëpër letra cigarje para se Arshiu të arratisej nga atdheu së bashku me motrën e tij, Fehime Pipa. E motra do t’i qepte këto fletë nëpër rrobat e saj. Pasi të kalonin kufirin, të arratiseshin dhe nga autoritetet jugosllave gjatë periudhës shtator – nëntor 1957 ata do të arrinin në Sarajevë. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ata do t’i rendisnin fletët e libri të shkruar në letër cigarje, dhe që më vonë do të përgatiteshin në Detroid dhe do të botoheshin në Romë në vitin 1959. 37  Libri i Burgut na njeh dhe me jetën e vet autorit, rininë e tij, por gjithashtu na sjell vuajtjet dhe torturat që pësonte një grup njerzish nga më të diturit e Shqipërësië së asaj kohe. Një grup njerëzish që kishte mundësi të kontribonte në zhvillimin e Shqipërisë. Është ky grup njerëzish që i ishte mohuar e drejta e të qenit njeri.

Pas daljes nga burgu më 26 prill 1956, Arshiu, do të qëndronte disa kohë të shijonte jetën përtej vuajtjeve dhe terrorit të kampeve të internimit. Jashtë do ta prisnin motrat dhe e ëma. Edhe pse u duk që vuajtjet mbaruan, kjo nuk ishte e vërtetë.  Për ish të burgosurit ishte shumë e vështirë të gjejë një punë. Të vetëm punë që mund të të cakoheshin ishin ato më të rëndomtat dhe të vështira fizike, që për Arshiun ishte shumë e vështirë. Puna që ai dinte të bënte më mirë ishte ajo e penës.

Pas shumë mundimesh ai caktohet mësues në një shkollë shtatë vjeçare në Shkodër. Por kjo punë nuk e kënaqte atë. Ai ishte mësuar me nxënës të një niveli më të lartë, të merej me kritikë etj. Kështu që Pipa  kërkoi të shkëputet nga puna në arsim që i ishte ofruar me pretekstin se ishte i sëmurë.38 Pas zhvillimeve politike në Shqipërinë e vitit 1956,  ku u forcua më shumë rruga e stalinizmit, Arshiu filloj të mendojë arratisjen. Bazuar më së shumti në dorëshkrimet e Fehime Pipës, motrës së Arshiut të mbledhura dhe botuara nga  Uran Kalakulla në librin e tij, Arshiu vendosi të arratiset së bashku me të motrën, Fehimen, i ndihmuar nga një fshatar që kishte shtëpinë pranë kufirit. Atij ju desh ta kalonte lumin e Bunës me not ku matanë bregut e priste e motra. Më pas arritën pranë fshatit Muriqan dhe arritën të kalonin kufirin.  Pasi kaluan kufirin ata u paraqitën pranë postës jugosllave, ku qëndruan disa kohë në hetuesi në Tivar. Pasi u liruan ata shkojnë në Sarajevë ku ndodhej dhe i fejuari i Fehimes me familjen e tij. 39 Por qëndrimin atje nuk do të ishte i gjatë dhe ai do të largohet për në Romë ku synimi ishte Amerika. Për vajtjen në Amerikë do ta ndihmonin dy kushërinjtë e tij që do t’i sillnin një garanci. Atje ai do të fillojë të mësojë dhe gjuhën angleze. Pas shumë peripecish ai do të fillojë të ngjisë shkallët e karrierës në universitet. Atë që shteti shqiptar ia mohoi, ai e gjeti në një vend tjetër. Si fillim ai do të jepte lendën e filozofisë dhe filozofinë e fesë e krishterë. Për sa i përket fesë ai nuk kishte njohuritë e duhura. Madje, në një dokumentar të TVSH në vitet 90, Arshiu shprehet se njohuritë e tij për sa i përket fesë ishin të pakta, vetëm disa gjëra që mbante mend nga kolegji i Jezuitëve. Arshiu u bë një pedagog myslyman që jepte filozofi krishterë.40

PËRFUNDIME

Arshi Pipa ishte një intelektual i rrallë dhe si i tillë kontributi që ai dha, por dhe do të mund të jepte në arsimimin e vendit do të ishte i vyer. I rritur në një familje arsim e kulturëdashëse, i pajisur me një arsimim solid dhe të plotë, i edukuar me parimet bazë të demokracisë, Arshi Pipa kishte potencialin e nevojshëm për të qenë një nga intelektualët më në zë të kohës. Përfshirja e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit që në moshë të re dhe dëshira e tij për të kontribuar në kulturën shqiptare janë një dëshmi e qartë e aftësive të tij.

Arshi Pipa ishte një armik sui generis i diktaturës, dhe si i tillë ishte në thelb antifashist i lindur. Nëse ai nuk u përfshi në lëvizjen nacionalçlirimtare të drejtuar nga PKSH, sepse nuk e pëlqente ideologjinë komuniste që i vishej lëvizjes çlirimtare. 

Burgosja e tij pas luftës, së bashku me shumë intelektualë të tjerë, ishte një humbje e madhe për vendin. Njerëz të një kalibri të tillë u cilët nuk e pranuan sistemin që po instalohej në Shqipëri, u dënuan ashpër duke përfunduar nëpër kampet famëkeqe, ku një pjesë e tyre gjetën dhe vdekjen. Por përsëri, ishin njerëz si Arshi Pipa, që dhe pse prapa hekurave, nuk u dorëzuan. Çdokush nga ata u mundua që ta luftojë komunizmin me armën më të mirë që zotëronte. Arma më e mirë e Arshi Pipës ishte pena. Ai në fshehtësi të plotë vazhdojë të shkruajë, jo letra, por një libër të plotë si Libri i Burgut. Me Librin e Burgut, ai na solli të gjithë ne jo vetem një vepër letrare, por një dokumentim të të gjithë asaj çfarë ndodhte në kampet e internimit të Shqipërisë, për mënyrën se si trajtohej elita intelekuale e vendit etj. Rasti i profesor Arshi Pipës është rasti tipik i intelektualit që siç thotë vetë Pipa i kanë treguar komunizmit një fytyrë të  ftohtë duke i provokuar deri në tërbim.41 Shumë prej tyre humbën jetën ose e kaluan atë burgjeve. Duke qenë se Shqipëria ishte një komb i vogël, historia e zhdukjes së tyre është një nga anët më të shumtuara të regjimit.

 

BIBLIOGRAFIA

Burime Arkivore

AIDSSH (Arkivi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shteti)

Fondi Arshi Pipa

Arkivi i Familjes Buda

 

Literatura

Duka, Valentina, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë: Albas, 2014

Kalakulla, Uran, Arshi Pipa njeriu dhe vepra, Tiranë: Toena, 1999

Pipa, Arshi, Contemporary Alabanian Literature, New York: 1991

Pipa, Arshi, Libri i Burgut, Tiranë: Eurolindja, 1994

Pipa, Arshi. Stalinizmi shqiptar, Tiranë: IKK & Princi, 2007

 

Burime nga internet

https://www.shkodradaily.com/2015/04/myzafer-pipa.html

https://www.shqiperia.com/Letersia-e-perkthyer-ne-shqip-dhe-revista-Kritika-e-Arshi-      Pipes.26923/

http://www.radiandradi.com/myzafer-pipa-dhe-koha-kur-ai-jetoi-e-vdiq-nga-ahmet-bushati/

http://muzeuimemories.info/tepavdekshmit/

https://www.shkodradaily.com/2014/12/elegjia-vllazerore.html

http://27.al/libri-burgut-dhe-nje-poezi-nga-arshi-pipa/

https://www.youtube.com/ëatch?v=mmBn3XnRcTA

http://akad.gov.al/ash/rreth-ash/historiku


 

1 Kalakulla,Uran. Arshi Pipa, Njeriu dhe Vepra, (Tiranë: Toena, 1999),17↩

2 Kalakulla,Uran. Arshi Pipa, Njeriu dhe Vepra, (Tiranë: Toena, 1999),24-25↩

3 https://www.shkodradaily.com/2015/04/myzafer-pipa.html DATA KUR ESHTE SHKARKUAR↩

4 https://www.shqiperia.com/Letersia-e-perkthyer-ne-shqip-dhe-revista-Kritika-e-Arshi-Pipes.26923/ DATA KUR ESHTE SHKARKUAR↩

Arkivi i Familjes Buda, Letër drejtuar Aleks Budës nga Arshi Pipa.↩

6 https://www.youtube.com/watch?v=mmBn3XnRcTA, Arshi Pipa, Dokumetar nga TVSH i viteve 90.↩

7 Po aty.↩

8 Po aty.↩

9 http://akad.gov.al/ash/rreth-ash/historiku DATA KUR ESHTE SHKARKUAR↩

10  Duka,Valentina. Histori e Shqipërisë 1912-1920, (Tiranë: Albas, 2014), 227-228↩

11 Pipa, Arshi. Contemporary Alabanian Literature, ( New York: 1991), 20↩

12 Pipa, A. Contemporary Alabanian Literature, 20↩

13 Po aty.↩

14 AIDSSH (Arkivi i Autoritetit të Dosjeve) Arshi Pipa, 69.↩

15 Po aty,64.↩

16 AIDSSH (Arkivi i Autoritetit të Dosjeve) Arshi Pipa, 11.↩

17 Myzafer Pipa është një nga avokatët mbrojtës në Gjyqin Special, i caktuar si i tillë. Mbi qëndrimin e tij në gjyq, ka pasur një histori, e cila ka qarkulluar duke u shndërruar në proverbiale. “Si asht e mundem zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish- “teneqexhi” – ishte fjala për Koçi Xoxen – e për prokuror një ish- “kafexhi” – për Bedri Spahiun - të mundest sot me gjykue elitën e kulturës Shqiptare? Sipas dëshmisë së motrës së vogël të profesor Pipës, e cila kishte konsultuar dokumentet e arkivit të MPB, ngjarja kishte ndodhur pak më ndryshe. Myzaferi Pipa, si një jurist me përvojë, kishte vënë në dukje disa parregullsi në administrimin e procesit dhe këto i kishte artikuluar. Prokurori i Gjyqit Special, Bedri Spahiu me ironi i drejtohet juristit të shkolluar në Padova, duke i thënë se ky mund të mos ishte si proceset borgjeze që ishte mësuar avokati, por kjo ishte drejtësia e popullit. Reagimi i tij ndaj padrejtësive, si dhe marrja përsipër e mbrojtjes së priftërinjve katolikë në gjyqin e të ashtuquajturës organizata e Bashkimit Shqiptar e vunë Myzaferin në “listën e zezë”, të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit. Pas kryengritjes së dështuar të Postribës, Myzaferi u arrestua në shtator të vitit 1946 dhe u torturua pa mëshirë, duke humbur jetën në tortura. Për të mbuluar krimin, atë e hodhën nga dritaret e ndërtesës ku zhvilloheshin hetimet në Shkodër dhe vdekjen e mbulluan me tentativë arratisjeje. Tre vjet më vonë, gjatë zhvillimit të gjyqit të Koçi Xoxes, i njëjti prokuror, Bedri Spahiu do ta sillte në vëmendje vdekjen në tortura të Myzafer Pipës, këtë radhë për të provuar fajësinë e ish-kolegut të tij në krimet e kryera nga Sigurimi i Shtetit gjatë viteve 1945-1948. Arshiu e mori vesh vdekjen e të vëllait gjatë hetuesisë së tij të dytë, pra disa muaj pasi ajo kishte ndodhur. Motrat nuk kishin mundur t’ia thonin sepse ata e dinin shumë mirë dashurinë që ai kishte për të vëllanë por dhe ishin të vetëdijshmepër shëndetin e dobët të Arshiut. Ishte hetuesi i tij që ia kishte njoftuar vdekjen e të vëllait, duke e kërcënuar se edhe ai do të përfundonte si i vëllai nëse nuk dëshmonte për çka i kërkohej.↩

18 AIDSSH (Arkivi i Autoritetit të Dosjeve) Arshi Pipa, 5-6.↩

19 AIDSSH (Arkivi i Autoritetit të Dosjeve) Arshi Pipa  6-7.↩

20 Po aty, 11.↩

21 Po aty,11.↩

22 Po aty, 25.↩

23 Po aty↩

24 AIDSSH (Arkivi i Autoritetit të Dosjeve) Arshi Pipa 13-14.↩

25 Po aty, 15.↩

26 Po aty, 36.↩

27 Po aty ↩

28 Po aty, 38. ↩

29 Po aty, 65. ↩

30 Pipa, Libri i Burgut, (Tiranë: Eurolindja, 1994),200 ↩

31 Po aty,201. ↩

32 Po aty. ↩

33  Pipa, Libri i Burgut, 204 ↩

34 Kalakulla, Arshi Pipa, Njeriu dhe Vepra, (Tiranë: Toena, 1999),87 ↩

35 Po aty, 88. ↩

36 Pipa, Libri i Burgut, (Tiranë: Eurolindja, 1994),207-208 ↩

37 Pipa, Libri i Burgut, (Tiranë: Eurolindja, 1994), 240 ↩

38 Kalakulla, Arshi Pipa, Njeriu dhe Vepra,111. ↩

39 Po aty, 113. ↩

40 https://www.youtube.com/ëatch?v=mmBn3XnRcTA, DATA KUR ESHTE SHKAKRKUAR ↩

41  Pipa, Arshi. Stalinizmi shqiptar, (Tiranë : IKK & Princi 2007), 40 ↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *