Studime

Aleks Buda

Facebooktwitter

Aleks Buda, një dijetar evropian në totalitarizmin shqiptar

Andi Pinari

Metodologjia

Ky prezantim i shkurtër do të përpiqet të pasqyrojë veprimtarinë shkencore dhe administrative si edhe dhe rrethanat në të cilat u ngrit dhe veproi personaliteti i Prof. Aleks Budës. Analiza do të përqendrohet në çështjet e lidhura me marrëdhëniet e këtij studiuesi, si pjesë e elitës intelektuale në vitet 1945-1954, me modelin totalitar shqiptar. Këto vite mund të konsiderohen si vitet më të ashpra të totalitarizmit shqiptar sepse janë vitet e para të instalimit të një modeli të ri politik dhe shtetëror, që kishte si parim luftën e klasave dhe si mjet dhunën shtetërore. Veprimtaria e tij akademike e këtyre viteve mund të ndihmojë për të kuptuar deri në çfarë mase orientimi i hulumtimeve shkencore vinte nga tradita e rilindjes kombëtare dhe e periudhës së mes dy luftërave, imponohej nga lart apo varej nga studiuesi. Përfshirja në karrierë administrative duke mbajtur poste shtetërore ishte një tjetër veçori që tregon për pozicionin e dyfishtë si studiues dhe zyrtar shtetëror në disa pozicione të rëndësishme. Burimet kryesore qe janë shfrytëzuar janë dokumente të AQSH si edhe dokumente origjinale si letra apo shënime që na janë vënë në dispozicion me shumë dashamirësi nga zonja Tatjana Haxhimihali, e bija e Prof. Budës. Me shumë vlerë për këtë punim ka qenë edhe libri “Kujtime” dhe “Kujtime 2”, ku jepen të dhëna me vlerë për jetën e karrierën e tij. Po kështu me mjaft interes është edhe përmbledhja e kumtesave të konferencës “Aleks Buda, një jetë për albanologjinë”, e organizuar nga Akademia e Shkencave me rastin e 100 vjetorit të lindjes së profesorit, të zhvilluar në vitin 2010 dhe të botuar në vitit 2012. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë dhe kanë shprehur mendimet e tyre studiues të historisë dhe bashkëpunëtorët e tij që kanë pasur njohje personale me të.

Në dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, të vëna në dispozicion nga Autoriteti për Informimin me Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, në emrin e tij nuk rezultoi asnjë dosje personale, ndonëse përmendet në dosjet e kolegëve të tij që ishin nën mbikëqyrje. Sidoqoftë ky punim nuk mund të jetë shterues sidomos lidhur me të dhënat nga materialet e panjohura arkivore të ish Sigurimit të Shteti, një fushë e gjerë kërkimi që kërkon kohë dhe ndoshta në vitet në vazhdim do të ketë edhe më tepër informacione nga këto dokumente te panjohura. Materiali është konceptuar në mënyre kronologjike dhe në disa raste edhe problemore duke dashur të përshkruajë ecurinë e një studiuesi të një niveli të lartë në vitet e vështira të pasluftës, por duke e integruar me historinë e intelektualëve gjatë diktaturës.

 

Formimi akademik dhe politik

 

Aleks Buda lindi në familje të shtresës së mesme, të shkolluar dhe të pajisur me një formim intelektual të nivelit të lartë duke pasur parasysh nivelin e shoqërisë shqiptare të kohës. I ati, Dhimitër (Taq) Buda ishte diplomuar në Greqi si farmacist, me këmbënguljen e babait të tij që ishte doktor i diplomuar në Itali. Pasi përfundoi studimet në Selanik, Taq Buda ngriti një farmaci në qendër të qytetit, të cilën e drejtonte me profesionalizëm. Siç dëshmohet edhe nga një artikull i vitit 1913 të një gazetari austriak të quajtur Kraus që citohet tek “Kujtimet”, gjatë vizitës në qytet i ra në sy një farmaci e pajisur në mënyrë moderne me barna që vinin nga Selaniku dhe Trieste.1 Taq Buda ishte mjaft aktiv në jetën publike të vendit, ende nën pushtimin osman, duke ndihmuar Rilindjen Kombëtare drejt finalizimin të pavarësisë së Shqipërisë. Ai ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe ndihmoi në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqip si kontribues me të holla në Normalen e Elbasanit. Ai ishte edhe një prej pjesëmarrësve aktivë në lëvizjen kombëtare si aktivist politik dhe ishte një prej firmëtarëve të dokumentit të shpalljes se pavarësisë në qytetin e Elbasanit më 25 nëntor, qytet i cili e shpalli i pari pavarësinë. Kjo tregon ndër të tjera edhe peshën e madhe që mbajti elita e qytetit të Elbasanit në jetën politike të vendit, elitë e cila ishte mjaft e angazhuar dhe zotëronte të gjitha aftësitë për përfaqësim dinjitoz në nivel kombëtar. Më pas ai është deputet ne dy legjislatura të  parlamentit shqiptar në  vitet 1921-1924. I lindur në vitin 1910 Aleks Buda u ndikua së tepërmi në formimin e tij patriotik qoftë nga familja, qoftë edhe nga  atmosfera e viteve 20-30, ku mbizotëronte atdhedashuria e diktuar nga kushtet specifike të shtetit të ri, kur vendit i duhej medoemos të  ngrinte dhe forconte institucionet  e tij.

Taq Buda i dërgon fëmijët e tij në shkollë duke ndjekur shembullin e të atit dhe duke besuar se investimi më i mirë për ta ishte vetëm shkollimi. Aleksi ndjek disa vite shkollën në qytetin e lindjes dhe më pas largohet për të vazhduar studimet në Itali e me pas në Grac të Austrisë. Pasi përfundon gjimnazin në Salzburg ku edhe mëson latinisht dhe greqishten e vjetër, pjesë e rëndësishme e kurikulës shkollore në gjimnazin klasik me nga 8 orë në javë, Aleksi regjistrohet në Universitetin e Vjenës fillimisht në degën e farmacisë duke pasur ndikimin e të atit. Por pas vetëm një semestri ndërron degë duke u regjistruar në Fakultetin e Filozofisë për të vazhduar studimet në degën e historisë dhe të letërsisë. Ky drejtim që ai morri me vullnet të plotë ishte rezultat i pasionit të tij për shkencat shoqërore, pasion që  ju shtua më tepër nga niveli i lartë i profesorëve të tij ku veçohen albanologët e shquar Karl Patsch dhe Norbert Jokl, me të cilët krijoi edhe marrëdhënie shoqërore për shkak të njohjes së thellë që ata kishin për Shqipërinë. Gjatë viteve të studimeve në Vjenë ai shoqërohej me  studentet e tjerë shqiptare si Skënder Luarasi, Krist Maloki, Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci etj.  Në ato vite fillon të formohet edhe ndërgjegjja politike, duke qene bashkëkohës i një periudhe mjaft të trazuar për historinë evropiane si kriza ekonomike botërore, revolucioni bolshevik apo ngritja e fashizmit dhe e nazizmit. Siç shprehet në kujtimet e tij, në Austri ai jetoi 18 vjet që i konsideron si vitet  më vendimtare të jetës ku njeriu formohet intelektualisht dhe zhvillohet nga ana kulturore e fillon të piqet si personalitet.2 Në vitet 30-40  Vjena ishte gjithashtu një qendër e rëndësishme e  shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë dhe kryesisht e diasporës antizogiste ku më të rëndësishmit ishin Fan Noli, Sejfi Vllamasi, Azis Çami, Ali Këlcyra etj.

Ndërkohë Tirana zyrtare mbikëqyrte me kujdes të gjithë studentët shqiptare jashtë vendit e veçanërisht  ata të Vjenës për të pasur nën kontroll diasporën antizogiste të këtij qyteti. Siç shprehet Prof. Buda në kujtimet e tij, konsulli shqiptar merrte informacione mbi shqiptarët e atyshëm, ndër të tjera edhe për Aleksin, i cili së bashku me të vëllain Mihalin konsideroheshin si të dyshimtë sepse shoqëroheshin me profesorin e njohur Skënder Luarasi.3  Në dokumentet e Ministrisë së Arsimit gjenden informacione të hollësishme mbi studentët shqiptarë qoftë bursistë të shtetit shqiptar,  qoftë studentë shqiptarë që i përballojnë vetë shpenzimet. Një formular që plotësohej nga nëpunësit e ministrisë dhe që firmosej nga prindi i studentit, vërtetonte statusin e studentit për autoritetet shqiptare. Aty ndodhen edhe emrat e vëllezërve Buda, qyteti  ku studionin, dega përkatëse dhe ecuria e studimeve.4  Miqësia e ngushtë me Skënder Luarasin, të cilin e quan me krenari edhe “mësuesi im”, duket se ka qenë një nga momentet vendimtare për formimin e tij. Aq i fortë ishte ndikimi i Luarasit në rrethin e studentëve shqiptarë saqë në një letër të shkruar e nënshkruar prej tyre rreth 15 studentë i drejtohen Ministrisë së Arsimit në vitin 1930. Ata i kërkojnë autoriteteve  që t’i rikthejnë bursën e studimit Skënder Luarasit. Kjo bursë ishte ndërprerë në vitin 1929 pasi Luarasi akuzohej pa të drejtë nga konsulli Çatin Saraçi si i përfshirë në aktivitet politike kundër vendit të tij. Ky fakt hidhet poshtë nga nënshkruesit e letrës të cilët shprehen se kjo akuzë kaq e rëndë nuk qëndron sepse karakteri i tij nuk e lejonte kurrë të punonte kundër atdheut të tij. Letra është nënshkruar nga Mihal e Aleks Buda si edhe studentë të tjerë mes të cilëve edhe Eqerem Çabej.5

Fryma e solidaritetit të krijuar mes studentëve shqiptarë të Vjenës ishte karakteristikë e atyre viteve të rinisë. Në këtë linjë dhe me pasoja të konsiderueshme ishte vizita e vitit 1938 në Vjenë e Ali Kelmendit, që ishte një nga veprimtarët e parë komunistë shqiptarë, i cili u strehua në dhomën e Aleksit për disa javë. Ky episod bëri që policia e Vjenës të ushtronte  kontroll në dhomën e tij. Këto elementë nga jeta Prof. Budës tregojnë për një prirje politike drejt së majtës në vitet e studimeve duke pasur si model social-demokracinë evropiane, ndonëse kishte simpati për marksizmin për shkak të polarizimit të skajshëm që diktonte koha. Vetë Luarasi i ishte bashkuar vullnetarëve ndërkombëtarë në Luftën Civile spanjolle që prej vitit 1936. 6

Buda diplomohet në vitin 1938 dhe fillon të merret me gjuhësi me ndihmën e albanologut të shquar Norbert Jokl, në atë kohë profesor në universitetin e Vjenës. Me pushtimin e Austrisë nga nazistët, Jokli filloi të vuajë persekutimin dhe Buda tashmë i diplomuar  kthehet në Shqipëri në vitin 1938. Me të mbërritur në atdhe merret në pyetje nga policia për lidhjet me ata që përhapnin ide bolshevike dhe me Ali Kelmendin dhe  autoritetet shqiptare e burgosin në Elbasan për 20 ditë.7

 

Aleks Buda si pjestar aktiv në rezistencën kundër pushtuesit

 

Pushtimi fashist i 7 prillit 1939 e gjen në Elbasan ku merr pjesë në demonstratën spontane kundra pushtimit që u zhvillua në qytet. Në shtator 1939 fillon punën si profesor i letërsisë në Gjimnazin e Tiranës, ku gjendet i rrethuar nga një mjedis intelektual dhe nga një atmosferë mjaft e ndezur për shkak të pushtimit. Veç mësimdhënies ai u përfshi edhe në shumë aktivitete me sfond politik si shprehje e rezistencës spontane të intelektualëve shqiptarë ndaj pushtimit italian.

Si profesor i letërsisë ai drejtoi dhe vuri në skenë pjesën teatrore Vilhem Tel, ku aktorët kryesorë ishin studentët e tij. Kjo pjesë u perceptua prej tyre si një model i rezistencës ndaj pushtimit, ku veç të tjerash gjatë shfaqjes u këndua edhe pse nuk ishte fare pjesë e dramës, kënga patriotike « Për Mëmëdhenë ». Shfaqja u pezullua dhe prof. Buda u thirr në Ministrinë e Arsimit për të dhënë shpjegime.

Në vitin 1940  e transferojnë në Liceun e  Korçës ndonëse autoritetet nuk e lënë të qetë dhe pasi i kontrollojnë shtëpinë ku ishte vendosur në Korçë, e shoqërojnë në Tiranë drejt burgut. Atje merret në pyetje lidhur me arsyet e qëndrimit të tij kundër  pushtimit dhe pjesëmarrjes së tij në manifestimin e 28 nëntorit 1939. Pas pak ditësh ai lirohet nga burgu pa ndonjë akuzë dhe rikthehet në Korçë. Në verën e vitit 1940 rekrutohet me forcë në ushtrinë italiane dhe dërgohet në Itali bashkë me shumë mësues të tjerë. Kjo ishte një nga mënyrat e fashizmit për të bindur e nënshtruar inteligjencën shqiptare. Arrin të shpëtojë nga shërbimi ushtarak duke siguruar një  raport mjekësor dhe në gushtin  e vitit 1941 rikthehet në Liceun e Korçës ku qëndron vetëm 6 muaj pasi kishte arritur të regjistrohej në Universitetin e Padovës. Aty ndjek kurse kualifikimi në gjuhësi dhe punon pranë linguistit italian Taliavini duke studiuar linguistikën e përgjithshme ballkanike.

Në verën e vitit 1942 kthehet përfundimisht në Shqipëri sepse gjendja e krijuar në familjen e tij nuk e lejon më të udhëtojë drejt Padovës. I vëllai, Sofokli Buda ishte përfshirë në lëvizjen nacionalçlirimtare duke qenë një nga anëtaret më aktivë të njësitit gueril të Elbasanit. Për këtë arsye atij i arrestojnë nënën, të cilën arrin ta lirojë pas pak kohësh. Rifillon punë në Gjimnazin e Tiranës dhe lidhet përfundimisht me lëvizjen duke u përfshirë në Këshillin Nacionalçlirimtar ilegal të Tiranës.8 Në shtëpinë e tij në organizohen takime të këtij këshilli. Prej vjeshtës së vitit 1943, ai shkon në Elbasan sepse aty ishte caktuar të merrte pjesë në Këshillin Nacionalçlirimtar të qytetit të Elbasanit. Ndonëse i angazhuar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, gjë që do t’i jepte mundësi të angazhohej më pas edhe në poste shtetërore,  ai ishte një intelektual që kishte krijuar reputacion mes studiuesve shqiptarë. Ndër të tjera ky bashkëpunim duket edhe në marrëdhëniet me Arshi Pipën me të cilin ishin kolegë për një  kohë në Gjimnazin e Tiranës dhe i lidhte pasioni për dijen e librin. Në një letër që Pipa  i dërgon Budës në mars të vitit 1944, i kërkon të shprehë mendimet e tija lidhur me botimin  e librit « Lundërtarë » të Pipës si dhe për numrin e parë të revistës « Kritika » që ky i fundit kishte filluar të botonte. Pipa i thotë ndër të tjera   « Është e tepërt të shtoj se bashkëpunimi yt do të jetë një ndihmë e madhe dhe se pres prej tej më  tepër se prej të tjerëve»9

Një tjetër letër me interes e kësaj periudhe është edhe letra që i dërgon At Zef Pllumbi në vitin 1944 ku ndan mendimet e tij mbi veprën e albanologut Lambertz si dhe trajton çështje që kanë të bëjnë me historinë e lashtë të Shqipërisë sidomos në zonat e veriut.10 Këto komunikime na flasin shumë për profilin e lartë prej studiuesi që kishte krijuar Prof. Buda që në fillimet e karrierës së tij.

Sidoqoftë formimi i tij intelektual dhe  patriotik si edhe  ndikimi i familjes së tij me emër në qytet bëri  që ai të shndërrohet në një përfaqësues të rëndësishëm të intelektualëve në luftën kundër pushtuesve. Në shtator 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të qarkut të Elbasanit. Në fund të vitit 1944 shkon në Kongresin e Beratit dhe thirret për të punuar në Ministrinë e Kulturës.11

 

Në krye të Bibliotekës Kombëtare

 

Në vitin 1945 ai emërohet në krye të Bibliotekës Kombëtare. Këtë detyrë e kishte marrë gjatë mbledhjes së Beratit nga Sejfulla Malëshova 12, i cili do të bëhej Ministri i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSH me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Fillimisht biblioteka ndodhej në një ndërtesë  të vjetër dhe të amortizuar tiranase, që ishte dëmtuar edhe më tepër gjatë çlirimit të kryeqytetit. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj.13 Kjo ndërtesë e re ishte ndër ndërtesat më madhështore të qytetit dhe gjatë pushtimit kishte qenë selia e Luogotencës.14 Ai caktohet për të marrë në administrim librat e Mit’hat Frashërit, i cili ishte larguar në Itali.  Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit  edhe të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kul­tu­rës si Lef Nosi, Mustafa Kruja, Lazër Shantoja, Vangjel Koça, dhe biblioteka e pasur e  jezuitëve që Prof. Buda i quante ajka e inteligjencës së Shqipërisë.15 Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime.16 Puna në bibliotekë filloi me studimin, formimin e kartotekës dhe hartimin e një bibliografie duke e shndërruar në bërthamën e një institucioni shkencor. Prof. Buda konsultohej me Sotir Kolean që kishte qenë drejtori i mëparshëm i bibliotekës.17 Ndërkohë nëpër qilarët e bibliotekës u gjet arkivi i Luogotencës  italiane me materiale shumë të rëndësishme të kohës së pushtimit italian, materiale të cilat me krijimin  e Institutit të Shkencave kaluan në sektorin  e arkivit të seksionit të historisë duke shërbyer si bërthamë e Arkivit të Shtetit.

Gjatë kohës që punonte me zell për Bibliotekën Kombëtare, por edhe si lektor i letërsisë për aktorët e Teatrit të sapo ngritur, Prof. Budës i ngarkohet një detyrë e vështirë dhe e rëndësishme, që tregon edhe për vlerësimin që kishin për të si historian autoritetet e reja. Ai përzgjidhet si pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes  në Paris. Në verën e vitit 1946 së bashku me një grup pune,  ishte caktuar në komisionin që do të trajtonte çështje të historisë, etnografisë dhe gjuhësisë, sidomos në raport me pretendimet e qeverisë greke ndaj jugut të Shqipërisë. Puna kërkonte studimin e literaturës dhe dokumenteve të pas Luftës së Parë Botërore, veçanërisht të Konferencës së Versajës së viteve 1919-1920 ku qenë trajtuar çështjet e kufijve.18 Profesor Buda së bashku me kolegun e tij Petraq Pepo studiuan urgjentisht në ditët e fundit të korrikut dhe në dhjetëditëshin e parë të gushtit literaturë e dokumente për çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit 1919-1920, veçanërisht për kufijtë shqiptarë. Ishte koha kur qeveria greke kishte ngritur pretendime në Konferencë për kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe për ndëshkimin e saj si shtet aleat i Boshtit fashist.19 Detyrë kryesore e delegacionit shqiptar ishte që të hidhte poshtë me fakte dhe argumente pretendimet greke, të cilat kishin edhe mbështetjen e hapur të disa qeverive perëndimore. Këto fuqi do të shënonte në atë kohë, Prof. Buda “na kanë mohuar të drejtat tona. Qëndrimi i anglo- saksonëve nuk asht i drejtë; e njohin realitetin e megjithatë nuk na ndihmojnë…”. Kjo vështirësi e bënte edhe më të rëndësishme detyrën e dy historianëve për t’i dhënë udhëheqjes së delegacionit argumente sa më të mbështetura e bindëse.20 Sipas rrëfimeve të tij, ai u befasua kur dëgjoi në radio se do të ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, në përbërje të të cilit ishin edhe Behar Shtylla si diplomat, Manol Konomi si jurist, Pëllumb Dishnica si ushtarak, Misto Treska si Prokuror i Përgjithshëm, Kahreman Ylli si ministër fuqiplotë i legatës shqiptare në Francë, Dhimitër Popa si diplomat i vjetër dhe Petraq Pepo si historian. Si drejtor i Bibliotekës Kombëtare rrëmoi e gjeti në fondet e saj gjithçka sa kishte, ndërsa Pepo shkoi në Korçë e mori nga biblioteka e qytetit gjithë dokumentet, letrat e memorandumet e Konferencës së Parisit 1919-1920 që ndodheshin aty.

Në Paris delegacioni zyrtar shqiptar qëndronte në të njëjtin hotel dhe hanin të gjithë bashkë. Ishte momenti i takimit me Enver Hoxhën, emrin e të cilin e kishte dëgjuar gjatë luftës, por nuk kishte pasur rastin ta njihte më nga afër. Buda shprehet se në atë kohë dukej i hapur dhe bisedonte me ta në tryezë  si një njeri i thjeshtë, sepse ende nuk kishte filluar kulti i individit 21 Më 21 gusht delegacioni shqiptar u paraqit në Konferencë ku u përballën me argumentet greke sipas së cilave, Shqipëria nuk mund të konsiderohej një shtet fitues i luftës pasi kishte qenë pjesëmarrëse në sulmin italian ndaj Greqisë në vitin 1940. Pikërisht për këtë fakt duhej qe t’i paguante Greqisë një farë dëmshpërblimi pra tokat në jug.

Kontributi i Prof. Budës nuk ka qenë vetëm në grumbullimin e fakteve historike e në paraqitjen e argumenteve që zunë vend edhe në fjalimin e Enver Hoxhës para Konferencës, por edhe në hartimin e dokumenteve të tjera në mbrojtje të kufijve shqiptarë. Prof. Buda e kolegu i tij Pepo morën pjesë në mjaft debate të hapura që organizoheshin jashtë Konferencës dhe kundërshtuan pretendimet greke. Në shënimet që ka lënë ai kujtonte se “dëgjuesit u kushtonin vëmendje çështjeve që ngrinim ne që i ndriçonim në një dritë të re”.22 Pjesëmarrja e Shqipërisë në Konferencën e Paqes ishte e suksesshme sepse arriti të vërtetonte renditjen e saj përkrah vendeve antifashiste.

 

Aleks Buda si studiues në Institutin e Shkencave

Instituti I Shkencave ishte një nga strukturat e reja që u ngrit me ardhjen në pushtet të komunistëve. Sidoqoftë u morr për bazë përvoja ekzistuese në këtë drejtim, e nisur në vitin 1940 me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare ku u përfshinë studiues të njohur shqiptarë dhe italianë, të gjuhës, letërsisë dhe të artit.23

Menjëherë pas çlirimit u ngrit  Instituti i Studimeve (1946) dhe  më 1948 ai u riorganizua si Instituti I Shkencave dhe u bë vatër e kërkimeve dhe veprimtarive shkencore të organizuara. Krahas punonjësve nga instituti i paraluftës, që në fakt filluan të spastrohen pak nga pak, u përfshinë shumë punonjës të rinj dhe u rrit numri i tyre; drejtues i parë i këtij instituti ishte Selahudin Toto. Instituti përbëhej nga 3 seksione: a) i gjuhësisë e i letërsisë; b) i historisë dhe i sociologjisë; c) i shkencave natyrore dhe biologjike. 24 Në vendimin e qeverisë të janarit të vitit 1947 shprehet qartë edhe qëllimi i krijimit të këtij institucioni, i cili do të kontribuonte shumë në studimin dhe zgjidhjen e problemeve aktuale që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendit.25 Ky institucion do të vihej në varësinë direkte të Këshillit të Ministrave dhe në krye të institucionit u vendos një përfaqësues i rëndësishëm i qeverisë. Këtë detyrë e mbajti në fillim Dr. Manol Konomi.  Prof. Buda u emërua në krye të seksionit të Historisë, Sociologjisë dhe Shkencave ekonomike.26 Insituti në vitin 1947 kishte 23 anëtarë, ndër të cilët vetëm dy prej tyre kishin qënë edhe edhe më parë pjesë e tij si Aleksandër Xhuvani dhe Eqerem Çabej.

Vitet formuese të regjimit komunist u karakterizuan nga mobilizimi masiv dhe represioni në një shkallë të konsiderueshme. Ishte një periudhë kur dhuna u përdor për të riformuar marrëdhëniet shoqërore. Megjithatë, një operacion i tillë i madh nuk mund të kryhej vetëm nga organet represive, por mbështetej në pranimin ose bashkëpunimin aktiv të atyre që përfitonin - ose që shpresonin të përfitonin - nga rendi i ri. Kjo ishte gjithashtu një periudhë kur u hapën mundësi për lëvizje në rangjet më të larta të shoqërisë, duke  u bërë pjesë e administratës së re shtetërore, për shumë punëtorë, fshatarë dhe aktivistë.27

Sjellja e modeli totalitar shqiptar në raport me njerëzit e shkencës gjatë viteve 1945-1954 është vetëm një nga elementët e shumtë të marrëdhënieve të reja që krijohen mes shtetit e individit pas vitit 1945. Përpjekjet për kontrolli total të aktiviteti publik dhe privat të studiuesve kanë karakterizuar edhe modelin shqiptar duke krijuar profile të ndryshme që mund të grupohen në këto ndarje kryesore:

Së pari intelektualët që ju kundërvunë hapur ishin ata që me qëndrimet e tyre reaguan ndaj modelit totalitar dhe për këtë u dënuan ashpër ose u mënjanuan.

Së dyti ishin intelektualët që qëndruan në heshtje duke mbajtur distancë nga politika dhe duke zgjedhur të fokusohen tek jeta akademike.

Së treti ishin intelektualët që u formuan më vonë dhe u vunë në shërbim të pushtetit duke qenë mjaft aktiv. Ky grupim i tretë ka gjasa të mos jetë ende aktiv në vitet e para të funksionimi të institutit.

Si kudo në vendet totalitare mund të themi si shteti totalitar kishte marrëdhënie të dyfishtë me studiuesit. Nga njëra anë ata mbaheshin nën kontroll dhe ju diktoheshin tematikat që përkonin me interesat e pushtetit, ndërsa nga ana tjetër ata kishin privilegjin që të shiheshin me admirim nga pushteti si intelektualë me vlera dhe me autoritet të padiskutueshëm në publik.28 Këto marrëdhënie mes shtetit dhe studiuesve zhvilloheshin në një atmosferë mjaft të ngarkuar, ku dënimet ndaj intelektualëve kundërshtarë ishin mjaft të ashpra, sepse ata konsideroheshin si më të rrezikshmit edhe si opozitarë politikë të komunistëve. Gjyqi i Deputetëve dhe dënimi i Selaudin Totos, drejtori i Institutit të Shkencave në 1945, por edhe mjaft dënime të tjera, treguan hapur natyrën e sistemit të ri politik dhe sjelljen ndaj intelektualëve kundërshtarë. Por pasi eliminoi ata që i shihte si kundërshtarë, shteti totalitar kishte nevojë për të pasur një grup studiuesish me emër që ishin të shkolluar jashtë vendit që do të punonin për të ngritur lart kulturën kombëtare. Kjo ishte edhe pika lidhëse mes atyre studiuesve që ndonëse mbështetën luftën, nuk mund të ishin dakord me masat e ashpra represive të regjimit të ri. Interesi akademik i këtij grupit të dytë të studiuesve dhe pamundësia për të reaguar, bëri që ata të qëndronin neutralë dhe të ruanin gjatë gjithë periudhës profilin e studiuesit të pa përfshirë në politikë aktive. Edhe Prof. Buda bën pjesë në këtë profil. Në lidhje më këtë qëndrim na vijnë në ndihmë edhe opinionet e historianëve të tjerë që e kanë vlerësuar veç aktivitetit akademik edhe këtë qëndrim politik thuajse neutral. Profesor Kristo Frashëri pasi vlerëson punën  e madhe të Prof. Budës në hedhjen e bazave dhe ngritjen në nivele shkencore të historiografisë shqiptare, thekson se Prof. Buda zgjodhi rrugën e mesme të cilën ja diktoi nevoja që kishte vendi për punë kulturore dhe edukata rilindase që kishte marrë në familje. Ai vendosi të vazhdonte punën në fushën e kulturës duke qëndruar sa më larg temave ideologjike, hapësire të cilën e gjeti te historia e së kaluar së largët që nga ilirët, tek Skënderbeu dhe tek Rilindja Kombëtare.29

Profesor Paskal Milo mendon se Prof. Buda i qëndroi larg angazhimit politik për shkak të formimit të tij perëndimor, bindjes së tij se shkenca e historia ishin fushat e tij të veprimit dhe kënaqësia e jetës. Prof. Buda i ka shërbyer Shqipërisë, historisë, shkencës e kulturës shqiptare. Nëse në momente të caktuara këto shërbime të çmuara kanë përkuar edhe me interesat e regjimit komunist ose janë shfrytëzuar prej tij, këtu nuk ka asnjë faj e përgjegjësi historiani i madh, apo shkrimtarë, shkencëtarë e artistë të tjerë të mëdhenj.30

Ndërsa Profesor Pëllumb Xhufi mendon se Prof. Buda i shfrytëzoi marrëdhëniet e mira që kishte me regjimin për të ndikuar në promovimin e shkencave albanologjike duke filluar nga formimi brenda dhe jashtë vendit i specialistëve të latinishtes, greqishtes së vjetër dhe osmanishte. Instituti I Shkencave u bë një mburojë, ndoshta i vetmi vend ku mundën të punësohen apo të përfshihen në projektet shkencore përfaqësues të atyre që konsideroheshin si “klasat e përmbysura”.31

Në këto vite puna kryesore që bëri sektori i sociologjisë ishte e organizuar në drejtim të kërkimeve arkeologjike, kërkimeve gjuhësore të përqendruara në etnogjenezën ilire, mesjetën, rilindjen pra  një pune e shtrirë në një hark kohor mjaft të gjerë. Duhet thënë se niveli i kërkimit shkencor në histori u rrit, pavarësisht ideologjizimit që pësuan të gjitha shkencat por mbi të gjitha historia. Pavarësisht kësaj Prof. Buda arriti të studionte tema që mbulonin të gjitha periudhat historike me një profesionalizëm të lartë.

Tema e tij e preferuar në ato vite ishte historia e Skënderbeut, temë e cila ishte edhe punimi i parë shkencor si historian i Prof. Budës. Ky punim u prezantua në konferencën e parë për Skënderbeun të mbajtur në 17 janar 1949 me rastin e 481 vjetorit të vdekjes së heroit në sallën e Teatrit dhe materiali u botua pas 3 ditësh në shtyp. Duke qenë se regjimi i ri kishte në bazë urrejtjen ndaj bejlerëve, ata që ishin personazhe historike me këtë prejardhje shiheshin me dyshim, ku nuk shpëtonte dot as edhe heroi kombëtar që ishte pjesë e aristokracisë feudale dhe mbante titullin “bej”. Ky qëndrim dogmatik e dëmtonte historinë kombëtare dhe Prof. Buda në prezantimin e tij hodhi bazat e trajtimit të historisë së heroit kombëtar duke e trajtuar atë në kuadrin e kohës kur jetonte dhe kontributit të jashtëzakonshëm në bashkimin e shqiptarëve në luftën kundër osmanëve. Kjo do të ishte linja bazë që do ta çlironte heroin kombëtar nga paragjykimet klasore.32

Në shtatorin e vitit 1952 u zhvillua një konferencë nga Instituti I Shkencave që kishte dy tematika kryesore. Tema e parë ishte formimi i kombit shqiptar ndërsa tema e dytë ishte fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare. Organizatori i konferencës ishte Prof. Buda, i cili kishte arritur të vendoste në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare ku edhe mbahej konferenca, një citat të Stalinit ku thuhej: “Asnjë shkencë nuk mund të zhvillohet e të përparojë pa luftë mendimesh dhe pa liri kritike”.33 Parulla e vendosur dukej sikur ishte një mesazh edhe për studiuesit që të diskutonin lirshëm në konferencë, por edhe për partiakët vigjilentë që të mos i kundërviheshin thënies së Stalinit.34

Një çështje tjetër e diskutuar ishte maketi i historisë Shqipërisë, diskutimi i parë i së cilës është bërë në shkurt të vitit 1952. Në këtë mbledhje Prof. Buda hedh një nga parimet e rëndësishme metodike të shkrimit të historisë. Ai fillimisht këmbëngul që të krijohen skedarë sipas rendit kronologjik i cili duke u plotësuar përbën skeletin e punës. Por gjithashtu ai kërkon që të krijohet edhe një skedar i dytë që duhet të jetë i radhitur sipas problemeve sepse ka materiale që nuk mund të rreshtohen në formën kronologjike sepse përmbledhin faza të mëdha.35 Kështu del në pah edhe perceptimi mjaft i gjerë dhe i saktë për historinë si një shkencë që kërkon jo vetëm trajtim kronologjik, por edhe problemor e mbi të gjitha në bashkëpunim të ngushtë me shkencat e tjera ndihmëse. Për çështjen e maketit të historisë së Shqipërisë ka pasur informacion edhe Sigurimi i Shtetit. Ja seç thuhet në një raportim nga bashkëpunëtori “Dhelpëria” për Budën: Raport i bp “Dhelpërija” marrë nga p.operativ R. Zavalani, Tiranë, më 24.12.1953.Në seksionin e Historisë: Aleks Buda është shefi i seksionit. Bën përpjekje për të përvetësuar Marksizëm-Leninizmin, njeh mjaft Çështjet e Historisë, po ka konfuzion në kokë. Puna kryesore e Seksionit është Historia e Shqipërisë që po përgatitet. Nga sa kemi biseduar me Aleks Budën, monografitë e ndryshme nuk janë bërë në bazë të një modeli të përbashkët dhe as që janë biseduar përpara tezat e çdo monografie (siç bëhet fjala vjen në Bashkimin Sovjetik), po cilido ka vepruar sipas mendjes së tij. Veç kësaj edhe niveli i çdo monografie nuk është i ngritur, disa janë të dobëta. Kështu që kemi përshtypjen se Historia e Shqipërisë nuk do të dalë e gjitha e një niveli dhe me boshllëqe.”36

Mjaft prej studiuesve të kohës ishin edhe deputetë të Kuvendit Popullor. Në dy legjislatura, të viteve 1950-54 dhe 1954-58, edhe Prof. Buda ishte deputet i Kuvendit Popullor. Ai nuk ishte i vetmi nga Instituti I Shkencave që u bë deputet. Veçanërisht në qarkuan e Elbasanit spikasin disa prej emrave më të rëndësishëm të kulturës dhe dijes si Aleksandër Xhuvani, Kolë Paparisto, Petraq Popa, Dhimitër Shuteriqi.37 Sidoqoftë pozicioni i deputetit dhe i vetë Kuvendit Popullor ishte i parëndësishëm sepse zgjedhjet ishin formale dhe pushteti real ishte i papërfillshëm. Në biografinë e tij që ndodhet në fondet e Kuvendit në AQSH tregohet rezulton se ai ishte përfshirë në listën e deputetëve si një punëtor i palodhur në fushën e kulturës. Aty thuhet: “Me plot të drejtë populli i zonës elektorale Nr.43 të qarkut të Elbasani ka propozuar për Kuvendin Popullor kandidaturën e këtij intelektuali patriot që energjitë e tija i ka vënë në shërbim të zhvillimit dhe të përparimit të kulturës sonë nacionale”.38

Ai ka kontribuar edhe për filmin e madh artistik mbi heroin kombëtar Skënderbeu dhe për punën që bëri u dekorua me Urdhrin e Punës klasi të parë. Është dekoruar gjithashtu me urdhrin e punës të klasit të tretë.

Ndërkohë ka edhe një varg elementësh të tjerë që tregojnë vështirësitë e mëdha që ju krijuan atij dhe familjes së tij gjatë kësaj faze të parë të vendosjes së modelit totalitar. Në kohën kur po nisej në Konferencën e Paqes në vitin 1946 dy kunetërit e tij ishin arrestuar dhe ndodheshin në burg. Në letrën që prof. Buda i dërgon të shoqes Vasilikës para se të nisej për në Paris, i thotë se kishte qenë në burg dhe i kishte takuar të dy kunetërit të cilët ishin mirë por trembeshin për ndonjë transferim në burgun e Burrelit.39 Në vitin 1948 i arrestojnë vëllain e tij, Stasin sepse si trashëgimtar i farmacisë së babait të tyre nuk kishte arritur të shlyente tatimin e jashtëzakonshëm. Tatimi i vendosur ishte jashtë çdo logjike sepse nuk përputhej me të ardhurat e farmacisë. Siç rrëfen Prof. Buda, aty do të  kuptonte se sa e fortë ishte dora e diktaturës së proletariatit. Pasi ishte dërguar që të punonte edhe në kënetën e Maliqit dhe autoriteti ishin bindur se nuk kishte mundësi të paguante, Stas Buda u lirua pas një viti e gjysmë  në burg.40

Të gjitha këto fakte tregojnë për një pozicion të dyzuar mes shkencës, angazhimit politik dhe problemeve familjare të diktuara nga regjimi i ri. Sidoqoftë Prof. Buda arriti të fokusohej gjithnjë e më tepër në çështjet e shkencës duke gjetur hapësirën e tij të lirisë së brendshme në atë kohë të vështirë.

 

Përfundime

 

Prof. Buda ishte mbi të gjitha një erudit i përmasave evropiane që ja kushtoi jetën studimeve dhe shkrimeve mbi albanologjinë. I edukuar në një familje patriotike në një qytet mjaft aktiv, ai u mbrujt me atdhedashuri. Ai jetoi dhe studioi jashtë vendit për 18 vjet. Sidomos gjatë viteve të studimeve në Austri, ai u orientua drejt studimeve filologjike dhe historike duke njohur mirë latinishten dhe greqishten e vjetër. Gjatë viteve të studimeve të larta ai bëri shoqëri me shumë intelektualë të tjerë patriotë me prirje të majta dhe filloi të kishte prirje të majta politike dhe të simpatizonte marksizmin ende pa e njohur fytyrën e vërtetë të aplikimit të ideologjisë në praktikë. Sidoqoftë ai ndihej shumë më tepër social-demokrat, me respekt për humanizmin dhe demokracinë parlamentare. Kthimi në atdhe mund të thuhet se e radikalizoi politikisht sepse nga njëra anë vendi ishte i pushtuar dhe nga ana tjetër ai dhe familja e tij vuajtën nën regjimin e pushtimit. Ai u burgos dy herë dhe u dërgua forcërisht të bënte ushtrinë në Itali ndonëse ishte profesor. Veç kësaj edhe e ëma e tij u burgos për pak kohë si rezultat i përfshirjes së të vëllait në rezistencën antifashiste. Si pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë ai nuk mund të pajtohej me pushtimin e vendit dhe për këtë arsye krejt spontanisht u bë pjesë e lëvizjes antifashiste. Statura e tij prej intelektuali të spikatur dhe me bindje të majta bënë që të afrohet nga pushteti i ri duke u emëruar në poste të rëndësishme si nënkryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Elbasanit, si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit, si anëtar dhe drejtues i Seksionit të Sociologjisë e Historisë dhe Ekonomisë në Institutin e Shkencave dhe më pas si deputet i Kuvendit Popullor. Të gjitha këto pozicione i arriti dhe pranoi sepse thellë-thellë ai ishte njeri i dijes dhe do të përpiqej të jepte maksimumin e tij për të ndriçuar dhe lartësuar historinë shqiptare. Mbi të gjitha ai hodhi bazat e historiografisë shqiptare. Por ndërkohë jetonte në një sistem ku i vëllai ju burgos për pak kohë se nuk mund të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm të vendosur pas luftës. Kunetërit e tij po ashtu u burgosën. Liria e shprehjes ishte e kufizuar dhe shumë intelektualë u burgosën e vranë. Ai e dinte mirë pasojat nëse rebelohej, ndonëse në heshtje nuk pajtohej me luftën e klasave, me mungesën e lirive, me persekutimet politike dhe me kufizimet drastike të kontakteve njerëzore, shkencore e kulturore me botën e jashtme. Kjo duket në përpjekjet që bëri për përfshirjen në institut të atyre që ndonëse kishin njolla në biografi, u përfshinë në projekte shkencore. Për shkak të aftësive të tij si studiues, ai u shndërrua gradualisht në përfaqësuesin më të shquar të kërkimit shkencor në Shqipëri, ndoshta ndër të vetmin që mbante kontakte dhe takohej me kolegë të huaj në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare.

 

 BIBLOGRAFI

 

AQSH

Fondi i Këshillit të Minstrave

Fondi i Kuvendit

Fondi i Ministrisë së Arsimit

 

ARKIVI I FAMILJES BUDA

Frashëri, Kristo.  Prof. Aleks Buda dhe Skënderbeu.

Proces-verbal i mbledhjeve për historinë e Shqipërisë dt. 14.02.1952.

Letër e Arshi Pipës për Aleks Budën dt. 23 mars 1944

Letër e Zef Pllumbit për Aleks Budën viti 1944

 

AIDSSH

Dosja formulare Eqerem Çabej

 

LIBRA

Haxhimihali, Tatjana. Aleks Buda Kujtime. Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2005.

Haxhimihali, Tatjana. Aleks Buda Kujtime 2. Tiranë : Akademia e Shkencave  e Shqipërisë, 2014.

Luarasi, Skënder. Në brigadat ndërkombëtare në Spanjë. Tiranë : Toena, 2006.

 

ARTIKUJ

David-Fox, Michael. “Communism and Intelecutals”, The Cambridge History of Communism, Cambridge Univeristy Press.

Frashëri, Kristo. Aleks Buda, mbi kriteret metodologjike studimore të historisë së Shqipërisë, Aleks Buda një jetë për albanologjinë, Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2012

Milo, Paskal  Aleks Buda ambasador i shkences shqiptare.  Gazeta Shqiptare 24 maj 2016.

Kolar, Pavel. “Communism in Eastern Europe”, The Oxford Handbook of the History of Communism, Ed. Stephen A.Smith, Oxford Unviersity Press 2014.

Xhufi, Pëllumb. “Aleks Buda dhe mjedisi kulturor e atdhetar i formimit të tij”, Aleks Buda një jetë për albanologjinë, Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2012.

 


BURIME NË INTERNET

http://akad.gov.al/ash/rreth-ash/historiku

http://www.bksh.al/Pershkrimi.html

1 Tatjana Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime (Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë 2005), 31.↩

2 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime, 73.↩

3 Po aty, 201.↩

4 AQSH, Fondi Nr. 511,  Dosja nr.159,  viti 1932↩

5 AQSH, Fondi nr. 511, Dosja nr. 97, Fleta 1-2.↩

6 Skënder Luarasi, Në brigadat ndërkombëtare në Spanjë, (Tiranë : Toena, 2006), 13.↩

7 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime, 229-230.↩

8 AQSH, Fondi 489 , Dosja Nr. 143↩

9 Arkivi i Familjes Buda, Letër e Arshi Pipës për Aleks Budën dt. 23 mars 1944,↩

10 Arkivi i Familjes Buda , Letër e Zef Pllumbit  për Aleks Budën viti 1944,↩

11 AQSH, Fondi Nr.489, Dosja Nr. 143↩

12 Tatjana Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime 2 (Tiranë : Akademia e Shkencave  e Shqipërisë, 2014), 7.↩

13 http://www.bksh.al/Pershkrimi.html↩

14 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime 2, 8.↩

15 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime 2, 9.↩

16 http://www.bksh.al/Pershkrimi.html↩

17 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime 2, 13.↩

18 Po aty, 39.↩

19 Paskal, Milo.  Aleks Buda ambasador i shkences shqiptare, Gazeta Shqiptare 24 maj 2016.↩

20 Po aty.↩

21 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime 2,44.↩

22 Milo, Aleks Buda ambasador i shkencës shqiptare.↩

23 Kryetar i parë i këtij Instituti ishte Ernest Koliqi dhe sekretar i përgjithshëm Zef Valentini, ndërsa ndër anëtarët kishte intelektualë të shquar si Aleksandër Xhuvani, Ekrem Vlora, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Lazër Shantoja, Sotir Kolea, Vangjel Koça etj. Më 1942 u quajt Instituti Mbretnuer Shqiptar, në varësi të Kryeministrisë. Në periudhën e pushtimit gjerman Instituti u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte, me zgjerimin e fushave të kërkimit e të numrit të studiuesve, tanimë vetëm shqiptarë, të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Në këtë institucion u përfshinë edhe intelektualë të tjerë të njohur të kohës, si: Ali Asllani, Arshi Pipa, Hamdi Sulçebe, Hasan Dosti, Krist Maloki, Kristo Floqi, Ndoc Nikaj, Mithat Frashëri, Odhise Paskali, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Vedat Kokona etj. http://akad.gov.al/ash/rreth-ash/historiku↩

24 http://akad.gov.al/ash/rreth-ash/historiku↩

25 AQSH, Fondi 490, Dosja nr. 7 , viti 1947.↩

26 Po aty↩

27 Pavel Kolar, “Communism in Eastern Europe”, The Oxford Handbook of the History of Communism, Ed. Stephen A.Smith, (Oxford Unviersity Press 2014), 208-209.↩

28 Michael David-Fox, “Communism and Intelecutals”, The Cambridge History of Communism, Cambridge Univeristy Press, 527.↩

29 Kristo Frashëri,  Prof. Aleks Buda dhe Skënderbeu, Arkivi i Familjes Buda↩

30 Milo, Aleks Buda ambasador i shkencës shqiptare↩

31 Pëllumb Xhufi, “Aleks Buda dhe mjedisi kulturor e atdhetar i formimit të tij”, Aleks Buda një jetë për albanologjinë, (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2012), 40.↩

32 Frashëri, Kristo.  Prof. Aleks Buda dhe Skënderbeu, Arkivi i Familjes Buda↩

33 Frashëri Kristo, Aleks Buda, mbi kriteret metodologjike studimore të historisë së Shqipërisë, Aleks Buda një jetë për albanologjinë, (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2012), 20.↩

34 Po aty↩

35 Proces-verbal i mbledhjeve për historinë e Shqipërisë dt. 14.02.1952, Arkivi i familjes Buda.↩

36 AIDSSH , Dosja formulare Eqerem Çabej, Fl.56-57↩

37 AQSH Fondi Nr 489.  Dosja Nr. 141, fleta 1-4↩

38 AQSH Fondi Nr. 489, Dosja Nr. 143↩

39 Haxhimihali, Aleks Buda Kujtime 2, 40.↩

40 Po aty, 19.↩

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *